Lajmet

Konjufca: Ndërkombëtarët nuk po japin garanci që Serbia s’do t’na e minojë shtetësinë

Ai kritikoi bashkësinë ndërkombëtare se nuk po jep garanci të fuqishme, por vetëm fjalë goje.

Published

on

Kosova nuk ka asnjë obligim për t’i dhënë një asociacion të komunave me shumicë serbe Serbisë pa marrë garanci se kjo e fundit nuk do ta përdorë këtë mekanizëm për të minuar shtetësinë e Republikës. Kështu deklaroi sot kryeparlamentari Glauk Konjufca, ku kritikoi bashkësinë ndërkombëtare se nuk po jep garanci të fuqishme, por vetëm fjalë goje.

Në një deklaratë për media pas shënimit të Ditës së Demokracisë, Konjufca tha se Asociacioni me kompetenca ekzekutive do të ishte instrument shtesë i Serbisë për goditje të mëtutjeshme të Kosovës.

Sipas tij, është e pakuptimtë të themelohet kjo bashkësi e komunave me shumicë serbe kur Serbia ka ndërtuar pothuajse 50 baza ushtarake përreth kufirit me Kosovën.

“Është pranuar prej qeverive të kaluara, ne nuk mund ta kthejmë ne zero atë proces.  Ne e kuptojmë që Kosova nuk ka kapacitete me kthyer në zero atë proces. Por në mënyrë që ta realizojmë ne obligimin tonë, qa mund të na garantoni që Serbia nuk do ta përdorë këtë mekanizëm për të minuar shtetësinë e Kosovës dhe sovranitetin e Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare nuk po jep garanci, ajo duhet të jep garanci të fuqishme dhe jo vetëm fjalë goje. Se për fjalë goje na thanë serbët do të marrin pjesë në zgjedhjet ne komunat e Veriut dhe nuk morën pjesë në zgjedhje. Një komunitet prej disa mijërash nuk kaq fuqi Bashkësia Ndërkombëtare ta detyrojë të përfshihet në procesin politik. Atëherë çfarë po kërkoni më shumë? Neve na kërkohen garanci të fuqishme. Cila ka qenë garancia? Garancia ka qenë marrëveshja e Ohrit, ‘Serbia iu njeh defacto, e ndryshon sjelljen e vet, ju jeni dy shtete, funksioni si dy shtete, na e njeh flamurin, na i njeh simbolet, na i njeh dokumentet, na i njeh shkëmbimet tregtare, nuk ka pozicionim armiqësor’, pastaj ne është lehtë ta bëjmë obligimin e 2013-ës, shumë lehtë është se ‘Serbia po ndryshon’. Por, nëse e kemi këtë Serbi që të kërcënon me ushtri, ku i ndërton 48 baza ushtarake përreth kufirit me Kosovës, si t’ia japim një asociacion shtesë. Kjo është gabim”, tha Konjufca.

Sipas tij, ndërkombëtarët nuk po i bëjnë presion mjaftueshëm Serbisë, prandaj ajo po ndjehet komode për t’i ruajtur pozicionet e tilla armiqësore ndaj Kosovës.

“Ne e kuptojmë atë pjesën e obligimit që e ka Kosova. Por, të njëjtën kohë ne mendojmë që ky obligim për Kosovën është i pavlefshëm për sa kohë që Serbia është në këtë përcaktim shumë armiqësor ndaj shtetit të Kosovës. Ne kemi arsye të bollshme, të mjaftueshme dhe argumente goxha të qëndrueshme që një asociacion etnik, i cili do të kontrollohej prej Beogradit pa njohjen e Kosovës, do të ishte instrument shtesë i Serbisë për goditje të mëtutjeshme të Kosovës. Veç kaq mendojmë, dhe mendoj që kemi shumë argumente të fuqishme që kjo do të ndodhte po të krijohej asociacioni në këto kushte ku ministri i Mbrojtjes ë kërcënon Kosovën që do t’ia bëjë sikur Ukrainës Rusia, dhe të themelojë asociacionin. Kjo nuk shkon, këtë po e kërkon Evropa… Përndryshe, Kosova nuk ka kurrfarë obligimi që t’ia jep një asociacion Serbisë dhe pastaj ne të mbetemi të panjohur nga ana e Serbisë dhe të luftohemi. Kjo do të ishte katastrofike për Kosovën, kjo do të kishte pasoja të rënda”, vijoi Kunjufca. 

Lajmet

“Shame and Money”, filmi fitues në edicionin e 18-të të PriFest

Published

on

Çmimi për filmin më të mirë, “Vjosa Berisha Award” në edicionin e 18-të të PriFest I është ndarë filmit “Shame and Money” me regji të Visar Morinës.

Filmi, që trajton historinë e një çifti në të 40-at, i cili detyrohet të largohet nga shtëpia dhe ferma e tij në Kosovë pas një konflikti familjar, do të shfaqet më 23 shtator, në orën 18:30, në Kinema Millennium, në kuadër të Tirana Film Festival. “Shame and Money” sjell në qendër përpjekjen e çiftit për të nisur një jetë të re në Prishtinë, duke u përballur me presionin dhe realitetin e një shoqërie gjithnjë e më kapitaliste./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Në përmbyllje të Javës së Gruas, bëhet thirrje për më shumë gra në pozita udhëheqëse

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në përmbylljen e “Javës së Gruas”, një program që përgjatë muajve të fundit bëri bashkë përfaqësues nga institucionet, komunat, partitë politike, shoqëria civile dhe mediat.

Gjatë fjalës së saj Haxhiu,  vlerësoi lart kontributin e grave në të gjitha sferat e jetës, nga biznesi, kultura e sporti, e deri te shkenca dhe politika duke theksuar se puna dhe rezultatet e tyre tashmë flasin vetë.

Megjithatë, ajo ngriti shqetësimin për pabarazinë që ende ekziston në shoqëri, ku shumë grave u duhet të punojnë dyfish për të marrë të njëjtin vlerësim si burrat.

“Këtë pabarazi nuk duhet ta pranojmë si normale. Gratë duhet të vlerësohen për punën dhe aftësinë e tyre dhe të kenë të njëjtat mundësi për të marrë përgjegjësi e për të udhëhequr. Dua të shoh më shumë gra në krye të listave, në udhëheqjen e komunave, institucioneve e kompanive dhe kudo ku merren vendime”, u shpreh ajo.

Në përmbyllje, u përmend se përparimi i grave është drejtpërdrejt i lidhur me përparimin e të gjithë shoqërisë, pasi suksesi i një gruaje hap rrugën për ecjen përpara të të tjerave. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 14 shtator 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

14 shtator 1993

Në tregun e Skenderajt policia serbe plaçkiti mall e deviza

Dje, në Skënderaj, policia serbe ndërmori një aksion me ç’rast bllokoi të gjitha hyrje-daljet e qytetit dhe plaçkiti një sasi të konsiderueshme malli dhe devizash nga tregtarët dhe qytetarët në tregun e këtij qyteti.

Gjatë këtij aksioni policor u arrestuan rreth 50 veta, të cilët u dërguan në stacionin e policisë së këtij qyteti dhe aty u mbajtën rreth katër orë.

 

14 shtator 1994

Ndërhyrje e forcave serbe kundër një manifestimi kulturor në Isniq të Deçanit

Sot në fshatin Isniq të Deçanit në orën 11:30 rreth 30 policë serbë ndërhynë kundër pjesëmarrësve të një manifestimi për katërvjetorin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Manifestimi po mbahej në një shtëpi private. Policia i mbajti pjesëmarrësit një kohë të rrethuar. Më vonë u legjitimuan të gjithë pjesëmarrësit, 35 prej të cilëve iu morën dokumentet personale ndërsa 20 të tjerë u arrestuan dhe po mbahen në stacionin e policisë në Deçan.

Në mesin e të arrestuarve, thuhet në njoftimin e Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Deçan janë edhe gjithë mysafirët nga komunat e Kosovës që merrnin pjesë në manifestim.

Gjatë bastisjes së shtëpisë së Isuf. H. Ahmetajt u mor fotografia e kryetarit të Republikës së Kosovës Ibrahim Rugova dhe një emblemë e 7 Shtatorit, ditës kur u aprovua Kushtetuta e Republikës.

Situata në Isniq dhe Deçan është e rëndë.

Në Isniq është e hapur e pamja për Violeta Kastratin – Dervishajn, e cila u vra në shtëpinë e vet nga policia serbe gjatë një ndërhyrjeje në tregun e Deçanit të enjten e kaluar.

Situata në komunën e Deçanit ka qenë kohëve të fundit shumë e tensionuar.

Incidenti tragjik i javës së kaluar ka pasuar disa konflikte të inskenuara me fajin e refugjatëve serbë në Deçan.

 

14 shtator 1995

U identifikuan tri viktima nga Kosova në barkën e përmbytur me shqiptarë në ujërat e Adriatikut

Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë duke iu referuar Ambasadës së Shqipërisë në Romë, njofton se midis viktimave të barkës së përmbytur më 10 shtator, me të cilën transportoheshin klandestinë nga Vlora për në Itali, që konsiderohen si të humbur deri me tash janë identifikuar edhe tre qytetarë shqiptarë nga Kosova dhe një person nga Mali i Zi.

Si të humbur konsiderohen, Nanije Bujani (38), Bedrije Bujani (32) dhe Naxhivan Bujani (12), të gjitha nga Gjakova dhe një person i panjohur i moshës rreth 34 vjeçare nga Titogradi.

Po ky burim bën të ditur se forcat ushtarake kanë arritur të shpëtojnë Beqir Mujën (53) nga Gjakova i cili gjendet i shtrirë në spitalin e Brindizit në Itali.

 

15 shtator 1997

Fillon gjyqi kundër ushtarit serb që vrau fëmijën Isa Berisha

Prishtinë, 15 shtator (QIK)

Të martën, më 16. 09. 1997, në gjykatën ushtarake të Nishit fillon gjykimi i ushtarit Ivica Zhivanoviq, i cili e pati vrarë fëmiun 10-vjeçar, Isa Berisha nga Hani i Elezit. Në cilësinë e dëshmitarëve janë ftuar: Hajrije Axhami, Ilimi Axhami, Mynir Luri dhe babai i të ndjerit, Muhamet Berisha.

Familjen e fëmijës së vrarë e përfaqëson avokati nga Prishtina, Bajram Kelmendi. Gjykimi fillon në orën 8:00.

 

14 shtator 1998

Plavë: Refugjatët kosovarë u deportuan në Shqipëri

Prishtinë, 14 shtator (QIK)

Disa mijëra refugjatë nga Kosova, të cilët nuk u lejuan të hyjnë në Plavë, u deportuan dje pasdite për në Shqipëri.

Një drejtues i Këshillit të Emergjencës në Plavë i deklaroi QIK-ut se refugjatët, 3-4 mijë e gjysmë, që u ndaluan nga ushtria disa kilometra pa hyrë në Plavë, u ngarkuan në kamionë dhe në mjekte të tjera transporti dhe u dërguan deri në vendkalimin kufitar me Shqipërinë.

Në një kontakt telefonik me Shkodrën, ky Këshill mori vesh se të deportuarit kanë arritur në Vermosh.

Ndërkohë, të bllokuar vazhdojnë të mbahen rreth 250 të ikur, të cilët janë të vendosuir në tëbana jo larg Plavës dhe të cilët nuk janë lejuar të hyjnë në qytet. Organet malazeze kanë lejuar sot që atyre t’u dërgohet ushqim.

Vetëm në Plavë, deri kah fundi i javës së shkuar, janë regjistruar mbi 8500 të ikur nga Kosova, ndërkohë që në Ulqin dhe në qytete të tjera të Malit të Zi janë vendosur mijëra të ikur të tjerë.

Të shtunën qeveria e Malit të Zi ka miratur një vendim për moslejimin e hyrjes në këtë republikë të të ardhurve të rinj nga Kosova.

 

Gjendje e rëndë në komunën e Malishevës

Ndonëse nuk pati luftime, forcat e armikut të koncentruara me dhjetra tankse, ushtarë e policë, në Astrazub, Dragobil, Malishevë, Carralllukë, Banjë të Malishevës, kanë vazhduar edhe dje pasdite me të shtëna nga armë të ndryshme, njofton KI i Degës së LDK-së në Malishevë.

Barbaria serbe njëkohësisht po plaçkit dhe shkatërron çdo shtëpi të këtyre fshatrave dhe si pasojë po pengon çdo tentim të banorëve për t’u kthyer në shtëpi, përkatësisht në fshatrat e veta.

Tortura të ndryshme po përjetojnë edhe ata që në tentim për të kaluar rrugët e asfaltuara prej Dragobil për Gurbardh etj., siç u ndodhi 13 vetave nga Zatriqi i Rahovecit, gra e fëmijë, pastaj Jetullah Metë Paçarezi (62), Bedri Fazli Paçarezit (20) dhe Agron Paçarezi (18) nga Dragobili. Ndaj këtij të fundit madje u shti edhe me armë zjarri.

Megjithë rrezikun dhe pa kurrfarë garancioni, mijëra banorë të fshatrave Dragobil, Marali, Maxharrë, etj., po kthehen në shtëpi të tyre, ndërkohë që mijëra të tjerë shtëpitë e të cilëve tashmë u janë plaçkitur, djegur a shkatërruar nga hordhitë çetnike, edhe më tej po përballen me kushtet tepër dramatike nën qiellin e hapur me shi, pa ushqime, ilaçe e veshmbathje të mjaftueshme.

Rrezik permanent po u kanoset edhe banorëve të Tërpezës, Senikut, Llandroviqit, Ngucatit etj.

Si pasojë e pamundësisë së ndihmës së mjaftueshme të mjekut dhe pa ushqime adekuate, në Lladroc vdiq një foshnje nga Tërpeza e Ulët, në Pagarushë vdiqën dy binjake nga Opterusha e Rahovecit, ndërsa lehonat janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Poashtu ka edhe raste të vdekjes së grave e të personave të moshuar, si në Pagarushë, Guriq etj. Ndërsa, nuk dihet për fatin e Sadik Osman Morinës (60) nga Astrazubi.

Njoftohet se Shyhrete Hulaj – Gashi nga Strellci i Ulët i Deçanit gjendet në fshatin Guriç të Malishevës bashkë me dy fëmijë.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Ambasada e SHBA-së paralajmëron për protesta të mëdha më 16 shtator

Published

on

Ambasada amerikane në Prishtinë ka paralajmëruar stafin që të shmangë lëvizjet në afërsi të vendeve, ku siç thuhet, janë paralajmëruar demonstrata për të mërkurën e 16 shtatorit, ditën kur do të merret vendimi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë.

Në një njoftim të Ambasadës thuhet se disa organizata po planifikojnë demonstrata të mëdha për të mërkurën në qendër të Prishtinës dhe në qytete të tjera kryesore të Kosovës.

Tutje thuhet se këto demonstrata mund të shkaktojnë grumbullime të mëdha njerëzish, mbyllje rrugësh dhe çrregullime të rënda në trafik.

“Këshillohet që të kufizoni lëvizjet në zonën përreth vendbanimit tuaj dhe të shmangni udhëtimet drejt vendit të punës apo shkollave nëse rruga juaj kalon përmes zonave të prekura, pasi mund të mos arrini ta përfundoni udhëtimin në kohë. Personeli i qeverisë së SHBA-së është këshilluar t’i shmangë të gjitha udhëtimet e panevojshme në afërsi të demonstratave dhe të mos i dërgojë fëmijët në shkollë më 16 shtator, për shkak të mundësisë së çrregullimeve në trafik”, thuhet në njoftim.

Ambasada e SHBA-së thuhet se do të jetë e hapur dhe do të ofrohen shërbime të kufizuara konsullore, sipas nevojës.

Gjykata Speciale të mërkurën më 16 shtator do të marrë vendimin ndaj ish krerëve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Vesli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. /A.K/

Continue Reading

Të kërkuara