Lajmet

Konflikti Rusi-Perëndim: Europa Juglindore mes refuzimit e besnikërisë

Perëndimi grindet si të veprojë me Rusinë.

Published

on

Nga njëra anë anëtaret e NATO-s, Bullgaria, Rumania, Turqia apo vende të Ballkanit luajnë rol të rëndësishëm, nga ana tjetër dëgjohen prej andej tone të çuditshme.

Në kulmin e ashpërsimit të konfliktit me Rusinë, NATO shfaq shenjat e mungesës së unitetit si kurrë më parë. “SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar janë për të treguar forcën, Gjermania, Franca e Italia theksojnë dialogun, kurse një grup i tretë rreth Bullgarisë, Hungarisë dhe Sllovakisë kërkon t’i rrijë larg konfliktit për stacionimin e trupave”, thotë Stefan Meister, ekspert në Shoqatën Gjermane për Politikën e Jashtme, DGAP për DW. Normalisht, Gjermania do duhej të ishte një nyjë lidhëse mes këtyre grupeve, por ky mungon për momentin, për shkak të dobësisë së lidershipit edhe në BE. “Kësaj i shtohet dobësimi nga populizmi, Trumpi dhe Brexit. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin përpiqet të përdorë këtë për të negociuar një rend të ri sigurie në Europë, pa SHBA”, analizon eksperti për Europën Lindore. Në këtë situatë vendet në juglindje të Europës, anëtare të NATO-s luajnë një rol të rëndësishëm.

Kroacia: “Në rast shkallëzimi tërheqje?”

E pikërisht nga ky rajon dëgjohen tone të çuditshme. Presidenti kroat, Zoran Milanoviç në fund të janarit shkaktoi reagime me deklaratën e tij, kur bëri të ditur tërheqjen e vendit të tij në rast të një konflikti me Ukrainën. “Në rast se vjen puna tek shkallëzimi, ne do të tërhiqemi deri në ushtarin e fundit kroat”, tha Milanoviç në Zagreb, pa saktësuar, se çfarë nënkupton, se në Ukrainë nuk ka asnjë ushtar kroat të stacionuar. Qeveria kroate u kundërpërgjigj menjëherë. “Presidenti nuk flet për Kroacinë, por për veten. Ne jemi dhe mbetemi një anëtare besnike e NATO-s”, theksoi ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grlic Radman.

Interesantja në këtë kërcënim të presidentit kroat ishte, se as NATO e as SHBA nuk kanë kërkuar ndonjë angazhim ushtarak të Kroacisë, “Deklaratat e Milanoviçit i shërbejnë qëllimeve politike të brendshme, ato duhet të shihen në sfondin e konfliktit të vazhdueshëm me kryeministrin, Andrej Plenkoviç”, shpjegon Filip Milacic nga Fondacioni Friedrich Ebert për DW. “Këtu duket se presidenti po përdor kartën nacionaliste, e quan Milorad Dodikun, presidentin e serbëve boshnjakë, një ‘partner’ dhe u jep ushqim nacionalistëve kroatë për realizimin e ëndrrave të tyre për kufij të rinj një Bosnje me mbështetje ruse.”

Historia si “lobist”në Bullgari

Në një dalje në televizionin bullgar BTV më 1 shkurt, ambasadorja ruse, Elenoroa Mitrofanova bëri tejet të qartë, se çfarë kërkon Rusia nga NATO: tërheqjen pas kufijve në kohën e 1997-s, pra tërheqjen edhe të trupave të NATO-s dhe bazave në vende si Rumania e Bullgaria. Formalisht këto vende mund të mbeten vende anëtare të NATO-s, por vetëm formalisht.

Ministri bullgar i Mbrojtjes, Stefan Janev të paktën mund të mësohet me këtë ide. Që në dhjetor 2021 kryeministri i ri Kiril Petkov duhej ta qortonte publikisht ministrin e tij, kur ai në Facebook u shpreh kundër transferimit të trupave të NATO-s në Bullgari. Në një seancë të parlamentit në janar, Janev kërkoi që “ne të ndalim së lexuari shtypin e huaj e së spekuluari. Duhet të jemi bullgarofil në kuptimin e interesave tona kombëtare bullgare.” Po qe se do duhet të stacionohen trupa të NATO-s në Bullgari duhet të jenë vetëm ato bullgare, sipas Janevit.

Theksimi i interesave kombëtare ka një sfond të brendshëm politik. Që nga hyrja në parlament në dhjetor 2021, nacionalistët e Partisë Rilindja e kanë vënë përpara qeverinë. Edhe ambasadorja Mitrofanova e di pozicionin e nacionalistëve bullgarë pro rusë. “Rusia ka ndikim në Bullgari, historinë tonë të përbashkët. Ajo është lobiistja më e rëndësishme, influencuesja më e rëndësishme e marrëdhënieve tona.”

Ndryshe paraqitet gjendja në Rumani, që krahas Gjermanisë dhe Polonisë, një nga vendet, ku ka trupa amerikane dhe trupa të NATO-s. Sipas një sondazhi të Institutit INSCOP Research, NATO gëzon besimin më të madh tek rumunët krahasuar me vendet (ndër to edhe SHBA, Kina, Gjermania) apo organizata ndërkombëtare (ndër to BE). “Trupa shtesë të NATO-s jo vetëm që janë të mirëpritura, por edhe kapital politik për qeverinë”, thotë Sorin Ionita, politologe e think tank “Expert Group” në Bukuresht. “As edhe nacionalistët nuk guxojnë të flasin kundër.”

Në fokus të zhvendosjes së trupave të NATO-s ndodhet edhe Hungaria që ka një kufi të përbashkët me Ukrainën, si Rumania. Kryeministri, Viktor Orban ka një “marrëdhënie të veçantë” me Rusinë prej vitesh. Admirimi i tij publik për Putinin e refuzimi i sanksioneve kundër Rusisë i kanë dhënë atij nofkën “qeni Pinsher i Putinit”. Në fillim të shkurtit, Orban shkoi në Moskë për një “mision paqeje” si u shpreh ai. Por në fakt në qendër ishin furnizimet me gaz, që Hungaria i merr momentalisht nën vlerën e tregut dhe pjesëmarrja ruse në zgjerimin e centralit atomik, Paks. Budapesti i shmang diskutimet për angazhim më të madh të Hungarisë në NATO.

Akt delikat balancimi në Bosfor

Një marrëdhënie mjaft komplekse me Rusinë ka një vend i rëndësishëm strategjik i NATO-s, Turqia. Në luftën në Siri, Putini dhe presidenti Erdogan bashkëpunuan, në Libi ata mbështesnin grupacione të ndryshme. Në fillim Erdogani e injoroi NATO-n me blerjen e raketave mbrojtëse ruse, S-400, më vonë Ankaraja furnizoi Ukrainën me drone ushtarake. E ashtu si Gjermania, Hungaria apo Bullgaria edhe Turqia është e varur nga gazi rus apo nafta. “Ky është një akt delikat balancimi për Ankaranë. Erdogani ka një lidhje të veçantë me Ukrainën dhe do ta mbështesë atë dhe NATO-n. Nga ana tjetër ai nuk duhet të zemërojë aq Putinin, sa t’i mbyllet rubineti i gazit apo të kërkojë hakmarrje në Siri.”, thotë Asli Aydintasbas në Këshilli Europian për Marrëdhënie të Jashtme për DW.

Oferta e Putinit ndaj elitave të Ballkanit

“Ndryshe nga Perëndimi, Rusia e di, se çfarë do në Europën Lindore. Rivendosjen e pushtetit dhe zonave të inluencës, që i ka humbur në vitin 1991”, komenton eksperti britanik i Europës Lindore, Timothy Garton Ash në Guardian. Për të arritur këtë, Kremlini ka përdorur sidomos si strategji gazin e lirë dhe nacionalizmin në Europën Juglindore. Filip Milacic shton se “elitave nacionaliste në Ballkanin Perëndimor Rusia u ofron atë, që nuk ua ofron perëndimi: premtimin të ndryshojë kufijtë në rajon.”

Por as gazi me çmim të lirë, as nacionalizmi dhe mungesa e unitetit, nuk do të mjaftojnë për të ndarë NATO-n në rast konflikti, bën bilancin Stefan Meister. “SHBA si fuqi drejtuese mund ta arrijnë atë që duan, NATO është relativisht unike në lidhje me kërcënimin, e edhe nëse ndodh që shtete të vogla largohen, ato në rast udhëkryqi nuk do të venë në dyshim besnikërinë ndaj aleancës. Do të ofrohen armë, do të forcohen trupat, dhe do të fitohet kohë kundrejt Rusisë.”DW

Continue Reading

Vendi

UBT organizon Konferencën Ndërkombëtare për Stomatologë dhe Teknikë Dentarë — e akredituar me pikë të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional

Published

on

By

Parku Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik i UBT-së do të jetë nikoqir i Konferencës Ndërkombëtare për Stomatologë dhe Teknikë Dentarë, e cila do të mbahet më 24 dhe 25 tetor 2026. Kjo ngjarje e rëndësishme shkencore e profesionale u ofron stomatologëve, teknikëve dhe asistentëve dentarë mundësinë e avancimit profesional dhe njohjes me trendet më të fundit në fushën e shëndetësisë dentare.

Konferenca është akredituar zyrtarisht nga Oda e Stomatologëve të Kosovës (OSK) dhe Oda e Infermierëve të Kosovës (OIK) si aktivitet i Edukimit të Vazhdueshëm Profesional (EVP). Pjesëmarrësit do të shpërblehen me pikë kredituese si vijon.

Pjesëmarrësit aktivë: 20 pikë EVP (si nga OSK ashtu edhe nga OIK)

Pjesëmarrësit pasivë: 15 pikë EVP (si nga OSK ashtu edhe nga OIK)

Në këtë ngjarje, profesionistët vendorë dhe ndërkombëtarë do të shkëmbejnë përvojat, njohuritë dhe arritjet më të fundit teknologjike në stomatologji.

Procedura e regjistrimit dhe pagesës

Për stomatologët: Regjistrimi bëhet përmes platformës digjitale të Odës së Stomatologëve të Kosovës (OSK). Pas aplikimit, konfirmimi dhe udhëzimet e pagesës dërgohen me e-mail. Pagesa bëhet në xhirollogarinë e UBT-së në TEB Bank (2011000003927958).

Për asistentët dhe teknikët dentarë: Tarifa e pjesëmarrjes është 40 €, ndërsa pagesa realizohet drejtpërdrejt në xhirollogarinë e UBT KNBT SHPK (1300 0015 0000 5275), duke shënuar në përshkrim: “Pjesëmarrje në konferencën e UBT”.

Pas përfundimit të pagesës, dëshmia bankare me të dhënat personale duhet të dërgohet në adresën zyrtare elektronike të konferencës: [email protected].

UBT fton të gjithë profesionistët e fushës që të bëhen pjesë e kësaj ngjarjeje madhore shkencore dhe të sigurojnë vendin e tyre nëpërmjet aplikimit me kohë.

 

Continue Reading

Vendi

UBT rangohet i pari në Kosovë nga GreenMetric 2026

Published

on

By

UBT është ranguar i pari në Kosovë nga UI GreenMetric World University Rankings 2026, duke konfirmuar sërish lidershipin në implementimin e praktikave të qëndrueshme institucionale dhe në zhvillimin e modelit universitar që ndërthur arsimin, inovacionin, teknologjinë dhe përgjegjësinë ndaj mjedisit.

Ky rezultat dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të UBT-së për të shndërruar qëndrueshmërinë nga një objektiv strategjik në praktika konkrete, të cilat reflektohen në infrastrukturën, menaxhimin e resurseve, kërkimin shkencor dhe zhvillimin e zgjidhjeve inovative për të ardhmen.

Në këtë edicion, UBT ka arritur 5,122 pikë nga 10,000 pikë të mundshme, duke u vlerësuar në disa kategori. Ndër rezultatet më të spikatura është kategoria Energjia dhe Ndryshimet Klimatike, ku UBT ka siguruar 80% të pikëve të mundshme, duke dëshmuar rëndësinë që këto fusha kanë në vlerësimin e performancës së tij institucionale. Rangimi vlerëson institucionet e arsimit të lartë përmes kritereve që përfshijnë infrastrukturën dhe hapësirat universitare, energjinë, menaxhimin e mbeturinave, burimet ujore, transportin, si dhe arsimin, kërkimin shkencor, qeverisjen dhe digjitalizimin.

Në përputhje me vizionin dhe misionin e tij për të avancuar arsimin, kërkimin shkencor, inovacionin dhe zhvillimin e qëndrueshëm, UBT ka ndërtuar një model universitar që ndërthur dijen, teknologjinë dhe përgjegjësinë ndaj mjedisit. Në këtë kontekst, UBT Smart City dhe modeli i qytetit 10-minutësh përfaqësojnë një qasje që synon t’i afrojë shërbimet kryesore, hapësirat publike, gjelbërimin dhe nevojat e përditshme të qytetarëve, duke krijuar mjedise më të qasshme, më funksionale dhe më miqësore ndaj mjedisit.

Përmes ndërthurjes së planifikimit hapësinor, arkitekturës, teknologjisë digjitale, inteligjencës artificiale dhe inovacionit, kjo qasje synon të kontribuojë në qytete që shfrytëzojnë më mirë resurset, nxisin mobilitetin e qëndrueshëm dhe përmirësojnë cilësinë e jetës. Kështu, qëndrueshmëria bëhet pjesë e një vizioni më të gjerë për zhvillimin e kampuseve moderne dhe krijimin e zgjidhjeve inovative për sfidat e së ardhmes.

 

Continue Reading

Aktualitet

UBT organizon edicionin e 15-të të Konferencës Ndërkombëtare Shkencore

Published

on

By

UBT do të organizojë edicionin e 15-të të Konferencës Ndërkombëtare Shkencore, një platformë akademike që bashkon studiues, shkencëtarë, profesionistë dhe përfaqësues të institucioneve nga fusha të ndryshme, me qëllim avancimin e kërkimit shkencor, shkëmbimin e njohurive dhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Konferenca do të mbahet në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, duke vazhduar traditën e kësaj platforme ndërdisiplinore, e cila u mundëson studiuesve dhe profesionistëve të prezantojnë punën e tyre shkencore, të diskutojnë zhvillimet e fundit në fushat përkatëse dhe të krijojnë mundësi të reja për bashkëpunim akademik.

Programi përfshin një gamë të gjerë fushash, ndër të cilat mjekësia dhe infermieria, shkencat farmaceutike dhe natyrore, stomatologjia, shkencat kompjuterike, inxhinieria, mekatronika, robotika, siguria e informacionit, arkitektura, planifikimi hapësinor, drejtësia, shkencat politike, gazetaria, media dhe komunikimi, menaxhmenti, ekonomia, psikologjia, arsimi, bujqësia, shkenca dhe teknologjia e ushqimit, arti, dizajni dhe muzika.

Përmes këtij programi të gjerë, konferenca synon të krijojë ura bashkëpunimi ndërmjet disiplinave të ndryshme, duke nxitur dialogun shkencor dhe duke promovuar qasje të reja për adresimin e sfidave bashkëkohore. Një rëndësi e veçantë i kushtohet gjithashtu mbështetjes së studiuesve në fillim të karrierës akademike dhe stafit të ri akademik, duke u ofruar mundësi për prezantimin e hulumtimeve dhe zhvillimin e aftësive për publikim sipas standardeve ndërkombëtare.

Gjatë edicioneve të deritanishme, konferenca ka krijuar një bazë të gjerë ndërkombëtare të pjesëmarrjes dhe prezantimeve shkencore, me pjesëmarrje të mbi 1 mijë folësve dhe prezantuesve, dhe përfaqësim nga mbi 30 shtete të botës.

Përmes edicionit të vitit 2026, UBT synon të vazhdojë forcimin e profilit të tij si institucion i arsimit të lartë me orientim drejt kërkimit shkencor, transferimit të dijes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke krijuar hapësirë për ide të reja, rezultate shkencore dhe partneritete që lidhin universitetet me profesionistët dhe sektorët e ndryshëm të shoqërisë.

Continue Reading

Lajmet

Kosova mirëpret Kongresin Botëror të Cilësisë, ekspertë nga të gjitha vendet e botës vijnë në UBT

Published

on

By

UBT do të jetë nikoqir i Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (European Organization for Quality – EOQ), i cili do të mbahet më 21–23 tetor 2026 në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, duke sjellë në Kosovë profesionistë, akademikë, ekspertë dhe përfaqësues institucionalë nga vende të ndryshme të botës. Kongresi organizohet nga Quality Kosova, organizatë kombëtare dhe anëtare e rregullt e EOQ-së.

Kongresi, me temën “Shaping Quality for a Smart, Sustainable and Resilient Future – Quality, Growth, Human Values and Trust in the Age of AI”, do të shërbejë si platformë ndërkombëtare për diskutimin e së ardhmes së menaxhimit të cilësisë, transformimit digjital, inteligjencës artificiale, qëndrueshmërisë dhe zhvillimit të institucioneve në një botë që po ndryshon me shpejtësi.

Përgjatë punimeve, vëmendje e veçantë do t’u kushtohet ndikimit të inteligjencës artificiale në sistemet e cilësisë, akreditimit, arsimit, shëndetësisë, financave, industrisë dhe zhvillimit të qyteteve të mençura. Diskutimet do të trajtojnë gjithashtu rëndësinë e besimit, vlerave njerëzore dhe reziliencës në ndërtimin e sistemeve dhe institucioneve të qëndrueshme.

Përmes kongresit të saj, EOQ krijon një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave, prezantimin e kërkimeve dhe praktikave të mira, si dhe zhvillimin e bashkëpunimeve ndërmjet komunitetit akademik, sektorit privat dhe institucioneve publike.

E angazhuar në bashkëpunimin me EOQ që nga viti 2008 dhe anëtare e rregullt e saj që nga viti 2013, Quality Kosova ka luajtur rol në promovimin e menaxhimit të cilësisë, certifikimit profesional dhe përafrimit me standardet ndërkombëtare në Kosovë.

Organizimi i këtij kongresi në Kosovë përbën një mundësi të rëndësishme për prezantimin e potencialit akademik, profesional dhe inovativ të vendit, si dhe për zgjerimin e lidhjeve me rrjetet ndërkombëtare të cilësisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Përmes mikpritjes së këtij aktiviteti ndërkombëtar, UBT krijon hapësirë për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave ndërkombëtare, duke kontribuar në lidhjen e ekspertizës akademike me nevojat e institucioneve, industrisë dhe shoqërisë.

 

Continue Reading

Të kërkuara