Burgosjet politike të anëtarëve të familjes së tij, zhdukja e disa të tjerëve si dhe vrasja e motrës së tij, janë bërë arsye për të, që t’i hyjë punës së mbledhjes së këtyre video-kasetave.
Esat Shala, 34-vjeçari nga fshati Krajkovë i Komunës së Drenasit në Kosovë, ka koleksionuar në mënyrë vullnetare mbi 2.000 video-kaseta të minutazhit të gjatë të qindra masakrave dhe ngjarjeve që lidhen me luftën që nga fillimvitet e 90-ta deri në përfundimin e Luftës së Kosovës në vitin 1999.
Esati ishte vetëm 12-vjeçar kur në Kosovë shpërtheu lufta masive e vitit 1999. Forcat serbe sikurse gjithë fshatit edhe atij ia kishin djegur shtëpinë, ndërsa nga familja e ngushtë i ishte vrarë motra tij e madhe.
22 vjet më vonë, ai thotë se burgosjet politike të anëtarëve të familjes së tij, zhdukja e disa të tjerëve si dhe vrasja e motrës së tij, janë bërë arsye për të, që t’i hyjë punës së mbledhjes së këtyre video-kasetave. Gjithë kjo, si dëshmi e cila herët ose vonë do t’i hyjë në punë drejtësisë qoftë vendore apo asaj ndërkombëtare apo të shërbejë si kujtesë për gjeneratat e ardhshme.
Në një nga dhomat e shtëpisë së rindërtuar pas luftës, Esati, si i papunë, e kalon pjesën më të madhe të ditës, duke shikuar, analizuar, kopjuar e mirëmbajtur një pjesë të video-kasetave të tij, të cilat i ka mbledhur që nga paslufta nga njerëz e vende të ndryshme nëpër Kosovë. Një pjesë tjetër e tyre, ai bën të ditur se gjendet tek bashkëpunëtori i tij i vetëm, profesori Nysret Pllana në Prishtinë. Ata posedojnë video-incizime të të gjitha masakrave të Kosovës, përpos Masakrës së Poklekut.
“Duke marrë parasysh që pas përfundimit të luftës që shteti nuk ka bërë asgjë për këto krime, për këtë gjenocid që ka ndodhur në Kosovë, unë pata filluar pas përfundimit të luftës duke shikuar incizime të ndryshme të luftës në Youtube dhe kam kërkuar gjithmonë që të gjejë diçka më shumë përveç incizimeve të pakta që i kam parë. Kam filluar të grumbulloj incizime të ndryshme, një kasetë aty – një diku tjetër dhe filloi të më hyjë në gjak kjo punë”, tha Shala në një prononcim për Anadolu Agency (AA).
Ai thotë se ende nuk e konsideron të përfunduar punën grumbulluese të tij deri sa “të gjejë edhe incizimin e fundit” të luftës.
Esati thotë se gjatë procesi të grumbullimit të kasetave ka hasur në njerëz që kanë dyshuar mbi qëllimet e tij, ku një pjesë deri edhe e kanë ofenduar, për shkak se dera e tyre nga ky i ri është trokitur disa herë me kërkesën e njëjtë.
“Ata vetë është dashur t’i publikojnë këto incizime dhe të mos vijë puna deri që njerëzit më të mirë dhe më të fortë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të akuzohen për krime lufte. Sepse pas përfundimit të luftës, serbët kanë menduar se ne nuk kemi bërë incizime dhe nuk posedojmë asgjë, apo kemi bërë incizime por na janë djegur ato. Por, ne kemi pasur incizime të rëndësishme me të cilat është dashur të merrej shteti pas lufte, televizionet e Kosovës, të publikoheshin dhe t’i tregohej Serbisë që ne posedojmë incizime të rëndësishme, sekrete të ndryshme të gjenocidit që ata e kanë bërë në Kosovë, e jo sot të krahasohet viktima me kriminelin. Ata janë bërë viktimë ne kriminelë të luftës”, thekson ai.
Për të riun që së fundi ka gjetur edhe rreth 500 kaseta të reja, thotë se fillimisht kjo punë ka qenë e vështirë, për shkak pamjeve të rënda të masakrave në këto incizime por më pas është adaptuar.
“Vetëm dje kam grumbulluar diku mbi 500 kaseta, për një ditë. Posedojmë 2 mijë deri 3 mijë kaseta të formatit të ndryshëm të ngjarjeve të paraluftës dhe gjatë luftës, të pasluftës nuk kemi sepse s’ka qenë interes i yni”, thekson Shala, duke shtuar se pret që në Kosovë të hapet Instituti për Krime të Luftës “nëpërmjet të cilit do të mundësohej t’i tregohej botës ajo çfarë ndodhi në Kosovë”.
Një institut i ngjashëm në Kosovë, ishte themeluar në vitin 2011. Por, me vendim të Qeverisë ai është mbyllur në vitin 2018, ndërsa gjatë kësaj periudhe ka arritur të publikojë tetë libra për vrasjet, për personat e pagjetur, për gjenocidin serb si dhe për shkatërrimin e monumenteve dhe pronave të shqiptarëve.
Qeveria aktuale e Kosovës po synon të formojë një institut të ri, për krijimin e dosjes që do t’i shërbejë kujtesës kolektive.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ditë më parë priti në zyrën e saj Esat Shalën, theksoi se kanë folur bashkë pikërisht për “bashkëpunimin në iniciativën për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë”.
“Në emër të Ministrisë, falënderova Esatin për punën e bërë deri më tani në dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë si dhe u dakorduam për bashkëpunim në arritjen e synimeve për adresimin e këtyre krimeve”, shkroi ministrja Haxhiu.
Sipas të dhënave të publikuara nga Fondi për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës në Kosovë (1998 – 1999), janë vrarë mbi 13.500, rreth 76 për qind e të cilëve besohet se kanë qenë civilë.
Ndërsa mbetet ende i paqartë fati i mbi 1.600 personave të pagjetur që nga periudha e luftës. (AA)
Në një intervistë në emisionin “Five” në RTV Dukagjini, Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, ka thënë se 25-vjetori i këtij institucioni përfaqëson jo vetëm një përvjetor jubilar, por edhe një moment reflektimi për të arriturat dhe synimet e ardhshme në arsim, shkencë, inovacion dhe teknologji.
Hajrizi ka deklaruar se gjatë këtij çerek shekulli, UBT-ja është angazhuar në ndërtimin e një sistemi arsimor me qasje inovative, duke synuar të ndikojë në zhvillimin e vendit në fusha të ndryshme.
“Është një vit që jo vetëm duhet të reflektojmë, por është një angazhim prej çerek shekulli, ku vitet më të mira të jetës kanë qenë angazhim për të ndërtuar një sistem të arsimit dhe një qasje inovative në arsim. Ka qenë një rezultat i mirë, por edhe një moment reflektimi se çfarë kemi arritur dhe çfarë duam të arrijmë”, është shprehur Hajrizi.
Ai ka theksuar se gjatë këtyre 25 vjetëve ka pasur zhvillim në fusha të ndryshme, përfshirë arsimin, shkencën, inovacionin, teknologjinë dhe zhvillimin e biznesit, duke vlerësuar se UBT-ja ka pasur ndikim në këtë proces transformues.
Në kuadër të shënimit të 25-vjetorit, UBT-ja ka planifikuar disa aktivitete që do të zhvillohen gjatë javës së ardhshme, me fokus të veçantë në fushën akademike dhe shkencore.
Sipas Hajrizit, gjatë kësaj jave në Kosovë do të organizohen tri ngjarje ndërkombëtare, njëra pas tjetrës, të cilat synojnë të sjellin në vend komunitetin akademik dhe profesionistë nga fusha të ndryshme.
Ngjarja e parë do të mbahet të mërkurën dhe do t’i kushtohet Konferencës Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive. Hajrizi ka bërë të ditur se kjo konferencë organizohet për herë të dytë dhe do të mbledhë përfaqësues të komunitetit vendor dhe ndërkombëtar në UBT.
“Kemi mbërritur në fund të vitit ku do të shënojmë edhe përmbylljen e 25-vjetori dhe mbi këtë kemi menduar t’i organizojmë disa evente të cilat ndërlidhen edhe në shenjë të 25-vjetorit. Këtë vit i kemi mbledh disa ngjarje, javen e ardhshme kemi disa aktivitete që lidhen me pjesën akademike shkencore dhe i kemi tri ngjarje të nivelit botëror që i organizmojnë në Kosovë në të njëjtën kohë njëra pas tjetrës që e plotësojnë gjithë javën. Konferenca e parë që e organizojmë të mërkurën ka të bëjë me Konferencën Ndërkombëtare Botërore për Mjekësinë Sportive, është hera e dytë që organizohet por është një konferencë që sjell gjithë komunitetin edhe ndërkombëtar edhe vendor në UBT në Kosovë”, u shpreh Hajrizi.
Përmes këtyre aktiviteteve, UBT-ja synon të shënojë përmbylljen e 25-vjetorit, duke vënë në pah të arriturat e deritanishme dhe duke hapur diskutime për zhvillimet e ardhshme në arsim, shkencë dhe inovacion.
UBT ka hapur zyrtarisht AI Business Hub, një hapësirë të re që synon të forcojë kompetencat në fushën e inteligjencës artificiale dhe të ofrojë mbështetje për bizneset në Kosovë dhe më gjerë.
AI Business Hub është rezultat i projektit TBEAI (Transforming Business Education with AI in Western Balkans), një projekt i financuar nga Komisioni Evropian përmes programit Erasmus+, i cili synon transformimin e edukimit të biznesit përmes integrimit të inteligjencës artificiale në Ballkanin Perëndimor.
Me hapjen e këtij Hub-i, UBT plotëson edhe më tej ekosistemin e tij të inovacionit, duke krijuar mundësi konkrete për zhvillimin e kompetencave digjitale, avancimin e njohurive në inteligjencën artificiale dhe mbështetjen e sektorit të biznesit në përballjen me sfidat e transformimit digjital.
AI Business Hub synon të shërbejë si urë lidhëse ndërmjet akademisë, teknologjisë dhe biznesit, duke krijuar hapësirë për bashkëpunim, zhvillim të aftësive profesionale dhe zbatimin e zgjidhjeve të inteligjencës artificiale në praktikat e përditshme të bizneseve. Përmes kësaj nisme, studentët, profesionistët dhe ndërmarrjet do të kenë mundësi të përfitojnë nga një qasje më e orientuar drejt nevojave të tregut, duke nxitur inovacionin, rritjen e produktivitetit dhe përgatitjen për ekonominë digjitale.
Hapja e AI Business Hub dëshmon përkushtimin e UBT-së për të ndërtuar një ekosistem që jo vetëm zhvillon kompetencat e së ardhmes, por edhe përkrah bizneset në Kosovë dhe më gjerë, duke i ndihmuar ato të shfrytëzojnë potencialin e inteligjencës artificiale për zhvillim dhe konkurrueshmëri.
UBT vazhdon të investojë në inovacion, dije dhe teknologji, duke e shndërruar inteligjencën artificiale në një mundësi konkrete për zhvillimin e arsimit, sipërmarrjes dhe ekonomisë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bëri thirrje për qetësi të premten, dhe fajësoi “duart e huaja” për trazirat e dhunshme disaditore, ndërsa protestuesit u mblodhën sërish në kryeqytet dhe në qytete të tjera.
Që nga e marta, Tirana është përfshirë nga protesta të dhunshme, ku mijëra protestues kanë kërkuar dorëheqjen e Ramës për shkak të kushteve të këqija në universitete dhe tarifave të larta të studimit.
Protestat janë përhapur edhe në disa qytete të tjera, ndërsa studentët iu bashkuan bojkotit të universiteteve, duke shënuar një përshkallëzim të ndjeshëm pas muajsh protestash kundër qeverisë në vend.
Përleshjet gjatë natës mes policisë dhe grupeve të protestuesve, shumica e të cilëve të maskuar, vazhduan deri në orët e para të së premtes.
Hyrja e Ministrisë së Financave u përfshi nga flakët, ndërsa xhamat e një kompleksi universitar u thyen.
Sipas një deklarate të Policisë, 160 protestues u ndaluan të enjten në mbrëmje për kryerjen e akteve të dhunshme.
Protestuesit grumbulluan dhe dogjën kontejnerë mbeturinash për të bllokuar rrugët, si dhe hodhën gurë drejt Policisë, e cila u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe topa uji për t’i shpërndarë.
Një gazetar i AFP-së pa, gjithashtu, grupe të maskuara duke thyer vitrina dhe duke plaçkitur dyqane. Të njëjtat incidente u raportuan edhe në pjesë të tjera të qytetit.
Të premten në mëngjes, qindra protestues marshuan drejt Ministrisë së Arsimit, e cila mbetet një nga pikat kryesore të protestave.
Përleshjet kanë lënë pas ndërtesa qeveritare me dëme të mëdha, vitrina të thyera dyqanesh dhe dhjetëra persona të arrestuar.
Përshkallëzimi i protestave këtë javë vjen pas muajsh të tërë demonstratash kundër qeverisë, të cilat fillimisht u nxitën nga një projekt i diskutueshëm për zhvillimin e një resorti, i lidhur me familjen e presidentit amerikan, Donald Trump.
Në një deklaratë të premten, Rama këmbënguli se protestat nuk kanë të bëjnë “fare me hallet, me problemet, me aspiratat legjitime të gjithkujt që dëshiron një jetë më të mirë”.
“E gjithë kjo është po ajo dorë, po ajo dorë që e ka kapur për fyti opozitën shqiptare, dhe që e ka djegur dhe shkatërruar jo një herë Shqipërinë, dhe që është gati ta djegë e ta shkatërrojë përsëri, për të mos e lënë të bëjë përpara”, tha ai.
Ai akuzoi “duar të huaja”, pa i identifikuar ato, se po nxisin trazirat dhe synojnë të pengojnë përpjekjet e vendit të tij për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
“Këto janë duar të huaja që nuk e duan Shqipërinë të qetë”, tha ai në një video të publikuar në faqen e tij në Facebook.
Që nga e marta, dhjetëra persona, kryesisht zyrtarë policorë, janë plagosur në përleshje, sipas autoriteteve.
Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike në Shqipëri, Dhimitraq Ziu, ka njoftuar se 127 persona janë arrestuar dhe 244 të tjerë janë proceduar penalisht në Tiranë, në lidhje me protestat e dhunshme të ditëve të fundit.
Sipas tij, janë lënduar 120 punonjës policie në disa qytete të vendit.
Ziu bëri të ditur gjithashtu se strukturat e Krimit Kibernetik dhe Antiterrorit po hetojnë kanale dhe grupe në rrjetet sociale, ku janë shpërndarë mesazhe me thirrje për akte ekstreme e terroriste dhe kërcënime ndaj punonjësve të Policisë.
“Deri në këto momente në Tiranë, janë arrestuar 127 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 244 shtetas, për ushtrim të dhunës ndaj punonjësve të Policisë, dëmtim të institucioneve shtetërore, shkatërrim të pronës publike dhe private, si dhe të bankomateve, kamerave, automjeteve dhe rrethimeve metalike”, ka thënë ai.
Ziu ka treguar edhe për rastet në qytetet e tjera. Në Durrës, ka thënë se janë arrestuar 23 shtetas dhe janë proceduar penalisht 12 të tjerë, në Korçë janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 23 shtetas, në Vlorë janë proceduar në gjendje të lirë 20 shtetas, në Shkodër janë proceduar në gjendje të lirë 9 shtetas.
Gjatë protestës në Shkodër Ziu ka deklaruar se është plagosur rëndë një oficer i Policisë së Rendit, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë, për ndihmë mjekësore. Ai theksoi se autori i plagosjes është identifikuar, por për shkak të moshës nuk është arrestuar.
Kurse, në Elbasan janë proceduar në gjendje të lirë 6 shtetas dhe në Kukës janë proceduar në gjendje të lirë 10 shtetas, shtoi ai.
“Ndërkohë, nga dhuna e ushtruar mbi punonjësit e Policisë, në Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër dhe Kukës, janë dëmtuar deri tani 120 punonjës policie”.
Sa i përket rasteve të dyshuara për akte ekstreme, Ziu ka theksuar po bashkëpunojnë me agjencitë partnere ndërkombëtare për zbulimin e adresave IP, identifikimin e administratorëve të këtyre kanaleve dhe të çdo përdoruesi që bën thirrje për dhunë dhe akte terroriste.
“Përveç ngjarjeve në terren, strukturat e specializuara të Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Antiterrorit kanë marrë në shqyrtim të menjëhershëm hapësirën virtuale, ku gjatë monitorimeve intensive, janë identifikuar disa kanale dhe grupe komunikimi, nëpërmjet të cilave janë shpërndarë mesazhe me përmbajtje të drejtpërdrejtë kriminale, ndër to, thirrje për kryerje të akteve ekstreme dhe terroriste, si dhe kërcënime direkte kundër jetës së punonjësve të Policisë së Shtetit”, potencoi ai.
Ziu u ka bërë thirrje protestuesve të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm.
“E drejta për protestë duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe nuk mund të përdoret si justifikim për dhunën dhe shkatërrimin”.
Ndërkohë Ziu ka theksuar se po udhëzojnë punonjësit e policisë që “pavarësisht situatave ku përballen me sulme të rrezikshme, apo gjatë ndërhyrjeve për të mbrojtur institucionet, të tregojnë vetëpërmbajtje dhe propocionalitet”.
Gjatë katër ditëve është raportuar për ushtrim dhune nga policët drejt qytetarëve./A.K/