Lajmet

​Koalicioni PDAK – LPB pretendon se Partia e Ashkalinjëve për Integrim ka orkestruar votat e diasporës

Published

on

Partia Demokratike e Ashkalinjëve të Kosovës-PDAK dhe Lëvizja për Bashkëveprim kanë dorëzuar kallëzim penal kundër Partisë së Ashkalinjëve për Integrim. Për këtë të fundit ata predentojnë ka orkestruar votat e diasporës. Në konferencë për media koalicioni i PDAK-LPB i kanë bërë thirrje organeve të drejtësisë që të merret me këtë çështje.

Kryetari i Partisë Demokratike të Ashkalinjëve të Kosovës, Qazim Rrahmani tha se bëhet fjalë për 500 deri në 700 vota.

“Pas datës 9 shkurt neve na kanë ardhur disa emaila, disa fakte, rivaliteti jonë politik- Partia e Ashkalinjëve për Integrim ka orkestruar vota të diasporës në grupe të organizuara, në grupe të caktuara ku kanë votuar një person për 50, 60 njerëz. Po ashtu, kanë marrë karta të identitetit, letërnjoftime, i kanë regjistruar vet si të tillë, i kanë marrë dëftesat e regjistrimit vet ato dhe po ashtu vet kanë votuar dhe vet i kanë paguar votat. Ne si koalicion PDAK dhe LPB jemi marrë qysh nga dita e marrjes së fakteve nga njerëzit, jemi marrë me këtë çështje dhe kemi dërguar lëndët tona, faktet tona në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Kemi dërguar ankesa në PZAP dhe në Gjykatën Supreme dhe rezultati i ngushtë i cili është mes PDAK LPB dhe PAI mund të bëjë deri në fund të rezultatit final, votat e diasporës mund ta ndryshojnë edhe vullnetin e qytetarëve ashkalinj”, deklaroi ai.

Ai kërkoi që votat e diasporës për këtë parti të anulohen dhe rezultati të jetë nga vullneti i qytetarëve ashkalinj të Kosovës.

“Unë jam deputet i Kuvendit të Kosovës me votat e sovranit, qytetarëve ashkalinj të Kosovës. Por, votat e diasporës të orkestruara mund ta ndryshojnë këtë rezultat. Andaj nga Prokuroria e Shtetit kërkojmë nga të gjitha organet e drejtësisë që të merren dhe të hetojnë këto fakte të cilat i kemi ofruar në prokurori dhe të merret drejtësia me këtë çështje. Përveç që kërkojmë hetim, kërkojmë edhe anulim të votave të diasporës të subjektit PAI për arsye se ka dëshmi, fakte dhe argumente të gjalla se janë të orkestruara”, shtoi ai.

Edhe kryetari i Lëvizjes për Bashkëveprim, Jeton Emini tha se historikisht në diasporë komuniteti ashkalinj nuk ka pasur shumë vota.

“Dua të theksoj që kanë organizuar në mënyrë sistematike prej periudhës së regjistrimit të votuesve që ka filluar në gusht e deri në dhjetor, në mënyrë sistematike kanë shkuar në diasporë dhe kanë bërë tubime të tipit të koncerteve dhe ju kanë marrë letërnjoftimin pjesëmarrësve aty. Në këtë rast kanë bërë regjistrimin e votuesve në pajisjet e tyre, telefonat celular dhe pajisje të tjera përcjellëse, në një mënyrë janë bërë pronarë të dëftesës që është si akt themeltar për të ushtruar të drejtën e votës…E kemi deponuar në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, në Prokurorinë Themelore në Prishtinë si dhe në Prokurorinë Speciale një kallëzim penal mbi bazën e asaj çka ne pretendojmë dhe çka dyshojmë sa i përket kundërshtarit politik”, deklaroi Emini.

Sipas tij, diaspora mund të jetë vendimtare sa i përket ndryshimit të rezultatit final.

“Kryetari i PAI, Etem Arifi kërkon nga qytetarët të rëndomtë, qytetarë të thjeshtë që nëpër rrjete sociale kërkon letërnjoftime në mënyrë që të bëjë regjistrimin e votuesve dhe kjo është edhe përmes videove. Dhe kjo mund të definohet qartë edhe nga hetuesit për shkak të vërtetësisë se çfarë ka ndodhur prej anës së PAI”, përfundoi ai.

Më 9 shkurt në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet e rregullta parlamentare, ku morën pjesë mbi 40% e qytetarëve me të drejtë vote.

Sipas rezultateve aktuale, në këto zgjedhje parlamentare partia fituese është Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativa me 40.90 %, pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës me 22.03 %, pasuar nga Lidhja Demokratike të Kosovës me 17.64 %. Koalicioni AAK-NISMA ka marr 7.46 % të votave, ndërsa Lista Serbe me 4.60%.

Vendi

Qeveria themelon Fondin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ndan 553 mijë euro për shëndetësi dhe teknologji

Published

on

By

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbrëmë mbledhjen e 22-të elektronike, në të cilën ka marrë disa vendime të rëndësishme në fushën e shëndetësisë dhe zhvillimit të inovacionit.

Në këtë mbledhje, Qeveria ka themeluar Fondin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor të Republikës së Kosovës, një mekanizëm i ri që synon përmirësimin dhe forcimin e sistemit të kujdesit shëndetësor në vend.

Po ashtu, është miratuar kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 400 mijë eurosh, për zbatimin e Marrëveshjes me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Në të njëjtën mbledhje, Qeveria ka ndarë edhe 153 mijë euro për mbështetjen e realizimit të tri eventeve në kuadër të “OctoberTech”, një iniciativë që bashkon ngjarjet më të mëdha të teknologjisë dhe inovacionit në Kosovë.

Sipas vendimeve të marra, këto masa synojnë forcimin e sektorit të shëndetësisë, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimit të ekosistemit të teknologjisë dhe inovacionit në vend.

Continue Reading

Vendi

Përurohet Muzeu i Masakrës në Mitrovicë, ruan gjurmët e krimit të vitit 1999

Published

on

Pas gati një dekade përpjekjesh, është përuruar Muzeu i Masakrës në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicë, në shtëpinë ku në prill të vitit 1999 forcat serbe vranë nëntë civilë shqiptarë.

Objekti, pronë e Mustafë Sahitit dhe i vendosur në territorin e Mitrovicës së Veriut, është shndërruar në një institucion kujtese me investim të Ministrisë së Kulturës në vlerë prej afro 150 mijë eurosh. Restaurimi është realizuar duke ruajtur gjendjen autentike të shtëpisë, ashtu siç kishte mbetur pas luftës, ndërsa tabelat përkujtimore me emrat e viktimave nuk janë prekur.

Ndërhyrjet kryesore janë bërë në hapësirat përreth objektit, me qëllim të sigurimit të qëndrueshmërisë dhe mbrojtjes së tij nga dëmtimet e kohës. Shtëpia tashmë është rrethuar me elemente mbrojtëse prej xhami dhe pajisje të tjera që garantojnë ruajtjen afatgjatë të saj.

Në ceremoninë e përurimit, kryeministri Albin Kurti tha se ky projekt përfaqëson një investim në kujtesën kolektive dhe edukimin e brezave të rinj.

“Ky projekt, në vlerë prej afro 150 mijë eurosh, në këtë vend të kujtesës, është investim në vetëdijen historike të shoqërisë sonë dhe në edukimin e brezave të rinj. Sepse pa të vërtetën nuk mund të ketë drejtësi të plotë, ndërsa pa drejtësi nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme”, deklaroi Kurti.

Përpjekjet për shndërrimin e kësaj shtëpie në muze kishin nisur vite më parë. Në vitin 2019, Komuna e Mitrovicës dhe organizata “Zëri i Prindërve” vendosën gurthemelin simbolik të projektit, në një ceremoni ku morën pjesë përfaqësues institucionalë, familjarë të viktimave dhe qytetarë.

Me këtë rast, ish-kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, kishte theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës për krimet e luftës, duke e cilësuar muajin prill si një nga periudhat më të dhimbshme në historinë e Kosovës.

Ndërkaq, ish-këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Jahja Lluka, kishte deklaruar se muzeu do të merrte formën që e meritojnë dëshmorët dhe martirët e kombit, ndërsa Bajram Çerkini, në atë kohë kryetar i Shoqatës së të Pagjeturve në Mitrovicë, kishte shprehur pakënaqësinë për mungesën e drejtësisë ndaj autorëve të krimit.

Përurimi i Muzeut të Masakrës në Mitrovicë vjen vetëm pak ditë pasi u përurua edhe shtëpia-muze e shkrimtarit Ymer Elshani në Korroticën e Poshtme të Drenasit. Elshani u vra së bashku me familjen e tij dhe 46 civilë të tjerë në Masakrën e Poklekut më 17 prill 1999.

Sipas Ministrisë së Kulturës, këto institucione të kujtesës shërbejnë si pika referimi për ruajtjen e së vërtetës historike dhe për edukimin e brezave të ardhshëm mbi krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Në ceremoninë e përurimit të shtëpisë-muze të Ymer Elshanit, kryeministri Kurti shprehu mirënjohje të veçantë për Teuta Elshanin, të vetmen të mbijetuar të familjes, e cila ka ruajtur me përkushtim kujtimet dhe sendet personale të familjarëve të vrarë.

Continue Reading

Vendi

MINT vazhdon ndëshkimet ndaj KEDS-it, 110 mijë euro gjoba për njehsorë me parregullsi

Published

on

By

Pas gjobave të shqiptuara edhe në javët e kaluara, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka njoftuar se ka vazhduar masat ndaj KEDS-it, duke i shqiptuar së fundmi gjoba në vlerë prej 110 mijë eurosh për shkak të parregullsive të evidentuara në njehsorët elektrikë të konsumatorëve.

Sipas njoftimit të ministrisë, gjatë muajit maj ka vazhduar verifikimi i njehsorëve të konsumatorëve që kanë paraqitur ankesa pranë Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Të dhënat e Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës tregojnë se nga verifikimet e realizuara, 18 njehsorë kanë rezultuar me afat të skaduar të validitetit, dy të tjerë me miratim tipi të tërhequr, ndërsa 30 njehsorë kanë pasur pasaktësi në datë dhe orë.

Bazuar në këto gjetje dhe në përputhje me Ligjin për Metrologjinë, Inspektorati Qendror i Tregut ka shqiptuar ndaj KEDS-it gjoba në vlerë totale prej 110 mijë eurosh.

Ministria bëri të ditur se raportet zyrtare të verifikimit janë dorëzuar edhe te KESCO, me qëllim që të bëhet kompensimi i konsumatorëve që mund të jenë dëmtuar nga këto parregullsi.

Sipas MINT-it, procesi i verifikimit të njehsorëve do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme, deri në trajtimin dhe shqyrtimin e plotë të të gjitha ankesave të paraqitura nga qytetarët.

Continue Reading

Lajmet

Diell, vranësira dhe reshje shiu sot në Kosovë

Published

on

By

Sipas njoftimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, gjatë ditës pritet shtim i vranësirave, të cilat mund të sjellin reshje shiu të shoqëruara me shkarkime rrufesh.

Në disa zona nuk përjashtohet mundësia e paraqitjes së breshrit.

Temperaturat minimale do të sillen ndërmjet 10 dhe 13 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të arrijnë nga 22 deri në 26 gradë Celsius.

“Era do të fryjë nga drejtimi verilindor me shpejtësi prej 1 deri në 12 metra në sekondë”, ka bërë të ditur IHMK.

Continue Reading

Të kërkuara