Lajmet

​Kjo është thirrja e punëtorëve të RTK-së karshi Kurtit

Published

on

Punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) nga sot kanë nisur grevën e përgjithshme dyorëshe për shkak të mosmarrjes së pagave. Përfaqësuesit sindikalë të RTK-së i bëjnë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të ndërmarrë veprime të menjëhershme ligjore dhe të gjejë zgjidhje për t’i siguruar buxhetin RTK-së. Në të kundërtën, ata thanë se do t’i ashpërsojnë masat, mes tjerash edhe bojkotimin e fushatës elektorale për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, si dhe mos­përcjelljen e aktiviteteve politike.

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, Gëzim Bimbashi, tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duhet t’i sigurojë buxhetin RTK-së, pasi ka zgjidhje ligjore për një gjë të tillë. 

Prej sot jemi në grevë dyorëshe. Ne herët kemi hyrë në edicion të lajmeve, në vendin e punës tonë ku punojmë çdo ditë, për me shpreh pakënaqësinë tonë. Po hyjmë në muajin e dytë pa asnjë sinjal nga askush, andaj injorimi i kërkesave tona na ka sjellë deri këtu. Na kanë injoruar kërkesat si sindikatë dhe i kemi bërë thirrje më herët Kuvendit, por u shpërnda Kuvendi. Tash po bëjmë thirrje te qeveria, te kryeministri Kurti. I bëjmë thirrje kryeministrit Kurti që të ndërmarrë veprime të menjëhershme ligjore dhe të gjejë zgjidhje, pasi ka zgjidhje ligjore. Gjatë kësaj kohe unë kam takuar avokatë dhe njohës të ligjit dhe më janë prezantuar disa nga format që qeveria mund t’i ndërmarrë shumë shpejt dhe nuk bien në kundërshtim me ligjin. Prandaj kjo mbetet në vullnetin e qeverisë dhe kryeministrit Kurti për të gjetur ndonjë zgjidhje”, tha ai.

Në të kundërtën, Bimbashi tha se do t’i ashpërsojnë masat, madje do të bojkotojnë të gjitha aktivitetet politike si dhe fushatën elektorale.

Në fund të kësaj jave do t’ju njoftojmë për masat e tjera. Fillimisht kemi shkuar me grevë dyorëshe dhe nga fundi i javës do të dalim me qëndrime për të vazhduar tutje. Greva nuk do të ndalet dhe do të vazhdojë çdo ditë. Ne, nëse nuk bëhet një zgjidhje, do të kërkojmë që të pezullohet mbulimi i fushatës elektorale, jo prej qejfit dhe dëshirës”, shtoi Bimbashi.

Në anën tjetër, kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, tha se situata e RTK-së është e paprecedent dhe e papranueshme për AGK-në. Duke shprehur përkrahjen ndaj grevës së RTK-së, ai tha se sigurimi i buxhetit për RTK-në është në dorën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati.

Ai bëri thirrje që të ndalohet presioni politik dhe financiar ndaj RTK-së.

Kjo është një situatë e paprecedent dhe e papranueshme për transmetuesin publik. Ne e përkrahim grevën e sotme, përkrahim edhe masat e tjera në të ardhmen që sindikata mund t’i marrë, siç u përmend edhe bojkotimi i fushatës zgjedhore që do të ishte hapi minimal i ngjarjeve politike. Si AGK, që e kemi thënë edhe të kaluarën, ka vetëm një adresë të përgjegjësisë që është Qeveria e Kosovës. Gjithçka është në dorën e kryeministrit Kurti dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati. Tashmë kanë edhe një përparësi për të ndërmarrë hapa pasi nuk janë ligjërisht deputetë të Kuvendit të Kosovës, janë vetëm kryeministër në detyrë dhe ministër në detyrë. Një argument më shumë për të marrë një vendim dhe për të ndarë buxhetin për tre muaj”, theksoi ai.

Sindikatat paralajmërojnë se greva do të vazhdojë deri në alokimin e buxhetit për RTK-në dhe, përveç grevës, do të organizojnë edhe protestë para Qeverisë dhe Kuvendit ditët në vijim. Në mungesë të pagave dhe zgjidhjes institucionale, sipas tyre rrezikohet funksionimi i programeve dhe misioni publik i transmetuesit të vetëm në vend.

Rajoni

UBT në qendër të artit bashkëkohor: Ekspozitë me karakter ndërkombëtar në Austri në kuadër të Ditëve të Artit dhe Dizajnit

Published

on

By

Në kuadër të Ditëve të Artit dhe Dizajnit në UBT, është prezantuar një ekspozitë me karakter ndërkombëtar, e realizuar në Boden, Tirol të Austrisë, si pjesë e festivalit Mediafrische, në bashkëpunim me UBT.

Ekspozita vjen si rezultat i bashkëpunimit artistik ndërmjet profesorëve të UBT-së, Uran Krasniqit dhe Besfort Salihut, duke sjellë një qasje bashkëkohore që ndërthur artin, dizajnin dhe hulumtimin urban.

Ekspozita përbëhet nga dy projekte qendrore me koncept të thellë kritik dhe reflektues:

Projekti “Wear your city (Collective memory of Prishtina)” përfaqëson një hulumtim vizual dhe konceptual mbi arkitekturën e zhdukur dhe simbolet urbane të fshirë të Prishtinës. Përmes këtij projekti dokumentohet memoria kolektive e qytetit, duke i transformuar objektet dhe hapësirat e humbura në një narrativë artistike mbi identitetin urban dhe kujtesën historike.

Ndërkohë, projekti “Truth Absorbed” trajton temën e mjegullimit të së vërtetës në epokën bashkëkohore, duke reflektuar mbi mënyrën se si qytetari përballet me një realitet të transformuar, të fragmentuar dhe shpesh të paqartë në kontekstin e shoqërisë moderne.

Pjesëmarrja e studentëve dhe artistëve të lidhur me UBT-në në një festival ndërkombëtar si Mediafrische në Austri, dëshmon angazhimin e institucionit për ndërkombëtarizimin e artit dhe dizajnit, si dhe për krijimin e platformave ku talentet e reja mund të shprehin idetë e tyre në skenën globale.

Ky aktivitet konfirmon edhe një herë rolin e UBT-së si një qendër e rëndësishme e kreativitetit, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e artit dhe dizajnit bashkëkohor.

Continue Reading

Vendi

Profesori i UBT-së, Arian Kadriu pjesë e një publikimi shkencor në Fondazione Machiavelli mbi misionet e paqes

Published

on

By

Profesori i UBT-së dhe Prodekan i Fakultetit të Studimeve të Sigurisë, Arian Kadriu, ka publikuar një punim shkencor në bashkautori me gjeneralin Giuseppe Morabito, të titulluar “Gli italiani nella KFOR in Kosovo: un modello per le missioni di pace”, i botuar në Fondazione Machiavelli.

Punimi analizon rolin e misionit të KFOR-it në Kosovë pas luftës së vitit 1999, me fokus të veçantë kontributin e Italisë në operacionet e paqes, stabilitetit dhe rindërtimit institucional në Kosovë. Studimi trajton gjithashtu dimensionin civil-ushtarak (CIMIC), si dhe rëndësinë e bashkëpunimit me komunitetet lokale në ndërtimin e besimit dhe sigurisë afatgjatë.

Autori thekson se modeli italian në kuadër të KFOR-it paraqet një qasje të suksesshme të ndërthurjes së forcës ushtarake me ndjeshmërinë humanitare dhe bashkëpunimin civil, duke ofruar një shembull të rëndësishëm për misionet paqeruajtëse në të ardhmen.

Pjesëmarrja dhe kontributi akademik i Prof. Arian Kadriut në këtë publikim ndërkombëtar dëshmon angazhimin e tij në fushën e studimeve të sigurisë dhe rolin aktiv të UBT-së në debatet shkencore globale mbi paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Continue Reading

Vendi

Ekzekutohen shtesat prej 100 eurosh për punëtorët e sektorit privat

Published

on

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se janë ekzekutuar pagesat prej 100 eurosh për punëtorët e sektorit privat që kanë përmbushur kriteret për përfitim.

Sipas Muratit, mbështetja është realizuar në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0 dhe përfshin punëtorët me të ardhura mujore bruto deri në 1.000 euro.

Ai bëri të ditur se për këtë masë janë ndarë rreth 25 milionë euro nga buxheti i shtetit.

Ndërkohë, sa i përket mbështetjes për studentët, Murati tha se komisioni vlerësues është duke vazhduar punën dhe se listat e përfituesve do të publikohen sapo të jenë gati për ekzekutim.

Sipas të dhënave zyrtare, kostoja totale e shtesave prej 100 eurosh të miratuara nga Qeveria arrin në 105 milionë euro, duke përfshirë përfituesit e skemave sociale, fëmijët dhe studentët.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Prokuroria trajtoi mbi 1.100 raste korrupsioni gjatë vitit 2025

Published

on

Prokurori i Shtetit ka trajtuar gjatë vitit 2025 gjithsej 1.191 raste të korrupsionit, prej të cilave ka arritur të zgjidhë 903 raste, u bë e ditur në raportin vjetor të prezantuar nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj.

Gjatë prezantimit të raportit në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Qalaj bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar Prokuroria ka pranuar 45.295 kallëzime penale dhe ka zgjidhur 42.123 prej tyre.

Sipas raportit, Prokurori i Shtetit ka trajtuar edhe raste të krimeve ekonomike, krimit të organizuar, terrorizmit, trafikimit me qenie njerëzore dhe dhunës në familje.

Në fushën e krimeve ekonomike janë zgjidhur 420 raste, ndërsa gjatë vitit 2025 janë sekuestruar pasuri në vlerë mbi 64 milionë euro. Po ashtu, janë trajtuar 102 raste të krimit të organizuar dhe 28 raste të terrorizmit.

Raporti tregon gjithashtu se gjatë vitit të kaluar janë evidentuar 3.975 raste të dhunës në familje, ndërsa gjykatat kanë nxjerrë 1.930 vendime fajësuese për rastet e proceduara nga Prokuroria.

Sipas të dhënave të prezantuara, Prokuroria ka vazhduar t’i kushtojë rëndësi luftimit të korrupsionit dhe krimeve të tjera që cenojnë rendin dhe sigurinë publike në vend.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara