Kulturë

Kosova në skenën e madhe, “Shame and Money” debuton në Sundance

Published

on

Kinematografia kosovare ka shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare.

Filmi më i ri i Visar Morina, “Shame and Money”, është përzgjedhur për premierën botërore në Sundance Film Festival, një nga festivalet më prestigjioze të filmit në botë. Ky është një moment i veçantë, pasi për herë të dytë Morina merr pjesë në kategorinë kryesore të festivalit, një arritje e rrallë për një regjisor nga Kosova.

“Shame and Money” sjell historinë e një familjeje kosovare që, pasi humbet mënyrën e jetesës në fshat, detyrohet të shpërngulet në Prishtinë, ku përpiqet të përshtatet me ritmin e shoqërisë hiperkapitaliste të sotme.

Në kast marrin pjesë; Astrit Kabashi, Flonja Kodheli, Kumrije Hoxha, Fiona Gllavica, Alban Ukaj, Aria Shala, Riga Morina, Melika Gashi, Selman Lokaj, Teuta Hajdini, Abdinaser Beka, Rebeka Qena, Tristan Halilaj, Basri Lushtaku, Rafet Abazi, Besnik Krapi e Eshref Durmishi.

Filmi është prodhuar nga Vicky Bane dhe kompania Schuldenberg Films, ndërsa producentët përfshijnë Fabian Altenried, Sophie Ahrens, Kristof Gerega, Pia Hellenthal dhe vetë Visar Morinën.

Bashkëprodhimi realizohet falë bashkëpunimit të disa kompanive nga rajoni dhe Evropa, përfshirë Eagle Eye Films (Kosovë), Vertigo Ljubljana, On Film Production, List Production dhe Quetzalcoatl.

Filmi është mbështetur nga institucione të rëndësishme kulturore dhe fonde ndërkombëtare si Qendra Kinematografike e Kosovës, Eurimages, German Federal Film Fund, Slovenian Film Centre, North Macedonia Film Agency dhe sistemi belg i Tax Shelter.

Lajmi u mirëprit edhe nga kryeministri Albin Kurti, i cili e publikoi njoftimin në Facebook, duke shkruar: “Urime regjisorit Visar Morina, aktorëve dhe gjithë ekipit krijues nga Kosova që po e çojnë punën e tyre në këtë skenë prestigjioze të filmit”.

Biletat për premierën në Sundance do të jenë në shitje më 14 janar. Detaje të mëtejshme mund të gjenden në faqen zyrtare të festivalit ose në profilin e tij në Instagram. /A.Z/UBT News/

 

 

Lajmet

Ndahet nga jeta në moshën 86-vjeçare aktori i njohur britanik Sir Patrick Stewart

Published

on

By

Aktori i njohur britanik Sir Patrick Stewart, i shquar për rolet e tij ikonike si Kapiten Jean-Luc Picard në “Star Trek” dhe Profesor Charles Xavier në sagën “X-Men”, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare në shtëpinë e tij në Los Angeles. Njoftimi u bë i ditur përmes llogarisë së tij zyrtare në Instagram, ku u konfirmua se ai u ndaj nga jeta të mërkurën, më 28 tetor, pas një beteje të shkurtër me sëmundjen e Alzheimerit dhe demencën me trupat Lewy.

Në deklaratën zyrtare thuhet se Stewart u ndaj nga jeta i rrethuar nga bashkëshortja e tij, Sunny, si dhe familjarët e miqtë e ngushtë. Përveç karrierës së tij të bujshme në kinematografi dhe televizion, ai u vlerësua lart si një nga aktorët më të mëdhenj të skenës teatrale, fitues i dy çmimeve “Laurence Olivier” dhe një çmimi “Grammy”, ndërsa në vitin 2010 u dekorua me titullin “Kalorës” nga Mbretëresha Elizabeth II.

Karriera e tij e pasur përfshin dekada pune në teatër dhe film, ndërsa roli i tij i fundit i xhiruar do të shfaqet në filmin “Avengers: Doomsday”. Ndarja e tij nga jeta ka nxitur reagime të shumta dhe ngushëllime nga koleget, industria e artit dhe adhuruesit e tij në mbarë botën. /The Guardian/

 

Continue Reading

Lajmet

“SARA” e Burim Halitit garon në festivalin ndërkombëtar në Milano

Published

on

By

Filmi dokumentar “SARA”, me regji nga Burim Haliti, është përzgjedhur në konkurrencën zyrtare të edicionit të 44-t të Festivalit Ndërkombëtar “SPORT MOVIES & TV 2026”, i cili po mbahet nga 30 tetori deri më 2 nëntor në Milano të Italisë.

Ky festival, i organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Kinemasë dhe Televizionit Sportiv (FICTS), është i vetmi në këtë kategori i njohur zyrtarisht nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KOK). Ngjarja shërben si grand-finalja e rrjetit global “World FICTS Challenge”, që përfshin 27 festivale në pesë kontinente.

Shfaqja e dokumentarit të Halitit do të bëhet më 30 tetor, në orën 12:30, në “Cinema Centrale – Sala 2” në Milano. Përzgjedhja e filmit u realizua me mbështetjen e Komitetit Olimpik të Kosovës, i cili mundësoi dërgimin e tij për shqyrtim para jurisë prestigjioze ndërkombëtare. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

Bogujevci viziton përgatitjet për festivalin “Akordet e Kosovës”

Published

on

Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka vizituar sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ku po zhvillohen përgatitjet për edicionin e katërt të Festivalit të Këngës “Akordet e Kosovës”, që organizohet nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK).

Gjatë vizitës, ajo ka parë nga afër skenografinë e realizuar nga Vesë Kraja dhe punën e ekipit organizues, vetëm dy ditë para nisjes së festivalit.

“Me një pjesë të ekipit të festivalit ‘Akordet e Kosovës’, duke parë nga afër përgatitjet dhe punën e mrekullueshme që po bëhet për festivalin, i cili nis këtë të premte në sallën ‘1 Tetori’”, ka shkruar Bogujevci në Facebook.

Ajo është pritur nga drejtoresha e përgjithshme e RTK-së, Zana Spahiu, drejtoresha e festivalit, Arta Avdiu, u.d. kryeredaktorja e RTK-së, Venera Xhoxhaj, si dhe punonjës të tjerë të transmetuesit publik.

Festivali i këtij viti do të zgjasë tri net, duke sjellë interpretime muzikore dhe artistë mysafirë. Një hapësirë e veçantë do t’u kushtohet edhe talenteve të reja përmes Festivalit të Fëmijëve, që do të mbahet më 1 nëntor.

Rikthimi i emrit historik “Akordet e Kosovës” synon të nderojë artistët që ndër dekada kanë kontribuar në zhvillimin e muzikës shqipe.

Organizatorët kanë paralajmëruar tri mbrëmje muzikore në Prishtinë, me synimin që festivali të sjellë para publikut artistë të njohur dhe zëra të rinj.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

IKTK raporton rritje të të ardhurave dhe investimeve në trashëgiminë kulturore

Published

on

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) ka publikuar të dhënat për nëntëmujorët e parë të viteve 2024, 2025 dhe 2026, duke evidentuar rritje të të ardhurave, investimeve dhe projekteve të konservimit e kërkimit arkeologjik.

Sipas të dhënave të institutit, të ardhurat janë rritur me 93 për qind krahasuar me vitin 2025, ndërsa investimet në pasurinë kulturore kanë shënuar rritje prej 400 për qind.

Edhe projektet e konservimit, restaurimit dhe kërkimit arkeologjik kanë shënuar rritje të ndjeshme. Numri i tyre është rritur me 282 për qind krahasuar me vitin 2024 dhe me 133 për qind në raport me vitin 2025.

Gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, janë identifikuar 21 site të reja arkeologjike në disa zona të Shqipërisë, përfshirë Shkodrën, Lezhën, Lushnjën, Fierin, Korçën, Ersekën, Pogradecin, Divjakën dhe Sarandën.

Të dhënat tregojnë gjithashtu rritje prej 279 për qind të monitorimeve arkeologjike krahasuar me vitin 2025.

Në kuadër të forcimit të kuadrit rregullator, numri i akteve nënligjore të miratuara ka arritur në tetë gjatë vitit 2026. Ndërkohë, aktmarrëveshjet për monitorimin arkeologjik janë rritur me 32 për qind krahasuar me vitin 2025 dhe me 164 për qind në raport me vitin 2024.

Sipas IKTK-së, këto të dhëna pasqyrojnë zgjerimin e veprimtarisë në fushën e mbrojtjes, konservimit dhe studimit të trashëgimisë kulturore./atsh/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara