Lajmet

Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut lëshojnë për herë të parë raketa përtej kufirit të tyre detar

Seuli u hakmor të mërkurën tre orë pasi Pheniani lëshoi një raketë që u ul më pak se 60 km (37 mi) nga qyteti jugor Sokcho.

Published

on

Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut kanë lëshuar për herë të parë raketa në ujërat e brigjeve të njëra-tjetrës.

Seuli u hakmor të mërkurën tre orë pasi Pheniani lëshoi një raketë që u ul më pak se 60 km (37 mi) nga qyteti jugor Sokcho, shkruan BBC.

Ushtria e Jugut tha se kjo ishte një shkelje “e papranueshme” e territorit të saj. Ajo lëshoi tri raketa ajër-tokë si kundërpërgjigje, të cilat zyrtarët thanë se u ulën në një distancë të ngjashme përtej vijës kufitare veriore (NLL).

Linja e demarkacionit shënon pikën e përafërt në mes të rrugës në det midis Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut, por Veriu nuk e ka pranuar kurrë kufirin.

Të martën Koreja e Veriut paralajmëroi se Koreja e Jugut dhe ShBA-ja do të paguajnë “çmimin më të tmerrshëm në histori” nëse do të vazhdojnë stërvitjet e përbashkëta ushtarake, që shihen si një kërcënim i fshehtë për përdorimin e armëve bërthamore.

Veriu pritet të rifillojë testimin e armëve bërthamore së shpejti pas një ndërprerjeje pesëvjeçare, me inteligjencën amerikane dhe koreano-jugore që thonë se Pheniani ka përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme.

Lajmet

Nis rrënimi i 11 objekteve pa leje rreth liqenit të Ujmanit

Published

on

By

Ka nisur aksioni për rrënimin e 11 objekteve në zonën përreth liqenit të Ujmanit, të cilat janë ndërtuar në pronë të ndërmarrjes publike hidroekonomike “Ibër-Lepenc”.

Kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje, Faruk Mujka, bëri të ditur se aksioni po realizohet nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, pasi poseduesit e objekteve nuk e kanë respektuar afatin e dhënë për lirimin e pronës.

Ndërkohë, gjatë zhvillimit të aksionit, njëri nga pronarët e objekteve ka paraqitur kërkesë me shkrim për të parandaluar rrënimin e pronës së tij.

/Ekonomia Online/

Continue Reading

Lajmet

Studimi gjeohapësinor zbulon nivelin e gjelbërimit në Gjakovë: Sa zbatohet “Rregulli 3-30-300”?

Published

on

By

Sfidat e planifikimit urban bashkëkohor dhe nevoja për hapësira të gjelbra kanë qenë në qendër të një hulumtimi shkencor të realizuar për temë masteri në UBT nga studiuesja Eli Binxhija, nën mentorimin e Prof. Dr. Edon Maliqit. Hulumtimi analizon zbatueshmërinë e konceptit ndërkombëtar “Rregulli 3-30-300” në territorin e Gjakovës përmes teknologjive të avancuara gjeohapësinore (GIS, GPS dhe RS).

Ky rregull përbën një standard modern për zhvillim të qëndrueshëm, ku synohet që çdo qytetar të shohë së paku 3 pemë nga vendbanimi, çdo lagje të ketë minimumi 30% mbulim me gjelbërim dhe çdo banor të ketë një hapësirë të gjelbër publike brenda një distance prej 300 metrash.

Përmes të dhënave satelitore dhe analizës hapësinore, studimi nxori në dritë treguesit realë për qytetin e Gjakovës: Dukshmëria e pemëve (Kriteri 3): Përmbushet në 84.40% të territorit; Mbulimi me gjelbërim (Kriteri 30): Arrin në 93.28% dhe Qasja në parqe publike brenda 300m (Kriteri 300): Realizohet vetëm në 53.49% të rasteve.

Në bilancin e përgjithshëm, rezulton se Gjakova përmbush 44.14% të të tri kërkesave simultanisht, ndërsa 55.86% e tyre mbeten të papërmbushura. Kjo dëshmon se përkundër nivelit të lartë të bimësisë, sfidë kryesore mbetet mungesa e parqeve publike në distancë të afërt dhe shpërndarja e pabarabartë e tyre.

Rëndësia praktike e këtij hulumtimi qëndron në krijimin e një baze të saktë të dhënash për institucionet lokale, planifikuesit urbanë e vendimmarrësit. Gjetjet ofrojnë udhëzime të qarta për identifikimin e zonave prioritare ku duhet të investohet në infrastrukturë të gjelbër, me qëllim ndërtimin e qyteteve më të shëndetshme, më rezistente dhe më gjithëpërfshirëse.

Continue Reading

Lajmet

Abazoviq dhe Adzhiq intervistohen për shtetësinë e biznesmenit Naser Ramaj

Published

on

By

Ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, dhe ish-ministri i Punëve të Brendshme, Filip Adzhiq, janë marrë në pyetje nga Departamenti Special i Policisë (SPO) në kuadër të hetimeve paraprake lidhur me dhënien e shtetësisë së nderit biznesmenit nga Kosova, Naser Ramaj.

Sipas gazetës “Vijesti”, Abazoviq dhe Adzhiq u morën në pyetje rreth dhjetë ditë më parë lidhur me dokumentacionin dhe bazën mbi të cilën i ishte miratuar shtetësia malazeze Ramajt, pak para përfundimit të mandatit të qeverisë së tyre në vitin 2023. Ish-kryeministri Abazoviq e ka konfirmuar dhënien e deklaratës në cilësinë e qytetarit, por nuk ka dhënë detaje të mëtejshme.

Prokuroria Speciale e Shtetit dhe SPO-ja po hetjnë nëse ka pasur keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë përdorimit të së drejtës diskrecionale për dhënien e kësaj shtetësie. Procedura kishte kaluar me propozim të kryeministrit të atëhershëm, pas mendimit pozitiv nga Ministria e Financave dhe verifikimit të sigurisë nga Agjencia për Siguri Kombëtare (ANB).

Shtetësia e nderit i ishte dhënë Ramajt me arsyetimin se ai ishte investitor në kompleksin “Porto Budva”, me vlerë prej 80 milionë eurosh. Megjithatë, Prokuroria tashmë e akuzon atë për evazion fiskal, nën dyshimin se si përgjegjës në kompaninë “Alart Centar Budva” nuk ka deklaruar të ardhurat nga shitja e hapësirave në këtë kompleks.

Për këtë arsye, kryeministri aktual i Malit të Zi, Millojko Spajiq, pati kërkuar më parë nisjen e procedurave urgjente për heqjen e shtetësisë së Ramajt.

Naser Ramaj njihet në Kosovë edhe si ish-pronar i klubit të futbollit Feronikeli. Klubi kishte grumbulluar borxhe mbi 700 mijë euro ndaj lojtarëve dhe trajnerëve nga viti 2019, gjë që e shtyu FIFA-n të obligojë pasardhësin e tij, Feronikeli 74, për shlyerjen e këtyre detyrimeve financiare.  /Vijesti/

 

Continue Reading

Lajmet

Humb jetën një person në Prishtinë, dyshohet se ra nga një objekt

Published

on

By

Një person ka humbur jetën në Prishtinë, pasi dyshohet se ka rënë nga një objekt në rrugën “Arshi Pipa”.

Sipas Policisë, në orën 23:00 është pranuar informata se një person ka rënë nga një lartësi. Si pasojë e lëndimeve të marra, viktima nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.

Vdekja e tij është konstatuar në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor.

Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ka nisur hetimet dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për sqarimin e rrethanave të rastit.

Burimi: KOHA.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara