Lajmet

Korona në Ballkanin Perëndimor

Published

on

 Dallime të mëdha në fushatat e vaksinimit

Në një kohë që Kosova mund të ndodhet para triazhit, Serbia i fton të gjithë për t’u vaksinuar. Për shkak të pabarazisë së madhe në luftën kundër Koronas, në Ballkanin Perëndimor po shtohet zemërimi. Një përmbledhje.

Ka mungesë vaksinash, sistemet shëndetësore që lëngojnë janë të mbingarkuara, të dhënat ekonomike janë të këqija për shkak të papunësisë së lartë. Sipas Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (wiiw) me shpejtësinë aktuale do të duhen vite për të vaksinuar popullsinë në pjesë të Ballkanit Perëndimor. Në të njëjtën kohë, sipas wiiw, varet nga nivelet e vaksinimit se sa shpejt rimëkëmbet ekonomia: Serbia është në rrugën e duhur, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina nuk do të jetë rikuperuar ekonomikisht nga pandemia deri në vitin 2022, kurse Mali i Zi madje as deri në vitin 2023.

Bosnjë dhe Hercegovinë: pak vaksinime, shumë protesta

“Çfarë poshtërimi për të gjithë qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës!” Kështu e përshkruan në Beograd ndjenjën e saj një grua nga Sarajeva. Në Beograd ajo ishte vaksinuar kundër Covid-19, sepse qeveria e vendit të saj nuk arriti ta marrë vaksinën. Njerëzit e Bosnjës dhe Hercegovinës janë të zemëruar me politikanët e tyre. Akuza: ata preferojnë të merren me grindjet politike të brendshme, në vend që të gjejnë vaksinat.

Në mars, incidenca shtatëditore nganjëherë ishte mbi 1000. Ndërkohë, pas ashpërsimit të kufizimeve, situata në Bosnjë dhe Hercegovinë është përmirësuar, por ka pasur më shumë se 7700 vdekje që nga fillimi i pandemisë. Me 3.3 milionë banorë, kjo është e barabartë me shumë se 225 vdekje prej koronës për 100.000 banorë. Herë pas here, të afërmit madje duhej të prisnin për funeralet, sepse sipërmarrësit ishin të mbingarkuar. Prej mungesës së vaksinës, ka pasur protesta që ka të ngjarë të vazhdojnë.

Serbia: Shpresa e vaksinimit për Ballkanin Perëndimor

Edhe në Serbi shifrat e infektimeveme korona vazhdojnë të jenë shqetësuese të larta. Megjithatë, ky vend ka tërhequr së fundmi vëmendjen me vaksinimin. Në parim, pavarësisht nga kombësia, atje mund të regjistrohen të gjithë për vaksinim.

Fakti që Serbia vaksinon me bujari Ballkanin Perëndimor ka të bëjë gjithashtu për shkak të interesave politike të Presidentit Aleksandar Vuçiç: si vend kandidat për në BE – i cili gjithashtu mban lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën. Që nga kjo javë, Serbia është bërë vendi i parë evropian që e prodhoi vetë vaksinën ruse Sputnik V, në bashkëpunim me Rusinë. Dozat e para për vaksinimin pritet të jenë gati në fillim të qershorit.

Shkalla e vaksinimit në Serbi është 8.5 përqind, që e vendos Serbinë në vendin e dytë në Evropë, menjëherë pas Britanisë së Madhe.

Maqedonia e Veriut: 20.000 euro për një mjekim për koronën

Në spitalet shtetërore të mbipopulluara në Maqedoninë e Veriut, për pacientët me Covid janë të zakonshme dhomat me gjashtë shtretër, dhe shifrat e vdekjes janë të larta. Ata që kanë para mjekohen në klinika private – të cilat, sipas Ministrit të Shëndetësisë, kërkojnë deri në 20.000 euro për një mjekim kundër Covid-19. Kërkesa e qeverisë socialdemokrate nën Zoran Zaevin, që spitalet private t’i ulnin çmimet e tyre u refuzua.

Që kur filluan vaksinimet në fillim të prillit, vetëm 26.000 nga zyrtarisht thuajse dy milionë banorë kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër koronas, ndonëse tashmë janë regjistruar në internet 150.000 vetë për t’u vaksinuar. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Shkup, megjithatë, 200.000 doza vaksine do të dorëzohen nga Kina deri në fund të muajit. Fakti që vaksinat kineze kundër Covid-19 mund të ofrojnë pak mbrojtje, nuk komentohet. Pas numrit rekord të më shumë se 1500 infektimeve të reja në ditë me Covid-19 dy javë më parë, shifrat në Maqedoninë e Veriut tani po bien. Sidoqoftë, ky vend kohët e fundit regjistroi rreth 950 raste të reja me korona dhe 33 vdekje.

Kosovë: Mjekët druhen se po vjen triazhi

Kosova gjithashtu zë vendet e fundit, përsa i përket vaksinimit. Deri tani, në Kosovëjanë vaksinuar vetëm 10.000 vetë  – mjekë dhe persona në moshën mbi 80 vjeç. Ndërkohë, edhe më shumë njerëz janë infektuar dhe kanë vdekur javët e fundit. Kohët e fundit, në Kosovën me më pak se dy milionë banorë ka pasur 700 të infektuar dhe 14 të vdekur. Mjekët kanë frikë se po vjen një situatë në të cilën jo të gjithë pacientët mund të marrin mjekim. Në mënyrë që të zvogëlohej numri i infektimeve, restorantet dhe qendrat tregtare në Kosovë u mbyllën për dy javë. Në mënyrë që t’i shpëtonin kësaj, pothuajse 30.000 vetë bënë një udhëtim të shkurtër në Shqipëri fundjavën e kaluar, sipas informacionit të qeverisë. Nuk kërkohet asnjë test negativ i Covid-19 për të hyrë në vendin fqinj.

Shqipëria: situatë më e shtensionuar rreth Covid-19 para zgjedhjeve parlamentare

Gjendja e infektimeve me Korona është përmirësuar kohët e fundit në Shqipëri. Numri i infektimeve dhe vdekjeve nga korona dy javët e fundit ka rënë. Në ditët e fundit ka pasur rreth 170 infektime të reja dhe katër vdekje. Deri tani, janë vaksinuar më shumë se 280.000 nga gati tre milionë banorët. Sipas Ministres së Shëndetësisë, deri në fund të majit numri i të vaksinuarve do të jetë më shumë se 500.000. Para zgjedhjeve parlamentare në 25 prill, ekziston një shqetësim në rritje se më shumë njerëz do të infektohen në manifestime.

Mali i Zi: sistemi shëndetësor nuk është më i mbingarkuar

Shteti më i vogël ballkanik, Mali i Zi, i vaksinon 620.000 banorët e tij që nga fundi i shkurtit. Sipas të dhënave zyrtare, deri tani janë injektuar gati 50.000 doza vaksine dhe pothuajse dy herë më shumë njerëz janë regjistruar për vaksinimin. Sistemi shëndetësor nuk është më në kufirin e kapacitetit të tij. Kohët e fundit, Mali i Zi raportoi rreth 180 raste të reja me infektime dhe shtatë vdekje nga Covid-19.(DW)

Lajmet nga UBT

Interesim i madh i maturantëve për UBT-në në Preshevë dhe Bujanoc

Published

on

By

Në kuadër të aktiviteteve për informimin dhe orientimin profesional të të rinjve, përfaqësues të UBT-së realizuan një vizitë informuese në dy prej institucioneve më të rëndësishme arsimore në Luginën e Preshevës – Gjimnazi “Skënderbeu” dhe Gjimnazi “Sezai Surroi”.

Delegacioni i UBT-së, i përbërë nga Prof. Halil Bashota, përgjegjës i Qendrës së Karrierës, si dhe stafi akademik, u prit ngrohtësisht nga drejtuesit e këtyre institucioneve, Prof. Nadër Sadiku dhe Prof. Admir Nazifi, së bashku me stafin pedagogjik.

Gjatë kësaj vizite, para maturantëve u prezantua në mënyrë të detajuar oferta akademike e UBT-së, duke përfshirë programet më të avancuara dhe inovative që institucioni ofron në fusha të ndryshme si teknologjia, shkencat kompjuterike, inxhinieria, biznesi, arkitektura, si dhe fusha të tjera të përshtatura me kërkesat e tregut bashkëkohor.

Interesimi i maturantëve ishte i dukshëm, ku shumë prej tyre shprehën kureshtje dhe entuziazëm për mundësitë që UBT ofron, duke bërë pyetje konkrete rreth programeve studimore, praktikave profesionale, bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe perspektivave të punësimit pas studimeve.

Përfaqësuesit e UBT-së theksuan rëndësinë e zgjedhjes së një programi studimor që përputhet me interesat dhe ambiciet personale të studentëve, duke i inkurajuar maturantët që të shfrytëzojnë mundësitë për zhvillim akademik dhe profesional në një institucion që synon inovacionin dhe cilësinë në arsim.

Kjo vizitë shënon një tjetër hap në forcimin e lidhjeve ndërmjet UBT-së dhe shkollave të mesme në Luginën e Preshevës, duke krijuar ura bashkëpunimi dhe duke ofruar mbështetje konkrete për të rinjtë në rrugëtimin e tyre drejt arsimit të lartë dhe karrierës së suksesshme.

Continue Reading

Lajmet

Ndërto karrierën tënde në UBT: Bëhu lider në Menaxhimin e Patundshmërisë dhe Infrastrukturës

Published

on

By

Nëse jeni në kërkim të një profesioni që dominon tregun aktual të punës, programi Menaxhimi i Patundshmërisë dhe InfrastrukturësUBT është zgjedhja që ju transformon në ekspertë të zhvillimit urban. Si institucioni lider në inovacion, UBT ka krijuar këtë program për të përgatitur gjeneratën e re të menaxherëve që do të udhëheqin projektet më të mëdha infrastrukturore në vend.

Ky drejtim ofron një ndërthurje unike mes ligjit, financave dhe teknologjisë, duke i pajisur studentët me shkathtësi praktike për vlerësimin e pronave, analizën e investimeve strategjike dhe përdorimin e Inteligjencës Artificiale në industrinë e patundshmërisë.

Për t’ua bërë rrugëtimin akademik më të lehtë dhe për të mbështetur talentet e reja, UBT ofron një mundësi të veçantë: çdo student që zgjedh të regjistrohet në këtë program përfiton automatikisht bursë prej 20% për të tri vitet e studimit.

Ky nuk është vetëm një lehtësim financiar, por një ftesë për t’u bërë pjesë e një ekosistemi ku suksesi është i garantuar përmes punës praktike dhe rrjetëzimit me industrinë.

Gjatë studimeve në UBT, ju do të mësoni se si marketingu digjital rrit shitjet në patundshmëri, si të negocioni partneritete publike-private dhe si të analizoni me saktësi ndikimin e planifikimit hapësinor në rritjen e vlerës së pronës.

Ky program ju jep kompetenca të plota për të udhëhequr ekipe ndërdisiplinore dhe për të marrë vendime që ndikojnë direkt në rritjen ekonomike. Nëse synoni një profesion që kombinon lidershipin me teknologjinë moderne, UBT është pika juaj e nisjes drejt një karriere të sigurt dhe me ndikim në shoqëri.

Aplikimet e hershme kanë filluar, këtu gjeni linkun për me shumë informata.

Continue Reading

Lajmet

Prof. Veton Zejnullahu: Kosova është në një fazë hibride, jo më tranzicion fillestar, por ende larg demokracisë së konsoliduar

Published

on

By

Në episodin e radhës të podcastit studentor “Inside Politics with Aja”, i realizuar nga studentët e Shkencave Politike në UBT, i ftuar ishte profesori Veton Zejnullahu, i cili trajtoi zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe sfidat e konsolidimit demokratik.

Në analizën e tij, profesori Zejnullahu e përkufizoi situatën politike në vend si një fazë hibride, mes stabilitetit institucional dhe tranzicionit të vazhdueshëm.

“Ne nuk jemi më në fazën emergjente të tranzicionit, sepse kemi kaluar një fillim të rëndësishëm institucional. Por, në të njëjtën kohë, nuk mund të themi se kemi arritur një demokraci të konsoliduar. Jemi në një fazë hibride, dinamike, ku disa mekanizma funksionojnë, ndërsa të tjerët mbeten të brishtë dhe të papërfunduar”.

Ky vlerësim nënvizon një realitet kompleks politik, ku përparimet institucionale bashkëjetojnë me dobësi strukturore. Sipas tij, ndërtimi i një demokracie funksionale nuk matet vetëm me ekzistencën e institucioneve, por me mënyrën se si ato funksionojnë në praktikë dhe sa janë të qëndrueshme ndaj krizave politike.

Në vijim, ai theksoi se një nga problemet më të mëdha të sistemit politik në Kosovë është personalizimi i skajshëm i partive politike.

“Partitë politike në Kosovë funksionojnë më shumë si mekanizma elektoralë sesa si struktura ideologjike. Votuesit shpesh nuk votojnë për programe apo ide, por për liderë të caktuar. Kjo e dobëson zhvillimin e demokracisë së brendshme partiake dhe e zhvendos fokusin nga politikat tek individët”.

Diskutimi në këtë episod ofroi një pasqyrë kritike dhe analitike mbi realitetin politik në Kosovë, duke i ndihmuar studentët të kuptojnë më thellë sfidat e demokracisë dhe rolin e tyre në këtë proces.

Ju ftojmë të ndiqni episodin e plotë: Inside Politics with Aja

Continue Reading

Lajmet

Akil Gjakova mbetet pa medalje, Kosova kthehet me të artën e Distrisë

Published

on

By

Dita e dytë e Kampionatit Evropian të xhudos në Gjeorgji nuk ka sjellë medalje të reja për ekipin e Kosovës, pasi Akil Gjakova u mposht në sekondat e fundit të luftës për vendin e tretë.

Gjakova, i cili garoi në kategorinë deri në 73 kilogramë, e nisi ditën me dy fitore të rëndësishme ndaj garuesve nga Austria dhe Britania e Madhe, por lufta maratonë me këtë të fundit ndikoi në energjinë e tij për çerekfinalen kundër legjendës gjeorgjiane, Lasha Shavdatiashvili.

Edhe pse arriti të rikthehej me një fitore në repesazh ndaj moldavit Adil Osmanov, Akili u ndal në duelin për medaljen e bronztë nga turku Bilal Çiloglu, i cili shfrytëzoi një moment pakujdesie për të fituar me “Uazari”.

Në këtë kampionat u paraqitën edhe Dardan Cena dhe Laura Fazliu, por pa arritur të lënë gjurmë.

Cena u eliminua nga kampioni olimpik i Azerbajxhanit pas një fitoreje fillestare, ndërsa Laura Fazliu dëshpëroi me një eliminim të papritur që në luftën e parë kundër sllovenes Kaja Kajzer. Megjithatë, bilanci i Kosovës mbetet pozitiv falë Distria Krasniqit, e cila të enjten u shpall kampione e Evropës në kategorinë deri në 52 kilogramë.

Ky sukses i Distrisë bën që Kosova të fitojë medalje në kampionatet evropiane për të 14-tin vit radhazi, duke konfirmuar nivelin e lartë në mesin e 400 xhudistëve pjesëmarrës në Tbilisi.

Continue Reading

Të kërkuara