Filmi me metrazh të gjatë “DUA”, me skenar dhe regji nga Blerta Basholli, do të ketë premierën botërore në seksionin prestigjioz Semaine de la Critique në kuadër të Festivalit të Cannes. Prodhimi është përzgjedhur në mesin e vetëm shtatë filmave të gjatë të këtij programi për edicionin e sivjetmë.
Kjo shënon herën e parë që një film nga Kosova përfshihet në këtë seksion të njohur dhe mjaft konkurrues të festivalit, ku “DUA” do të garojë për katër çmime kryesore në kategorinë e filmave të gjatë.Filmi është një dramë “coming of age”, e vendosur në Kosovën e viteve ’90 dhe e frymëzuar nga përvojat personale të regjisores. Ngjarja ndjek rrugëtimin e një adoleshenteje introverte në kërkim të identitetit në një periudhë të ndërlikuar politike dhe shoqërore.
Producentë të filmit janë Valon Bajgora dhe Yll Uka (Ikonë Studio, Kosovë), ndërsa bashkëproducentë janë Britta Rindelaub dhe Thomas Reichlin (Alva Film, Zvicër), si dhe Amaury Ovise (Kazak Productions, Francë).
Projekti është mbështetur nga Centre National du Cinéma et de l’Image Animée (CNC), Office Fédéral de la Culture, ARTE Cinema, Eurimages, SRF – Schweizer Radio und Fernsehen, Cineforom dhe Qendra Kinematografike e Kosovës.