Lajmet

Kosova me 1.586.659 banorë rezidentë – Kurti e konsideron një nga projektet më me prioritet këtë vit

Published

on

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet preliminare të regjistrimit të popullsisë, sipas të cilave Kosova ka 1.586.659 banorë, prej të cilëve 795.046 meshkuj dhe 791.614 femra.

Deri më tani janë regjistruar edhe 600 mijë banorë jorezidentë. Ndërkaq nga 38 komuna të Kosovës, 9 prej tyre kishin rritje, 29 të tjera kishin zvogëlim të numrit të popullsisë.

Me rastin e publikimit të këtyre statistikave kryeministrit Albin Kurti, ka folur për rëndësinë e statistikave, duke thënë se ato janë të rëndësishme për të ardhmen.

Kurti tha se realizimi i regjistrimit të popullsisë ishte një nga projektet më me prioritet të qeverisë gjatë këtij viti.

“Pa të dhëna të sakta, pa statistika edhe vendimet do të jenë jo të sakta. Në demokraci marrja e vendimeve politike është shumë me rëndësi  të mëdha. Unë jam krenar si kryeministër për përkushtimin dhe angazhimin e atyre që morën pjesë në këtë proces. Unë personalisht në një periudhë të shkurtër kohore kam biseduar disa herë ASK-në për të ofruar mbështetjen time. BE, USAID bazohen në të dhëna tjera statistikore për të marrë vendime të tjera. Ky angazhim e rrit integrimin në arenën ndërkombëtare. Një agjenci e fuqishme e statistikave e cila ofron statistika të rëndësishme është një agjenci e çmuar për vendin”, është shprehur Kurti.

Më tej, Kurti tha se nxjerrja e të dhënave të plota dhe të sakta do t’iu mundësojë vendimmarrësve, duke filluar nga niveli lokal e qendror për orientimin e politikave dhe shërbimeve më të mira për qytetarët.

“Në një mënyrë, statistikat e mirëfillta janë si GPS-i për të ardhmen e vendit tonë. Me të dhëna të sakta, jemi të sigurtë se nuk do ta humbim rrugën dhe do ta gjejmë destinacionin tonë, përndryshe pa to do të përfundojmë duke bërë rrotullime e rrjedhimisht të humbim resurse të vlefshme”, tha Kurti.

Pa statistika cilësore, edhe vendimet mund të jenë jo cilësore. Statistikat janë një e mirë publike dhe duhet përdorur për marrjen e vendimeve bazuar në dëshmi. Në demokraci, marrja e vendimeve politike duke u bazuar në dëshmi është shumë më rendësi për të ofruar

Koordinatorja për Zhvillim në Kombet e Bashkuara, Arnhild Spence, tha se zhvillimi i qëndrueshëm bazohet në të dhëna dhe se në Kosovë kemi shumë të tilla.

Sipas saj, ASK në këtë projekt e ka zbatuar me standarde ndërkombëtare.

“Regjistrimi i popullatës është një arritshmëri në shtegtimin kosovar drejt zhvillimit. Pa të dhëna nuk mund të arrijmë të mos e lëmë askënd prapa. Jam shumë krenar për pjesëmarrjen e të gjithë regjistruesve, lëvdata për ASK që ka zbatuar standarde ndërkombëtare. OKB do të vazhdoj që të investojë në këtë drejtim”, u shpreh ajo.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të ASK-së, Avni Kastrati, ka theksuar se i gjithë procesi i regjistrimit ka qenë digjital.

Sipas tij të dhënat janë publikuar për rezidentë por edhe për diasporën. Ai tha se procesi i regjistrimit për diasporën do të vazhdojë deri në fund të gushtit dhe i ka ftuar mërgimtarët që të shfrytëzojnë mundësinë për t’u regjistruar.

“Mosha mesatare në Kosovë është 34.82 vjet. Raporti gjinor nuk ka ndryshime krahasuar më regjistrimin e kaluar. Janë 560 mijë banesa të banueshme, ekonomit familjare janë në rritje me 353 mijë. Ky është numri i popullsi rezidentë në Kosovë, nuk përfshihet diaspora. Kosova ka 1,586,659 banor rezident. 600 mijë janë nga diaspora. Nga 38 komuna të Kosovës, 9 prej tyre kishin rritje, 29 të tjera kishin zvogëlim të numrit të popullsisë”, tha Kastrati.

Sipas tij rezultatet përfundimtare të procesit do të publikohen ne dhjetor të këtij viti.

“Rezultatet përfundimtare nuk pritet të ndryshojnë shumë nga ato paraprake. Në 4 komunat veriore të Kosovës, pati bojkotim në pjesë të madhe, sidoqoftë ka një pjesëmarrje të qytetarëve. Cilësia e të dhënave është më e lartë në krahasim me regjistrimin e kaluar. Teknologjia na mundësi monitorimin dhe publikimin e këtyre të dhënave”, është shprehur Kastrati.

Lajmet

Ndahet nga jeta profesori Naim Krasniqi: UBT shpreh ngushëllime për familjen dhe komunitetin akademik

Published

on

By

Me pikëllim të thellë njoftojmë se ka ndërruar jetë profesori dhe kolegu ynë i nderuar, Naim Krasniqi. Ai ishte pjesë e stafit akademik të UBT, ku dha kontribut të çmuar në procesin mësimor, duke u dalluar për profesionalizëm, përkushtim dhe korrektësi në punë.

Gjatë angazhimit të tij akademik, ai ishte i përkushtuar ndaj studentëve dhe kolegëve, duke ndarë me ta dijen, përvojën dhe vlerat profesionale. Ndarja e tij nga jeta është humbje të madhe për familjen, miqtë, kolegët dhe gjithë komunitetin akademik.

Kontributi i tij në arsim dhe angazhimi i tij profesional do të mbeten pjesë e rëndësishme e kujtesës institucionale. Rektori, menaxhmenti dhe stafi akademik e administrativ i UBT-së shprehin ngushëllimet më të sinqerta për familjen Krasniqi dhe për të gjithë ata që patën nderin ta njohin dhe të bashkëpunojnë me të.

Kujtimi për të do të mbetet i paharruar, ndërsa vepra dhe përkushtimi i tij do të vazhdojnë të jetojnë përmes gjeneratave që ai kontribuoi në formimin e tyre.

Continue Reading

Lajmet

Arrestohen katër persona për mashtrim milionësh me prona në Prishtinë

Published

on

By

Katër persona janë arrestuar nën dyshimin për përfshirje në një skemë mashtrimi dhe falsifikimi dokumentesh që dyshohet se ka rezultuar me përfitim të kundërligjshëm mbi 1.5 milion euro, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Sipas Policisë, më 19 shkurt 2026, hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), pas një pune të gjatë operative dhe hetimore, kanë siguruar prova që implikojnë të dyshuarit me inicialet M.M., Sh.B., D.R. dhe B.Zh. në veprat penale të mashtrimit, falsifikimit të dokumenteve dhe legalizimit të përmbajtjes së rreme.

“Përmes veprimeve të kundërligjshme, përfshirë falsifikimin e dokumenteve si pasaportë e Serbisë dhe dokumente të tjera  dhe duke i përdorur ato si të vërteta, si dhe duke prezantuar një person të rrejshëm si person real, të dyshuarit kanë arritur të tjetërsojnë-shesin përmes noterit pronën e ankuesit M.T., në sipërfaqe prej 36.28 ari”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas të dhënave zyrtare, prona dyshohet se është shitur tek blerësi H.M. me pretendimin se dokumentacioni ishte i rregullt dhe ligjor. Në këmbim të kësaj shitjeje, të dyshuarit dyshohet se kanë përfituar shumën prej 1,578,180.00 euro.

Me urdhër verbal të prokurorit të rastit janë realizuar kontrolle në pesë lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar 9,000 euro para të gatshme, të cilat do të shërbejnë si provë materiale në procedurat e mëtejme.

Të dyshuarit po hetohen për veprat penale “mashtrimi” , “falsifikimi i dokumenteve”  dhe “legalizimi i përmbajtjes së rreme”.

Pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës dhe konsultimit me prokurorin nga Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, raportoi Policia.

Continue Reading

Lajmet

Kancelari gjerman Merz, uron Kurtin për mandatin e ri

Published

on

By

Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për rizgjedhjen e tij në krye të Qeverisë së Kosovës. Në letrën drejtuar Kurtit, Merz shprehu gatishmërinë për të vazhduar thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

“Jam i bindur se me përvojën tuaj do të merrni vendimet e duhura dhe të nevojshme për integrimin e mëtejmë euroatlantik të Kosovës”, shkruan kancelari gjerman, duke theksuar se Kosova ka një partner të fortë dhe të besueshëm në Gjermani gjatë këtyre proceseve.

Merz gjithashtu përmendi sfidat përpara Qeverisë së Kosovës, duke përfshirë avancimin e dialogut të normalizimit me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Gëzohem që do të vazhdojmë së bashku të thellojmë marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore ndërmjet vendeve tona”, përfundon kancelari në mesazhin e tij drejtuar Kurtit.

Continue Reading

Lajmet

Hapet Konsullata e Lituanisë në Kosovë

Published

on

By

Lituania ka hapur zyrtarisht Konsullatën e saj në Kosovë, një ngjarje kjo që po konsiderohet si një hap historik drejt thellimit të raporteve diplomatike dhe bashkëpunimit mes dy shteteve. Në ceremoninë zyrtare të organizuar me këtë rast, ambasadori jorezident i Lituanisë për Kosovën, Eduardas Borisovas, deklaroi se hapja e kësaj konsullate përfaqëson një angazhim konkret për forcimin e bashkëpunimit në sferën institucionale, ekonomike dhe atë kulturore. Borisovas nënvizoi se vendi i tij mbetet një mbështetës i palëkundur i integrimit evropian të Kosovës dhe konsolidimit të shtetësisë së saj në arenën ndërkombëtare, raporton RTK.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, i cili e vlerësoi këtë akt si një dëshmi të besimit të ndërsjellë dhe partneritetit strategjik. Sipas tij, prioritet mbetet shkëmbimi i përvojave në reformat demokratike dhe fuqizimi i raporteve parlamentare. Rëndësinë e kësaj pranie diplomatike e theksoi edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili u fokusua te bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit, duke u shprehur se konsullata do të jetë një urë e rëndësishme për koordinimin e çështjeve me interes të përbashkët.

Nga ana tjetër, Konsulli i Nderit, Bashkim Zeqiri, u zotua se do të punojë intensivisht për promovimin e interesave të dyanshme, duke krijuar mundësi të reja në fushën e ekonomisë, arsimit dhe investimeve. Hapja e kësaj konsullate shihet si një sinjal i fuqishëm i përkushtimit të Lituanisë dhe Kosovës për një partneritet afatgjatë, të bazuar në solidaritetin dhe vizionin e përbashkët për një të ardhme brenda familjes evropiane.

Continue Reading

Të kërkuara