Kosova i ka përfunduar garat në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026 me gjashtë medalje, një të artë, një të argjendtë dhe katër të bronzta. Përfaqësuesit kosovarë garuan në disa sporte, ndërsa medaljet u fituan në boks dhe xhudo.
Medalja e artë erdhi nga boksi, përmes Donjeta Sadikut, e cila triumfoi në finalen e kategorisë së saj përballë boksieres nga Serbia, duke i siguruar Kosovës medaljen e artë në këto Lojëra Mesdhetare.
Në xhudo, Kosova fitoi pesë medalje. Fatjona Kasapi, Akil Gjakova, Flaka Loxha dhe Shpati Zekaj fituan medalje të bronzta, ndërsa Laura Fazliu u stolis me medalje të argjendtë në kategorinë deri në 63 kilogramë. Fazliu u ndal në finale nga italiania Carlotta Avanzato. Për të, kjo ishte medalja e dytë në Lojërat Mesdhetare, pas medaljes së artë të fituar katër vjet më parë në Oran. Për Shpati Zekajn, ndërkohë, medalja e bronztë ishte e para në një edicion të Lojërave Mesdhetare.
Kosova u përfaqësua edhe në sporte të tjera gjatë Taranto 2026, ndërsa gjatë fundjavës u zhvilluan garat në pingpong, basketbollin 3×3 dhe futbollin e femrave U18.
Në basketbollin 3×3, Kosova garoi në konkurrencën e meshkujve dhe femrave. Te meshkujt, Kosova u mposht fillimisht nga Portugalia me rezultat 17:12, ndërsa në ndeshjen vendimtare të fazës së grupeve pësoi humbje 21:11 nga Turqia, duke e përfunduar garimin pa kaluar në çerekfinale.
Në konkurrencën e femrave, Kosova u mposht nga Greqia me rezultat 18:9 dhe më pas nga Italia 18:7, duke e përfunduar kështu garimin në Taranto.
Në futbollin e femrave U18, Kosova e mbylli pjesëmarrjen me barazim 1:1 ndaj Sllovenisë. Golin për Kosovën e shënoi Adela Sinani në minutën e gjashtë. Pas humbjeve ndaj Marokut, Portugalisë dhe Italisë, përfaqësuesja e Kosovës e përfundoi garimin me një pikë.
Edhe në pingpong u zhvilluan garat gjatë fundjavës, duke kompletuar kështu programin e garave të sportistëve kosovarë në Taranto 2026.
Me përfundimin e të gjitha garave, Kosova e mbyll pjesëmarrjen në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026 me gjashtë medalje, një të artë në boks, një të argjendtë dhe katër të bronzta në xhudo.
D.L