Lajmet

Kosova përballë përçarjes: kur politika, identiteti dhe gjuha e urrejtjes rrezikojnë ta dëmtojnë besimin shoqëror

Published

on

Nga Musa Sabedini – Është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që në rrethana kaq të ngarkuara politike, sociale e identitare të heshtësh përballë një gjendjeje që, për shumë qytetarë, po bëhet gjithnjë e më e rëndë, frustruese dhe shqetësuese. Kosova po përjeton një klimë publike në të cilën debati politik shpesh nuk zhvillohet mbi ide, programe dhe alternativa, por rrëshqet drejt etiketimit, denigrimit, përjashtimit dhe sulmit personal. Në një shoqëri të brishtë demokratike, kjo nuk është thjesht një çështje e komunikimit politik; është problem që prek drejtpërdrejt kohezionin shoqëror dhe besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit.

Sot, duket sikur pothuajse askush nuk është i imunizuar ndaj gjykimit negativ. Edhe njerëzit me kontribut të dëshmuar publik, pavarësisht bindjeve të tyre, mund të shndërrohen brenda pak orësh në objekt sulmesh, talljesh e linçimesh virtuale. Kjo kulturë e polarizimit e zvogëlon hapësirën për mendim ndryshe dhe krijon një realitet ku kundërshtari politik nuk shihet më si bashkëqytetar me të drejtë të ndryshme mendimi, por si armik që duhet eliminuar nga debati.

Shqetësimi bëhet edhe më i madh kur në këtë klimë përfshihen figurat dhe periudhat më të ndjeshme të historisë sonë të afërt. Është e papranueshme që kontributi, sakrifica apo roli i njerëzve të luftës të trajtohet përmes fyerjes, poshtërimit dhe gjuhës së urrejtjes. Mund të ketë debate të forta politike, juridike e historike për çdo individ dhe për çdo periudhë, por një shoqëri demokratike duhet të dijë ta bëjë dallimin ndërmjet kritikës dhe denigrimit, ndërmjet debatit dhe linçimit, ndërmjet llogaridhënies dhe hakmarrjes politike.

Në këtë kontekst, edhe rasti i Hashim Thaçit, i cili ndodhet në paraburgim në Hagë dhe përballet me një proces gjyqësor, nuk duhet të shërbejë si justifikim për çnjerëzimin e debatit publik. Drejtësia duhet të flasë përmes institucioneve dhe gjykatave, ndërsa qytetarët kanë të drejtë të kenë qëndrime të ndryshme. Por askush nuk fiton asgjë kur një proces gjyqësor shndërrohet në pretekst për fyerje, urrejtje apo glorifikim të figurave dhe ideologjive që kanë prodhuar tragjedi në historinë e Kosovës.

Po aq shqetësuese është edhe mënyra se si po zhvillohet debati mbi fenë dhe identitetin. Besimi fetar është e drejtë personale dhe kushtetuese, ndërsa diskutimi për të është pjesë e një shoqërie pluraliste; por liria e shprehjes nuk duhet të shndërrohet në licencë për poshtërimin e tjetrit. Një intelektual, një figurë publike apo cilido qytetar mund të kritikojë ide, praktika dhe interpretime fetare, por fyerja sistematike e një komuniteti të tërë nuk është debat intelektual. Ajo është përçarje.

Në një vend me histori të dhimbshme dhe me plagë ende të pambyllura, pyetja që duhet ta shtrojmë është e thjeshtë: ku po na çon kjo gjuhë? Kujt i shërben një shoqëri ku shqiptarët përplasen me shqiptarët mbi baza politike, fetare, krahinore apo ideologjike? Kujt i konvenon një Kosovë ku çdo debat përfundon në armiqësi dhe ku dallimi i mendimit interpretohet si tradhti?

Ne mund të kemi bindje të ndryshme politike, mund të votojmë parti të ndryshme dhe të kemi interpretime të ndryshme për historinë, fenë apo të ardhmen e vendit. Por mbi të gjitha këto duhet të ekzistojë një minimum i përbashkët qytetar: respekti për njeriun, për shtetin, për ligjin dhe për dinjitetin e tjetrit.

Klasa politike e Kosovës, pozitë dhe opozitë, ka një përgjegjësi që shkon përtej mandatit elektoral. Ajo duhet të krijojë standarde të reja të komunikimit publik, të rikthejë kulturën e llogaridhënies dhe t’u japë qytetarëve siguri se institucionet ekzistojnë për ta dhe jo për betejat e përditshme partiake. Kriza politike nuk është vetëm statistikë parlamentare; ajo prodhon stres, pasiguri dhe lodhje sociale.

Qytetarët duan të dinë se çfarë po ndodh me vendin e tyre. Duan zhvillim ekonomik, institucione funksionale, transparencë, komunikim të sinqertë dhe llogaridhënie. Duan të shohin se politika merret me punësimin, arsimin, shëndetësinë, sigurinë dhe mirëqenien e familjeve, e jo vetëm me përplasjen e pafundme në rrjete sociale.

Kosova nuk ka nevojë për më shumë urrejtje. Ka nevojë për më shumë shtet, më shumë drejtësi, më shumë përgjegjësi dhe më shumë maturi publike.

Dhe nëse diçka duhet të mbetet e panegociueshme në këtë kohë të përçarjes, ajo është se dallimet tona nuk duhet të jenë më të forta se e ardhmja që duam t’ua lëmë fëmijëve tanë.

Autori është ligjërues në degën e Media dhe Komunikimit në UBT

 

Continue Reading

lajme

RILEM Association bashkë-sponsorizon Konferencën Ndërkombëtare të Ndërtimtarisë në UBT

Published

on

By

RILEM Association, një nga organizatat ndërkombëtare më të njohura në fushën e materialeve, sistemeve dhe strukturave të ndërtimit, do të bashkë-sponsorizojë Konferencën Ndërkombëtare për Inxhinieri Civile, Inovacion dhe Mjedis (ICCEIE), e cila do të mbahet më 23–25 tetor 2026, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së.

Konferenca do të mbledhë ekspertë ndërkombëtarë, profesorë, studiues, profesionistë të industrisë dhe përfaqësues të institucioneve nga Kosova dhe jashtë saj, duke krijuar një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e njohurive, prezantimin e rezultateve të reja shkencore dhe diskutimin e sfidave që lidhen me zhvillimin e ardhshëm të sektorit të ndërtimtarisë.

Në fokus të edicionit të sivjetmë do të jenë tema me rëndësi të veçantë për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të ndërtimit, me theks të veçantë në restaurimin dhe ruajtjen e objekteve historike, ndërtimin e gjelbër, teknologjitë e avancuara dhe zgjidhjet inovative për ndërtim të qëndrueshëm.

Në kuadër të konferencës do të zhvillohen ligjërata dhe prezantime nga ekspertë të njohur ndërkombëtarë, përfshirë key lectures nga universitete prestigjioze evropiane, si Universiteti “La Sapienza” i Romës, krahas një numri të konsiderueshëm prezantimesh shkencore dhe profesionale.

Konferenca zhvillohet në një periudhë të rëndësishme për Fakultetin e Ndërtimtarisë të UBT-së, i cili, bazuar në të dhënat e indeksuara në Scopus, ka një pozitë udhëheqëse sa i përket publikimeve shkencore në fushën e ndërtimtarisë në Kosovë dhe në hapësirën shqipfolëse.

Përmes kësaj konference, UBT synon të avancojë më tej bashkëpunimin ndërmjet shkencës, industrisë dhe praktikës profesionale, duke krijuar mundësi për bashkëpunime të reja, projekte të përbashkëta, shkëmbim të përvojave dhe zhvillim të zgjidhjeve inovative për sfidat e sektorit të ndërtimit.

Thirrja për abstrakte është e hapur, ndërsa studiuesit dhe profesionistët e interesuar mund t’i dërgojnë abstraktet e tyre në adresën [email protected].

Continue Reading

lajme

Profesoresha e UBT-së, Fatbardha Qehaja – Osmani, publikon studim shkencor në revistën ndërkombëtare Child Neuropsychology

Published

on

By

Profesoresha e Fakultetit të Psikologjisë në UBT, Fatbardha Qehaja – Osmani, së bashku me bashkëautoren Elma Berisha, ka publikuar një studim të ri shkencor në revistën ndërkombëtare Child Neuropsychology, revistë e specializuar në zhvillimin normal dhe jo-normal të fëmijëve dhe adoleshentëve.

Studimi me titull “Working memory, updating and vocabulary development in Albanian-speaking children aged 8 and 10: the primacy of socioeconomic status” trajton marrëdhënien ndërmjet zhvillimit të fjalorit, kujtesës punuese, aftësisë për përditësimin e informacionit, dhe statusit socioekonomik te fëmijët që flasin shqip.

Studimi tregon se zhvillimi i fjalorit receptiv te fëmijët shqipfolës ndikohet si nga faktorët kognitiv, ashtu edhe nga faktorët mjedisorë. Statusi socio-ekonomik (SES) doli të ishte faktori më i rëndësishëm, duke treguar se mjedisi familjar, ekspozimi ndaj gjuhës dhe mundësitë për arsimim luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e fjalorit.

Kujtesa punuese pati një ndikim më të kufizuar në zhvillimin e fjalorit dhe ky ndikim ndryshonte në varësi të statusit socio-ekonomik. Gjetjet sugjerojnë se aftësia e kujtesës punuese nuk është e mjaftueshme për të nxitur zhvillimin e fjalorit nëse mjedisi socio-ekonomik kufizon mundësitë e fëmijës për ekspozim dhe përvojë gjuhësore.

Artikullin mund ta lexoni në: Linku

Continue Reading

Vendi

Maqedonci pret zyrtaren e NATO-s: Diskutohet për sigurinë në rajon

Published

on

By

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur sot në takim udhëheqësen e Sektorit të Operacioneve Aktuale në Divizionin e Operacioneve të NATO-s, Blanca Hereza Atienza, e cila shoqërohej nga delegacioni i saj.

Fokus i këtij takimi ishin zhvillimet e fundit të sigurisë në rajon, situata aktuale, si dhe rëndësia e bashkërendimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Aleancës Veriatlantike.

Gjatë bisedës, ministri Maqedonci vlerësoi lart bashkëpunimin dypalësh dhe rolin e NATO-s në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë e më gjerë.

Ai ritheksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për thellimin e këtij partneriteti dhe për të dhënë kontributin e saj me kapacitetet ekzistuese në sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Aktgjykimi ndaj Sveçlës për gazin lotsjellës shpallet më 2 shtator

Published

on

Gjykata ka përfunduar shqyrtimin gjyqësor ndaj Xhelal Sveçlës lidhur me rastin e gazit lotsjellës në Kuvend, ndërsa shpallja e aktgjykimit është caktuar për 2 shtator.

Në fjalën përfundimtare Prokuroria ka kërkuar që Sveçla të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, duke renditur disa prova dhe dëshmi që, sipas saj, vërtetojnë kryerjen e veprës penale, raporton”Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Avni Namani ka thënë se në CD-në e administruar si provë materiale, ku është incizuar seanca e Kuvendit, shihet momenti kur Sveçla aktivizon bombolën e gazit lotsjellës dhe e hedh brenda sallës së seancave plenare.

Sipas Namanit, pas përhapjes së gazit, personat e pranishëm largohen nga salla. Prokuroria ka përmendur edhe fotoalbumin e përpiluar nga zyrtarët policorë, ku, sipas saj, dokumentohet gjetja e bombolave të gazit lotsjellës, të aktivizuara dhe të paaktivizuara, në sallën plenare.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, në raportin e vendit të ngjarjes janë dokumentuar 18 dëshmi materiale, shumica prej tyre bombola të gazit lotsjellës.

Në anën tjetër, mbrojtja ka kërkuar aktgjykim lirues, duke pretenduar se nuk është vërtetuar se Sveçla ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Avokati Luar Prenaj ka deklaruar se ekspertiza nuk përputhet me veprimet e të mbrojturit të tij, ndërsa sipas tij, edhe pamjet e video-incizimeve nuk dëshmojnë simptomat e përmendura në aktakuzë te deputetët e pranishëm.

Në fjalën e tij përfundimtare, Sveçla ka thënë se veprimi për të cilin po gjykohet ka qenë aktivitet politik, me qëllim kundërshtimin dhe parandalimin e ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

“Si mundet që për humbjen e territorit të mos japë llogari askush, por për pengimin e tij të kërkohet përgjegjësi penale?”, ka deklaruar Sveçla, duke shtuar se territori që, sipas tij, ishte kërkuar të mbrohej nuk është më pjesë e territorit të Kosovës.

Continue Reading

Të kërkuara