Lajmet

Komuna e Prishtinës refuzon kërkesën ndaj autobusëve të Podujevës

Published

on

Komuna e Prishtinës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndaluar kthimin e autobusëve të Podujevës nga Xhamia e Llapit, duke theksuar se kjo nuk do të lejohet si pikë kthimi. Drejtori i Mobilitetit në Komunën e Prishtinës, Donat Lushaku, tha se kërkesa e Shoqatës së autobusëve të Podujevës për ta bërë kthimin në këtë lokacion është e papranueshme për komunën.

Lushaku tha se Shoqata e autobusëve e kishte paralajmëruar grevën para dhjetë ditësh dhe se për këtë kishte pasur një takim të premten me policinë. Ai tha se policia e kishte konfirmuar se greva mund të mbahej si e drejtë ligjore dhe kushtetuese, por pa penguar qarkullimin.

“Shoqata e autobusëve të Podujevës e pat paralajmëruar para 10 ditësh këtë grevë. Ne kemi pasur një takim ditën e premte në polici bashkë me të njëjtit dhe ju kemi dhënë disa propozime për ta zgjidhur situatën. Ndërkohë, policia ju ka konfirmuar atyre madje edhe me vendim me shkrim, siç kemi marrë informacion sot se greva mund të zhvillohet, sepse është e drejtë kushtetuese dhe ligjore. Mirëpo, nuk mund të ketë pengesë në qarkullim të komunikacionit, që nënkupton se sikurse herën e kaluar autobusët nuk mund të qëndrojnë për ta bllokuar ndonjërin nga shiritët, siç ka qenë rasti i mëhershëm te Komuna apo edhe tash siç është bërë bllokimi tek lagja Top Hane”, tha ai.

Ai bëri të ditur se masat e marra nga komuna bashkë me policinë kanë qenë largimi i tabelave të autobusëve dhe shqiptimi i gjobave.

“Masat që i kemi marrë si komunë bashkë me policinë ka qenë largimi i tabelave të atyre autobusëve, pastaj shqiptimi i gjobave nga ana e policisë. Ne e kemi arritur një marrëveshje paraprake me ta që ata të hyjnë në qytet nga Kodra e Trimave, të vazhdojnë tek shkolla Model, tek rruga Zagrebi, të vazhdojnë tek stacioni i autobusëve, të kthehen në këtë rrugëtim, e të njëjtin ta përfundojnë duke shkuar në Podujevë. Por të njëjtit në disa raste nuk e kanë respektuar, madje edhe disa hyrje-dalje në Stacionin e autobusëve nuk i kanë bërë ashtu siç është paraparë, por ka më pak hyrje-dalje se sa që duhej të ishin. Andaj ne shpresojmë dhe jemi edhe për dialog, kuptohet në mirëkuptim me ta me idenë që të vazhdohet kjo formë e marrëveshjes e jo të hyhet në qytet dhe të ketë kthim nga i ashtuquajtura stacioni tek Xhamia e Llapit”, tha ai.

Lushaku tha se komuna është e hapur për dialog me Shoqatën e autobusëve, por vetëm në kuadër të marrëveshjes ekzistuese.

Ai shtoi se një tjetër kërkesë e Shoqatës ka qenë që dy nga linjat e kontraktuara të komunës të mos shkelin në territorin e Podujevës, çështje që duhet të diskutohet mes dy komunave.

 

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Profesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku, së bashku me Agron Shala, nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, publikojnë studim ndërkombëtar për cilësinë e ujërave të burimeve natyrore

Published

on

By

Profesorët e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, Hazir S. Çadraku dhe Agron Shala, nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, kanë publikuar një artikull të rëndësishëm në revistën prestigjioze “Journal of Engineering Geology and Hydrogeology”, botim i Akademisë Bullgare të Shkencave, duke vendosur institucionin në qendër të hulumtimeve shkencore me ndikim rajonal dhe global.

Artikulli me titull “Evaluation of the quality of spring waters for their use for irrigation – case study: Central Part of the Republic of Kosovo”, trajton cilësinë e ujërave të burimeve natyrore dhe potencialin e tyre për përdorim në bujqësi, duke ofruar analiza të detajuara dhe rekomandime praktike për menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve ujore.

Prof. Hazir S. Çadraku dhe Prof. Agron Shala kanë përdorur metoda moderne analitike dhe krahasime me të dhëna historike, duke arritur rezultate të rëndësishme për menaxhimin e burimeve ujore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor në Kosovë. Ky botim shënon një arritje të rëndësishme akademike dhe dëshmon kontributin e stafit të UBT-së në shkencën ndërkombëtare.

Revista “Engineering Geology and Hydrogeology” (ISSN 0204-7934 – Print, ISSN 2738-6996 – Online) është një botim me akses të hapur, i rishikuar nga ekspertë ndërkombëtarë, dhe referohet në bazat e të dhënave të njohura si Scopus, EBSCOhost-GeoRef, VINITI dhe CASSI (CAS Source Index).

Për të lexuar artikullin e plotë, vizitoni linkun zyrtar të revistës: Revista

Continue Reading

Lajmet

Caktohen çmimet tavan për naftën në Kosovë

Published

on

By

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar sot se ka nënshkruar vendimin për caktimin e çmimeve të produkteve të naftës, si masë urgjente pas rritjes së menjëhershme të derivateve si pasojë e krizës në Lindjen e Mesme.

Sipas ministres, ky veprim erdhi pas monitorimit të rreptë të tregut dhe evidencave nga Dogana e Kosovës, ku u vërejt se rritja e çmimeve nga importi u reflektua menjëherë te konsumatori final.

Duke shpjeguar arsyet e kësaj ndërhyrjeje, Kusari-Lila theksoi se “ky vendim ishte i domosdoshëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë e të ndershme në tregun vendor”.

Me këtë rregullore të re, marzha tregtare maksimale është kufizuar në 2 euro centë për litër për shitjen me shumicë dhe 12 euro centë për litër për shitjen me pakicë.

Ministrja bëri të ditur se llogaritja e këtyre marzhave bëhet në përputhje me udhëzimet administrative në fuqi dhe se çdo tentativë për manipulim do të ndëshkohet.

Ajo paralajmëroi prani të shtuar të kontrollit në pikat e shitjes, duke u shprehur se “inspektorët do të jenë në terren për të mbikëqyrur zbatimin e këtij vendimi” dhe se “çdo shkelje apo moszbatim do të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi”.

Vendimi pritet të hyjë në fuqi një ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare, me synimin kryesor që të stabilizojë tregun e brendshëm pas luhatjeve të fundit globale. Sipas ministres, ky akt synon që të sigurojë një treg të rregullt ku çmimet nuk rriten në mënyrë të paarsyeshme në kurriz të qytetarëve.

Continue Reading

Lajmet

Sveçla i përgjigjet ashpër Vulin-it: Deklaratat e tij janë kërcënim i hapur ndaj Kryeministrit Kurti

Published

on

By

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të ish-shefit të inteligjencës serbe (BIA), Aleksandar Vulin. Ky i fundit, duke marrë shkas nga zhvillimet në Lindjen e Mesme, kishte përdorur një analogji me shërbimin izraelit Mossad për të kërcënuar tërthorazi udhëheqësit e Kosovës.

Ndërsa, Sveçla e cilësoi këtë gjuhë si një thirrje të hapur për destabilizim dhe operacione të dhunshme në Ballkan.

Sipas ministrit Sveçla, pyetja e Vulin-it se “kur mundet Izraeli, pse nuk mundemi edhe ne”, është një mesazh i rrezikshëm që synon normalizimin e sulmeve sekrete.

“Të importosh analogji nga një konflikt me dinamikë lufte të hapur… dhe t’i aplikosh ato në raport me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, nënkupton normalizimin e logjikës së operacioneve sekrete si mjet kërcënimi dhe destabilizimi të drejtpërdrejtë”, shkruan Sveçla.

Gjithashtu, ministri rikujtoi se Vulin është një zyrtar i sanksionuar nga SHBA-të për lidhjet e tij me Rusinë dhe se deklaratat e tij reflektojnë mendësinë e vjetër të shërbimeve serbe, të cilat historikisht kanë kryer vrasje politike.

Lidhur me këtë, ai shtoi: “Kur Vulin deklaron se inteligjenca serbe ‘di ta bëjë këtë’, ai i referohet një precedenti të rrezikshëm… Mbetet i papranueshëm tolerimi i gjuhës kërcënuese dhe i aspiratave për veprime të dhunshme apo cenim të sovranitetit.”

Sveçla gjithashtu zbuloi se institucionet e sigurisë kanë ndaluar së fundmi dy bjellorusë dhe një rus, të cilët kishin hyrë ilegalisht nga Serbia. Sipas tij, këta persona kishin trajnime ushtarake për eksplozivë dhe pajisje që përkonin pikërisht me paralajmërimet e Vulin-it për veprime operative në terren.

Në mbyllje të reagimit të tij, ministri u shpreh i prerë se Kosova nuk do të frikësohet nga asnjë lloj shantazhi që vjen nga Beogradi.

“Institucionet e Republikës së Kosovës… janë të gatshme të përballen me çdo lloj kërcënimi në mënyrë profesionale. E as Vulin, as Vuçiq, as nuk mund të na frikësojnë e as të na ndalin”, ka njoftuar Mnistri Sveçla.

 

Continue Reading

Lajmet

Vazhdon dëshmia e ekspertit të kriminalistikës në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve në Hagë

Published

on

By

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës po vijon edhe këtë të mërkurë dëshmia e ekspertit të kriminalistikës, Koen Herlaar.

Ai po jep dëshminë e tij në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët ballafaqohen me akuza për vepra penale që ndërlidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.

Seanca nisi me pyetjet e avokatit Jonathan Elystan Rees, i cili përfaqëson mbrojtjen e Bashkim Smakajt, por me propozim të prokurorisë dhe miratim të gjyqtarit Christoph Gosnell, procedura kaloi shpejt në seancë të mbyllur për publikun.

Herlaar është dëshmitari i dytë i thirrur në këtë rast dhe e ka nisur deklaratën e tij që prej ditës së martë.

Pas përfundimit të dëshmisë së tij, gjykata pritet të dëgjojë dëshmitarin e tretë, i identifikuar me numrin ‘9’. Ky proces pason seancën fillestare të 27 shkurtit 2026, ku të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për pikat e aktakuzës. Po atë ditë nisi edhe dëshminë dëshmitari i parë nën masa mbrojtëse, duke shënuar kështu fillimin e fazës së provave në këtë rast.

Ndërkohë, ish-presidenti Hashim Thaçi mbetet në paraburgim në Hagë që prej fundit të vitit 2020. Përveç procesit kryesor për krime lufte, ai tashmë po gjykohet edhe për këtë aktakuzë të re të ngritur në vitin 2024, e cila fokusohet specifikisht në pretendimet për ndërhyrje në proceset gjyqësore.

Continue Reading

Të kërkuara