Lajmet

Kos: Evropa nuk mund të jetë e sigurt pa Ballkanin Perëndimor

Published

on

Komisionerja për zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka thënë se Evropa nuk është e sigurt pa vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kos në samitin rajonal për Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian, që po mbahet të premten në Tiranë, tha se BE-ja po i pret gjashtë vendet e rajonit të kryejnë reformat për anëtarësim.

Evropa nuk mund të jetë e sigurt pa Ballkanin Perëndimor. Ky është një gabim që kemi bërë në të shkuarën dhe duhet ta korrigjojmë dhe rregullojmë këtë punë. Jam e kënaqur se këto takime që po bëjmë në kuadër të Planit të Rritjes po hapin gjithmonë dyer. Edhe shumë dyer të tjera do të hapen dhe shtëpia juaj, Evropa, po ju pret. Ju jeni pjesë e Evropës dhe thjesht ne duhet të bëjmë edhe në formë institucionale që ju të bëheni shtet anëtar i Bashkimit Evropian”, tha ajo.

Duke folur për Planin e Rritjes, ajo tha se dy nga gjashtë vendet e rajonit ende nuk kanë filluar të miratojnë reformat.

Dy nga gjashtë vendet e rajonit ende nuk kanë filluar të miratojnë reformat apo zbatimin. Dy performuesit më të mirë kanë miratuar rreth 50 për qind të reformave të dakorduara. Këtu shikojmë një lidhje të mirë mes avancimit të procesit të anëtarësimit dhe reformave. Sa i përket fondeve të disbursuara, jemi ende nën dhjetë për qind të shumës totale: 400 milionë euro nga një paketë prej gjashtë miliardë eurosh për rajonin. Ne mund të bëjmë më shumë”, shtoi ajo.

Disbursimi i mjeteve të para-financimit për Kosovën është i ndërlidhur me miratimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend, por të cilat, për shkak të krizës politike në Kosovë, nuk u miratuan në legjislativ.

Plani i Rritjes është një kornizë e re e BE-së për përshpejtimin e reformave për integrim evropian të tërë rajonit, që kombinon reformat me kontribut të drejtpërdrejtë financiar nga fondet e BE-së në buxhetet e vendeve përfituese dhe projekte investuese. Me zbatimin e këtyre reformave, Kosova do të përfitojë deri në 882,6 milionë euro fonde të BE-së. Nga kjo shumë totale, 253,3 milionë euro janë grante, ndërsa pjesa tjetër prej 629.3 milionë eurosh janë hua afatgjata./KP

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 21 shtator 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

 

21 shtator 1993

 

U bastisën 11 familje në Viti

 

Gjatë tre ditëve të kaluara në komunën e Vitisë, policia serbo-malazeze bastisi 11 familje shqiptare. Në fshatin Smirë u bastisën dy djemtë e Mehmet Azemit, nga të cilët u morën një revole dhe një pushkë automatike, ndërkaq në Ramnishtë, pas bastisjes së familjes së Bilall Bilallit policia me vete mori dy djemtë e tij, Abdullahun e Isain. Abdullahu u lirua e Isahu ende mbahet në polici. Në Viti policia bastisi familjet e Sherif Tafës dhe Elmi Dinaricës, në Potorc atë të Feriz Avdiut dhe familjen Jusufi, në Lubizhdë u bastis familja e Bajram Bilallit, në Mogillë ajo e Feti Hetemit dhe në Goshicë ajo e Emin Eminit.

 

 

21 shtator 1994

 

Vazhdon represioni policor serb kundër shkollës shqipe

 

Që nga fillimi i vitit shkollor, represioni i policisë serbe po shkallëzohet nga dita në ditë në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.

Dje, në stacionin e policisë në Istog, policia serbe i keqtrajtoi disa profesorë të shkollës së mesme “Haxhi Zeka” në Gjurakoc, si Sylë, Shaban e Ali Shatrin, Bashkim Hysenajn dhe Nasir, Isa e Sadik R.Kabashin njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Istog.

Njoftohet se profesorët e lartëshënuar janë keqtrajtuar fizikisht nga ana e policisë serbe, si dhe janë kërcënuar që të mos mbajnë mësim.

Gjatë ditës së djeshme në polici u mor edhe Idriz A.Bajramaj, pronar i një shtëpie-shkollë.

Bëhet me dije se dje policia mori edhe Naser Osmanajn, drejtor i shkollës fillore “Martin Camaj”. Në polici është marrë edhe Gjokë Gegaj, arsimtar i lëndës së historisë në këtë shkollë.

Dy personat e lartëshënuar, policia i urdhëroi që të paraqiten sërish në stacionin e policisë.

Ndërkaq, Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Viti njofton se dje, pas thirrjes që e mori një ditë më parë, u paraqit dhe u mor në pyetje në stacionin e policisë në Viti, Muhamet Osmani, drejtor i shkollës fillore “Ganimete Tërbeshi” në fshatin Smirë të Vitisë.

Inspektorët serbë nga Muhamet Osmani kërkuan që t’i mbyll dyert e shkollës dhe aty të mos mbahet mësim. Inspektorët serbë nga Muhamet Osmani kërkuan që t’i dorëzojë edhe vulat e shkollës, si dhe u pyet rreth Këshillit për Financim.

Muhamet Osmani u lirua me kusht që të paraqitet sërish në stacionin e policisë në Viti.

Dje në pyetje është marrë edhe Ramush Misini, drejtor i shkollës fillore “Ndre Mjedja” në Kabash të Vitisë.

Njoftohet se Ramush Misini ende po mbahet në polici.

 

 

21 shtator 1995

 

Në Prizren 38 shqiptarë u dënuan prej 1 deri 6 e gjysmë vjet burg

 

Gjykata e instaluar serbe në Prizren, shpalli sot aktgjykimin e procesit të montuar gjyqësor kundër 44 ish-policëve, kryetarit të Partisë Popullore Turke dhe funksionarëve tjerë lokalë, sipas të cilit, 38 të akuzuar u dënuan me nga disa vjet burg.

Të akuzuarit u dënuan me burg në kohëzgjatje prej 1 deri në 6 vjet e gjysmë.

Kështu, Xhelal Canziba u dënua me 6,5 vjet burg, Esat Jaha 6, Rexhep Oruçi 6, Xhemal Haxhimustafa 5, Nahit Elshani 4,5 vjet, Gani Mullabazi 5, Salih Sokoli 5,5, Shaban Dana 1,5, Osman Vuçiterna 1, Halil Kafexholli 3, Shaip Mustafa 2,5, Adem Shala 3, Faik Jasiqi 2, Ramadan Ndrecaj 3, Sali Muriqi 2, Ilmet Fondaj 1,5, Sylë Millaku 1,5, Xhemajl Shasivari 2,5, Zehadin Ramadani 3,5, Sezair Shaip 3,5, Ilmi Bujari 2,5, Sejdi Bytyçi 1,5, Astrit Koshi 2,5, Emin Uka 2,5, Bashkim Braha 2,5, Liman Gashi 3,5, Besnik Baruti 2,5, Vezir Selaj 2, Eshref Berisha 2, Rrustem Palushi 2, Orhan Zajmi 2,5, Ajet Gashi 2,5, Ymer Kryeziu 2, Remzi Ademaj 3,5, Arhimed Varolli 3, Shasivar Gashi 1, Ramush Krasniqi 3 dhe Mitat Elshani 1 vjet.

Ndaj të akuzuarit Halil Blakaj është veçuar procedura penale, për shkak të gjendjes se rëndë shëndetësore, ndaj të akuzuarve Rexhep Pista, Abdullah Haxhiymeri dhe Myhedin Bekeri prokurori hoqi dorë nga ndjekja penale, në mungesë të provave, ndërkaq Bajram Mexhuani dhe Bedri Abazi u liruan nga aktakuza.

Pas shpalljes së aktgjykimit, 6 të akuzuar mbetën në paraburgim, ndërsa të tjerët u liruan të “mbrohen në liri” derisa vendimi të bëhet i plotfuqishëm.

 

 

21 shtator 1997

 

 

Prani e policisë përballë Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës

 

Nga ora 13,30 min deri në orën 15,00, dy policë serbë qëndruan për një kohë të gjatë para ndërtesës së Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku është selia e presidencës së Republikës dhe e LDK-së si edhe para ndërtesës së Qendrës për Informim të Kosovës (QIK).

Nuk dihet preteksti i kësaj pranie demonstrative të dy policëve serbë përballë ndërtesave të institucioneve të Kosovës, mirëpo kjo prani vjen pas shpeshtimit të provokimeve të policisë serbe para këtyre dy ndërtesave.

 

 

21 shtator 1998

 

Shalë e Bajgorës: Forcat serbe kanë vrarë 10, kanë plagosur 3, kurse janë zhdukur disa shqiptarë

 

Gjatë ofensivës së forcave të ushtrisë dhe të policisë serbe në fshatrat e Shalës së Bajgorës, njoftohet se janë vrarë e masakruar 10, janë plagosur 3 shqiptarë dhe janë zhdukur disa të tjerë, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Bëhet e ditur se forcat serbe kanë masakruar Januz Deli Shalën (95) nga Vidishiqi, Mihane Hysenin (80), Ilaz Bali Hysenin (85), Fetah Sefer Hysenin (60), djalin e tij Jashar Hysenin (36) dhe Elez Begollin (60) nga Kaçanolli, Halim Halil Ferizin (60) dhe djalin e tij Enver Ferizin (38) nga Stan tërgu, Riza Ferat Tahirin (55) nga Selaci dhe Avni Rasim Shabanin (26) nga fshati Dedi.

Ndërkaq janë plagosur Nurije Baliu (92), Hidajete Baliu (24) dhe Shemsi Baliu (18) nga Vidishiqi.

I njëjti burim bën të ditur se se gjatë ofensivës së forcave serbe janë zhdukur Hafije Shala (80), Hajriz Shala (75), Brahim Shala (70) e Abdyl Bajram Isufi (65) nga Vidishiqi dhe Ukshin Ferati (39) nga fshati Barje, i cili është edhe i sëmurë mental.

Njoftohet se në rajonin e Shalës së Bajgorës janë plagosur e zhdukur edhe disa qytetarë të tjerë shqiptarë.

 

 

Forcat serbe dogjën kullën 200- vjeçare

 

Ditëve të fundit, forcat e ushtrisë dhe të policisë serbe në fshatin Lipovec, kanë djegur edhe kullën e moçme 200- vjeçare, pronë të Zeqirja Halitit..

Të përkujtojmë se që kur ka shpërthyer lufta në Kosovë, në Rrafshin e Dukagjinit forcat e policisë dhe ushtrisë serbe, kanë djegur edhe disa objekte shqiptare me rëndësi kulturore, siç është djegia e një kulle katër katëshe në Strellc të Deçanit, por edhe të disa monumenteve të tjera kulturore.

 

Continue Reading

Lajmet

Hamza: Kuvendi s’mund ta injorojë zërin e qytetarëve, procedojmë ndryshimin e ligjit për Specialen

Published

on

By

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i shoqëruar nga deputetët e grupit parlamentar, ka dalë në një konferencë për media ku ka ritheksuar qëndrimin e prerë kundër vendimit dënues të Gjykatës Speciale ndaj katërshes së UÇK-së.

Gjatë fjalës së tij, Hamza bëri të ditur se Grupi Parlamentar i PDK-së tashmë ka proceduar zyrtarisht në Kuvend kërkesën për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Ai theksoi se Kosova po kalon nëpër ditë të rënda dhe se reagimi i qytetarëve, të cilët po protestojnë në vazhdimësi kundër këtij vendimi, nuk mund të injorohet nga institucionet vendëse.

Sipas kryetarit të PDK-së, Kuvendi i Kosovës nuk mund të sillet sikur kjo çështje nuk e prek drejtpërdrejt Republikën e Kosovës.

“Kjo gjykatë nuk është imponuar nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por është krijuar me Kushtetutën dhe ligjet e miratuara nga vetë Kuvendi i Kosovës“, u shpreh Hamza, duke kërkuar reagim institucional ndaj situatës së krijuar

Continue Reading

Lajmet

Superliga e Kosovës: FC Prishtina vazhdon e shkëputur në krye, Drenica gozhdon Llapin dhe Malisheva befason Ballkanin

Published

on

By

Fundjava në Superligën e Kosovës ka dhuruar emocione të mëdha dhe lëvizje me rëndësi në tabelën e klasifikimit.

FC Prishtina po vazhdon e vetme marshimin në krye të tabelës pasi mposhti Gjilanin me rezultat 1–2 si mysafire, duke ruajtur ecurinë perfekte prej 18 pikëve të plota nga 6 ndeshje.

Nënkampionia dhe ndjekësja e parë, Malisheva, arriti një fitore tejet të vlefshme në shtëpi duke mposhtur Ballkanin me rezultat 2–1 dhe duke u konsoliduar në vendin e dytë me 16 pikë, derisa mysafirët nga Suhareka mbeten në kuotën e 10 pikëve.

Fitoren më bindëse të kësaj xhiroje e regjistroi Drenica, e cila dhuroi spektakël para tifozëve të saj duke e mposhtur Llapin me rezultat të thellë 4–0, rezultat ky që e ngjit Drenicën në kuotën e 9 pikëve dhe e lë Llapin në zonën e rrezikshme me vetëm 3 pikë.

Tri pikë tejet të rëndësishme në udhëtim mori edhe Drita, e cila mposhti Dukagjinin 1–2 në Klinë, duke u ngjitur në pozitën e katërt me 11 pikë, prapa Dukagjinit që qëndron i treti me 12 pikë.

Ndërkohë, Feronikeli mori një fitore shprese në shtëpi ndaj KF Vushtrrisë me rezultat 3–1, duke u ngjitur në kuotën e 6 pikëve, përderisa vushtrriasit mbeten në fund të tabelës pa asnjë pikë të grumbulluar. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Dy persona dyshohet se sulmuan me thikë një burrë në Skenderaj

Published

on

Në Skenderaj, më 20 shtator 2026, rreth orës 22:20, është raportuar një rast i cilësuar si vrasje në tentativë.

Sipas Policisë, një burrë kosovar është sulmuar fizikisht dhe me thikë nga dy të dyshuar, meshkuj kosovarë.

Viktima ka pranuar tretman mjekësor.

Për rastin është njoftuar prokurori, ndërsa hetimet janë duke vazhduar./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara