Sport

Kosova pranon flamurin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”

Published

on

Flamuri i Kosovës u ngrit për herë të tretë në ceremoninë mbyllëse të Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, duke shënuar edhe dorëzimin simbolik të organizimit të edicionit të ardhshëm, i cili do të mbahet në Prishtinë në vitin 2030.

Gjatë Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, flamuri i Kosovës ishte ngritur në shtizën më të lartë edhe dy herë të tjera, falë medaljeve të arta të fituara nga boksierja Donjeta Sadiku dhe karateisti Islam Selmani.

Në ceremoninë mbyllëse, e cila u mbajt të enjten mbrëma në Taranto, flamuri gjigant i Kosovës u vendos përkrah flamurit të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare dhe atij të Italisë, nikoqires së këtij edicioni.

Kosova e përmbylli pjesëmarrjen në “Taranto 2026” me gjithsej nëntë medalje: dy të arta, tri të argjendta dhe katër të bronzta.

Ceremonia mbyllëse nisi me program muzikor dhe vazhdoi me parakalimin e sportistëve pjesëmarrës. Flamurin e Kosovës në këtë ceremoni e bartën karateisti Islam Selmani dhe karateistja Fortesa Orana.

Pas parakalimit të sportistëve, u zhvillua ceremonia e pranimit të flamurit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”. Flamuri i Kosovës u pranua me nderime shtetërore dhe u vendos përkrah flamurit të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare dhe atij të Italisë.

Pas ngritjes së flamurit në shtizë, u intonua himni i Republikës së Kosovës, i cili u përcoll me duartrokitje të mëdha nga të pranishmit.

Flamurin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” e pranoi delegacioni i Kosovës, i udhëhequr nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Prishtina do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030, në atë që pritet të jetë ngjarja më e madhe sportive e organizuar ndonjëherë në Kosovë.

Vendimi që Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 të mbahen në Prishtinë u mor më 8 shtator 2023, në Heraklion të Greqisë. Organizimi i këtij eventi do të kërkojë investime të mëdha në infrastrukturën sportive dhe në fusha të tjera, me synim që Prishtina dhe Kosova të jenë të gatshme për të mirëpritur mijëra sportistë dhe delegacione nga vendet e rajonit të Mesdheut.

Përgjatë katër viteve të ardhshme pritet të investohen miliona euro në infrastrukturë sportive dhe në përgatitjet e nevojshme për organizimin e Lojërave.

Pjesëmarrja në “Taranto 2026” ishte paraqitja e tretë e Kosovës në Lojërat Mesdhetare. Kosova garoi me 163 sportistë, ndërsa nëntë prej tyre arritën të fitojnë medalje, duke vendosur rekord të ri për vendin.

Në debutimin e saj në Lojërat Mesdhetare, në “Tarragona 2018”, Kosova fitoi katër medalje. Në “Oran 2022”, numri u rrit në gjashtë, ndërsa në “Taranto 2026” sportistët kosovarë e çuan bilancin në nëntë medalje.

Pas përfundimit të “Taranto 2026”, vëmendja tashmë zhvendoset te Prishtina, e cila pas katër vjetësh do të mirëpresë një nga ngjarjet më të mëdha sportive ndërkombëtare të zhvilluara në Kosovë.

D.L

Continue Reading

Sport

Vedat Muriqi shkëlqen te Fenerbahçe, kontribuon në tetë gola

Published

on

By

Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi, po kalon një fillim të shkëlqyeshëm te Fenerbahçe, duke dëshmuar vlerën e tij me paraqitjet në fushë.

Sipas mediumit turk “Sabah”, futbollisti 32-vjeçar ka kontribuar në tetë gola këtë sezon, me shtatë realizime dhe një asistim, ndonëse ka munguar në tri ndeshje për shkak të një lëndimi.

Muriqi është rikthyer te skuadra turke pas gjashtë vitesh, ndërsa investimi prej 15.5 milionë eurosh duket se po shpërblehet me paraqitjet e tij në repartin ofensiv.

Sulmuesi kosovar ka lënë pas edhe disa emra të njohur të futbollit evropian, të cilët ishin konsideruar si kandidatë për përforcimin e sulmit të klubit turk në fillim të sezonit.

Me formën e treguar, Muriqi po dëshmon se është një nga lojtarët kryesorë të Fenerbahçes, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në sukseset e skuadrës.

D.L

Continue Reading

Sport

Infantino drejt mandatit të katërt në FIFA, rivali i mundshëm tërhiqet nga gara

Published

on

By

Gjasat që Gianni Infantino të rizgjidhet president i FIFA-s janë rritur ndjeshëm, pasi Victor Montagliani pritet të kandidojë për një mandat të fundit në krye të CONCACAF-it, në vend që ta sfidojë atë.

Kanadezi 61-vjeçar konsiderohej si një nga kandidatët e mundshëm përballë Infantinos, pas kritikave të shumta ndaj planit të FIFA-s për shitjen e aksioneve të Kupës së Botës te investitorët privatë. Megjithatë, Montagliani nuk e kishte konfirmuar asnjëherë zyrtarisht synimin për të kandiduar për kreun e FIFA-s.

Sipas gazetës britanike “The Guardian”, Montagliani nuk do të hyjë në garë kundër Infantinos, i cili synon mandatin e katërt në zgjedhjet e marsit.

Ndërkohë, kundërshtarët e presidentit aktual, të udhëhequr nga UEFA, duhet të gjejnë një kandidat të përbashkët deri më 18 nëntor.

Një tjetër mbështetje e rëndësishme për Infantinon erdhi nga Konfederata Afrikane e Futbollit, pasi të 54 federatat anëtare të saj shprehën përkrahje unanime për rizgjedhjen e tij.

“Është vendim unanim i të gjitha 54 vendeve anëtare të Konfederatës Afrikane për përkrahje pa kushte të Giannit si president i FIFA-s”, deklaroi presidenti i CAF-it, Patrice Motsepe, duke vlerësuar kontributin e Infantinos për zhvillimin e futbollit afrikan.

Ndërkohë, Aleksandar Çeferin synon të vazhdojë në krye të UEFA-s, duke e bërë garën për drejtimin e futbollit botëror edhe më interesante në muajt e ardhshëm.

D.L

Continue Reading

Sport

Kosova e mbyll Botërorin e xhudos pa medalje, Distria Krasniqi mungoi për shkak të lëndimit

Published

on

By

Me luftën e Shpati Zekajt, të zhvilluar të premten paradite, Kosova e ka përfunduar paraqitjen në Kampionatin Botëror të xhudos në Baku të Azerbajxhanit.

Kosova garoi me katër xhudistë, por asnjëri prej tyre nuk arriti t’i afrohej zonës së medaljeve. Ky ishte një Botëror veçanërisht sfidues për ekipin kosovar, që për herë të parë që nga viti 2023 mbetet pa medalje në këtë garë.

Mungesa e Distria Krasniqit, e cila nuk mori pjesë për shkak të lëndimit, ishte një nga faktorët kryesorë në këtë kampionat. Kampionia kosovare konsiderohej ndër pretendentet kryesore për medalje, ndërsa mungesa e saj u ndje në një ekip që këtë herë nuk arriti të përmbushte pritshmëritë.

Paraqitjen më të mirë nga xhudistët kosovarë e pati Dardan Cena, i cili fitoi dy luftë në kategorinë deri në 73 kilogramë. Fillimisht, ai mposhti irlandezin Joshua Green, përpara se të triumfonte edhe ndaj gjeorgjianit Lasha Shavdatuashvili. Megjithatë, në luftën e tretë u eliminua nga italiani Leandro Valeriani.

Në të njëjtën kategori garoi edhe Akil Gjakova, por ai u eliminua që në luftën e parë nga kampioni olimpik në fuqi, Hidayat Heydarov i Azerbajxhanit.

Pritshmëri të mëdha kishte edhe për Laura Fazliun në kategorinë deri në 63 kilogramë. Ajo e nisi garën me fitore bindëse ndaj gjermanes Sara-Joy Bauer, por u eliminua në luftën e dytë nga mongolja Enkhriilen Lkhagvatogoo, e cila fitoi me “Ippon” pas vetëm 23 sekondash.

Ndërkaq, Shpati Zekaj u ndal në luftën e parë në kategorinë deri në 100 kilogramë. Ai pësoi humbje nga moldavi Vadim Ghimbovschi, i cili realizoi një uazari herët në përballje.

D.L

Continue Reading

Sport

Messi dhe Ronaldo bashkë në një skuadër? Tevez synon t’i bashkojë në ndeshjen e lamtumirës

Published

on

By

Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo mund të luajnë si bashkëlojtarë për një natë, në një ndeshje të veçantë që pritet të tërheqë vëmendjen e gjithë botës së futbollit.

Ish-futbollisti argjentinas Carlos Tevez po planifikon organizimin e ndeshjes së lamtumirës në stadiumin “La Bombonera”, në Buenos Aires, më 20 dhjetor 2026.

Sipas mediumit spanjoll “Marca”, duke iu referuar “Infobae”, synimi i Tevezit është që Messi dhe Ronaldo të jenë pjesë e së njëjtës skuadër në këtë përballje.

Pjesëmarrja e dy yjeve të futbollit botëror ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, por Tevez ka bërë të ditur se po punon për ta realizuar këtë ide.

Në mesin e emrave që dëshiron t’i ftojë janë edhe Gianluigi Buffon, Edwin van der Sar, Rio Ferdinand, Nemanja Vidić, Andrea Pirlo dhe Paul Scholes.

“Do ta gjej vetë Cristianon”, ka deklaruar Tevez, duke folur për mundësinë e pjesëmarrjes së portugezit.

Tevez ka luajtur përkrah Messit te Përfaqësuesja e Argjentinës, ndërsa me Ronaldon ka qenë bashkëlojtar te Manchester Unitedi.

Nëse projekti realizohet, tifozët mund të shohin për herë të parë Messin dhe Ronaldon me të njëjtën fanellë, në një ngjarje që premton të jetë ndër më të veçantat e futbollit.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara