Sport

Kosova pranon flamurin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”

Published

on

Flamuri i Kosovës u ngrit për herë të tretë në ceremoninë mbyllëse të Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, duke shënuar edhe dorëzimin simbolik të organizimit të edicionit të ardhshëm, i cili do të mbahet në Prishtinë në vitin 2030.

Gjatë Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, flamuri i Kosovës ishte ngritur në shtizën më të lartë edhe dy herë të tjera, falë medaljeve të arta të fituara nga boksierja Donjeta Sadiku dhe karateisti Islam Selmani.

Në ceremoninë mbyllëse, e cila u mbajt të enjten mbrëma në Taranto, flamuri gjigant i Kosovës u vendos përkrah flamurit të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare dhe atij të Italisë, nikoqires së këtij edicioni.

Kosova e përmbylli pjesëmarrjen në “Taranto 2026” me gjithsej nëntë medalje: dy të arta, tri të argjendta dhe katër të bronzta.

Ceremonia mbyllëse nisi me program muzikor dhe vazhdoi me parakalimin e sportistëve pjesëmarrës. Flamurin e Kosovës në këtë ceremoni e bartën karateisti Islam Selmani dhe karateistja Fortesa Orana.

Pas parakalimit të sportistëve, u zhvillua ceremonia e pranimit të flamurit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”. Flamuri i Kosovës u pranua me nderime shtetërore dhe u vendos përkrah flamurit të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare dhe atij të Italisë.

Pas ngritjes së flamurit në shtizë, u intonua himni i Republikës së Kosovës, i cili u përcoll me duartrokitje të mëdha nga të pranishmit.

Flamurin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” e pranoi delegacioni i Kosovës, i udhëhequr nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Prishtina do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030, në atë që pritet të jetë ngjarja më e madhe sportive e organizuar ndonjëherë në Kosovë.

Vendimi që Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 të mbahen në Prishtinë u mor më 8 shtator 2023, në Heraklion të Greqisë. Organizimi i këtij eventi do të kërkojë investime të mëdha në infrastrukturën sportive dhe në fusha të tjera, me synim që Prishtina dhe Kosova të jenë të gatshme për të mirëpritur mijëra sportistë dhe delegacione nga vendet e rajonit të Mesdheut.

Përgjatë katër viteve të ardhshme pritet të investohen miliona euro në infrastrukturë sportive dhe në përgatitjet e nevojshme për organizimin e Lojërave.

Pjesëmarrja në “Taranto 2026” ishte paraqitja e tretë e Kosovës në Lojërat Mesdhetare. Kosova garoi me 163 sportistë, ndërsa nëntë prej tyre arritën të fitojnë medalje, duke vendosur rekord të ri për vendin.

Në debutimin e saj në Lojërat Mesdhetare, në “Tarragona 2018”, Kosova fitoi katër medalje. Në “Oran 2022”, numri u rrit në gjashtë, ndërsa në “Taranto 2026” sportistët kosovarë e çuan bilancin në nëntë medalje.

Pas përfundimit të “Taranto 2026”, vëmendja tashmë zhvendoset te Prishtina, e cila pas katër vjetësh do të mirëpresë një nga ngjarjet më të mëdha sportive ndërkombëtare të zhvilluara në Kosovë.

D.L

Continue Reading

Sport

Kosova e mbyll “Taranto 2026” me rekord prej nëntë medaljesh

Published

on

By

Kosova e ka mbyllur pjesëmarrjen në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” me nëntë medalje, duke regjistruar paraqitjen më të suksesshme në historinë e saj në këtë ngjarje.

Bilanci i Kosovës përbëhet nga dy medalje të arta, tri të argjendta dhe katër të bronzta.

Medaljet e arta u fituan nga boksierja Donjeta Sadiku dhe karateisti Islam Selmani. Medaljet e argjendta i siguruan xhudistja Laura Fazliu dhe peshëngritësi Kianoush Rostami, i cili fitoi dy medalje të argjendta.

Ndërkaq, medaljet e bronzta i fituan xhudistët Akil Gjakova, Shpati Zekaj, Fatjona Kasapi dhe Flaka Loxha.

Me këtë bilanc, Kosova ka thyer rekordin e saj të mëparshëm në Lojërat Mesdhetare. Në “Tarragona 2018” kishte fituar katër medalje, ndërsa në “Oran 2022” gjashtë.

Nëntë medaljet e fituara në Taranto konsiderohen sukses për Komitetin Olimpik të Kosovës, ndonëse pritshmëritë ishin më të mëdha edhe në disa sporte të tjera. Rezultate më të mira priteshin në taekwondo, atletikë, si dhe në sportet ekipore, përfshirë futbollin, basketbollin 3×3, hendbollin dhe volejbollin e meshkujve.

Kosova garoi në “Taranto 2026” me një delegacion të gjerë sportistësh, ndërsa në fund arriti të vendosë një rekord të ri sa i përket numrit të medaljeve të fituara në Lojërat Mesdhetare.

Të enjten mbrëma do të mbahet ceremonia e mbylljes së Lojërave Mesdhetare, ku flamuri do t’i dorëzohet Kosovës si nikoqire e edicionit të ardhshëm, “Prishtina 2030”.

D.L

Continue Reading

Sport

Wenger vlerëson FFK-në për themelimin e “FIFA Talent Academy Kosova”

Published

on

By

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka pranuar një letër falënderimi dhe vlerësimi nga Shefi i Zhvillimit Global të Futbollit në FIFA, Arsène Wenger.

Në letrën drejtuar presidentit të FFK-së, Wenger ka vlerësuar lart angazhimin, përkushtimin dhe bashkëpunimin e federatës kosovare në procesin e themelimit të “FIFA Talent Academy Kosova”.

Wenger ka theksuar se përkushtimi i FFK-së ka qenë thelbësor në avancimin e kësaj nisme, ndërsa eventin e mbajtur në Prishtinë e ka cilësuar si një dëshmi të profesionalizmit, organizimit dhe pasionit për zhvillimin e futbollit.

“Eventi historik i mbajtur në Prishtinë është dëshmi e profesionalizmit tuaj, përsosmërisë organizative dhe pasionit për zhvillimin e futbollit”, ka shkruar Wenger.

Ai ka vlerësuar gjithashtu mbështetjen dhe burimet e ofruara nga FFK-ja gjatë gjithë procesit, duke nënvizuar rolin e Kosovës në zhvillimin dhe kultivimin e talenteve të rinj.

Sipas Wengerit, kjo nismë mund të shërbejë edhe si standard për vendet e tjera, ndërsa FIFA pret që partneriteti me FFK-në të forcohet edhe më tej.

“Me kënaqësi presim që ta forcojmë edhe më tej partneritetin tonë, ndërsa ecim përpara në këtë kapitull të ri dhe emocionues. Së bashku, mund të vazhdojmë të ndërtojmë një trashëgimi të qëndrueshme për futbollin në Kosovë dhe më gjerë”, thuhet në letrën e tij.

Në fund të letrës, Wenger ka falënderuar FFK-në për kontributin e saj në krijimin e mundësive për talentet e rinj në Kosovë.

D.L

Continue Reading

Sport

Bakraçi e mbyll garimin e Kosovës në “Taranto 2026”

Published

on

By

Gresa Bakraçi ishte sportistja e fundit nga Kosova që garoi në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.

Atletja kosovare garoi të enjten në mëngjes, në ditën e fundit të Lojërave, në garën e gjysmëmaratonës.

Bakraçi nuk arriti ta përfundojë garën në shtegun prej 21 kilometrash. Në total, katër atlete nuk e përfunduan gjysmëmaratonën.

Me përfundimin e garimit të Bakraçit, Kosova e mbylli pjesëmarrjen në “Taranto 2026” me nëntë medalje.

Kosova u përfaqësua në këto Lojëra Mesdhetare me 163 sportistë, ndërsa për pjesën më të madhe të delegacionit rezultatet ishin nën pritshmëritë.

Në fund, bilanci i Kosovës mbeti në nëntë medalje të fituara në Taranto.

D.L

Continue Reading

Sport

Real Madridi mbyll merkaton me mbi 200 milionë euro investime

Published

on

By

Afati kalimtar veror është mbyllur në pesë ligat kryesore evropiane, ndërsa Real Madridi nuk ishte protagonist në orët e fundit të merkatos. Klubi madrilen i kishte përfunduar lëvizjet e tij shumë më herët, duke bërë pjesën më të madhe të punës që në muajt e parë të verës.

Tashmë është koha për bilancet e para dhe për të analizuar se si kanë dalë skuadrat kryesore pas një vere me shumë lëvizje. Në fokus është Real Madridi, i cili këtë verë ishte mjaft aktiv në merkato.

Pas zgjedhjeve presidenciale, të fituara sërish nga Florentino Pérez, një prej zhvillimeve më të bujshme ishte rikthimi i José Mourinhos në klub. Më pas, drejtuesit madrilenë konkretizuan edhe disa përforcime të tjera, kryesisht mes fundit të qershorit dhe fillimit të korrikut.

Rreth 225 milionë euro të investuara

Në total, Real Madridi ka shpenzuar rreth 225 milionë euro gjatë këtij afati kalimtar.

Pjesën më të madhe të këtij investimi e përbën transferimi i Yan Diomandes, për të cilin klubi pagoi 125 milionë euro fikse. Ai u bë blerja më e shtrenjtë e Real Madridit gjatë kësaj vere dhe një prej transferimeve më të bujshme të merkatos.

Në Madrid u transferuan gjithashtu Marc Cucurella, Carlos Espi dhe Denzel Dumfries, për të cilët klubi pagoi shuma të konsiderueshme. Ndërkohë, Ibrahima Konaté dhe Bernardo Silva iu bashkuan skuadrës si lojtarë të lirë.

Në anën tjetër, Real Madridi arkëtoi mbi 55 milionë euro nga shitjet e futbollistëve. Ndër largimet më të rëndësishme ishin Gonzalo García dhe César Palacios, të cilët u transferuan te Fulham.

Megjithatë, aktiviteti i “Los Blancos” në merkato u ul ndjeshëm me kalimin e javëve. Klubi arriti të përforcojë pothuajse të gjitha repartet e skuadrës, ndërsa pozita e portierit nuk u konsiderua si një repart që kishte nevojë për ndërhyrje.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm ishte rinovimi i kontratës me Vinícius Júniors, duke siguruar të ardhmen e një prej futbollistëve kryesorë të skuadrës.

Mesfusha, pika e vetme e diskutimit

Pavarësisht investimeve të mëdha, një prej mangësive të këtij afati kalimtar mund të konsiderohet mosafrimi i një tjetër mesfushori qendror.

Real Madridi kishte synuar ta përforconte këtë repart, por Rodri zgjodhi transferimin te Barcelona, duke bërë që madrilenët të mos realizonin një tjetër goditje të madhe në mesfushë.

Tani përgjegjësia kalon te José Mourinho. Trajneri portugez do të duhet të nxjerrë maksimumin nga një skuadër e rindërtuar dhe me investime të konsiderueshme, me synimin për ta rikthyer Real Madridin në majën e futbollit evropian.

Pas një vere me mbi 200 milionë euro të investuara, pritshmëritë në Madrid janë të mëdha dhe rezultatet në fushë do të jenë matësi i vërtetë i suksesit të kësaj merkatoje.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara