Lajmet

Koreja Jugore planifikon më shumë mbështetje për Ukrainën

Published

on

Koreja Jugore mund të konsiderojë më shumë mbështetje për Ukrainën në përgjigje të vendosjes së trupave të Koresë Veriore në Rusi për të mbështetur agresionin e vazhdueshme të Moskës, tha presidenti Yoon Suk-yeol.

Yoon Suk-yeol tha se Pheniani zyrtar i ka ofruar gjithashtu armë Moskës në agresionin e saj ushtarak në Ukrainë.

“Nëse ata nuk e ndalin aventurën e tyre të rrezikshme ushtarake, ne jemi të përgatitur të zbatojmë masat e duhura efektive, duke përfshirë forcimin e mbështetjes për Ukrainën, në bashkëpunim me aleatët tanë dhe vendet me të njëjtin mendim,” tha ai.

Muajin e kaluar, Yoon tha se vendi i tij mund të konsiderojë ofrimin e armëve për Ukrainën “në varësi të shtrirjes së bashkëpunimit ushtarak midis Rusisë dhe Koresë Veriore”.

Të mërkurën, agjencia e spiunazhit të Koresë së Jugut, Shërbimi Informativ Kombëtar, tha se ushtarët e Koresë së Veriut ishin zhvendosur në rajonin e vijës së parë Kursk, Rusi për të luftuar kundër forcave ukrainase.

Të martën, një zyrtar ukrainas tha gjithashtu se 50 mijë trupa ruse dhe veri-koreane ishin vendosur në Kursk për të luftuar forcat ukrainase, por Pheniani nuk i ka konfirmuar pretendimet.

Lajmet

Katër persona humbin jetën nga rrëzimi i një aeroplani të vogël në Kroaci

Published

on

Katër persona kanë humbur jetën si pasojë e rrëzimit të një aeroplani të vogël në perëndim të Kroacisë.

Sipas policisë kroate, aksidenti ka ndodhur në zonën Campanozh, ndërmjet rajoneve Kashtijun dhe Medulin, pranë aeroportit sportiv të Medulinit.

Mediat kroate, duke iu referuar burimeve jozyrtare, raportojnë se bëhet fjalë për një aeroplan të vogël gjerman që ishte nisur nga Austria me destinacion Medulinin.

Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje kanë dalë ekipet emergjente për të ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe për të siguruar zonën.

Autoritetet kanë bërë të ditur se më shumë detaje rreth shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit pritet të publikohen pas mbërritjes së hetuesve të Agjencisë për Hetimin e Aksidenteve në Trafikun Ajror, Detar dhe Hekurudhor (AIN).

Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.

Continue Reading

Lajmet

SHBA: Kosova të veprojë shpejt për sigurimin e furnizimit me energji

Published

on

E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, ka deklaruar se Kosova nuk po arrin t’i përmbushë kërkesat në rritje për furnizim me energji elektrike dhe se në të ardhmen do të varet gjithnjë e më shumë nga vendet fqinje.

Në një editorial të publikuar së fundmi, Prattipati theksoi se Kosova duhet t’u bashkohet projekteve amerikane të gazit natyror që janë planifikuar në rajonin e Ballkanit, duke vlerësuar se ato mund të ofrojnë një burim të qëndrueshëm energjie për vendin.

Sipas saj, gazi natyror i lëngshëm amerikan (GNL) do të ndihmonte në diversifikimin e burimeve energjetike, do të plotësonte kapacitetet vendore dhe do të forconte partneritetin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

“Kosova nuk po arrin t’i përmbushë kërkesat në rritje për furnizim me energji. Në të ardhmen e parashikueshme, përderisa çmimi dhe kërkesat për energji vazhdojnë të rriten, Kosova do të varet gjithnjë e më shumë nga fqinjët e saj”, ka shkruar Prattipati.

Ajo paralajmëroi se Kosova duhet të veprojë shpejt për t’u bërë pjesë e këtyre projekteve, pasi mundësia për përfshirje po ngushtohet.

Sipas saj, vonesa në marrjen e një vendimi mund të bëjë që furnizimet amerikane me gaz natyror të lëngshëm të orientohen drejt vendeve të tjera, duke e lënë Kosovën si të vetmin vend në Ballkanin Perëndimor pa qasje në GNL-në amerikane.

Prattipati theksoi se administrata e presidentit Donald Trump ka prioritet uljen e varësisë së Evropës nga energjia ruse dhe ftoi Kosovën të ndërtojë një partneritet afatgjatë energjetik me Shtetet e Bashkuara.

“Ne e nxisim Kosovën të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me Amerikën përmes GNL-së për të siguruar të ardhmen e saj energjetike. Së bashku, ne mund të forcojmë sigurinë energjetike dhe t’i rrisim ekonomitë tona krah për krahu”, ka deklaruar ajo.

Continue Reading

Lajmet

11 të arrestuar në Pozheran të Vitisë, dyshohen për organizim të bixhozit të kundërligjshëm

Published

on

Një aksion policor i zhvilluar në fshatin Pozheran të Vitisë ka rezultuar me arrestimin e 11 personave, të dyshuar për përfshirje në organizimin e bixhozit të kundërligjshëm.

Sipas Policisë, aksioni është realizuar pas pranimit të informacioneve relevante dhe zhvillimit të veprimeve hetimore në koordinim me Prokurorin e Shtetit. Më 4 qershor, njësitet policore kanë kryer bastisje në një lokacion ku dyshohej se po ushtrohej veprimtari e paligjshme.

Gjatë kontrollit, janë arrestuar 11 persona të dyshuar, ndërsa janë sekuestruar edhe prova materiale që lidhen me veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të kundërligjshëm”.

Autoritetet kanë bërë të ditur se provat e mbledhura do të shërbejnë si dëshmi në procedurën penale ndaj të dyshuarve.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, rasti është proceduar në Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe do të trajtohet në procedurë të rregullt gjyqësore.

Continue Reading

Lajmet

Protestë solidarizuese në Prishtinë kundër privatizimit të zonave bregdetare në Shqipëri

Published

on

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka mbajtur të sot, e enjte një protestë para Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë, në shenjë solidariteti me protestat që po zhvillohen në Shqipëri kundër privatizimit të zonave bregdetare, përfshirë Zvërnecin dhe Sazanin.

Gjatë protestës, përfaqësuesja e kolektivit, Liridona Sijarina, tha se aksioni synon të mbështesë qytetarët që po kundërshtojnë projektet që, sipas saj, rrezikojnë pasuritë natyrore dhe interesin publik.

“Sot kemi dalë këtu për të shprehur solidaritetin tonë me protestat në Shqipëri, që janë duke u bërë për të mbrojtur tokën dhe natyrën në Zvërnec, Sazan e përtej”, deklaroi ajo.

Sijarina kritikoi marrëveshjen ndërmjet Jared Kushner dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, duke e cilësuar atë si një projekt që synon t’i kalojë pasuritë publike në duart e investitorëve privatë.

Sipas saj, zonat e Zvërnecit dhe Sazanit, të konsideruara ndër pasuritë më të rëndësishme natyrore të Shqipërisë, po përballen me rrezikun e privatizimit dhe shndërrimit në resorte luksoze. Ajo akuzoi qeverinë shqiptare për favorizim të interesave të kapitalit të madh në dëm të mjedisit dhe komuniteteve lokale.

“Me aminin e Edi Ramës, kjo tokë u shit dhe menjëherë oligarkët filluan brutalizimin ndaj natyrës dhe popullatës vendase, duke grabitur jo vetëm tokat, por edhe mundësinë për jetë në ato zona”, u shpreh Sijarina.

Ajo tha se kundërshtimi ndaj këtyre projekteve është pjesë e një rezistence më të gjerë kundër privatizimit të pasurive publike dhe shpronësimit të qytetarëve në favor të interesave private.

Sipas organizatorëve, protestuesit në Kosovë e konsiderojnë kauzën e qytetarëve në Shqipëri si të përbashkët dhe shprehin mbështetje për lëvizjet që kundërshtojnë privatizimin e zonave bregdetare dhe pasurive natyrore.

“Lufta e tyre është edhe e jona. Qëndrojmë pranë atyre që sot po luftojnë për veten dhe tokat e tyre, për natyrën dhe për jetën”, deklaroi Sijarina.

Protesta u mbajt në mbështetje të demonstratave që po zhvillohen në Shqipëri kundër projekteve të zhvillimit turistik në disa prej zonave më të njohura bregdetare të vendit.

Continue Reading

Të kërkuara