Lajmet

Kosova dhe Shqipëria me platformë digjitale të përbashkët për turizmin

Në këtë takim u ideua krijimi i një platforme të përbashkët digjitale për promovimin e turizmit Shqipëri-Kosovë.

Published

on

Një grup ministrash nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut vizituan jugun e Shqipërisë këtë fundjavë me qëllim krijimin dhe forcimin e urave të komunikimit dhe zbulimit të mundësive dhe hapësirave të reja në turizëm.

Me ftesë të ministres së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çeku, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu si dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Maqedonisë së Veriut Naser Nuredini, vizituan të shtunën Përmetin për të udhëtuar më pas drejt Gjirokastrës.

Në këtë takim u ideua krijimi i një platforme të përbashkët digjitale për promovimin e turizmit Shqipëri-Kosovë, gjë për të cilën dy ministret e turizmit u dakorduan që të ngrenë një projekt të përbashkët, raporton atsh.

Gjatë qëndrimit në Përmet, një prej rrugëve të këtij qyteti iu vendos emri i të riut Përmet Vula, djaloshit i lindur në Kosovë e me origjinë nga Përmeti i cili ra dëshmor për lirinë e Kosovës. Të pranishëm ishin edhe familjarët e dëshmorit Vulaj. Ministrja Kumbaro në fjalimin e mbajtur e quajti bir të trevës së Përmetit.

“Besoj që është një ndër rastet ku ne nuk i kemi fjalët bosh, as emrat pa kuptim, u japim atyre peshë nga historia e kombit tonë, edhe nuk ka kufij, nuk ka pasaportë, nuk ka vendim administrativ, nuk ka organizatë ndërkombëtare, nuk ka ligj as kushtetutë që të mund ta ndalojë qarkullimin e gjakut brenda një kombi”, tha ministrja Kumbaro.

Ministrja Kumbaro falenderoi kolegët nga Kosova e Maqedonia e Veriut dhe tha se ky është rasti për t’u dhënë brezave të rinj mesazhin që gjërat nuk bëhen sot për sot.

“Jam shumë mirënjohëse për këtë gjë dhe jam e nderuar që miq dhe kolegë të mitë na u bashkuan dhe pranuan ftesën për të kaluar këtë fundjavë në jug të Shqipërisë sepse kombi shqiptar është një, pavarësisht martesave, koordinatave gjeografike, e kemi të gjithë të përbashkët. Dhe që ta ndiejmë fort që e kemi të përbashkët na duhet ta njohim dhe që ta njohim na duhet ta prekim. Kjo ishte një ndalesë për të ndarë dhe për të pranuar që një ndër bijtë e lirisë së Kosovës ta kemi në mes tonë, të njohim më mirë njëri tjetrin, të komunikojmë më mirë, por sidomos t’u japim një mesazh të rinjve, fëmijëve tanë se gjërat nuk i bëjmë për sot”, tha në mesazhin e saj Kumbaro.

Ministrat vazhduan në qytetin e Gjirokastrës, ku pas një ceremonie në bashki, vizituan pazarin e vjetër, Kalanë e Gjirokastrës, shtëpitë muze si një shembull i turizmit të qëndrueshëm.

Vizita e ministrave Hajdari, Aliu, Çeku dhe Krasniqi në qarkun e Gjirokastrës do të ndiqet në fund të muajit maj nga vizita e ministres së Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro në Prishtinë, ku do të ketë takime edhe me turoperatorët në nisje të sezonit turistik.

Vendi

PDK: Përpjekjet për zgjedhjen e presidentit në mënyrë jokushtetuese janë shqetësuese

Published

on

By

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka deklaruar se përpjekjet për vazhdimin e procesit të zgjedhjes së presidentit në mënyrë jokushtetuese janë shqetësuese për opozitën, përfshirë edhe PDK-në, si dhe për përfaqësues të shoqërisë civile.

Sipas tij, zgjedhja e presidentit është çështje me interes të përgjithshëm dhe nuk është dashur të trajtohet në mënyrë të njëanshme.

“Tendenca që kemi parë për të vazhduar zgjedhjen e presidentit në mënyrë jokushtetuese ka qenë shqetësuese jo vetëm për ne si PDK, por edhe për të gjitha subjektet opozitare, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe qytetarët”, deklaroi Tahiri.

Ai theksoi se opozita ka pasur një qasje konstruktive gjatë gjithë procesit, duke filluar nga konstituimi i institucioneve deri te votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Nuk kemi dashur të jemi sonte në konferencë për këtë temë, por kjo ka qenë një situatë e imponuar, për të cilën kemi alarmuar vazhdimisht”, shtoi ai.

Continue Reading

Lajmet

Berisha: Bashkimi i opozitës do të zgjidhte krizën politike

Published

on

By

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka deklaruar në një konferencë për media se partia e tij nuk do të bëhet pjesë e, siç e quajti ai, një procesi që po dëmton rendin kushtetues dhe po shndërrohet në një spektakël politik që ka zgjatur tash e katër muaj.

Sipas Tahirit, ky proces nuk përfaqëson një procedurë të mirëfilltë demokratike për zgjedhjen e presidentit, por një përpjekje për manipulim të opinionit publik. Ai theksoi se AAK-ja nuk do të marrë pjesë në atë që e cilësoi si “komplot ndaj shtetit”, në asnjë rrethanë.

Ndërkohë, deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, u shpreh se nëse partia e tij do të kishte një rol më të madh në këtë proces, çështja do të mund të zgjidhej brenda një kohe shumë të shkurtër.

Berisha gjithashtu theksoi se bashkimi i opozitës do të ishte çelësi për tejkalimin e situatës aktuale. Sipas tij, kryeministri Albin Kurti po kontribuon në përçarje, ndërsa shtoi se ndalimi i kësaj përçarjeje do t’i hapte rrugë zhvillimit dhe përparimit të vendit.

Continue Reading

Vendi

Kurti fton LDK-në të propozojë kandidat, ofron mbështetje me nënshkrime; Hoxha gati të tërhiqet

Published

on

By

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se janë të gatshëm t’i japin LDK-së edhe 15 nënshkrime për cilindo kandidat që kjo parti propozon. Ai bëri të ditur se ka zhvilluar bisedë edhe me Hatixhe Hoxhën, e cila ka shprehur gatishmëri të tërhiqet nga kandidatura nëse LDK-ja del me një emër të saj.

Sipas Kurtit, kjo do të mundësonte një garë mes një kandidateje nga shoqëria civile, Feride Rushiti, dhe një kandidati apo kandidateje të LDK-së.

“Kam biseduar me Hatixhe Hoxhën. Ajo është pajtuar të tërhiqet nëse LDK-ja i siguron 15 nënshkrime për kandidaten e saj. LVV-ja do t’i shtojë edhe 15 nënshkrime, duke krijuar kështu mundësinë për një përballje mes një kandidati të shoqërisë civile dhe një kandidati të LDK-së. Sonte mund ta zgjedhim presidentin/en e Kosovës. Unë jam në zyrën e LVV-së pranë Kuvendit, ku LDK-ja mund t’i dorëzojë nënshkrimet. Edhe nëse kanë vetëm 13 apo 14, ne i plotësojmë. Nuk kemi asnjë pengesë për cilindo kandidat që propozon LDK-ja”, ka thënë Kurti.

Continue Reading

Lajmet

Tentimi i fundit për zgjedhjen e Presidentit sonte në orën 23:00

Published

on

By

Seanca për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës është shtyrë për në orën 23:00, pak para skadimit të afatit kushtetues të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi se deputetët do të mblidhen edhe një herë gjatë natës për një përpjekje të fundit për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Seanca e sotme, sikurse edhe ato paraprake, është karakterizuar nga mungesa e partive opozitare, të cilat kanë bojkotuar procesin. Pas rifillimit të shkurtër të punimeve, Haxhiu e ndërpreu sërish seancën për shkak të mungesës së kuorumit të plotë, duke bërë të ditur se ajo do të vazhdojë në orën 23:00.

Në seancën e së hënës, ku morën pjesë vetëm deputetët e shumicës, u hodhën në votim dy kandidatet e propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha. Rushiti mori 63 vota në rundin e parë, ndërsa Hoxha nuk arriti të sigurojë asnjë votë; një votë rezultoi e pavlefshme.

Përfaqësues të opozitës dhe të shoqërisë civile kanë kundërshtuar procesin, duke vlerësuar se votimi pa pjesëmarrjen e plotë të deputetëve cenon rendin kushtetues.

Nëse Kuvendi dështon të zgjedhë presidentin deri në mesnatë, vendi pritet të shkojë në zgjedhje të reja.

Continue Reading

Të kërkuara