Lajmet nga UBT

Kosova e qëndrueshme ndërtohet me inxhinierët e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT

Published

on

Në mesin e institucioneve më të shquara të arsimit të lartë në Kosovë, Fakulteti i Inxhinierisë të Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT dallohet si lider i padiskutueshëm në fushën e ndërtimtarisë dhe infrastrukturës. Ky fakultet, i cili është shkolla më e madhe dhe më prestigjioze për ndërtimtari në Kosovë, ka një mision të qartë: të forcojë zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës përmes edukimit të brezave të ardhshëm të inxhinierëve, të cilët do të ndërtojnë, transformojnë dhe përmirësojnë infrastrukturën e vendit.

Njohuri dhe kompetenca për një treg ndërkombëtar të punës

Qëllimi i këtij programi është të ofrojë një edukim të avancuar dhe të plotë për studentët, duke i pajisur ata me të gjitha njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të qenë profesionistë të suksesshëm në sektorin e ndërtimit dhe infrastrukturës. UBT i mundëson studentëve të zhvillojnë kompetenca që janë të kërkuara jo vetëm në Kosovë, por edhe në tregun evropian dhe atë botëror.

Kjo arritje e jashtëzakonshme është e mundur përmes një qasjeje të integruar të mësimdhënies që bashkon teori dhe praktikë, duke zhvilluar aftësi për zgjidhjen e problemeve reale të infrastrukturës, projektimin e sistemeve të ujësjellësit dhe kanalizimeve, si dhe dizajnimin e rrugëve dhe ndërtimin e ndërtesave.

Infrastruktura moderne dhe mundësi praktike

Studentët e këtij fakulteti kanë mundësinë e shkëlqyer për të punuar në kushte të avancuara dhe teknologjikisht të përparuara. Fakulteti është i pajisur me laboratore dhe ambiente mësimore moderne, ku studentët mund të zhvillojnë projekte reale dhe të bëjnë përdorimin e metodologjive të fundit në fushat e ndërtimit dhe infrastrukturës. Përmes bashkëpunimeve me industrinë dhe partneriteteve ndërkombëtare, ata janë të ekspozuar ndaj praktikave globale, duke kontribuar në zhvillimin e qyteteve të mençura dhe infrastrukturës së qëndrueshme, një domosdoshmëri në epokën e urbanizimit të shpejtë dhe të gjerë.

Aftësi dhe kompetenca për studentët e UBT-së

Pas përfundimit të studimeve, studentët do të kenë një portofol të pasur me njohuri dhe aftësi që i ndihmojnë ata të bëhen liderë të ardhshëm në fushën e ndërtimit dhe infrastrukturës. Ata do të jenë të aftë të zhvillojnë projekte komplekse ndërtimore dhe të marrin pjesë në zbatimin e politikave që i japin një hov zhvillimit të qëndrueshëm të Kosovës.

Po ashtu, ky program u siguron studentëve aftësinë për të përdorur dhe respektuar ligjin, standardet dhe normat që mbështesin industrinë, duke i përgatitur ata për një angazhim të suksesshëm në tregun e punës.

Rezultatet e mësimit dhe perspektivat e karrierës

Fakulteti ofron një përgatitje të shkëlqyer në të gjitha aspektet e inxhinierisë ndërtimore dhe infrastrukturore, ku studentët mund të zhvillojnë aftësi në projektimin e objekteve ndërtimore, menaxhimin e projekteve të ndërtimit, dhe zbatimin e teknologjive të avancuara. Ata do të jenë të aftë të identifikojnë dhe të zgjidhin sfidat më të mëdha të fushës, të ndërtojnë ura, rrugë dhe sisteme infrastrukturore që do të mbijetojnë për dekada të tëra.

E sipas statistikave, rreth 95% e studentëve të këtij fakulteti janë të angazhuar në tregun e punës në Kosovë, ndërsa shumë të tjerë janë pjesë e tregut ndërkombëtar, duke sjellë një mundësi të jashtëzakonshme për zhvillim profesional dhe rritje të mundësive për karrierë.

Përkushtimi i fakultetit dhe vizioni i UBT-së

Përmes një angazhimi të vazhdueshëm dhe një qasjeje të fokusuar, Fakulteti i Inxhinierisë te Ndërtimit dhe Infrastrukturës ofron mundësi të pakrahasueshme për zhvillim të studentëve, duke i formuar ata për të qenë udhëheqës të suksesshëm në një industri të përparuar dhe të sfiduar vazhdimisht. Kjo është një mundësi e artë për të kontribuar në ndërtimin e një Kosove më të zhvilluar, më të qëndrueshme dhe më të teknologjizuar.

Në Fakultetin Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë ne i përgatisim studentët për të ndërtuar të ardhmen e Kosovës. Kjo është një eksperiencë e formësimit të udhëheqësve që do të krijojnë ura, ndihmojnë në zhvillimin e qyteteve të mençura dhe kontribuojnë në një infrastrukturë të qëndrueshme. Me laboratorët dhe praktikat e avancuara, ne ofrojmë mundësinë për të transformuar vizionin e studentëve në projekte reale që do të ndryshojnë botën rreth nesh“. – Prof. Ass. Dr. Visar Krelani, Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturës në UBT

Në një kohë kur të ardhmen e Kosovës po e ndërtojnë profesionistët e rinj të kësaj fushe, UBT është aty për t’i udhëhequr ata drejt suksesit, si lider i padiskutueshëm në arsimin dhe zhvillimin e infrastrukturës së Kosovës./UBTNews/

Aktualitet

Rektori Hajrizi i ftuar në eventin global “Technogym Innovation Outlook 2026″, prezanton potencialin e UBT Smart City për t’u bërë UBT Wellness City

Published

on

By

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, është ftuar të marrë pjesë në eventin vjetor ndërkombëtar të kompanisë lidere globale Technogym, “Technogym Innovation Outlook 2026”, i cili po mbahet në Itali dhe ku marrin pjesë qindra profesionistë, ekspertë dhe përfaqësues nga mbarë bota.

Ky event prestigjioz shërben si platformë globale për prezantimin e teknologjive më të avancuara në fushën e sportit, fitnesit, shëndetit dhe mirëqenies, si dhe për diskutimin e trendeve të reja dhe mundësive të bashkëpunimit ndërkombëtar, të zhvilluara nga dhe në bashkëpunim me Technogym.

Gjatë kësaj vizite, e cila vjen si rezultat i vizitës së përfaqësuesve të Technogym në UBT, Rektori Hajrizi u takua dhe zhvilloi biseda me udhëheqës të departamenteve të edukimit, shkencës, zhvillimit dhe projekteve të Technogym, me fokus të veçantë bashkëpunimin në implementimin e teknologjive dhe programeve të Technogym-it në ekosistemin e UBT-së, me ç’rast mundësohet realizimi i plotë i UBT Wellness City si një komponentë e domosdoshme e UBT Smart City.

Kështu, modeli i zhvilluar UBT 5S (Small Smart Self-Sustain City), i zbatuar në UBT Smart City, kompletohet edhe me komponentën e mirëqenies dhe stilit të jetesës. Me këtë rast krijohet një model unik që përfaqëson modelin e ri të jetesës në qytete, një shembull se si teknologjia e avancuar, inteligjenca artificiale, sporti, nutricioni, shëndeti dhe rehabilitimi mund të ndërlidhen në një ekosistem të vetëm, të integruar, të personalizuar dhe të qëndrueshëm.

Përmes këtij ekosistemi, nxënësve, studentëve, stafit akademik dhe administrativ, institucioneve dhe komunitetit të gjerë të Kosovës u ofrohet një sistem i kompletuar për fitness, wellness, sport, rehabilitim dhe lifestyle, i ndërtuar mbi praktikat më të mira ndërkombëtare dhe i mbështetur nga teknologjitë dhe sistemet më të avancuara, përfshirë inteligjencën artificiale, e cila mundëson mbështetje të personalizuar për individin.

Ky vizion bëhet i mundur falë faktit se ekosistemi i UBT-së tashmë është ndërtuar mbi këto baza, duke përfshirë dimensionin edukativ, shkencor, inovativ, zhvillimor dhe klinik, duke e pozicionuar UBT-në si një qendër rajonale dhe më gjerë në fushën e mirëqenies dhe shëndetit të integruar.

Një bashkëpunim me Technogym pritet të kontribuojë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së shërbimeve në kampuset e UBT-së, në qendrat e trajnimit, shërbimet shëndetësore dhe spitalore, si dhe në zhvillimin e aktiviteteve sportive, duke e forcuar më tej rolin e UBT-së si lider në inovacion, transformim shoqëror dhe zhvillim ekonomik, sepse, siç tha edhe Presidenti i Technogym, po kalojmë dhe duhet të kalojmë nga Green Economy në Wellness Economy.

Continue Reading

Aktualitet

UBT nikoqir i punëtorisë ndërkombëtare për sigurinë kibernetike në kuadër të projektit SHIELD

Published

on

By

UBT ishte nikoqir i punëtorisë ndërkombëtare për zhvillimin e kurrikulës në fushën e sigurisë kibernetike, e cila u mbajt më 27 dhe 28 janar. Kjo punëtori u organizua në kuadër të projektit SHIELD – United for Cyber Safety: Up-Skilling High School Communities for Protecting Students, i mbështetur nga Erasmus+.

Projekti u koordinua nga Ss. Cyril and Methodius University në Shkup, ndërsa partnerë janë University “St. Kliment Ohridski”, në Sofia, UBT, si dhe Ekonomikas un Kultūras Augstskola, në Letoni. Qëllimi kryesor i projektit është fuqizimi i komuniteteve shkollore të arsimit të mesëm përmes zhvillimit të aftësive dhe njohurive në fushën e sigurisë kibernetike, me fokus në mbrojtjen e nxënësve dhe përdorimin e sigurt të teknologjisë.

Në hapjen e punëtorisë mori pjesë edhe Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i cili theksoi se UBT ka investuar vazhdimisht në zhvillimin e kapaciteteve akademike dhe ka krijuar departamente të veçanta për fushën e sigurisë kibernetike dhe teknologjive të avancuara, duke e konsideruar këtë fushë si jetike për të ardhmen e arsimit dhe shoqërisë digjitale.

Agjenda e punëtorisë përfshiu sesione të dedikuara për analizën e nevojave arsimore, përcaktimin e fushës së trajnimeve në siguri kibernetike, strukturimin e kurrikulës dhe rezultateve të të nxënit, si dhe qasjen gjithëpërfshirëse dhe të aksesueshme në dizajnimin e trajnimeve. Po ashtu, diskutimet u fokusuan edhe në format e ofrimit të trajnimeve, materialet mësimore, mjetet digjitale, si dhe planifikimin e testimit pilot dhe zbatimit të kurrikulës.

Kjo punëtori paraqet një hap të rëndësishëm drejt ndërlidhjes së arsimit profesional me sfidat aktuale të sigurisë digjitale, duke forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe rolin e UBT-së si një institucion lider në zhvillimin e programeve inovative dhe të orientuara drejt nevojave reale të shoqërisë.

Continue Reading

Lajmet

Përmbyllet me sukses punëtoria ndërkombëtare “Journalism for Juniors”, me ndarjen e certifikatave për pjesëmarrësit

Published

on

By

Punëtoria ndërkombëtare “Journalism for Juniors (J4J) – Mobile Journalism Workshop”, e organizuar nga UBT në bashkëpunim me TRT dhe Institutin Yunus Emre, u përmbyll me sukses, duke ofruar një përvojë të vlefshme profesionale për studentët e Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, si dhe për nxënësit e UBT International Smart Schools.

Kjo punëtori shërbeu si një platformë edukative dhe praktike për fuqizimin e të rinjve me aftësi bashkëkohore në gazetarinë mobile, tregimin kreativ të storieve dhe prodhimin e përmbajtjes digjitale me ndikim social.

Gjatë ditëve të punëtorisë, pjesëmarrësit u angazhuan në sesione intensive që përfshinë bazat e gazetarisë, etikën profesionale, storytelling digjital dhe përdorimin e mjeteve mobile për xhirim, editim dhe shpërndarje të përmbajtjes mediatike.

Përmes punës praktike në terren, studentët dhe nxënësit patën mundësinë të krijojnë video-storie autentike, të ndërtuara nga perspektiva të ndryshme dhe të përshtatura për platformat digjitale.

Një moment i veçantë i kësaj ngjarjeje ishte Digital Video Competition, ku u realizua shfaqja në grup e video-storieve të përgatitura nga pjesëmarrësit. Këto punime u vlerësuan nga një juri profesionale e përbërë nga gazetarë dhe ekspertë të TRT-së, të cilët ofruan feedback konstruktiv dhe këshilla profesionale, duke vlerësuar kreativitetin, qasjen vizuale dhe mesazhin shoqëror të videove të realizuara.

Punimet e të rinjve u vlerësuan si dëshmi e potencialit të madh krijues dhe e përgatitjes së tyre për t’u përballur me sfidat e gazetarisë moderne, duke treguar se gazetaria mobile është një mjet i fuqishëm për të rrëfyer histori reale dhe me ndikim.

Punëtoria u përmbyll me ndarjen e certifikatave si vlerësim për angazhimin dhe punën e tyre gjatë gjithë procesit trajnues. Në këtë ceremoni u theksua rëndësia e bashkëpunimeve ndërkombëtare në edukimin e brezit të ri të gazetarëve dhe roli i UBT-së si institucion që promovon arsimin praktik, inovacionin dhe lidhjen e drejtpërdrejtë me industrinë e medias.

Continue Reading

Lajmet

UBT dhe Universiteti “Eqrem Çabej” bashkojnë vizionet për arsimin dhe inovacionin

Published

on

By

UBT dhe Universiteti “Eqrem Çabej” në Gjirokastër kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi akademik, me qëllim forcimin e lidhjeve institucionale dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe inovacionit.

Marrëveshja u nënshkrua gjatë një vizite zyrtare të delegacionit të Universitetit “Eqrem Çabej”, të prirë nga Rektori i këtij universiteti, Prof. Dr. Jaho Cana, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Prishtinë. Delegacioni u mirëprit nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, së bashku me stafin akademik të UBT-së.

Gjatë takimit, rektorët e dy institucioneve theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndëruniversitar në hapësirën shqiptare, duke vënë theksin në shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve, zhvillimin e programeve të përbashkëta studimore, si dhe realizimin e projekteve kërkimore dhe shkencore me interes të ndërsjellë.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, prezantoi modelin unik të UBT-së, veçanërisht rolin e Parkut Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik si një urë lidhëse ndërmjet akademisë, industrisë dhe inovacionit, duke theksuar se UBT mbetet i përkushtuar në ndërtimin e partneriteteve strategjike rajonale dhe ndërkombëtare.

“Ne kemi menduar të krijojmë një ekosistem transdisiplinar, ku bashkëpunimi është në zemër të strategjisë sonë dhe ku universiteti ka ndikim të drejtpërdrejtë në shoqëri”, theksoi Hajrizi.

Nga ana e tij, Rektori i Universitetit “Eqrem Çabej”, Prof. Dr. Jaho Cana, vlerësoi lart filozofinë dhe misionin e UBT-së, duke e cilësuar këtë institucion si një universitet që ka lindur për t’i shërbyer shoqërisë dhe për të krijuar vlera konkrete për të.

“Ju keni lindur si një universitet për t’i ofruar të mira kësaj shoqërie. Jeni një universitet për t’i dhënë shoqërisë dhe sinqerisht ndihem i befasuar pozitivisht nga ajo që pashë këtu”, u shpreh Rektori Cana.

Ai shtoi se bashkëpunimi me një universitet si UBT-ja është prioritet për Universitetin “Eqrem Çabej”, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të urave të qëndrueshme akademike ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë në rajon.

“Bashkëpunimi me një universitet si ju është prioritet i yni dhe jemi të bindur se kjo marrëveshje do të prodhojë rezultate konkrete për të dy institucionet”, tha Cana.

Vizita përfshiu edhe një tur në ambientet e Parkut Shkencor të UBT-së, ku delegacioni u njoh nga afër me laboratorët, qendrat e inovacionit dhe infrastrukturën moderne që mbështet arsimin, kërkimin dhe zhvillimin teknologjik.

Continue Reading

Të kërkuara