Lajmet

Konfirmohet fitorja e Bedri Hamzës në Mitrovicë

Zgjedhjet lokale u mbajtën më 17 tetor.

Published

on

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare të raundit të parë të Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të 37 komunave, të cilat u mbajtën më 17 tetor 2021.

Në Mitrovicë u konfirmua fitorja e kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, në raundin e parë të zgjedhjeve. Ai mori 16 566 vota ose përkthyer në përqindje 53,69%.

Kryetari në largim, Agim Bahtiri, që ishte kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje, mori 10 654 vota, ose 34,53%. Ndërsa kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Agolli, mori 3 636 ose 11,78%.

Në Mitrovicë, numri i votuesve të regjistruar ishte 78 546 qytetarë, këtë të drejtë e kanë shfrytëzuar 30 681 qytetarë. Numri i votuesve të cilët kanë votuar jashtë vendvotimit, si me kusht, VPNV dhe me postë është 1 031. Pjesëmarrja në votime në Mitrovicë është 40,37%.

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, në afat brenda 24 orësh, subjektet politike dhe kandidatët mund të paraqesin ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Botë

SHBA nis bllokadë ndaj porteve iraniane, rriten tensionet me Iranin dhe përplasje verbale Trump–Papa Leo XI

Published

on

By

Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka bërë të ditur se duke filluar nga e hëna do të vendosë një bllokadë ndaj të gjitha porteve dhe zonave bregdetare të Iranit. Ky vendim shënon një zbutje të qëndrimit të mëhershëm të presidentit Donald Trump, i cili kishte paralajmëruar bllokim të plotë të Ngushticës së Hormuzit, ndërkohë që raportet fillestare tregonin se anijet kishin ndalur qarkullimin në këtë rrugë të rëndësishme detare.

Ky zhvillim vjen pasi bisedimet e gjata për arritjen e një armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit, të zhvilluara në Pakistan, përfunduan pa ndonjë marrëveshje, duke shtuar rrezikun për përshkallëzim të situatës. Nga ana tjetër, autoritetet iraniane kanë paralajmëruar se do të reagojnë ndaj kësaj mase.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se bllokada do të hyjë në fuqi të hënën në orën 10:00 sipas kohës lindore të SHBA-së, përkatësisht në orën 17:30 në Iran. Sipas njoftimit, masa do të zbatohet ndaj të gjitha anijeve, pavarësisht shtetësisë së tyre, që hyjnë ose dalin nga portet iraniane në Gjirin Arabik dhe Gjirin e Omanit. Megjithatë, anijet që lëvizin mes porteve jo-iraniane do të lejohen të kalojnë përmes ngushticës, çka paraqet një tërheqje nga paralajmërimet e mëparshme për bllokim total.

Vetë Trump e konfirmoi më vonë orarin e nisjes së bllokadës përmes një postimi në rrjetin e tij social Truth Social.

Sipas një raporti të hershëm nga Lloyd’s List Intelligence, njoftimi për bllokadën ndikoi menjëherë në ndalimin e trafikut të kufizuar detar që ishte rikthyer pas armëpushimit. Të dhënat nga gjurmuesit detarë tregojnë se më shumë se 40 anije tregtare kishin kaluar që nga fillimi i armëpushimit, krahasuar me rreth 100 deri në 135 kalime në ditë para shpërthimit të konfliktit.

Ndërkohë, gjatë së dielës, Trump ashpërsoi retorikën edhe ndaj Papa Leo XIV, duke e kritikuar publikisht në Truth Social dhe duke e cilësuar atë si “të dobët në politikën e jashtme”. Ky reagim erdhi pasi Papa kishte dënuar luftën dhe kishte bërë thirrje për ndërprerje të saj dhe nisje të negociatave për paqe.

Në një tjetër deklaratë, presidenti amerikan e përshkroi Papën si “të tmerrshëm” dhe “të dobët ndaj krimit”, në një sulm të pazakontë ndaj liderit të Kishës Katolike, i cili përfaqëson rreth 1.4 miliardë besimtarë në mbarë botën.

Papa Leo XIV, me origjinë nga Çikago dhe Papa i parë amerikan, njihet për një qasje të kujdesshme në deklarata, por së fundmi ka qenë kritik i hapur i luftës në Iran. Ai e ka dënuar ashpër konfliktin, duke e cilësuar si “çmenduri lufte” dhe ka bërë apel për paqe. Gjithashtu, vitin e kaluar ai kishte vënë në pikëpyetje nëse politikat e ashpra të administratës Trump për imigracionin përputhen me mësimet pro-jetë të Kishës Katolike.

Continue Reading

Lajmet

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 13 prill, në vitet nëntëdhjetë

Published

on

By

13 prill 1993

Lajm i plotë:

Qëndrimi i delegacionit kongresist amerikan në Kosovë

Ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë, delegacioni kongresist amerikan i përbërë nga katër kongresistë republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve, Suzan Molinari, Eliot Ingëll, Pitër King dhe Bill Pakson me bashkëpunëtorë, pati shumë takime dhe biseda me përfaqësues të partive politike dhe asoaciacioneve humanitare të Kosovës. Delegacioni vizitoi edhe Mitrovicën.

Përfaqësuesit e Kongresit amerikan në Prishtinë u takuan dje me Lazër Krasniqin, kryetar i Partisë Demokristiane të Kosovës, me ç’rast mysafirët u njoftuan me pikëpamjet e kësaj partie për gjendjen dhe zgjidhjen e problemit të Kosovës. Përfaqësuesit e kësaj partie, e cila është e përfaqësuar në legjislacionin e ri të Parlamentit të Kosovës, u falënderua për angazhimin e Kongresit, të qeverisë dhe të institucioneve amerikane rreth zgjidhjes së problemit të Kosovës. Lazër Krasniqi, posaçërisht falënderoi kongresistët amerikanë për projekt-rezolutën e paraqitur për miratim në Kongresin amerikan që ka të bëjë me Kosovën.

Më pastaj, delegacioni amerikan u takua me përfaqësuesit e shoqatës humanitare “Nëna Terezë”. Jak Mita, kryetar i kësaj shoqate bëmirëse i njoftoi mysafirët me gjendjen e rëndë sociale-ekonomike në Kosovë dhe me punën që po bën kjo shoqatë për të zbutur pasojat e kësaj gjendje të shkaktuar nga veprimet e institucionalizuara nga autoritetet serbe në Kosovë për varfërimin e plotë të shqiptarëve dhe detyrimin e tyre për t’u larguar nga Kosova. Me këtë rast, u bisedua për mundësitë e shoqatat dhe institucionet bëmirëse dhe humanitare amerikane të dërgojnë ndihma për popullsinë e varfëruar të Kosovës. U tha gjithashtu se ndihma e lejuar nga Kongresi amerikan prej 6.5 milionë dollarësh, do të arrijë sa më parë në Kosovë përmes lidhjes së shoqatave humanitare amerikane me ato në Kosovë.

Delegacioni i Kongresit amerikan dje në Prishtinë vizitoi edhe objektin privat të shkollës së mesme ekonomike. Pasi sot ishte ditë pushimi për shkollat me rastin e kremtes së Pashkëve, objekti ishte i zbrazët, por kongresistët amerikanë panë me sy të vet kushtet në të cilat mësojnë nxënësit shqiptarë nëpër punkte private. Ata theksuan admirimin e tyre për vullnetin e madh të nxënësve, arsimtarëve dhe të gjithë shqiptarëve për të pasur shkollën e tyre dhe njëkohësisht theksuan se do të vazhdojnë angazhimin e tyre, duke alarmuar administratën e vet për të ushtruar presion për kthimin e nxënësve, studentëve dhe mësimdhënësve në objektet e institucioneve të tyre shkollore dhe universitare.

Delegacioni i kongresistëve amerikanë, shtroi një drekë zyrtare për përfaqësuesit e misionit të KSBE-së në Prishtinë, të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe të Komesiariatit të Lartë për Refugjatë. Përfaqësuesit e këtyre institucioneve ndërkombëtare njoftuan delegacionin amerikan me gjendjen në Kosovë. Derisa ndodheshin në drekë, arritën dy francezët e burgosur të shoqatës humanitare frënge “Ekuilibre”, të cilët u liruan në saje të presionit të institucioneve ndërkombëtare, të Ambasadës frënge në Beograd, por edhe në saje të angazhimit të drejtpërdrejtë dje dhe sot të kongresistëve amerikanë. Në të vërtetë, delegacioni amerikan me insistimin e vet vizitoi edhe burgun në Prishtinë, me ç’rast bisedoi me njërin nga të burgosurit francez.

Pas dite, delegacioni i kongresistëve të SHBA-ve, bëri një vizitë pune në Mitrovicë. Delegacioni vizitoi një klinikë private në Tavnik, ku mjekët dhe inferemierët shqiptarë punojnë vullnetarisht dhe në kushte të vështira për t’u kujdesur për shëndetin e popullit. Me këtë rast, kongresistët biseduan edhe me pacientë. Ishte prekës një moment kur kongresisten Suzan Molinari e përqafoi një plakë shqiptare, e cila po priste për mjekim dhe e cila mësoi se kishte të bënte me delegacionin amerikan. Pas përshëndetjes me te, dhe e emocionuar me të gjitha ato që shihte në këtë klinikë private, kongresistes Molinari i rrëshqitën lotët.

Kongresistët pasi biseduan me mjekët e kësaj klinike u takuan me udhëheqësit e partive dhe të shoqatave humanitare të Mitrovicës. Dr. Latif Berisha, kryetar i degës së LDK-së në Mitrovicë, njoftoi mysafirët me gjendjen në këtë komunë minatorësh, e cila për shkak të përjashtimeve masive nga puna të shqiptarëve, është një nga zonat më të rrezikuara social-ekonomike të Kosovës. Ai e njoftoi delegacionin edhe me format e ndryshme të presionit të policisë serbe kundër popullsisë së këtushme, e cila po përpiqet me durim dhe sakrifica mbinjerëzore dhe me metoda paqësore të punojë në zgjidhjen e problemit të Kosovës, sipas opsionit politik të kryetarit të Republikës së Kosovës, dr.Ibrahim Rugova, i cili siç tha ai, gëzon një autoritet të madh në Kosovë.

Delegacionit për punën e qeverisë pluraliste të përkohshme të Mitrovicës i foli Agim Hajrizi, kryetar i qeverisë së Mitrovicës. Në bisedë morën pjesë edhe Mustafë Pllana, kryetar i Këshillit Qendror për Financim në Mitrovicë, Ismail Smakiqi, anëtar i KMDLNJ në Mitrovicë, dhe Xhafer Nuli, përfaqësues i Sindikatave të pavarura të Minatorëve të “Trepçës”.

Pas bisedës që u zhvillua, për mysafirët amerikanë u shfaqën disa sekuenca të filmit dokumentar për raste të shkeljeve më drastike të të drejtave të njeriut në këtë komunë. Delegacioni vizitoi edhe një familje minatori në lagjen “Tavnik” të Mitrovicës.

Në fund të vizitës në Mitrovicë, kongresisti Eliot Ingël, tha se është tepër i shqetësuar me të gjitha ato që ka parë për dy ditë në Kosovë dhe se ai këtë do t’ia paraqesë Kongresit amerikan, si dhe do t’i referojë edhe vetë presidentit Klinton për të ndërmarrë masa të tjera ndaj gjendjes në Kosovë. Duke iu drejtuar të pranishmëve ai tha: “Jam i mahnitur me unitetin dhe afërsinë e solidaritetin tuaj dhe jam i bindur se në saje të kësaj ju do të fitoni. Natyrisht, ne do t’u ndihmojmë pa kursim”.

Delegacioni amerikan pasi u kthye në Prishtinë, pati një takim të shkurtër në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës dhe vizituan Qendrën për Informim të Kosovës, duke u njoftuar me kushtet në të cilat punon kjo Qendër. Në ndarje, për vizitën i falënderoi Dr.Shaqir Shaqiri, sekretar për Marrëdhënie me Jashtë i LDK-së. Delegacioni mbrëmë udhëtoi për në Shkup.

 

Lajme të tjera:

Serbët e vlerësojnë negativisht vizitën e delegacionit të Kongresit Amerikan në Kosovë

Burgosjet e personaliteteve të njohura si shtytje për spastrim etnik të Kosovës

U arrestua deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Hani i Elezit

Policët serbë kërkuan Ramë Bujën deputet i Kuvendit të Kosovës

Bastisje të reja në Junik

Vajzat e Tahir Mehës më nuk kanë nevojë për ndihma

U liruan përfaqësuesit e organizatës “Equilibre”

 

13 prill 1994

Lajmet kryesore:

U mbajt mbledhja e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare të Kosovës

Presidenti Berisha kërkoi kundërvënie terrorit

Ministri Serreqi njoftoi për masakrën KS të OKB-së

Për masakrën u njoftua dje edhe kryetari i Këshillit Evropian

Konsulli grek në Gjirokastër u shpall person i padëshiruar

Greqia dëboi sekretarin e parë të Ambasadës së Shqipërisë në Athinë

Qeveria e Kosovës aktin terrorist grek e vlerëson shkelje flagrante të integritetit territorial

Represioni në Kosovë

Me rastin e 30-vjetorit të vënies së flamurit kombëtar në Kosovë

Në Prizren katër veta u dënuan për drogë

Në fillim të majit mbahet “Pranvera poetike studentore ’94”

 

 

13 prill 1995

Lajmet kryesore:

Udhëheqësit e LDK-së priten përfaqësuesit e Ambasadës Ruse në Beograd

Në Kongresin e Partisë Radikale Transnacionale mori pjesë një delegacion nga Kosova

Vazhdon vala e arrestimeve në Kaçanik

Lajm i plotë:

 

Në procesin e Pejës informatat për dhunën merren si “prova”

Gjatë seancës së djeshme kundër nëntë të pandehurve që akuzohen për “veprimtari armiqësore” në Pejë, përfundoi e ashtuquajtura procedurë e provave.

Kryetari i trupit gjykues Dragolub Zdravkoviqi, kumtoi se nesër pritet që të paraqitet fjala përfundimtare e prokurorit publik Miladin Popoviq e shtatë mbrojtësve dhe e të akuzuarve Vllaznim Shehu, Gani Hajdaraj, Sherif Shala, Shaban Shala, Sefer Hasanaj, Xhevat Ibraj, Idriz Elezaj, Skënder Krasniqi dhe Dërgut Bibaj, njofton “Bujku”.

Njëra ndër “provat vendimtare” që prokurori propozoi të shqyrtohet ishin edhe informatat e SP të SPB të Kosovës që kishin të bënin për dhunën mbi popullin shqiptar, pra edhe kundër ish-policëve, maltretimet, marrjet në pyetje, burgosjet, e të tjera, të cilat iu dërguan asociacioneve përkatëse për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Më pastaj, shumë fjalë u bë edhe për marrjen e “letrave”, materialeve të sindikatës, për shënimet personale, pasaportat, etj, që u morën me rastin e bastisjeve të të akuzuarve. Në informatat e përmendura bëhej fjalë për keqpërdorimin e detyrës nga përfaqësuesit e “MUP-it” të Serbisë. Ndërkaq, disa informata të tjera kishin të bënin me aktivitetin konkret të anëtarëve të Sindikatës së Pavarur, si bie fjala, listat e emrave të anëtarëve të SP, procesverbalet e mbledhjeve e të tjera.

Së këtejmi nuk doli në pah ndonjë shkresë a dokument ku do të parashihej “përdorimi i forcës”, veprimet inkriminuese sipas nenit 116 të Ligjit penal, sikundër ngarkohen të akuzuarit.

Prokurori Miladin Popoviq, propozoi që të aprovohen shkresat e reja: akti normativ, Statuti i Sindikatës së Pavarur të SPB të Kosovës, si dhe një listë, siç tha ai, për likudimin e serbëve e malazezve nga komuna e Rahovecit. Këtë propozim e kundërshtuan mbrojtësit, të cilët shtuan se fjala është për dokumentet e pavlera, meqë janë të fotokopjuara, të paevidencuara, të pavulosura dhe që nuk kanë të bëjnë me aktakuzën. Se këto nuk kanë kurrfarë baze e vërtetoi edhe prokurori. Trupi gjykues aprovoi propozimet e mbrojtësve që si prova të merren parasysh certifikatat mjekësore, përkitazi me torturat më të egra që u përdorën kundër të akuzuarve nga inspektorët e sigurimit publik, kur këta i morën në pyetje, në fazën e hetuesisë, “pacientët” e tyre. Fjala është për përdorimin e torturës ndaj Dërgut Bibajt, Sherif Shalës dhe Gani Hajdarajt, si dhe u fol për një sëmundje të Skënder Krasniqit.

Pasi në këtë proces u bë shumë fjalë edhe për një aparat të radio-lidhjeve me valë të shkurtëra, që u gjet në shtëpinë e njërit nga të akuzuarit, mbrojtësi Enver Nimani reagoi: Të lexohet një reklamë e botuar në revistën beogradase “Telegraf” që flet mu për këto aparate. Pra, shtoi ky avokat, i njëjti aparat është reklamuar për t’u shitur, duke shprehur habinë se të akuzuarit ngarkohen edhe për gjëra të tilla. Mbrojtësi tjetër, Mustafë Radoniqi propozoi që të merren si provë raportet e Komitetit (serb) të Helsinkit, përkitazi me shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut, torturave, procesve të montuara politike etj; raportin për vitin 1994 të KMDLNJ në Prishtinë, i cili flet po ashtu për shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë, pastaj raportin e Fondit për të Drejtat Humanitare në Beograd me titull “Albanci II” (“Shqiptarët II”) të cilin, në disa vazhdime e botoi gazeta, po ashtu e Beogradit, “Nasha Borba”.

Së këtejmi, trupi gjykues refuzoi kërkesën që në gjykatore të ftohet eksperti i mjekësisë ligjore për të konstatuar histologjinë e lëndimeve trupore të të akuzuarve që ua shkaktun gjatë hetuesisë.

Mbrojtësit njoftuan edhe për atë se disa nga klientët e tyre, me rastin e arrestimeve, në lokalet e “MUP-it” të Serbisë janë mbajtur edhe deri në 7-8 ditë. Ndërkaq përkujtuan ata: dihet se “organi i punëve të brendshme” mund ta arrestojë dikë më së shumti tri ditë. Pra, ata kërkuan që të shqyrtohen edhe vendimet përkatëse për caktimin e paraburgimeve. Avokatët theksuan edhe një sërë shkeljesh të procedurës penale që nga çasti kur janë paraburgosur klientët e tyre e deri më rastin e ngritjes së aktakuzës. Dhe, siç rrodhi nga ky proces, jo vetëm hetuesit e inspektorët, por edhe gjykatësi hetues Veselin Çagjenoviq me të “dy këmbët” e shkelën ligjin (serb) të procedurës penale.

Sipas dinamikës së këti procesi, aktgjykimi “në emër të popullit” pritet të shpallet të hënën, eventualisht të martën.

Në procesin kundër nëntë të akuzuarve në Pejë tërhoqi vëmendjen deklarata e ish-milicit Ramë Shabanhaxhaj, të cilin regjimi serb e caktoi të kryejë detyrën e dëshmitarit.

Para gjyqit serb ai tregoi se dy ditë rresht e kanë arrestuar duke e mbajtur në lokalet e policisë në Deçan. Inspektorët, shtoi ai, më detyruan të nënshkruaj deklaratën, të cilën e përpiluan sipas qejfit të tyre, pra për tërë atë që shkruan në aktakuzë. Gjykatësi hetues (Veselin Çagjenoviç), vazhdoi ai, pasi u fik drita elektrike, më mori në pyetje nën dritën e qiriut. U detyrova (pasi kështu më kishin porositur inspektorët) që ta nënshkruaj edhe deklaratën para këtij gjykatësi. Por, e vërteta është tjetër, këta të akuzuar vepruan në Sindikatën e Pavarur të SPB të Kosovës u morën me probleme sindikale e jo me ato siç i ngarkon aktakuza, njofton gazeta e sotme “Bujku”.

 

Lajme të tjera:

Sekretari i Kuvendit Komunal të Kamenicës u lirua nga burgu

U liruan tre veprimtarë politikë nga Dragashi

Gratë protestuan kundër keqtrajtimit të grave në Grejkovc të Suharekës

Rexhep Hamiti i arrestuar në gjendje të rëndë shëndetësore

Policia serbe në 14 shkolla fillore të komunës së Gjakovës plaçkiti kabinetet e lëndës së MPP-së

Dhuna e përditshme në Kosovë

Në Prishtinë policia serbe rrahu rëndë një qytetar

Në disa fshatra të Klinës janë stacionuar forca të mëdha të ushtrisë serbe

Dhuna ndaj arsimit në Mitrovicë gjatë periudhës shtator-mars

Dr. Fehmi Rexhepi u zgjodh drejtor i Institutit të Historisë

U promovua libri “Trashëgimia Etnokulturore dhe historike e Llapit”

Komuniteti shqiptar përkrah kandidaturën e Dolit për president të SHBA-ve

 

 

13 prill 1998

 Edicioni i parë (15:30)

Lajmet kryesore:

Në Namibi u miratua një rezolutë për Kosovën

Shetitje protestuese në qytetet e Kosovës

BSPK mbështet shetitjet protestuese

Talbot vjen në Evropë për të biseduar rreth çështjes së Kosovës

Prizren: Lëvizje të shtuara të ushtrisë serbe

Forca ushtarake u stacionuan në Luzhnicë të Suharekës

Një i ri u keqtrajtua në postbllokun e Nadakocit

Dy vëllezër nga Hertica e Podujevës u arrestuan nga policia

Pejë: Keqtrajtime të shqiptarëve me pretekste të ndryshme

Mitrovicë: Civilë serbë rrahën një të ri shqiptar

Lëvizje ushtarake në Mitrovicë

Gjurma enigmatike gjaku në një banesë në Breg të Diellit!

Lëvizje të forcave ushtarake serbe në drejtim të Klinës

Policia serbe kërcënoi don Mikel Sopin

Në postbllokun e Klinës së Ëperme është vendosur flamuri serb

Dr. Hafir Shala ende në arrest

Për shkak të të shtënave banorët e Baballoçit e braktisën fshatin

Arben Xhaferi: “Fundi i një procesi të kooperimit të pakusht të shqiptarëve”

Një polic keqtrajtoi rëndë disa të rinj shqiptarë në Kaçanik

 

 

Edicioni i dytë (16:00)

Lajmet kryesore:

Nuk bën të ndërpritet mësimi për shkak të manifestimeve të qytetarëve

Organet serbe nuk japin të dhëna për dr. Hafir Shalën

 

Edicioni i tretë (19:00)

Lajmet kryesore:

Një delegacion i LDK-së vizitoi disa familje të viktimave të terrorit serb

Forca serbe janë stacionuar në afërsi të Llabjanit të Pejës

Mbi shtatë mijë qytetarë morën pjesë në shetitjen protestuse në Malishevë

Foto: Mjeku i zhdukur Hafir Shala

 

 

Continue Reading

Kujtesë

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 12 prill, në vitet nëntëdhjetë

Published

on

By

12 prill 1993

Lajm i plotë:

Një delegacion i Kongresit Amerikan në Kosovë

Një delegacion i Kongresit Amerikan, në përbërje Eliot Engëll, Sjuzan Molinari, Bill Pakson dhe Pitër King, arriti dje në Kosovë. Delegacioni i Kongresit Amerikan u takua dje pasdite me Kryetarin e Republikës së Kosovës, dr.Ibrahim Rugovën.

Në fillim të bisedimeve, dr.Rugova njoftoi kongresistët amerikanë me gjendjen aktuale në Kosovë, të cilën e përshkroi si shumë të rëndë dhe të rrezikshme. Ai theksoi se po vazhdon represioni i ashpër policor i Serbisë, që ka për qëllim provokimin e mëtejm të gjendjes edhe ashtu eksplozive. Kryetari Rugova, falënderoi kongresistët amerikanë dhe administratën amerikane për përkrahjen që i ka dhënë deri tani çështjes së Kosovës. Kjo vizitë, tha kryetari Rugova, është në vazhdën e këtij qëndrimi parimor amerikan, të cilës ne i japim rëndësi të madhe.

Kongresisti Eliot Engëll, pasi falënderoi kryetarin Rugova për pritjen, theksoi se ky ishte takimi i tij i tretë me të, pasi më parë ishin takuar në Nju-Jork dhe Uashington. Tani, tha ai, takohemi në Prishtinë dhe kjo ka domethënien e vet. Eliot Engëll theksoi se në Amerikë po kuptohet mirë çështja shqiptare dhe e Kosovës dhe lufta e tyre paqësore për liri dhe demokraci. Ai shtoi se do të vazhdojë ta përkrahë fuqishëm kauzën shqiptare në Kongresin dhe në qarqet amerikane. Me këtë rast, kongresisti Engëll ia dorëzoi kryetarit Rugova tekstin e rezolutës, të cilën ai dhe kongresisti Bonior e kongresistja Molinari e kanë paraqitur në Kogresin Amerikan për miratim. Në tekstin e rezolutës kërkohet ndërprerja e dhunës së Serbisë në Kosovë dhe miratimi i Planit Paqësor prej 10 pikash të kryetarit Rugova, që ua paraqiti OKB, organizmave ndërkombëtare dhe qeverive të shteteve perëndimore.

Në fjalën e saj, kongresistja Molinari theksoi me zë të lartë, siç tha ajo, që të dëgjohet mirë, se duam t’ua bëjmë me dije të gjithëve se shqiptarët janë të okupuar dhe se jemi të vendosur që këtë ta themi edhe në Kongresin tonë dhe se do të vazhdojmë të përkrahim luftën e drejtë të popullit të Kosvoës. Ajo falënderoi dr. Rugovën për, siç tha ajo, “që na keni lejuar të kemi nderin ta mbrojmë kauzën tuaj në Amerikë”

Edhe kongresistët Pakson dhe King ritheksuan vendosmërinë e tyre për të mbrojtur aspiratat e shqiptarëve dhe për të vazhduar angazhimin e tyre në Amerikë për realizimin e të drejtave të tyre legjitime.

Delegacioni i kongresistëve amerikanë theksoi se pozicionin e tyre për zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës ua bënë me dije edhe palës serbe në takimin djeshëm, të cilin ata e cilësuan si “takim frustues”.

Delegacionin amerikan me gjendjen në Kosovë dhe me përcaktimin politik, e njoftuan edhe përfaqësues të partive politike shqiptare, që përfaqësohen në Kuvendin shumëpartiak të Kosovës: dr.Fehmi Agani, nënkryetar i LDK-së, dr.Hivzi Islami, kryetar i Partisë Fshatare të Kosovës, dr.Abdullah Karjagdiu, nënkryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës, Rifat Blaku, nënkryetar i Partisë Parlamentare të Kosovës, Shkëlzen Maliqi, nënkryetar i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Hydajet Hyseni, nënkryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, etj.

Kryetari i Republikës së Kosovës, dr.Ibrahim Rugova, shtroi mbrëmë darkë për nder të delegacionit amerikan. Në darkë merrnin pjesë edhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Sot kongremenët amerikanë do të vizitojnë disa qendra të Kosovës.

Gjatë ditës së djeshme delegacioni i kongresmenëve amerikanë u takua edhe me përfaqësuesit e serbëve në Kosovë. Në bazë të një raporti të emetuar mbrëmë në Televizionin e Serbisë, pala serbe doli shumë e pakënaqur nga ky takim.

 

Lajme të tjera:

Dr.Ibrahim Rugova: Kosova i ngjanë një bombe të kurdisur

Kumtesë e Partisë Parlamentare të Kosovës

Aeroplanët e NATO-s sot mbi Bosnjë

Këshilli i Sigurimit shqyrton rezolutën për sanksione të reja kundër Serbisë dhe Malit të Zi

Të rinjtë shqiptarë dërgohen me dhunë në ushtrisë serbe

U dërgua në burg gazetari Blerim Shala

Policia serbe shtiu me armë në familjen e Ali Hysenit në Batllavë të Podujevës

Shqipëria pranon 10.000 refugjatë nga Bosnja

Në Prishtinë u rrah rëndë Adem Borovci

Kosova në shtypin gjerman

 

 

 

12 prill 1994

Lajm i plotë:

Dr.Sali Berisha: Masakri në Peshkopi – akt armiqësor

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, dr.Sali Berisha, dënoi dje në mënyrën më të ashpër masakrin në kazermën e rekrutëve në Peshkopinë e Epërme, e cila synon një akt armiqësor të shëmtuar dhe jashtëzakonisht të Greqisë ndaj Shqipërisë, sovranitetit dhe integritetit të saj, për pasojat e të cilit Qeveria greke mbanë përgjegjësi të plotë.

Kam kërkuar nga Qeveria, tha presidenti Berisha, që të marrë të gjitha masat e duhura për të parandaluar aktet e tilla dhe për t’iu përgjigjur në mënyrë adekuate këtij akti dhe kësaj politike. Presidenti Berisha i bëri thirrje mbarë opinionit shqiptar, qeverive të botës, institucioneve dhe opinionit publik ndërkombëtar që të dënojnë këtë akt kriminal dhe që ta dënojnë politikën e Greqisë.

Dr.Berisha vuri në dukje se Greqia me politikën e saj synon lehtësimin dhe inkurajimin e agresorëve serbë në Veri të Ballkanit dhe destabilizimin e rajonit për qëllime ekspansioniste greke në Jug të tij.

Thirrjeve të Shqipërisë për marrëdhënie të mira të miqësisë, Greqia iu është përgjigjur me seri aktesh armiqësore që kanë synuar destabilizimin e vendit.

Presidenti Berisha shprehu vendosmërinë për të insistuar me kënbëmgulje, sikundër deri tash, që politika shqiptare t’i shërbejë ruajtjes së paqes dhe stabilitetit.

Presidenti Berisha u shprehu ngushëllime familjeve të ushtarakëve të vrarë.

 

Lajme të tjera:

Qeveria greke mohon përgjegjësinë për masakrin

Përgjegjësinë e mori “Fronti për çlirimin e Epirit Verior”

Kombet e Bashkuara suspenduan urën ajrore humanitare

Admirali Leighton Smith komandant i ri i NATO-s për Evropën e Jugut

Qeveria e Kosovës përkrah me sulmet e NATO-s mbi pozicionet serbe

Në tubimin për Bosnjën në Bon u kërkua protektorat ndërkombëtar për Kosovën

Represioni në Kosovë

Policia serbe arrestoi një ish-ushtar shqiptar nga Ceroviku i Klinës

Gjatë tre muajve në Skënderaj u bastisën 107 familje

Përfunduan takimet sportive të shkollave të mesme “Prishtina ’94”

Kërkohet Mëhill Z.Gashi

 

 12 prill 1995

Lajm i plotë:

Dje e sot pati arrestime masive të udhëheqësve lokalë në Kaçanik

Gjatë ditës së djeshme, rreth 150 policë serbë nga Kaçaniku dhe Ferizaji, pasi bllokuan dje qytezën e Kaçanikut, ua bastisën shtëpitë dhe i arrestuan së paku 14 udhëheqës lokalë të LDK-së e partive të tjera dhe funksionarë të pushtetit lokal.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Kaçanik njoftoi mbrëmë se gjatë ditës ishin arrestuar këta veprimtarë:

Habib Menduh Shehu (1938), kryetar i Degës së LDK-së në Kaçanik, Maksut Kemajl Hoxha (1950), kryetar i Qeverisë komunale, Luan Ramadan Matluma (1956), aktivist i SP në kombinatin “Sharri” në Kaçanik, Mentalip Abdullah Jezerci (1957), ish-punëtor i Mbrojtjes Popullore në Kuvendin komunal të Kaçanikut, Ekrem Demir Kyçyku (1958), sekretar i Degës së LDK-së në Kaçanik dhe ish i burgosur i ndërgjegjës, Mejdi Hajrush Dalloshi (1944), sekretar komunal i arsimit, Ismet Ejup Bela (1949), punëtor në Drejtoratin e Gjeodezisë në Kaçanik, Esat Selim Muhaxheri (1950), punëtor në NT “Sharri” Kaçanik, Xhevat Misim Bela (1950), nga fshati Bob, komuna e Kaçanikut, punëtor i Mbrojtjes Popullore në Kaçanik, Rafi Veli Dema (1952) nga fshati Bob, komuna e Kaçanikut anëtar i Kryesisë së Degës së PFK-së, Baki Dullovi, nga f. Biçac, komuna e Kaçanikut, kryetar i Nëndegës së LDK-së në këtë fshat, Berat Selman Luzha (1953) nga f. Begracë, komuna e Kaçanikut, deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës, anëtar i Këshillit të Pëgjithshëm të LDK-së si dhe ish i burgosur politik, Ibush Isman Vishi (1959), nga fshati Dubravë, komuna e Kaçanikut, nëkryetar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Kaçanik dhe ish i burgosur politik dhe Qerim Rexhep Guri, nga f. Nikaj, komuna e Kaçanikut, aktivist sindikal i SP të Zejtarëve dhe ekonomisë së vogël.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Kaçanik nuk përjashton mundësinë që numri i të arrestuarëve të jetë edhe më i madh se 14 persona.

Preteksti i arrestimit tash për tash nuk dihet, ndërsa ka njoftime se gjatë bastisjes dhe arrestimeve policët kanë përmendur në ndonjë rast si pretekst kërkimin e armëve.

Anëtarët e familjes së të arrestuarit Ibush Vishi, u interesuan dje dhe sot për të në Kaçanik, në Ferizaj, në Gjilan dhe në Prishtinë, por nuk mundën të marrin asnjë njoftim as për vendin se ku mbahet i arrestuar. Në Kaçanik atyre iu tha se të arrestuarit janë dërguar në Ferizaj, por në sigurimin serb në Ferizaj e mohuan këtë, duke thënë se të arrestuarit gjenden në Gjilan.

Mirëpo, edhe në Gjilan sigurimi serb mohoi se të arrestuarit gjendeshin aty. Familja kërkoi njoftime edhe në Prishtinë, por as këtu nuk mundi të mirrte asnjë informacion se ku gjendet i arrestuari.

Arrestimi masiv i veprimtarëve politikë e funksionarëve lokalë në Kaçanik, pason arrestimin e funksionarëve të pushtetit lokal në Gjilan që u bë para dy javësh.

Më parë regjimi serb ka urdhëruar arrestime të ngjashme edhe në Pejë e Prizren, ku, në mes tjerësh, janë arrestuar edhe kryetarët e kuvendeve komunale.

Gjatë vitit të kaluar ultranacionalistët dhe ekstremistët serbë në Fushë-Kosovë kanë kërkuar shpartallimin e pushtetit legal në Kosovë, të cilin ata e cilësojnë si pushtet paralel.

Në një njoftim tjetër të Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Kaçanik, thuhet se policia serbe me pretekst të kërkimit të armëve, dje dhe sot, bastisi edhe disa familje të tjera shqiptare në Kaçanik e rrethinë dhe arrestoi edhe disa persona të tjerë.

Dje rreth orës 5:00 të mëngjesit policia bastisi shtëpinë e Islam Q. Spahiut. Bastisja zgjati rreth gjysmë ore, ndërsa policia mori me vete Islam Spahiun, si dhe plaçkiti disa videokaseta.

Dje, në orët e hershme të mëngjesit, policia bastisi shtëpinë e Xhemajl D. Metallarit në Kaçanik. Bastisja zgjati rreth gjysmë ore, në të cilën morën pjesë 8 punëtorë të sigurimit serb. Pas bastisjes, policia arrestoi Xhemajl Metallarin, i cili është aktivist i dalluar i Aktivit të LDK-së në lagjen “Ramadan Agushi” në Kaçanik.

Pas arrestimit të Xhemajl Metallarit, dy policë serbë sot, rreth orës 9:00 të mëngjesit, bastisën shtëpinë e vëllait të Xhemajlit, Sylejman Metallarit, me pretekst se Xhemajli paskësh pranuar se tek vëllai i tij Sylejmani gjenden dy revole dhe disa fishekë. Bastisja zgjati rreth një orë.

Njoftohet se policia bastisi edhe shtëpinë e vëllait tjetër të tyre, Jonuz Metallari.

Sot rreth orës 9:00 të mëngjesit, u bastis edhe shtëpia e Ramadan Spahiut, me pretekst të kërkimit të armëve. Bastisja zgjati rreth një orë, ndërsa pas bastisjes policët arrestuan djalin e Ramadanit, Shyqri Spahiun, i cili pasi u mor në pyetje, u lirua.

 

Lajme të tjera:

Konferencë për gazetarë e Adem Demaçit në Vjenë

Fehmi Agani priti një delegacion të shoqatës Pax Christi

Konferencë për gazetarë e BSPK-së

Avdia Mehmedoviqi mohoi aktakuzën edhe si dëshmitar në procesin e Pejës

Milicia serbe nxori me dhunë nga shtëpia dr.Rasim Hoxhën

Represion gjatë muajit mars në komunën e Skënderajt

Dhuna e përditshme në Kosovë

Polemikat në parlamentin serb rreth Kosovës

Rreth 250 policë financiarë serbë erdhën në Mitrovicë

Në Gjilan përfundoi manifestimi “Vullneti ’95”

U shkarkua nga detyra një gjeneral rus i UNPROFOR-it në Kroaci

Promovohet libri “Trashëgimia etnokulturore dhe historike e Llapit”

 

 

12 prill 1997

Lajmet kryesore:

Kryetari Rugova priti ndihmëssekretarin amerikan Xhon Kornbllum

Konferencë për gazetarët e Xhon Kornbllumit

Shqipëria sot pret Lekë Zogun I

Rreth 100 shqiptarë u kapën në Pulja

Një grup ish-deputetësh dhe ish-drejtuesish të forumeve të PD-së e quajnë fajtore udhëheqjen e partisë

 

Lajm i plotë

Një i vrarë e një i plagosur në Tiranë e dy të vrarë në Fier

 Një 43 vjeçar u vra dje në mesditë në makinën e tij dhe një i ri 14 vjeçar u plagos, pas të shtënave me armë zjarri, njofton ATSH, duke iu referuar burimeve të policisë.

Dje, rreth orës 13. 30 është vrarë me armë zjarri në makinën e tij në rrugën Bajram Curri, në Tiranë, shtetasi Sabaodin Hodo, 43 vjeç. Si pasojë e të shtënave, është plagosur rastësisht një fëmijë 14 vjeç, Sentilian Pallaveshi, i cili në këtë moment ishte duke kaluar në rrugë.

Burime nga policia bëjnë të ditur se janë identifikuar autorët e vrasjes dhe policia po punon për kapjen e tyre.

Po sipas të të njëjtit burim, dje në fshatin Bishan të rrethit të Fierit janë vrarë me armë zjarri pistoletë, shtetasit Elmaz Kanani, 71 vjeç dhe i biri i tij, Lavdosh Kanani, 33 vjeç.

Burimi i policisë thotë se vrasja e babait dhe e të birit është bërë për motive hasmërie.

 

Lajme të tjera:

Fatos Nano kërkoi “autonomi për Kosovën”

Papa Gjon Pali II viziton sot Sarajevën

Raport mbi shkeljen e të drejtave e të lirive të njeriut në Kosovë gjatë muajit mars

Çka thuhet për vrasjen e zëvendësministrit serb të policisë

Në garat e pianistëve në Paris marrin pjesë katër garues nga Kosova

“Flaka”: Në horizont “Dejtoni” shqiptar

Në gjykatën e instaluar komunale në Prizren Ismail Latifi u dënua me 4 muaj burg

Rektori serb Papoviq u deklaroi diplomatëve amerikanë se s’mund të ketë universitet në “gjuhën e pakicave”

 

 

12 prill 1998

Lajmet kryesore:

Të shtëna në drejtim të fshatrave të rrethuara

Shetitje protestuese në qytetet e Kosovës

Dr. Rugova falënderohet për përgëzimet me rastin e rizgjedhjes Kryetar i Republikës së Kosovës

Policia serbe rrahu tre të rinjë për shkak se defiluan nëpër qytet

Huliganët serbë rrahën tre shqiptarë në Fushë Kosovë

Keqtrajtime e arrestime

 Foto: Fieri

Continue Reading

Lajmet

UBT: Shkencë dhe teknologji për një jetë më të mirë

Published

on

By

Programi i studimit në Shkencat e Ushqimit dhe BioteknologjiUBT përfaqëson një platformë elitare arsimore, e cila është projektuar në përputhje të plotë me misionin institucional për të kultivuar liderë dinamikë dhe inovatorë në mjedisin akademik të shekullit të 21-të.

Ky program është i përkushtuar ndaj avancimit të njohurive dhe ekspertizës përmes një qasjeje shumëdisiplinore, duke i përgatitur studentët për të adresuar sfidat komplekse të industrisë ushqimore globale, shëndetit publik dhe sistemeve të qëndrueshme të ushqyerjes.

Përmes një kurrikule bashkëkohore, e cila është e krahasueshme me programet më të mira në Bashkimin Evropian dhe SHBA, UBT garanton një arsimim cilësor ku puna laboratorike, kërkimi shkencor dhe bashkëpunimi i ngushtë me industrinë janë prioritetet kryesore.

Studentët përfitojnë mundësi të shumta për lëvizshmëri ndërkombëtare dhe ndërveprim me një staf akademik ndërdisiplinor, gjë që siguron një kuptim të thellë të të gjithë zinxhirit ushqimor.

Përtej aspektit akademike, ky program ofron një mjedis mbështetës që nxit rritjen intelektuale dhe profesionale. Përmes programeve të mentorimit, projekteve praktike dhe praktikave në industri, studentët pajisen me aftësitë e nevojshme për tu zhvilluar në një peizazh global që ndryshon me shpejtësi.

Një pikë e fortë e këtij drejtimi është vetëqeverisja me pjesëmarrje, ku studentët përfshihen aktivisht në proceset vendimmarrëse, duke krijuar një ndjenjë përgjegjësie të përbashkët dhe transparence.

Ky fokus në lidership dhe perspektivë globale u mundëson të diplomuarve të zotërojnë njohuri të avancuara në kiminë e ushqimit, mikrobiologjinë dhe bioteknologjinë, duke i bërë ata të aftë të krijojnë dhe ruajnë artikuj ushqimorë të sigurt dhe me cilësi të lartë.

Programi luan gjithashtu një rol transformues në komunitet dhe rajon, duke shërbyer si një urë lidhëse mes shkencës dhe nevojave praktike të popullatës.

Për të mbështetur zhvillimin e gjeneratave të reja, UBT ofron mundësi të shkëlqyera financiare, duke përfshirë një bursë prej 20% për tre vitet e studimit për studentët e rinj që regjistrohen në këtë fakultet.

Përmes projekteve kërkimore të fokusuara në sfidat specifike rajonale, si praktikat e qëndrueshme bujqësore dhe siguria ushqimore, UBT kontribuon direkt në zhvillimin strategjik dhe ekonomik të Kosovës. Duke i pajisur studentët me kompetenca për të zgjidhur probleme komplekse dhe duke i nxitur ata drejt mësimit të vazhdueshëm, ky program siguron që çdo i diplomuar të jetë një agjent i ndryshimit pozitiv, i aftë për të udhëhequr me integritet dhe vizion në tregun ndërkombëtar të punës.

Aplikimet e hershme kanë filluar, këtu gjeni linkun për me shumë informata.

Continue Reading

Të kërkuara