Pas një investimi milionësh të bërë nga UBT, nga sot Kosova është bërë zyrtarisht me qendrën e parë ekselente për mësimdhënie që mbështetin kompetencat dhe aftësitë e së ardhmes “UBT Excellence Learning Center for Future Competences”, duke e bërë kështu Kosovën me qendrën e parë të këtij lloji në Evropën Juglindore.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, me rastin e hapjes së kësaj qendre, theksoi rëndësinë dhe angazhimin e UBT-së në krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për mësimin e teknologjisë, inovacionit dhe kompetencave të reja, për një të ardhme më stabile dhe më prosperuese.
Përmes kësaj qendre ne do të bëjmë të mundur studimin, zhvillimin dhe praktikimin e aftësive dhe kompetencave që pritet të ndodhin, si dhe për zhvillimin e metodave të mësimit për të ardhmen.
Sipas Rektorit Hajrizi, është shumë e nevojshme të tregohen metodologji dhe praktika të reja për të mbështetur mësimdhënien që të jenë sa më efektiv.
“Kjo është qendra e vetme e këtij lloji në regjion dhe investimet e kësaj qendre arrijnë në miliona euro. Kemi parë që mësimdhënësit tanë dhe studentët tanë kanë gjeneruar projekteve të mira dhe kemi vërejtur që këtë element është mirë ta shpërndajmë edhe në Kosovë. Ne japim sinjale shumë të mira se Kosova nuk është më ajo që merr por edhe përcjell teknologji. Është e nevojshme të tregojmë metodologji dhe taktika të reja, që për mësimdhënësin nuk janë më të vështira, por lehtësojnë mësimdhënien dhe praktikën”, theksoi Rektori Hajrizi.
Presidenti i kompanisë së teknologjisë virtuale “EON Reality”, Dan Lejerskar, u shpreh i lumtur për hapjen e kësaj qendre dhe falënderoi për bashkëpunimin e veçantë dhe të denjë të Rektorit, Prof. Dr. Edmond Hajrizi për të ndihmuar dhe krijuar gjëra të reja në aspektin e arsimit dhe teknologjisë.
Nga ana tjetër, udhëheqësja e projektit Alled 2, Efka Heder, tha se tranzicioni në shoqëritë digjitale nuk është më një ëndërr, por është duke ndodhur, dhe se Kosova është vendi i parë që zbaton dhe harton një qendër të tillë në rajon.
“Sot është një ditë e veçantë dhe jam shumë e lumtur sepse në Kosovë dhe në rajon po zbatohen teknologjia dhe kompetencat më të reja. Shkathtësitë gjatë tranzicionit 4.0 në ambientin global konkurrues, vetëm ekonomitë që mund të ndryshojnë sa më shpejt që është e mundur drejt teknologjive të reja, do të jenë jo vetëm ato të cilat do të mbijetojnë, por edhe ato që do të jenë konkurruese. Tranzicioni në shoqëritë digjitale nuk është më një ëndërr, por është duke ndodhur”, tha Efka Heder.
Në ceremoninë inaugurese të kësaj qendre, drejtori i Departamentit për Edukim dhe Zhvillim Profesional në UBT, Prof. Dr. Besnik Skenderi, duke parë nga eksperienca e tij në fushën e zhvillimit professional, theksoi se kjo qendër do të jetë një mundësi e mirë dhe e shkëlqyer për të rinjtë në Kosovë dhe rajon për zhvillimin e kompetencave të tyre.
Përgjatë kësaj ceremonie, Rektori Hajrizi, prezantoi disa nga karakteristikat kryesore që do të zbatohen në këtë qendër, ku studentët pritet të marrin kompetencat e së tashmes dhe të ardhmes, por edhe mësimdhënësit do të kenë përparësi që teknologjitë më të reja dhe më të sofistikuara t’i përdorin në praktikë.
“UBT Excellence Learning Center for Future Competences” do të ofrojë mundësi për studentët dhe profesionistët, të ndërveprojnë me teknologjinë dhe të zhvillojnë aftësi të reja që ju përshtaten kërkesave të tregut të punës, bazuar në sfidat e së ardhmes, duke fituar kompetenca të reja në inteligjencën artificiale, inteligjencën emocionale, kreativitetin, si dhe ndërveprime të tjera të cilat janë të një rëndësie të lartë.
Agjencia Tatimore e Kosovës ka njoftuar se nga janari deri në shtator të këtij viti ka mbledhur 908.8 milionë euro të hyra tatimore, apo 114.5 milionë më tepër se në periudhën e njëjtë të vitit 2025.
Kjo është një rritje prej 14.5 për qind.
Po ashtu ATK ka thënë se ka rënë numri i ndëshkimeve për 22 për qind.
“Këta tregues pasqyrojnë një qasje të orientuar drejt përmbushjes më të madhe tatimore, parandalimit të parregullsive dhe administrimit më efikas të obligimeve tatimore. Rezultatet mbështeten nga puna e vazhdueshme e ATK-së në disa drejtime, duke përfshira monitorimin e bizneseve, me fokus të veçantë te tatimpaguesit me rrezik të lartë tatimor. Informimi dhe edukimi i tatimpaguesve, përmes komunikimit më të gjerë dhe orientimit për përmbushjen e drejtë të obligimeve. Parandalimi i shkeljeve, duke synuar rritjen e përmbushjes vullnetare dhe zvogëlimin e nevojës për masa ndëshkuese. Digjitalizimi i shërbimeve tatimore, për qasje më të lehtë, procedura më efikase dhe shërbime më të mira për tatimpaguesit”, ka njoftuar ATK. /A.K/
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u kërkoi protestuesve që të distancohen nga dhuna.
Ai në një konferencë për media ka thënë se deri tash janë plagosur 71 policë, disa prej tyre me lëndime të rënda.
Ka shtuar se protesta është e drejtë e garantuar, por s’mund të jetë mburojë për dhunën e shkatërrimin.
“U bëj thirrje prindërve e mësuesve që të mos lejojnë nxënësit të përfshihen në akte dhune të organizuar. Pas maskave që udhëheqin protestën me shembullin e dhunës nuk janë studentë, por janë individë te rekrutuar për qëllimet e errta të organizatoreve te vërtetë te kësaj proteste, brenda e jashtë vendit. Nga të gjithë të ndaluarit në natën e parë, asnjë nuk është student. Në natën e dytë një numër shumë i vogël i tyre ishin studentë. Çdo sulm ndaj policëve është sulm ndaj shtetit”, ka thënë ai.
Ai ka thënë që nuk duhet ngatërruar vetëpërmbajtjen e policisë së shtetit me dobësi.
Hita ka thënë për vjedhje janë arrestuar disa persona dhe ndaj tyre janë ngritur edhe aktakuza.
Ai ka thënë se kreu i forcave të rendit në Shkodër është lënduar rëndë gjatë protestës, porse tashmë është në trajtim dhe në gjendje stabile.
Hita ka deklaruar se reagimi i policisë ka qenë proporcional me sjelljen e protestuesve.
“Nuk ka pasur qasje të ndryshme nga policia. Jemi të vendosur të përballojmë çdo akt dhune ndaj çdo institucioni shtetëror dhe privat, si dhe të mbrojmë jetën e qytetarëve. Reagimi ka qenë proporcional. Ju nuk e keni parë lumin e gurëve që kanë rënë mbi policët”, tha ai./A.K/
Kosova rrezikon të humbasë të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030, pas paralajmërimeve nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) për mospërmbushjen e detyrimeve financiare dhe administrative.
Përmes një letre drejtuar kryeministrit Albin Kurti, kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe presidentit të Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ICMG-ja ka shprehur shqetësimin për vonesat në përgatitjet e këtij organizimi madhor sportiv.
Sipas dokumentit të publikuar nga Rama, institucionet përgjegjëse nuk i janë përgjigjur letrës së dërguar më 21 shtator 2026. Po ashtu, mungon garancia bankare që duhej të sigurohej në janar, ndërsa mbetet e papaguar edhe tarifa e muajit qershor.
ICMG-ja ka paralajmëruar se këto mangësi mund të rrezikojnë seriozisht organizimin e Lojërave Mesdhetare në Prishtinë.
Më 19 dhjetor, Komiteti Ekzekutiv pritet të shqyrtojë mundësinë e thirrjes së një Asambleje të Jashtëzakonshme, e cila do të vendosë për të ardhmen e këtij eventi.
Pas publikimit të letrës, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për situatën e krijuar, duke e cilësuar rrezikun e humbjes së organizimit si një goditje të madhe për sportin kosovar.
Ai ka theksuar se mungesa e përgjigjeve institucionale dhe mosrealizimi i obligimeve po e vënë në pikëpyetje një mundësi historike për vendin.
Fitimi i së drejtës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 ishte vlerësuar si një nga arritjet më të rëndësishme në historinë e sportit të Kosovës, ndërsa zhvillimet e fundit kanë ngritur shqetësime për realizimin e këtij projekti.
Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, admirali George M. Wikoff, së bashku me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, kanë vizituar të enjten veriun e Kosovës.
Gjatë vizitës, ata kanë vëzhguar nga afër patrullimin e përbashkët të pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës përgjatë vijës kufitare.
Dy zyrtarët janë takuar gjithashtu me kryetarin e komunës së Zubin-Potokut, Milosh Peroviq, me të cilin kanë diskutuar për gjendjen e sigurisë dhe zhvillimet në këtë pjesë të vendit.
Përmes një njoftimi, KFOR-i ka ritheksuar përkushtimin për ruajtjen e sigurisë, duke bërë të ditur se vazhdon të monitorojë situatën në terren, të bashkëpunojë me komunitetet dhe të mbajë gatishmërinë operacionale.
Një ditë më parë, Wikoff dhe Vergori kanë zhvilluar takime me drejtues shtetërorë, përfaqësues institucionalë dhe komunitete të ndryshme.
Ndërkohë, NATO ka vlerësuar se situata e sigurisë në Kosovë mbetet përgjithësisht e qëndrueshme dhe ka shënuar përmirësime. Megjithatë, Aleanca ka theksuar se çdo ndryshim në praninë dhe strukturën e KFOR-it do të varet nga zhvillimet në terren, duke mos përjashtuar rikthimin e masave të mëparshme në rast të përkeqësimit të sigurisë.