Lajmet

Koha më e mirë për të marrë vitamina, çfarë duhet të dini?

Shumica e vitaminave mund të merren në çdo kohë të ditës.

Published

on

Për të funksionuar siç duhet, trupi juaj ka nevojë për 13 vitamina, nëntë prej të cilave janë të tretshme në ujë dhe katër janë të tretshme në yndyrë.

Edhe pse këto lëndë ushqyese gjenden në sasi të ndryshme në ushqim, disa njerëz duhet t’i marrin për të përmbushur mungesat e tyre.

Normalisht, shumica e vitaminave mund të merren në çdo kohë të ditës. Por disa vitamina përfitohen më mirë në kushte të veçanta, prandaj është mirë të dini se si dhe kur t’i merrni për të nxitur përthithjen optimale.

AgroWeb.org shpjegon në këtë artikull se si dhe kur duhet t’i merrni vitaminat.

Vitaminat e tretshme në ujë

Ka nëntë vitamina të tretshme në ujë, të cilat përfshijnë vitaminën C dhe tetë vitaminat e kompleksit B si B1 (tiaminë), B2 (riboflavin), B3 (niacin), B5 (acid pantotenik), B6 ​​(piridoksinë), B7 (biotinë), B9 (folat) dhe B12 (kobalaminë).

Rekomandohet të konsumoni rregullisht vitamina të tretshme në ujë sepse ato shpesh nuk ruhen në indet e trupit tuaj.

Këto vitamina dalin shpejt nga sistemi i gjakut nëpërmjet urinës ndaj duhet t’i zëvendësoni.

Vitamina C

Vitamina C luan shumë role të domosdoshme në trupin tuaj.

Ajo funksionon si një antioksidant i fuqishëm, forcon imunitetin, si dhe kryen lidhjen mes kolagjenit dhe neurotransmetuesve.

Ekzistojnë disa forma të suplementeve të vitaminës C, të cilat mund të merrni në çdo kohë të ditës, me ose pa ushqim.

Sigurohuni që të ruani suplementet e vitaminës C në një vend të freskët dhe të errët, pasi kjo lëndë ushqyese është e ndjeshme ndaj nxehtësisë dhe dritës.

Vitamina B

Vitaminat B shiten individualisht ose si suplemente të kompleksit B që përmbajnë të tetë vitaminat B.

Për shkak se ato janë të tretshme në ujë, mund t’i merrni me ose pa ushqim dhe në çdo kohë të ditës.

Megjithatë shpesh rekomandohet të merren në mëngjes për shkak të rolit në metabolizmin e lëndëve ushqyese dhe prodhimit të energjisë.

Për më tepër, rekomandohet që njerëzit me mungesë B12 ta marrin këtë supplement me stomakun bosh dhe me ujë, për të nxitur përthithjen maksimale.

Vitaminat e tretshme në yndyrë

Ndryshe nga vitaminat e tretshme në ujë, vitaminat e tretshme në yndyrë varen nga yndyra për tu përthithur si duhet. Në përgjithësi rekomandohet që t’i merrni gjatë një vakti që përmban ushqime me yndyrë të shëndetshme.

Vitamina A

Disa njerëz janë më të rrezikuar nga mungesa e vitaminës A për shkak të nevojave të shtuara ose mos përthithjes nga organizmi.

Këtu përfshihen gratë shtatzëna, ato ushqejnë me gji dhe personat me fibrozë cistike.

Për të nxitur përthithjen optimale, duhet të merrni suplemente të vitaminës A me një vakt që përmban yndyrë.

Mbani mend se nëse ndiqni një regjim ushqimor të ekuilibruar, marrja e suplementeve të vitaminës A nuk është e nevojshme.

Dhe për shkak se ajo mund të shkaktojë dëm në organizëm tek njerëzit që nuk kanë mungesë të saj, nuk këshillohet ta merrni pa u konsultuar me mjekun.

Vitamina D

Vitamina D është e nevojshme për forcimin e imunitetit, shëndetin e kockave, rritjen qelizore etj.

Fatkeqësisht, më shumë se 1 miliard njerëz në mbarë botën kanë mungesë të kësaj lënde ushqyese shumë të rëndësishme.

Ajo mund të merret në çdo kohë të ditës dhe shumica e suplementeve duhet të merren me vakte ose ushqime me përmbajtje yndyre për të siguruar përthithjen optimale.

Është e rëndësishme të theksohet se aktivizimi i vitaminës D varet nga nivelet e duhura të magnezit, prandaj duhet të merrni mjaftueshëm magnez.

Gjithashtu, mbani mend se disa vitamina të tretshme në yndyrë, përfshirë vitaminën E, mund të ndikojnë në përthithjen e vitaminës D.

Vitamina E

Vitamina E funksionon si një antioksidant kryesor në trupin tuaj dhe është thelbësore për qarkullimin e shëndetshëm të gjakut dhe imunitetin.

Mungesa e saj është e rrallë dhe vihet re më tepër tek njerëzit me sëmundje si fibroza cistike etj.

Mund të mos jetë e nevojshme të merrni vitaminë E me një vakt që përmban yndyrë për sa kohë që konsumoni mjaftueshëm yndyrë në vaktet pasardhëse.

Mbani mend se edhe pse vitamina E është e rëndësishme, marrja e tepërt në formë suplementi mund të shkaktojë dëm.

Vitamina K

Vitamina K është e nevojshme për koagulimin e gjakut, shëndetin e kockave dhe zemrës, por edhe për funksione të tjera në trup.

Ju mund të merrni suplemente të vitaminës K në çdo kohë të ditës me një vakt ose meze të lehtë që përmban yndyrë.

Për shkak se shumica e njerëzve marrin mjaftueshëm vitaminë K përmes ushqimit, nuk rekomandohet marrja e suplementeve me doza të larta, përveç rasteve kur vuani nga ndonjë sëmundje dhe mjeku juaj e rekomandon atë.

Multivitaminat

Multivitaminat zakonisht përmbajnë një sërë vitaminash dhe mineralesh.

Disa njerëz preferojnë multivitaminat sepse janë më të përshtatshme dhe mund të jenë më pak të kushtueshme.

Për shkak se këto suplemente zakonisht përmbajnë vitamina të tretshme në yndyrë dhe në ujë, rekomandohet t’i konsumoni përgjatë një vakti.

Kjo mund të përmirësojë përthithjen e disa lëndëve ushqyese duke reduktuar rrezikun e shqetësimeve gastrointestinale, të cilat mund të ndodhin kur merrni një multivitaminë me stomakun bosh. /AgroWeb.org

Vendi

UBT nis bashkëpunim ndërkombëtar me Liberty University për “Virtual NATO Simulation”

Published

on

By

Është mbajtur takimi i parë online i punës që shënon nisjen e një bashkëpunimi të rëndësishëm akademik ndërkombëtar në kuadër të aktivitetit “Virtual NATO Simulation”, i cili për herë të parë po zhvillohet në Kosovë me përfshirjen e studentëve të University for Business and Technology.

Ky projekt inovativ synon të sjellë një përvojë të drejtpërdrejtë të proceseve vendimmarrëse dhe diplomatike në kuadër të NATO, përmes një simulimi virtual që përfshin role të nivelit të lartë politik, diplomatik dhe të sigurisë.

Në kuadër të këtij simulimi, me iniciativë të Dekanes së Fakultetit Shkenca Politike në UBT, dy grupe studentësh, do të përfaqësojnë shtete anëtare të NATO-s përmes formatit role play. Njëri grup do të simulojë rolin e Turqia, ndërsa grupi tjetër atë të Italia, duke u angazhuar në diskutime dhe vendimmarrje që pasqyrojnë realitetin e sfidave të sigurisë ndërkombëtare.

Përmes këtij angazhimi, studentët do të përjetojnë nga afër dinamikën e negociatave, koordinimit institucional dhe diplomacisë shumëpalëshe.

Ky bashkëpunim po realizohet në partneritet me Liberty UniversityShtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me universitete të tjera të rajonit, duke krijuar një hapësirë të përbashkët akademike për shkëmbim përvojash, njohurish dhe praktikash ndërkombëtare.

Virtual NATO Simulation u ofron studentëve një qasje praktike dhe ndërvepruese ndaj çështjeve të sigurisë globale, duke zhvilluar aftësi konkrete në analizë strategjike, komunikim institucional dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Takimi i parë online përbën hapin fillestar të një rrugëtimi të ri për UBT-në dhe studentët e saj, duke e pozicionuar Kosovën në një platformë aktive të bashkëpunimit akademik ndërkombëtar dhe duke dëshmuar rolin në rritje të institucioneve vendore në nisma që ndërlidhin arsimin e lartë me realitetet globale.

Continue Reading

Vendi

Profesoresha e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, Xhevahire Millaku pjesë e konferencës shkencore në Universitetin e Bolonjës

Published

on

By

Profesoresha e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, Xhevahire Millaku mori pjesë në një konferencë shkencore ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti i Bolonjës, në bashkëpunim me disa universitete shqiptare.

I themeluar në vitin 1088, Universiteti i Bolonjës konsiderohet universiteti më i vjetër në botë dhe një ndër institucionet më të rëndësishme të arsimit të lartë në Evropë, me një traditë të gjatë akademike dhe kërkimore.

Konferenca, e mbajtur më 19 dhe 20 shkurt 2026, kishte për temë kryesore: “Arbëreshët e Italisë, një qytetërim midis dy brigjeve të Adriatikut” (The Arbëreshë of Italy, a civilization between the two shores of the Adriatic Sea).

Gjatë dy ditëve të zhvillimit të saj, studiues nga fusha të ndryshme trajtuan aspekte historike, kulturore, gjuhësore dhe identitare të komunitetit arbëresh, duke theksuar rolin e tyre në ndërlidhjen mes Shqipërisë dhe Italisë.

Në kuadër të kësaj konference, Prof. ass. dr. Xhevahire Millaku prezantoi kumtesën me temë: “Gjuha dhe arti diplomatik e letrar i Ismail Kadaresë në studimet italiane”.

Në paraqitjen e saj, ajo trajtoi dimensionin gjuhësor dhe estetik të veprës së shkrimtarit të njohur shqiptar Ismail Kadare, duke u ndalur në mënyrën se si krijimtaria e tij është studiuar dhe interpretuar në qarqet akademike italiane, si dhe në rolin që ajo ka luajtur në ndërtimin e urave kulturore ndërmjet dy vendeve.

Continue Reading

Vendi

Pjesëmarrje rekord në Testin Provues të Arritshmërisë të organizuar nga UBT International Smart Schools: Mbi 1,500 nxënës nga e gjithë Kosova

Published

on

By

UBT International Smart Schools organizoi me sukses edicionin e dytë të Testit Provues të Arritshmërisë, me mbi 1,500 nxënës të klasave të 9-ta nga e gjithë Kosova që morën pjesë. Ky test, i vetmi i këtij lloji në vend, ka për qëllim vlerësimin gjithëpërfshirës të njohurive të nxënësve dhe do t’u ofrojë atyre që kanë sukses mundësinë për të fituar bursa shkollimi nga 25% deri në 100% në UBT International Smart Schools.

Testi u zhvillua online dhe pa pagesë, duke mundësuar pjesëmarrje të lehtë nga çdo vend. Ai u nda në katër pjesë kryesore:

  • Gjuhët dhe Komunikimi – Gjuhë Shqipe dhe Gjuhë Angleze
  • Shkencat e Natyrës – Biologji, Kimi dhe Fizikë
  • Shkencat Shoqërore – Histori dhe Gjeografi
  • Matematika dhe Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK)

Ky test provues ishte një mundësi unike për nxënësit që të testojnë njohuritë e tyre dhe të hapin rrugën drejt një arsimi cilësor, inovativ dhe ndërkombëtar. Pjesëmarrja rekord e mbi 1,500 nxënësve tregon interesin e madh të të rinjve për të zhvilluar potencialin e tyre akademik dhe për të përfituar nga mundësitë e bursave të ofruara.

UBT International Smart Schools falënderon të gjithë nxënësit dhe prindërit për besimin dhe pjesëmarrjen, duke theksuar se përkushtimi ndaj arsimit dhe inovacionit mbetet prioritet kryesor i institucionit.

Për më shumë informacione mbi programet dhe mundësitë e tjera të UBT International Smart Schools, mund të kontaktoni në 046 332 233.

Continue Reading

Lajmet

Fatlume Bunjaku nderohet me çmimin “European Shooting Star” në Berlinale

Published

on

By

Aktorja shqiptare nga Kosova, Fatlume Bunjaku, është shpallur fituese e çmimit prestigjioz European Shooting Stars në kuadër të Berlinale, duke shënuar një arritje të jashtëzakonshme për kinematografinë shqiptare dhe atë ballkanike në skenën ndërkombëtare. Ky program, i organizuar çdo vit nga European Film Promotion në bashkëpunim me Berlinalen, konsiderohet një nga platformat më prestigjioze për promovimin e aktorëve evropianë me potencial për një karrierë ndërkombëtare të suksesshme.

Juria e këtij edicioni përbëhej nga emra të njohur të botës së filmit, përfshirë regjisorin fitues të Oscar-it, Danis Tanović, aktoren Danica Ćurčić, kritiken e filmit Leila Latif, regjisoren Jo Monteiro dhe producentin Jacques-Henri Bronckart. Sipas vlerësimit të tyre, Bunjaku lë një gjurmë të pashlyeshme te shikuesi, duke shfaqur një prezencë të fuqishme në ekran dhe një thellësi emocionale mbresëlënëse. Juria theksoi se talenti dhe angazhimi i saj e bëjnë atë një aktore me potencial të jashtëzakonshëm.

Përveç suksesit në film, Fatlume Bunjaku njihet edhe si profesoreshë në Fakultetin e Arteve Dramatike në UBT, ku ndan eksperiencën dhe pasionin e saj me studentët, duke i frymëzuar ata drejt karrierave në art dhe aktrim. Prania e saj si “Shooting Star” në Berlinale u cilësua si një moment historik jo vetëm për Kosovën dhe Shqipërinë, por për të gjithë rajonin e Ballkanit.

Gjatë ceremonisë, Bunjaku tërhoqi vëmendjen e agjentëve dhe regjisorëve ndërkombëtarë, jo vetëm për interpretimin e saj bindës, por edhe për qasjen modeste dhe të ngrohtë. Në fjalimin e saj, ajo bëri thirrje që industria globale e filmit të vlerësojë kineastët e Ballkanit, duke theksuar potencialin e madh të rajonit dhe nevojën për më shumë mundësi dhe bashkëpunime ndërkombëtare.

Aktorja u nominua në këtë program për filmin Hana, me regji nga Ujkan Hysaj, ku interpreton rolin suportues të Mrikës. Ky vlerësim i hap rrugë prezantimit të saj në një nga skenat më të rëndësishme të kinematografisë botërore dhe shënon një kapitull të ri krenarie për artin shqiptar në nivel evropian dhe global.

Continue Reading

Të kërkuara