Lajmet

Kompanitë në hall: S’ka punëtorë

Published

on

Në kohën kur në Kosovë afërsisht një e treta e popullsisë që është e aftë për punë, por nuk ka një vend pune, shumë kompani ankohen se nuk po mund të gjejnë punëtorë.

Problemi më i madh mbetet gjetja e punëtorëve sezonalë, sidomos në agrikulturë, si dhe gjetja e punëtorëve të kualifikuar për kryerjen e punëve më specifike.

Sipas shifrave zyrtare, papunësia në Kosovës është rreth 25 për qind.

Një biznes që përballet me vështirësi në gjetjen e punëtorëve pa ndonjë kualifikim arsimor, është edhe një fermë që merret me kultivimin e dredhëzave, që gjendet në një fshat malor në Komunën e Prishtinës.

Xhema: Punëtorët ikin pas dy-tri ditësh

Fermeri Lulzim Xhema ka të kultivuara rreth 60 ari sipërfaqe me dredhëza, në fshatin Dabishevc të Komunës se Prishtinës. Xhema, i cili tashmë është në proces të grumbullimit dhe shitjes së këtij produkti, tregon se çdo sezonë ka mungesë të madhe të punëtorëve.

Ai thotë se aktualisht në fermë punojnë katër anëtarë të familjes dhe katër punëtorë nga fshati i tij, por që i nevojiten edhe gjashtë punëtorë. Gjatë ditës, thotë ai, punëtorët duhet të punojnë gjashtë orë, me një rrogë mesatare prej 450 euro në muaj.

“Sivjet jam duke punuar vetëm me dredhëza, vitin e kaluar kam punuar edhe me domate. Gjetja e punëtorëve është problem jashtëzakonisht i madh. Kanë ardhur dy-tri ditë dhe kanë shkuar, nuk kanë ardhur të punojnë më. Edhe përkundër pagesës së mirë që u kam ofruar, nuk kanë pranuar të punojnë. Unë nuk kam problem me shitjen e produkteve, sa kam kërkesë nuk po arrij të mbledh dredhëza. Problemin e kam me mungesë të punëtorëve”, thotë Xhema për Radion Evropa e Lirë.

Fshati Dabishevc shtrihet në zonën veri-lindore të Kosovës, rreth 30 kilometra larg Prishtinës. Ky fshat, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë të mbajtur në vitin 2011, numëron 108 banorë, me 43 shtëpi.

Lulzim Xhema thotë se një nga arsyet e mungesës së punëtorëve është edhe braktisja e fshatit nga banorët lokalë.

“Problemi ndoshta mund të jetë se gjendemi në një zonë më të thellë malore, rreth 30 kilometra larg Prishtinës. Madje edhe fshatrat tjerë përreth kanë numër të vogël të banorëve. Një nga vështirësitë për punëtorët ndoshta mund të jetë edhe largësia dhe udhëtimi”, thekson ai.

Uka: Problem gjetja e punëtorëve të kualifikuar

Derisa në fermën e dredhëzave, për të siguruar një vend pune nuk kërkohet ndonjë kualifikim adekuat, një kompani tjetër ka problem me gjetjen e punëtorëve të kualifikuar, në një industri më specifike.

Agon Uka nga kompania “Ikonë Studio”, që merret me prodhimin e videove të ndryshme, filmave, reklamave për tregun brenda dhe jashtë Kosovës, aktualisht ka 110 punëtorë, kurse është në proces të punësimit edhe të 70 punëtorëve.

Pozitat e ofruara janë video-editorë. Uka thotë se për këto pozita kanë aplikuar 100 persona, por problem paraqitet kualifikimi dhe përvoja e tyre në fushën e kërkuar.

“Nuk jemi shumë të kënaqur, disa kandidatë përmbushin kërkesat tona, por edhe me kandidatët që shohim pak potencial, mundohemi që të mbajmë trajnime paraprakisht, në mënyrë që edhe ata të jenë në gjendje të hyjnë në procesin e rekrutimit”, thekson Uka.

Uka thotë se paga mesatare për këto pozita është nga 700 deri në 800 euro. Për këtë, sipas tij, interesimi është i madh, por vështirë plotësohen kriteret e kërkuara.

“Një nga kriteret e kërkuara në konkurs është edhe njohja e gjuhës angleze, për shkak të komunikimit të vazhdueshëm që duhet të kenë me klientët ndërkombëtarë, të cilëve u kryejmë shërbime dhe ky është njëri nga problemet që ekziston. Mund të jetë një person që ka përvojë shumë të mirë në montazh, por kur vjen puna te komunikimi, është problem”, thotë Uka.

Në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, pranojnë se ka qytetarë të papunë e që nuk dëshirojnë të punojnë në sektorin privat, konkretisht në sektorin e bujqësisë.

Avni Ajdini, kryetar në këtë sindikatë, thekson se në këtë sektor në disa raste pronarët nuk e respektojnë orarin e punës prej 40 orësh në javë.

“Kështu që paga që ata paraqesin në muaj është jashtëzakonisht e vogël në krahasim me orët e punës që realizojnë. Ky sektor vazhdimisht është përballur me probleme të ndryshe, pasi numri i vogël i inspektorëve në nivel vendi, në një mënyrë ka lejuar shkeljen e të drejtave të punëtorëve nga pronarët”, tha Ajdini.

Që prej përfundimit të luftës, Kosova është përballur me shkallë të lartë të papunësisë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 24.6 për qind ose mbi 120 mijë persona janë të papunë. Ndërkaq, të punësuar janë rreth 370 mijë persona. Pagat neto të shumicës së të punësuarve sillen nga 400 deri në 500 euro në muaj.

Lajmet

Kurti pret në takim lamtumirës ambasadorin e BE-së, Aivo Orav

Published

on

By

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në një takim lamtumirës Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav.

Gjatë këtij takimi, kreu i qeverisë shprehu mirënjohje të thellë për angazhimin dhe shërbimin e diplomatit evropian në Kosovë, që nga marrja e detyrës së tij më 1 shtator 2024.

Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Orav për bashkëpunimin korrekt, duke vlerësuar se përgjatë mandatit të tij, raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian janë fuqizuar ndjeshëm, përkundër sfidave të shumta të periudhës.

Në mënyrë të veçantë, kryeministri potencoi përkushtimin e ambasadorit në procesin e lansimit të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, si një hap kyç në rrugëtimin integrues të vendit.

Më tej, në fokus të bisedës ishin hapat e radhës që priten nga Brukseli në raport me Prishtinën zyrtare. Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë që Bashkimi Evropian të vlerësojë progresin e arritur dhe të mundësojë marrjen e statusit të merituar të vendit kandidat për anëtarësim.

Në përmbyllje të takimit, Kurti i uroi ambasadorit Orav suksese në angazhimet e tij të ardhshme profesionale, duke e falënderuar sërish për kontributin e dhënë në avancimin e agjendës evropiane të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Interesim i jashtëzakonshëm për UBT International Smart Schools në Open Day – vazhdojnë regjistrimet e hershme

Published

on

By

Qindra nxënës dhe prindër nga e gjithë Kosova morën pjesë në aktivitetet Open Day të organizuara nga UBT International Smart Schools në kampusin e Lipjanit dhe në Gjimnazin TIK në Prizren, duke treguar interesim të jashtëzakonshëm për edukimin modern dhe inovativ.

Vizitorët patën mundësinë të eksplorojnë ambientet bashkëkohore të mësimit, të njihen me drejtimet arsimore dhe metodologjitë që ndërthurin teknologjinë dhe zhvillimin e aftësive praktike. Në të njëjtën kohë, u njoftua se regjistrimet e hershme tashmë janë hapur, duke i ofruar nxënësve mundësinë të sigurojnë vendin e tyre në drejtimet më inovative dhe të kërkuara.

Interesim i veçantë u shfaq edhe për metodologjinë moderne të mësimdhënies, e cila ndërthur njohuritë akademike me përdorimin e teknologjisë dhe aftësitë praktike të nevojshme për të ardhmen.

Pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësinë të marrin informacione rreth bursave që janë përfituar përmes Testit Provues të Arritshmërisë, si dhe për mundësitë e shumta që ofron ky institucion për zhvillimin personal dhe profesional të nxënësve.

Të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e UBT International Smart Schools, përmes platformës së aplikimit online: Linku i Aplikimit Online

Continue Reading

Lajmet

Aksion kundër fajdesë në Prizren: Një i arrestuar dhe katër në kërkim për zhvatjen e mbi 1 milion eurove

Published

on

By

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka realizuar sot një operacion të gjerë policor të fokusuar në arrestimin e disa personave si të dyshuar për fajde, detyrim dhe privim të kundërligjshëm të lirisë.

Gjatë këtij aksioni, i cili përfshiu kontrolle në pesë lokacione të ndryshme në qytetin e Prizrenit, është arrestuar një person me inicialet B.K., ndërsa katër të dyshuar të tjerë (GJ.K., E.K., E.K. dhe E.R.) ndodhen ende në kërkim policor.

Sipas hetimeve të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, ky grup dyshohet se ka shkaktuar një dëm fillestar prej rreth 700,000 eurosh ndaj viktimës, duke kërkuar edhe 450,000 euro të tjera në emër të kamatave të larta.

Në komunikatën zyrtarë thuhet se: “Të dyshuarit në mënyrë të vazhdueshme kanë detyruar viktimën të paguajë shuma të ndryshme parash si interes për fajde, duke përdorur forma të ndryshme të presionit dhe dhunës. Po ashtu, ata dyshohet se në raste të caktuara e kanë privuar viktimën edhe nga liria, me qëllim që ta detyrojnë të paguajë kamata të larta të fajdesë”.

Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj të arrestuarit është lëshuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërkohë që operacioni për lokalizimin e personave të tjerë po vazhdon me intensitet të lartë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se: “Aktualisht po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të arrestimit të të dyshuarit dhe zbardhjes së plotë të rrethanave të ngjarjes”.

 

Continue Reading

Lajmet

Qeveria gjermane refuzon kërkesën e Trump-it

Published

on

By

Qeveria gjermane ka hedhur poshtë kërkesat e Presidentit të SHBA-së për mbështetjen e aleatëve të NATO-s në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit gjatë luftës në Lindjen e Mesme.

“Kjo luftë nuk ka të bëjë fare me NATO-n. Kjo nuk është lufta e NATO-s”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë, Stefan Kornelius, në Berlin, raporton gazeta gjermane Bild.

Ai shtoi se aleanca është krijuar për mbrojtjen e territorit të vendeve anëtare dhe se aktualisht mungon një mandat për angazhimin e NATO-s në këtë rajon.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Ministri i Jashtëm, Johann Wadephul (63, CDU). Duke pasur parasysh vazhdimin e luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, Wadephul shtoi se kjo pyetje nuk shtrohet “në këtë moment”.

“Ne duam fillimisht të dëgjojmë nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës se kur synojnë t’i arrijnë objektivat e tyre ushtarake në Iran”, tha Ministri i Jashtëm.

Sipas tij, vetëm pas kësaj, në një fazë tjetër, mund të definohet “një arkitekturë sigurie për të gjithë këtë rajon”.

Trump: Mund të jetë “shumë keq për të ardhmen e NATO-s”

Presidenti i SHBA-së kishte deklaruar në një intervistë për Financial Times se NATO do të përballet me një të ardhme të zymtë nëse partnerët e SHBA-së nuk ndihmojnë.

“Nëse nuk do të ketë reagim, ose nëse reagimi do të jetë negativ, mendoj se kjo do të jetë shumë keq për të ardhmen e NATO-s”, citohet të ketë thënë Trump.

I pyetur për këto kërcënime të Trump-it, zëdhënësi Kornelius u mjaftua duke thënë: “Ne i kemi marrë parasysh këto deklarata”.

Trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë jetike për transportin ndërkombëtar të naftës dhe gazit të lëngshëm, praktikisht është bllokuar për shkak të luftës dhe kërcënimit të sulmeve iraniane. /Bild/

 

Continue Reading

Të kërkuara