Lajmet

​Kosova nikoqire e konferencës së Gjykatave Supreme të Evropës

Published

on

Gjykata Supreme e Kosovës sot ka mirëpritur konferencën e 14-të kryetarëve të Gjykatave Supreme të Evropës Qendrore dhe Lindore, e cila u organizua së bashku me Institutin CEEELI dhe me mbështetjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës si dhe USAD-it.

Në fjalën e tij, kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi tha se kjo konferencë është mundësi e mirë për shkëmbim të ideve dhe bashkëpunim në mes niveleve më të larta gjyqësore mes atyre vendore dhe ndërkombëtare.

“Kjo konferencë po organizohet për herë të parë në Kosovë, me ç’rast Gjykata Supreme e Kosovës ka nderin të jetë nikoqire e konferencës, e cila organizohet së bashku me Institutin CEELI dhe me mbështetjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, USAID-it. Kjo konferencë është një mundësi unike për diskutim, bashkëpunim dhe shkëmbim idesh mes niveleve më të larta gjyqësor vendor dhe ndërkombëtar, ku mund të reflektojmë mbi sukseset, dështimeve të sistemeve tona të drejtësisë, të ndajmë praktikat tona më të mira dhe të përcaktojmë një rrugë drejt një të ardhme më të mirë ku vazhdimisht forcohet dhe mbrohet rendi dhe ligji. Ku respektohen të drejtat e njeriut dhe dinjiteti i çdo individi”, u shpreh Rexhepi.

Ndërkaq duke folur për rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit, Rexhepi tha një gjë e tillë është bazamenti i një demokracie funksionale. Ai bëri thirrje që të punohet për ta mbrojtur këtë pavarësi, pasi sipas tij, kjo nuk duhet të merret si e mirëqenë.

Më tej, Fejzullahu shtoi ekzistojnë disa raste të ndërhyrjes pushtetit, siç janë ulja e pagave për gjyqtarët e deklarimet e qeveritarëve mbi çështjet që janë në shqyrtim nëpër gjykata, për të cilat tha se paraqesin presion të papranueshëm në raport me punën e gjyqësorit.

“Pavarësia e gjyqësorit është pa dyshim gur themeli i një demokracie funksionale, është baza dhe çatia e të gjithë shtetit të së drejtës, pa të cilin parim gjyqësori nuk do ta kishte asnjë kuptim. Ky parim garanton që gjyqësori të mbetet i lirë nga çfarë do ndikimi, mirëpo garancitë që kushtetuta dhe legjislacioni i jep gjyqësorit nuk duhet marrë gjithmonë si të mirëqena. Ne duhet të punojmë pa reshtur për ta forcuar e të qëndrojmë vigjilent për ta mbrojtur këtë pavarësi nga kushdo qoftë. Është evidente që pushtetet tjera jo gjithherë pajtohen me gjyqësorin e pavarur dhe jo pak raste kemi tentativa për të ndërhyrë, qoftë me nisma për ndryshime kushtetuese ligjore, me ulje të pagave për gjyqtarët, qoftë me deklarime publike të qeveritarëve e të tjerëve për çështje në shqyrtim në Gjykata, që përfaqëson cenim të rëndë të pavarësisë së gjyqësorit dhe paraqet presion të papranueshëm në raport me punën e gjyqtarit. Pa këtë pavarësi vet themelet e shoqërive tona demokratike janë të paqëndrueshme dhe rrezikojnë të ardhmen e vetë shoqërisë”, deklaroi kryetari i Gjykatës Supreme.

Edhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka Nimani tha se pavarësia e gjyqësorit është baza e sundimit të ligjit.

“Më lejoni të vë theks në dy pika parësore, rëndësinë e dialogut gjyqësor dhe nevojën që përtej shkëmbimit të përvojave ky dialog të përçoj një mesazh esencial, ata të rëndësisë së pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Në kontekst të dialogut gjyqësor do të vë theks në fjalët e kryetarit Rexhepi përgjatë ceremonisë tuaj në mbrëmjen e djeshme dhe të cilët theksuan rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe mësimeve të mësuara dhe përderisa kontekstet tona kulturore, historike dhe politike kanë nuancat e tyre të veçanta, kushdo dhe kudo në botën demokratike që vesh tokë gjyqësore priret nga parimet dhe vlerat e njëjta dhe të përbashkëta përfshirë përkushtimin e palëkundur për të avancuar dialogun gjyqësor në mbështetje të pavarësisë së pushtetit gjyqësor”, tha ajo.

Themeluesi i Institutit CEELI, Homer E. Moyer theksoi se forcimi i sundimit të ligjit është i rëndësishëm për vendin. Duke lavdëruar arritjet e vendeve të rajonit në fushën e sundimit të ligjit, Moyer tha se para 35 viteve rajoni i Ballkanit ka qenë nën qeveritë autoritare, por që tani 2/3 e shteteve tani rangohen në pjesën e epërme të indeksit mbarë global të sundimit të ligjit.

“Instituti CEELI zhvillon programe të ndryshme për gjyqtarët dhe gjykatat të niveleve të ndryshme dhe në shumë aspekte kjo është më e rëndësishme që kryetarët e Gjykatave Supreme të kenë biseda private për sundimin e ligjit, për gjykatat e tyre dhe forcimi i sundimit të ligjit është po ashtu i rëndësishëm dhe po aq me një grup unik të rëndësishëm të juristëve. Më lejoni ta përmbyll duke ju lavdëruar të gjithë juve, para 35 vitesh çdo shtet në këtë rajon ka qenë nën qeveritë autoritare në të cilat sundimi i ligjit nuk është respektuar, ndërsa sot 2/3 e shteteve tuaja rangohen në pjesën e epërme të indeksit mbarë global të sundimit të ligjit që prodhohet çdo vit nga projekti i drejtësisë në botë”, theksoi ai.

E gjyqtari i lartë i qarkut, John Wolker tha se në diskutimin e sotëm bazuar në pesë tema të zgjedhura, pret që pjesëmarrësit të diskutojnë për sfidat e sistemit gjyqësor në vend.

Lajmet

IKShPK: Vaksinat kundër gripit sezonal arrijnë më 21 tetor, vonesa shkaktohet nga ndryshimet globale

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar qytetarët se kontingjenti i vaksinave kundër gripit sezonal për sezonin 2026/2027 pritet të mbërrijë në Kosovë më 21 tetor 2026.

Sipas IKShPK-së, procesi ndërkombëtar i prodhimit të vaksinave për hemisferën veriore ka pësuar vonesa globale për shkak të ndryshimeve në përbërjen e shtameve të rekomanduara. Këto ndryshime ushtruan ndikim të drejtpërdrejtë në afatet e furnizimit si në nivel global ashtu edhe në vendet e rajonit, duke bërë që mbërritja e tyre në Kosovë të shtyhet për 21 ditë nga afati i parashikuar.

Instituti bëri me dije se po përcjell nga afër këtë proces dhe se me të pranuar kontingjentin do të njoftojë publikun për nisjen zyrtare të procesit të imunizimit.

“IKShPK po përcjell nga afër procesin e furnizimit dhe, pas pranimit të vaksinave, do të njoftojë qytetarët dhe institucionet shëndetësore për fillimin e vaksinimit kundër gripit sezonal. Qytetarët do të informohen në kohë për vendet dhe oraret e vaksinimit, pas përfundimit të procedurave të pranimit dhe shpërndarjes së vaksinave në institucionet shëndetësore”.

Me këtë rast, IKShPK u ka shprehur falënderim qytetarëve për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë kësaj periudhe.

 

Continue Reading

Lajmet

Rusia kërcënon NATO-n me armë bërthamore për rajonin e Kaliningradit

Published

on

By

Rusia i ka dërguar një paralajmërim të ashpër NATO-s, duke bërë të ditur se është e gatshme të përdorë të gjithë arsenalin e saj ushtarak, përfshirë armët bërthamore, nëse aleanca perëndimore ndërmerr hapa për të izoluar apo shkëputur enklavën ruse të Kaliningradit.

Në një dokument konfidencial (“non-paper”) të dërguar NATO-s, të siguruar nga agjencia e lajmeve Reuters, Moska akuzon aleancën për një “kurs të rrezikshëm dhe të pamatur” që rrit rrezikun e një konflikti të drejtpërdrejtë ushtarak.

Në dokumentin diplomatik joformal, Moska bën të qartë se përgjigja ushtarake mund të përfshijë goditje të drejtpërdrejta brenda territorit të vendeve anëtare të NATO-s që nga fillimi i çdo përshkallëzimi:

“Rusia do të jetë gati të përdorë të gjithë arsenalin e forcave dhe kapaciteteve në dispozicion të saj, duke përfshirë armët bërthamore, për të mbrojtur territorin e saj nëse vendet e NATO-s ndërmarrin ndonjë përpjekje që synon izolimin e Rajonit të Kaliningradit nga pjesa tjetër e vendit.”

Dokumenti nëvizon gjithashtu mundësinë e “sulmeve ruse kundër qendrave të vendimmarrjes në shtetet anëtare të aleancës që nga fillimi i konfliktit.”

Përveç paralajmërimit konfidencial, ambasadat ruse në të paktën tre shtete evropiane kanë lëshuar deklarata publike gjatë tre ditëve të fundit. Ato akuzojnë NATO-n për nxitje të tensioneve përmes stërvitjeve ushtarake dhe skenarëve operativë që përfshijnë Kaliningradin — territorin e militarizuar rus që ndodhet gjeografikisht midis Polonisë dhe Lituanisë.

Nga ana tjetër, diplomatët rusë hodhën poshtë pretendimet e vendeve perëndimore se Moska përbën kërcënim apo se po përgatit sulm ndaj ndonjë anëtari të NATO-s, si dhe mohuan akuzat për udhëheqjen e një “lufte hibride” përmes sabotimeve në Evropë. Sidoqoftë, pala ruse nënjëzogoi se çdo cenim ndaj Kaliningradit do të përballet me “përgjigjen më të fortë të mundshme”.

 

Continue Reading

Lajmet

15 profesorë të UBT-së renditen të parët në Kosovë në Scholarly Index 2026

Published

on

By

UBT ka shënuar rezultate të rëndësishme në Scholarly Index Top1000 Scholar 2026, ku 15 profesorë të universitetit janë renditur në vendin e parë në Kosovë në të paktën një temë kërkimore.

Në mesin e tyre janë:

Alban Kuriqi, Hyrije Koraqi, Ridvan Peshkopia, Visar Krelani, Gazmend Temaj, Pajtim Bytyçi, Burhan Reshat Rexhepi, Milaim Berisha, Kujtim Lepaja, Demokrat Nuha, Xhevahire Millaku, Liridon Kryeziu, Alfred Marleku, Nuredin Lutfiu dhe Kristina Perkola.

Këto renditje mbulojnë fusha të ndryshme të kërkimit, përfshirë inxhinierinë, ujërat dhe mjedisin, biznesin, shkencat sociale, shkencat ushqimore, arsimin, gjuhësinë dhe fusha të tjera.

Në nivel ndërkombëtar, profesorët e UBT-së kanë arritur gjithashtu pozita të larta. Prof. Dr. Alban Kuriqi ka shënuar pozitën më të lartë globale në mesin e profesorëve të UBT-së të paraqitur në këto renditje, duke u renditur i 8-ti në botë në temën “Hydrology and Sediment Transport Processes” për periudhën 2021–2025.

Po ashtu, Kristina Perkola është renditur #71 në botë, ndërsa Burhan Reshat Rexhepi #81, në temat e tyre përkatëse.

Këto rezultate tregojnë një prani të fortë të profesorëve të UBT-së si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, dhe përforcojnë dukshmërinë e universitetit në kërkimin shkencor.

 

Continue Reading

Lajmet

UBT zhvillon sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e AI-së

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së është mbajtur dje një sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e Inteligjencës Artificiale, ku studentë dhe të interesuar të tjerë u njohën nga afër me programin, mundësitë profesionale dhe infrastrukturën moderne që ofron UBT.

Studentët u mirëpritën nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, si dhe Drejtori i Departamentit për Edukim dhe Zhvillim Profesional në UBT, Prof. Dr. Besnik Skenderi, dhe Drejtori i Infrastrukturës, Murat Retkoceri, ku prezantuan programin dhe mundësitë që ai ofron, ndërsa pjesëmarrësit vizituan ambientet e laboratorëve dhe u njohën nga afër me pajisjet dhe teknologjitë moderne që do të përdoren gjatë ligjëratave, ushtrimeve dhe punës praktike.

Programi i mbështetur nga Regional Challenge Fund, synon zhvillimin e aftësive profesionale në fushën e zhvillimit të aplikacioneve, duke e integruar Inteligjencën Artificiale në procesin e të nxënit dhe praktikës profesionale. Kualifikimi Profesional Zhvillues i Aplikacioneve është e orientuar drejt përgatitjes së profesionistëve për role në industrinë e teknologjisë së informacionit dhe zhvillohet në katër semestra.

Përmes këtij programi, studentët do të kenë mundësi të zhvillojnë aftësi praktike në teknologji, programim dhe Inteligjencë Artificiale, krahas studimeve të tyre, në një mjedis të pajisur me infrastrukturë moderne dhe teknologji bashkëkohore.

Continue Reading

Të kërkuara