Lajmet

KMDLNj: Jemi kundër veprimit plaçkitës të MF-së për tatimin në pronë

KMDLNj ka përkrahur kërkesat të cilat i ka quajtur të drejta dhe të arsyeshme të qytetarëve.

Published

on

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka përkrahur kërkesat të cilat i ka quajtur të drejta dhe të arsyeshme të qytetarëve kundër rritjes jonormale të faturave të tatimit në pronë.

KMDLNj thotë se iu janë drejtuar shumë qytetarë pas vendimit që faturat e tatimit në pronë, krahasuar me vitin 2022, janë rritur deri më 120 përqind më shumë.

KMDLNj është shprehur kundër veprimit plaçkitës të Ministrisë së Financave për tatimin në pronë e që është në kundërshtim të plotë me gjendjen aktuale ekonomike për shumicën e qytetarëve të Kosovës

Reagim i KMDLNj – së:

TATIMI NË PRONË APO LEGALIZIMI I PRONËSISË SË SHTETIT MBI PLAÇKITJEN E QYTETARËVE !

KMDLNj- së, i janë drejtuar shumë qytetarë pas vendimit që faturat e tatimit në pronë, krahasuar me vitin 2022 janë rritur deri më 120 përqind më shumë. Pas këtij veprimi prej kusarëve të Ministrisë së Financave, komunat i kanë bërë publike faturat e tatimit për pronë për vitin 2023, duke u arsyetuar se përgjegjësia bie mbi Ministrinë për Finanaca që e paska bërë rivlerësimin e pronave dhe se komunat janë të detyruara të zbatojnë vendimin e kësaj ministrie ndonëse, gjithnjë sipas deklaratave të kryetarëve të komunave, ata nuk qenkan pajtuar me këtë vendim. Qytetari i Kosovës është futur në gërshërë midis dy mashtruesve, Ministrisë së Financave dhe komunave të cilët ua hedhin përgjegjësinë njëra – tjetrës deri sa faturat janë me shifra të papërballueshme për shumicen e qytetarëve të Kosovës. Ministria e Financave nuk e ka bërë as veprimin simbolik për t’ua lehtësuar gjendjen e rënduar ekonomike pjesës më të madhe të qytetarëve të Kosovës në kohën kur inflacioni ka kaluar 12 % kurse çmimet e artikujve të domosdoshëm elementarë për shumicën e qytetarëve të Kosovës janë rritur mbi 50 %. Të gjitha shërbimet janë rritur që nga sigurimet e automjeteve, karburantet, shërbimet bankare, shërbimet shëndetësore, çmimet e barnave, biletat në trafik kurse, në anën tjetër nuk kemi rritje të pagave, pensionet janë më të ulëta në rajon, asistenca sociale që ofron qeveria është simbolike, bizneset kanë falimentuar apo janë buzë falimentimit ndërsa përkrahen, një herë në vit me nga 50 euro të punësuarit në sektorin publik kurse dhunohen të drejtat e të punësuarve në sektorin privat duke mos u përkrahë asnjëherë dhe, së fundi, në vend se të ketë lehtësira për këtë gjendje të rënduar ekonomike të qytetarëve, Ministria e Financave, pandershërisht godet qytetarët duke ua dyfishuar faturat e tatimit në pronë. Qytetarët kundërligjshëm detyrohen që tatimin në pronë ku përfshihet periudha një vjeçare, ta shlyejnë në afatin nëntë mujor dhe, nëse vonoheni për t’i paguar faturat në afatet e parapara, atëherë do të gjobiteni me shumë 0.65 centë për një ditë dhe 10 % nga vlera e faturës së tatimit në pronë.

Tatimi në pronë sidomos ka treguar rritje jonormale në komunën e Prishtinës e cila edhe në fushat tjera ka krijuar mekanizma të kundërligjshëm për të plaçkitur qytetarët e Prishtinës dhe ata që e vizitojnë Prishtinën. Në Prishtinë vepron një njësi paramilitare që ishte formuar pa asnjë bazë ligjore nga qeveria paraprake komunale e quajtur “Prishtina Parking“ e cila, në kundërshtim të plotë me ligjin e merr rolin e inspektoriatit, të policisë së trafikut rrugor, të prokurorit dhe të gjykatësit ku, vet të dënon dhe vet të ekzekuton. Çmimet i kanë në nivel të kryeqendrave evropiane dhe botërore dhe kanë gllabëruar çdo hapësirë që janë të caktuara për qytetarët, madje edhe trotuaret ku kanë vendosur matësit e parkingut ndonëse me asgjë nuk ngjajnë një vendparkimi. Kjo dukuri është e theksuar sidomos në Dardani, Lagjen Bregu i Diellit dhe në Ulpianë ku edhe hapësirat për këmbësorë janë shndërruar në vendparkim. Pastaj, nëse qytetarët e Prishtinës janë të detyruar ta paguajnë tatimin enorm për pronë si dhe taksën rrugore, pse u dashka të paguajnë taksën për parkim për hapësirat që edhe ashtu tatimohen. Pastaj, çka ka investuar komuna e Prishtinës në këto hapësira që terrorizohen nga paramilitarët e Prishtina Parking për të vjelur një taksë ndëshkuese?!

KMDLNj –ë është kundër veprimit plaçkitës të Ministrisë së Financave për tatimin në pronë e që është në kundërshtim të plotë me gjendjen aktuale ekonomike për shumicën e qytetarëve të Kosovës sikur edhe kundër veprimeve arbitrare të Prishtina Parking që gjobit qytetarët e Prishtinës përtej mandatit që duhet ta kishte një kompani që ofron shërbime të kësaj natyre.

KMDLNj –ë përkrahë kërkesat e drejta dhe të arsyeshme të qytetarëve kundër rritjes jonormale të faturave të tatimit në pronë si dhe sjelljes arbitrare të Prishtina Parking dhe kërkon që urgjentisht të rishqyrtohet vendimi për rritje të tatimit në pronë.

Për këtë duhet të rritet aktivizmi qytetar i cili do të kërkonte nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që në një interpelancë të veçantë të kërkojnë sqarime nga MF për këtë rritje si dhe rikthimin e tatimit në gjendje të mëparshme për aq kohë sa do ta kemi këtë gjendje të rënduar ekonomike.

Në të njëjtën kohë ky aktivizëm qytetar, i munguar por se mund dhe duhet të aktivizohet, duhet të bëjë presion dhe kërkojë që asambleistët e Komunës së Prishtinës të trajtojnë rastin e Prishtina Parking duke i disiplinuar që të sillen në përputhje me ligjin dhe duke marrë në përgjegjësi ata që sollën këtë situatë.

Mirëpo, nëse nuk do të kishte asnjë ndryshim, atëherë qytetarët duhet të vetorganizohen dhe të kërkojnë realizimin e të drejtave njerëzore të tyre përmes mosbindjes qytetare dhe kundërshtimeve tjera si protesta paqësore, marshe paqësore e që zbatohen në të gjitha vendet demokratike.

lajme

Kurti pret në takim lamtumirës ambasadorin e BE-së, Aivo Orav

Published

on

By

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në një takim lamtumirës Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav.

Gjatë këtij takimi, kreu i qeverisë shprehu mirënjohje të thellë për angazhimin dhe shërbimin e diplomatit evropian në Kosovë, që nga marrja e detyrës së tij më 1 shtator 2024.

Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Orav për bashkëpunimin korrekt, duke vlerësuar se përgjatë mandatit të tij, raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian janë fuqizuar ndjeshëm, përkundër sfidave të shumta të periudhës.

Në mënyrë të veçantë, kryeministri potencoi përkushtimin e ambasadorit në procesin e lansimit të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, si një hap kyç në rrugëtimin integrues të vendit.

Më tej, në fokus të bisedës ishin hapat e radhës që priten nga Brukseli në raport me Prishtinën zyrtare. Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë që Bashkimi Evropian të vlerësojë progresin e arritur dhe të mundësojë marrjen e statusit të merituar të vendit kandidat për anëtarësim.

Në përmbyllje të takimit, Kurti i uroi ambasadorit Orav suksese në angazhimet e tij të ardhshme profesionale, duke e falënderuar sërish për kontributin e dhënë në avancimin e agjendës evropiane të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Interesim i jashtëzakonshëm për UBT International Smart Schools në Open Day – vazhdojnë regjistrimet e hershme

Published

on

By

Qindra nxënës dhe prindër nga e gjithë Kosova morën pjesë në aktivitetet Open Day të organizuara nga UBT International Smart Schools në kampusin e Lipjanit dhe në Gjimnazin TIK në Prizren, duke treguar interesim të jashtëzakonshëm për edukimin modern dhe inovativ.

Vizitorët patën mundësinë të eksplorojnë ambientet bashkëkohore të mësimit, të njihen me drejtimet arsimore dhe metodologjitë që ndërthurin teknologjinë dhe zhvillimin e aftësive praktike. Në të njëjtën kohë, u njoftua se regjistrimet e hershme tashmë janë hapur, duke i ofruar nxënësve mundësinë të sigurojnë vendin e tyre në drejtimet më inovative dhe të kërkuara.

Interesim i veçantë u shfaq edhe për metodologjinë moderne të mësimdhënies, e cila ndërthur njohuritë akademike me përdorimin e teknologjisë dhe aftësitë praktike të nevojshme për të ardhmen.

Pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësinë të marrin informacione rreth bursave që janë përfituar përmes Testit Provues të Arritshmërisë, si dhe për mundësitë e shumta që ofron ky institucion për zhvillimin personal dhe profesional të nxënësve.

Të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e UBT International Smart Schools, përmes platformës së aplikimit online: Linku i Aplikimit Online

Continue Reading

Vendi

Aksion kundër fajdesë në Prizren: Një i arrestuar dhe katër në kërkim për zhvatjen e mbi 1 milion eurove

Published

on

By

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka realizuar sot një operacion të gjerë policor të fokusuar në arrestimin e disa personave si të dyshuar për fajde, detyrim dhe privim të kundërligjshëm të lirisë.

Gjatë këtij aksioni, i cili përfshiu kontrolle në pesë lokacione të ndryshme në qytetin e Prizrenit, është arrestuar një person me inicialet B.K., ndërsa katër të dyshuar të tjerë (GJ.K., E.K., E.K. dhe E.R.) ndodhen ende në kërkim policor.

Sipas hetimeve të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, ky grup dyshohet se ka shkaktuar një dëm fillestar prej rreth 700,000 eurosh ndaj viktimës, duke kërkuar edhe 450,000 euro të tjera në emër të kamatave të larta.

Në komunikatën zyrtarë thuhet se: “Të dyshuarit në mënyrë të vazhdueshme kanë detyruar viktimën të paguajë shuma të ndryshme parash si interes për fajde, duke përdorur forma të ndryshme të presionit dhe dhunës. Po ashtu, ata dyshohet se në raste të caktuara e kanë privuar viktimën edhe nga liria, me qëllim që ta detyrojnë të paguajë kamata të larta të fajdesë”.

Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj të arrestuarit është lëshuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërkohë që operacioni për lokalizimin e personave të tjerë po vazhdon me intensitet të lartë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se: “Aktualisht po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të arrestimit të të dyshuarit dhe zbardhjes së plotë të rrethanave të ngjarjes”.

 

Continue Reading

Botë

Qeveria gjermane refuzon kërkesën e Trump-it

Published

on

By

Qeveria gjermane ka hedhur poshtë kërkesat e Presidentit të SHBA-së për mbështetjen e aleatëve të NATO-s në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit gjatë luftës në Lindjen e Mesme.

“Kjo luftë nuk ka të bëjë fare me NATO-n. Kjo nuk është lufta e NATO-s”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë, Stefan Kornelius, në Berlin, raporton gazeta gjermane Bild.

Ai shtoi se aleanca është krijuar për mbrojtjen e territorit të vendeve anëtare dhe se aktualisht mungon një mandat për angazhimin e NATO-s në këtë rajon.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Ministri i Jashtëm, Johann Wadephul (63, CDU). Duke pasur parasysh vazhdimin e luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, Wadephul shtoi se kjo pyetje nuk shtrohet “në këtë moment”.

“Ne duam fillimisht të dëgjojmë nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës se kur synojnë t’i arrijnë objektivat e tyre ushtarake në Iran”, tha Ministri i Jashtëm.

Sipas tij, vetëm pas kësaj, në një fazë tjetër, mund të definohet “një arkitekturë sigurie për të gjithë këtë rajon”.

Trump: Mund të jetë “shumë keq për të ardhmen e NATO-s”

Presidenti i SHBA-së kishte deklaruar në një intervistë për Financial Times se NATO do të përballet me një të ardhme të zymtë nëse partnerët e SHBA-së nuk ndihmojnë.

“Nëse nuk do të ketë reagim, ose nëse reagimi do të jetë negativ, mendoj se kjo do të jetë shumë keq për të ardhmen e NATO-s”, citohet të ketë thënë Trump.

I pyetur për këto kërcënime të Trump-it, zëdhënësi Kornelius u mjaftua duke thënë: “Ne i kemi marrë parasysh këto deklarata”.

Trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë jetike për transportin ndërkombëtar të naftës dhe gazit të lëngshëm, praktikisht është bllokuar për shkak të luftës dhe kërcënimit të sulmeve iraniane. /Bild/

 

Continue Reading

Të kërkuara