Lajmet
Koreja e Veriut shfaq shumëllojshmërinë e raketave
Që prej vitit 2017, Koreja e Veriut nuk kishte testuar raketa balistike interkontinentale apo armë bërthamore.
Published
4 years agoon
By
Betim GashiJanari ishte muaji me më së shumti testime raketore të kryera ndonjëherë nga Koreja e Veriut dhe ky muaj u përmbyll me lëshimin e së dielës të raketës balistike me rreze të mesme veprimi, Hwasong-12. Këto testime po shihen si përpjekje e Phenianit për të treguar se ka sisteme të besueshme raketore që mund të bartin koka bërthamore.
Në janar, testimet nisën me lëshimin e një rakete të re “hipersonike” dhe vazhduan me testimin e raketave lundruese me rreze të gjatë veprimi dhe raketave balistike me rreze të shkurtër veprimi, që u lëshuan nga aeroportet dhe trenat. Përmes këtyre testimeve, Koreja e Veriut tregoi për zgjerimin e shpejtë të arsenalit bërthamor dhe avancimin e armëve bërthamore, teksa bisedimet për denuklearizim kanë ngecur.
Që prej vitit 2017, Koreja e Veriut nuk kishte testuar raketa balistike interkontinentale apo armë bërthamore, por lëshimi i Hwasong-12 mund të sinjalizojë se mund të rikthehen shumë shpejt testime të tilla, kanë thënë zyrtarët në Korenë e Jugut dhe në Shtetet e Bashkuara.
Më poshtë mund të mësoni se çfarë lloje armësh testoi Koreja e Veriut gjatë muajit janar:
Raketat ‘hipersonike’
Më 5 janar, Koreja e Veriut tha se kishte testuar një lloj të ri “të raketës hipersonike”. Të njëjtin pretendim e bëri më 11 janar, teksa lideri verikorean, Kin Jong Un u raportua se mori pjesë në testimin e dytë.
Armët hipersonike zakonisht fluturojnë drejt objektivave në një lartësi më të ulët se raketat balistike dhe mund të arrijnë shpejtësi deri mbi pesë herë sesa shpejtësia e zërit – ose rreth 6,200 kilometra në orë.
Pavarësisht emrit të tyre, analistët thonë se tipari kryesor i armëve hipersonike nuk është shpejtësia e tyre, por manovrimi i tyre, që mund t’u lejojë atyre të shmangin sistemet e mbrojtjes raketore.
Zyrtarët e Koresë së Jugut vunë në pikëpyetje pretendimet e Veriut mbi aftësitë e raketës pas testimit të parë, por testimi i dytë duket se shfaqi performancë më të mirë.
Analistët thanë se nëse Pheniani do të perfeksiononte armë të tilla, kjo do të paraqiste një përmirësim të madh në fuqinë e tyre goditëse kundër kundërshtarëve që kanë afër.
KN-23
Më 14 janar, Koreja e Veriut lëshoi një sërë raketash balistike me rreze të shkurtër veprimi nga një tren pranë kufirit verior me Kinën. Media shtetërore verikoreane tha se ky testim ishte një stërvitje që kishte për qëllim të rriste afërsitë e trupave që operonin raketat.
Pavarësisht rrjetit të kufizuar hekurudhor dhe shpesh jo të besueshëm, raketat e lëvizshme hekurudhore janë një opsion relativisht i lirë dhe efikas për të përmirësuar mbijetesën e forcave bërthamore verikoreane, duke e bërë të vështirë për armiqtë që t’i zbulojnë dhe shkatërrojnë raketat para se ato të lëshohen, thanë analistët.
Raketat me rreze të shkurtër veprimi duket se ishin të llojit KN-23, që për herë të parë janë testuar në maj të vitit 2019. Këto lloje raketash janë të dizajnuara për të shmangur sistemet e mbrojtjes raketore, pasi fluturojnë në një trajektore më të ulët, thanë ekspertët.
Koreja e Veriut më pas lëshoi edhe një sërë raketash KN-23 nga një mjet lëvizës me rrota, që përdoret për lëshimin e raketave.
Testet konfirmuan “fuqinë shpërthyese” të kokës konvencionale të raketës, tha media shtetërore, ndërsa analistët thanë se raketat fluturuan në trajektoren më të ulët deri më tani.
KN-24
Koreja e Veriut lëshoi edhe dy raketa me rreze të shkurtër veprimi gjatë një testimi të rrallë të kryer nga aeroporti në Phenian më 17 janar.
Sipas medias shtetërore, dy raketat “goditën me saktësi një objektiv” në një ishull në brigjet lindore.
Analistët thanë se raketat duket se ishin të llojit KN-24, që për herë të fundit ishin testuar në mars të vitit 2020. Sipas analistëve, duket se Koreja e Veriut ka prodhuar në masë këto lloj raketash dhe i ka dislokuar me njësitë ushtarake.
Raketat KN-24 i ngjajnë Sistemit të Raketave Taktike të ushtrisë amerikane (MGM-140 ATACMS), dhe si raketat KN-23, janë të dizajnuara për të shmangur sistemet e mbrojtjes raketore, pasi raketa të tilla fluturojnë në trajektore më të ulëta sesa raketat tradicionale balistike.
Raketat lundruese me rreze të gjatë veprimi
Më 25 janar, media shtetërore verikoreane raportoi se janë lëshuar dy raketa lundruese me rreze të gjatë veprimi. Raketat u raportua se kishin fluturuar 1,800 kilometra përpara se të godisnin objektivin në bregun lindor të Koresë së Veriut.
Raketat lundruese luajnë rol “në përforcimin e parandalimit të luftës” në vend, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve KCNA.
Në shtator të vitit të kaluar, Koreja e Veriut kishte testuar për herë të parë një raketë të re “strategjike” lundruese. Kjo lloj rakete u pa se mund të jetë arma e parë e vendit me aftësi bërthamore.
Analistët thanë se raketa e fundit lundruese që u testua dukej e ngjashme me raketën e testuar në shtator, por gjithashtu tregoi shenja se ishte një variant i mundshëm i raketës së parë.
Raketat lundruese të Koresë së Veriut zakonisht gjenerojnë më pak interes sesa raketat balistike, sepse ato nuk janë të ndaluara në mënyrë eksplicite në rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Por, analistët thanë se një sulm tokësor me një raketë lundruese paraqet po aq kërcënim sa edhe një sulm me raketa balistike.
Hwasong-12
Në prill të vitit 2017, Koreja e Veriut testoi për herë të parë raketën balistike me rreze të mesme veprimi, Hwasong-12. Por, ky testim doli jashtë kontrolli dhe u pa si një dështim nga zyrtarët në SHBA dhe në Korenë e Jugut.
Edhe dy fluturime po atë muaj duket se dështuan, pasi raketat eksploduan disa sekonda pasi u lëshuan.
Fluturimi i parë i suksesshëm i kësaj rakete ishte në maj të vitit 2017 dhe po atë vit Koreja e Veriut testoi edhe dy raketa të tjera Hwasong-12, që fluturuan mbi ishullin japonez Hokiado.
Por, në testimin më 30 janar 2022, Koreja e Veriut tha se raketa fluturoi në një trajektore të ngritur “duke marrë nën konsideratë sigurinë e shteteve fqinje”.
Testimi “konfirmoi saktësinë, sigurinë dhe efikasitetin operacional të sistemit të armës të llojit Hwasong”, tha KCNA. Koreja e Jugut raportoi se raketa arriti në lartësi prej rreth 2,000 kilometrash dhe fluturoi në një distancë prej 800 kilometrash.
Hwasong-12 vlerësohet se ka një rreze prej 4,500 kilometrash, që mund të arrijë deri në territorin amerikan të Guamit dhe deri në zinxhirin e ishujve në Aleutian të Alaskës, ka thënë Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me seli në Uashington.
Kjo lloj rakete “mund të bartë një kokë të rëndë bërthamore të përmasave të mëdha”, tha media shtetërore. Më 2017, Koreja e Veriut kishte kërcënuar se do ta përdorë këtë lloj rakete për ta goditur Guamin./REL
Lajmet
Presidentja Osmani pret në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-së në Kosovë
Published
7 hours agoon
March 12, 2026By
UBTNEWS
Vjosa Osmani ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet aktuale në vend dhe çështje të bashkëpunimit bilateral.
Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit u trajtuan zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe tema të tjera me interes të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në fokus të bisedës ishte edhe rëndësia e ruajtjes së një mjedisi demokratik, ku respektohen mendimet e ndryshme dhe debati publik zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme.
Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Kosova për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-në, duke ritheksuar se aleanca ndërmjet dy vendeve mbetet jetike dhe e pazëvendësueshme për Kosovën.
Lajmet
Gjykata Evropiane: Ndalimi i ndryshimit të gjinisë në dokumente shkel ligjet e BE-së
Published
9 hours agoon
March 12, 2026By
UBTNews
Gjykata më e lartë e Bashkimit Evropian mori vendim të enjten se ligjet kombëtare që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore në dokumentet e identifikimit janë në kundërshtim me ligjin e BE-së. Gjykata theksoi sfidat e mëdha me të cilat ballafaqohen personat kur identiteti i tyre gjinor nuk përputhet me dokumentet zyrtare.
Rasti në fjalë rrodhi nga një shtetase bullgare, e regjistruar si mashkull në lindje, e cila kishte filluar trajtimin hormonal dhe identifikohej si grua. Ajo ishte zhvendosur në Itali dhe u kishte kërkuar autoriteteve bullgare të ndryshonin gjininë ligjore, emrin dhe numrin personal në dokumente.
Gjykatat në Bullgari e kishin refuzuar kërkesën, duke u thirrur në rregullat kombëtare që e përkufizojnë seksin vetëm në aspektin biologjik dhe që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore.
Megjithatë, Gjykata Evropiane e Drejtësisë konstatoi se megjithëse shtetet anëtare janë përgjegjëse për lëshimin e dokumenteve, mosmarrëveshja mes identitetit gjinor dhe letërnjoftimit mund të shkaktojë dyshime gjatë kontrolleve rutinë, udhëtimeve apo ndërveprimeve profesionale. Sipas Gjykatës, këto “paparashikueshmëri të konsiderueshme” pengojnë të drejtën e personit për lëvizje të lirë brenda Bashkimit Evropian. /Reuters/
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për pezullimin e partisë Aleanca Kosova e Re (AKR), pasi subjekti dështoi të organizojë zgjedhjet e brendshme deri në afatin e paraparë (25 shkurt 2026). Edhe pse partia ishte njoftuar paraprakisht, ajo nuk e ka përmbushur këtë obligim ligjor.
KQZ i ka dhënë AKR-së një afat shtesë prej 45 ditësh për ta mbajtur Kuvendin Zgjedhor. Nëse ky kusht nuk plotësohet as brenda kësaj periudhe, partia do të çregjistrohet përfundimisht nga regjistri zyrtar.
AKR, e cila ishte pjesë e Kuvendit që nga viti 2007, aktualisht udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës, Vesel Makolli, pas dorëheqjes së Behgjet Pacollit në tetor 2025. Në zgjedhjet e fundit, kjo parti mbeti jashtë Kuvendit pasi nuk arriti ta kalojë pragun zgjedhor.
Lajmet
IKSHPK: Ndotja e ajrit shkakton mbi 1,150 vdekje në vit në Kosovë
Published
10 hours agoon
March 12, 2026By
UBTNews
Raporti i fundit i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) për vitin 2025 ka alarmuar se ndotja e ajrit mbetet një rrezik madhor, duke shkaktuar rreth 12.1% të vdekshmërisë totale në vend.
“Rezultatet tregojnë se 1 150 raste të vdekjeve në vit (121/100 000 banorë) i atribuohen nivelit aktual të PM2.5 në Kosovë i cili paraqet 12.1% të vdekshmërisë totale, nga të gjitha shkaqet (natyrore)”, thuhet në raport.
Sipas të dhënave, gjendja më kritike është regjistruar në Prishtinë (veçanërisht në Kodrën e Trimave), Obiliq, Gjilan, Fushë Kosovë (Palaj) dhe Mitrovicë, ku nivelet e grimcave helmuese PM2.5 gjatë dimrit kanë arritur deri në 272 µg/m3, shifër kjo shumë herë mbi limitet e lejuara.
Shkaktarët kryesorë mbeten djegia e thëngjillit për ngrohje, termocentralet dhe makinat e vjetra, të cilat po rëndojnë shëndetin e grupeve më të ndjeshme si të moshuarit, gratë shtatzëna dhe fëmijët.
IKSHPK thekson se kjo ndotje lidhet drejtpërdrejt me rritjen e rasteve të sulmeve në zemër, goditjeve në tru dhe problemeve të rënda respiratore, duke kërkuar masa urgjente për zgjerimin e ngrohjes qendrore dhe reduktimin e përdorimit të lëndëve djegëse fosile.
Presidentja Osmani pret në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-së në Kosovë
Krerët e FFK-së takojnë ministrin e ri të Sportit, diskutohet për bashkëpunim dhe infrastrukturë
Lideri i ri i Iranit kërcënon me bllokimin e Ngushticës së Hormuzit
Gjykata Evropiane: Ndalimi i ndryshimit të gjinisë në dokumente shkel ligjet e BE-së
KQZ pezullon AKR-në e Behgjet Pacollit
Dy vlerësime për Kosovën në turneun ndërkombëtar të boksit për të rinj në Budva
IKSHPK: Ndotja e ajrit shkakton mbi 1,150 vdekje në vit në Kosovë
Heronj të Heshtur: Kur Jeta u Rrezikua për Çdo Fletë Librash
Mesazhi i Ramës për Beogradin: Nëse preket Kosova, preket Shqipëria
Të kërkuara
-
Vendi3 months agoDizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT
-
Aktualitet3 months agoProfesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku dhe bashkëpunëtorët publikojnë artikullin “Historia e Mbrojtjes së Shpellës në Kosovë” në SpeleoMedit Magazine
-
Lajmet2 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor në revistën prestigjioze ndërkombëtare të indeksuar në Scopus (Q1)
-
Lajmet3 months agoProfesori Lulzim Beqiri përfaqëson UBT-në në mobilitetin akademik në Technische Hochschule Lübeck
