Lajmet

Kina dhe Rusia po testojnë kufijtë e fuqisë së BE-së

Qeveria lituaneze është dënuar nga Kina për përmirësimin e marrëdhënieve të saj me Tajvanin.

Published

on

Nga Gideon Rachman, Financial Times

A janë europianët të dënuar të kalojnë shekullin e 21-të duke u ndikuar nga fuqitë e huaja? Brukseli,  beson se fuqia kolektive e BE-së është e vetmja mënyrë për të shpëtuar kontinentin e vjetër nga ky fat.

Megjithëse asnjë vend i vetëm europian nuk mund tia dalë i vetë me Amerikën apo Kinën, dhe BE-ja së bashku me këto dy vende renditet si një nga tre ekonomitë më të mëdha në botë. Por ideja se pesha ekonomike e BE-së mund të shndërrohet lehtësisht në fuqi gjeopolitike po i nënshtrohet një kontrolli brutal të realitetit.

Kriza e Ukrainës e ka lënë mënjanë BE-në . Ndërkohë Kina ka vendosur sanksione jozyrtare ekonomike ndaj Lituanisë, një anëtare e BE-së dhe Brukseli po përpiqet të gjejë një përgjigje të përshtatshme.

Nëse gjërat shkojnë keq për BE-në gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm, diskutimet për një Europë “gjeopolitike” do të tingëllojnë gjithnjë e më qesharake. Por gjithashtu ekziston mundësia që krizat aktuale, veçanërisht sfida lituaneze të çojnë në një hap përpara në aftësinë e BE-së për të mbrojtur interesat e saj në arenën globale, raporton abcnews.al

Kriza mbi Ukrainën është një çështje lufte dhe paqeje në kontinentin europian, kështu që disa zyrtarë të BE-së ndihen të poshtëruar që nuk morën pjesë drejtpërdrejt në negociatat e fundit. Megjithatë, nuk duhet të jetë një surprizë e madhe që Brukseli u mënjanua. BE-ja nuk është një fuqi ushtarake dhe mund të mos jetë kurrë. Dhe Ukraina nuk është anëtare e BE-së.

Përkundrazi, Lituania është një nga 27 vendet anëtare të BE-së. Ajo është gjithashtu e përfshirë në një mosmarrëveshje tregtare dhe tregtia është një nga fushat e pakta ku BE-ja është tashmë një peshë e rëndë globale.

Pra, europianët kanë një mundësi dhe një detyrim për të për të reaguar së bashku.

Qeveria lituaneze është dënuar nga Kina për përmirësimin e marrëdhënieve të saj me Tajvanin, një ishull demokratik vetëqeverisës që Pekini këmbëngul se është një provincë rebele. Si përgjigje, Pekini ka aplikuar metoda që Gabrielius Landsbergis, ministri i jashtëm lituanez, i krahason me “Inkuizicionin spanjoll”.

Kina nuk po bllokon vetëm tregtinë me Lituaninë. Gjithashtu po bllokon të gjitha produktet që përmbajnë komponentë të prodhuar në Lituani, duke shkaktuar një problem për investitorët e huaj në vend. Pekini ka zgjedhur një taktikë të zgjuar. Investitorët gjermanë në Lituani po i kërkojnë qeverisë të tërhiqet, ndërsa sondazhet sugjerojnë se opinioni publik lituanez është kthyer kundër Tajvanit.

Por politika e Kinës përmban gjithashtu rreziqe që Pekini mund të mos i ketë llogaritur plotësisht. Duke synuar zinxhirin e furnizimit të BE-së, kinezët po synojnë integritetin e tregut të vetëm europian, i cili është qendror për ekonominë dhe aspiratat strategjike të BE-së. Siç shprehet Janka Oertel nga Këshilli Europian për Marrëdhëniet me Jashtë: “Duke europianizuar problemin, Kina e ka kthyer këtë në një provë për të gjithë BE-në”.

Kjo nuk është vetëm një çështje teorike. Disa europianë kanë frikë se vendi i ardhshëm në synimet e Kinës do të jetë Republika Çeke, qeveria dhe politikanët e së cilës kanë qenë gjithashtu miqësore ndaj Tajvanit, raporton abcnews.al

Fabrikat çeke luajnë një rol kryesor në zinxhirin e furnizimit të BE-së, kështu që synimi i komponentëve të prodhimit çek mund të krijojë kaos brenda tregut të vetëm. Disa politikanë europianë janë të irrituar që lituanezët kanë vepruar pa u konsultuar me pjesën tjetër të BE-së. Por lituanezët nuk e kanë kthyer politikën e BE-së “një Kinë”.

Dhe mbështetja për demokracinë dhe mbrojtja e kombeve të vogla duhet të jenë vlerat thelbësore europiane. Zyrtarët e BE-së kanë premtuar mbështetje dhe solidaritet për Lituaninë. Me siguri do të diskutohet një çështje kundër Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë, por mund të duhen vite që të realizohet.

Pra, në vend të kësaj, francezët, të cilët aktualisht mbajnë presidencën e BE-së, po kërkojnë të përshpejtojnë miratimin e legjislacionit kundër masa shtrenguese. Kjo do t’i lejonte BE-së të hakmerrej kundër masave shtrënguese tregtare, nga Kina apo çdo vend tjetër, me një sërë masash që mund të përfshijnë bllokime mbi investimet dhe tarifat.

E veçanta e këtyre  masave për sa i përket Brukselit, është se janë masa tregtare. Ndryshe nga çështjet e thjeshta të politikës së jashtme, të cilat kërkojnë unanimitet, vendimet për tregtinë mund të merren me shumicë votash, raporton abcnews.al

Kjo do të nënkuptonte se miqtë e Kinës brenda BE-së – veçanërisht Hungaria dhe Greqia  nuk do të ishin në gjendje të parandalonin miratimin e legjislacionit kundër shtrëngimit ose vendosjen e tij. Reinhard Bütikofer, një anëtar me ndikim i Parlamentit Europian, i cili është sanksionuar personalisht nga Kina, beson se kriza e Lituanisë mund të çojë në një hap përpara në aftësinë e Europës për të projektuar fuqi.

Sipas tij: “Ndërlidhja midis tregtisë dhe politikës së jashtme na lejon të përdorim politikën tregtare për një ndjekje më efektive të politikës së jashtme”.

Por proceset legjislative të BE-së janë komplekse, duke e bërë të pamundur që masat të miratohen para verës. Deri atëherë Lituania mund të jetë detyruar të tërhiqet. Për interesat e tyre, europianët duhet ta ndalojnë këtë.

Nëse Kina ia del me sukses me Lituaninë, ndërsa BE-ja vetëm e shikon pa mundur të bëjë asgjë, diçka e tillë do të ndikojë vetëm në Pekin, por edhe në Moskë dhe Uashington.

Continue Reading

Lajmet

Rektori Hajrizi diskuton për rolin e AI-së në edukim dhe inovacion në AI4Youth

Published

on

By

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë në aktivitetin “AI4Youth: From Learning to Building”, në kuadër të panelit “Empowering the Next Generation of AI Innovators”, të organizuar me ftesë të The Foundation House, ku u diskutua roli i inteligjencës artificiale në edukim dhe përgatitjen e të rinjve për profesionet e së ardhmes.

Duke sjellë perspektivën e arsimit të lartë dhe inovacionit, Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë e kalimit nga mësimi i inteligjencës artificiale te përdorimi i saj për krijimin e zgjidhjeve konkrete, duke nënvizuar rolin që universitetet duhet të kenë në këtë transformim.

Në këtë kontekst, UBT është institucioni i parë në rajon që ka implementuar një ekosistem të integruar të inteligjencës artificiale në edukim dhe fusha të tjera, duke e shtrirë përdorimin e AI-së në mënyrë gjithëpërfshirëse në mësimdhënie, kërkim, inovacion dhe proceset universitare.

AI4Youth është një program që synon fuqizimin e të rinjve përmes zhvillimit të njohurive dhe aftësive në inteligjencën artificiale, teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, si dhe zhvillimin e aplikacioneve, duke i orientuar ata nga të mësuarit drejt krijimit të zgjidhjeve konkrete.

Continue Reading

Lajmet

248 kandidatë certifikohen pas përfundimit me sukses të Provimit të Jurisprudencës

Published

on

Ministria e Drejtësisë ka certifikuar 248 kandidatë të cilët kanë përfunduar me sukses Provimin e Jurisprudencës.

Certifikatat u ndanë sot në një ceremoni zyrtare të organizuar nga Ministria e Drejtësisë, ku të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve, anëtarë të Komisionit të Provimit të Jurisprudencës, stafi i ministrisë dhe familjarë të kandidatëve.

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, i uroi kandidatët për përfundimin me sukses të kësaj etape të rëndësishme në rrugëtimin e tyre profesional.

“Pas këtij numri fshihen vite të tëra shkollim, muaj e muaj përgatitje, shumë punë, sakrificë, por edhe pritje. Familje që kanë pritur dhe sakrifikuar së bashku me ju. Plane për karrierën dhe për të ardhmen”, u shpreh Gërvalla.

Ajo theksoi se certifikimi sjell edhe përgjegjësi të reja për profesionistët e rinj të drejtësisë.

“Të jesh profesionist ligjor nuk do të thotë vetëm ta njohësh ligjin. Do të thotë ta kesh guximin ta mbrosh ligjin. Të mos bësh kompromis me padrejtësinë. Të mos e përdorësh profesionin për privilegj, por vetëm për drejtësi”, tha ministrja.

Gërvalla tha se Republika e Kosovës ka nevojë për profesionistë që besojnë në ligj dhe që nuk dorëzohen përballë presionit, interesit apo padrejtësisë.

“Sot ju festoni një sukses shumë të merituar. Mbajeni këtë sukses me krenari, por mbani gjithmonë edhe përgjegjësinë që vjen me të, sepse drejtësia kërkohet pikërisht me ju”, deklaroi ajo.

Ministrja bëri të ditur se Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë punën për modernizimin e Provimit të Jurisprudencës përmes digjitalizimit dhe procedurave më efikase, transparente dhe të qasshme.

Sipas Gërvallës, në këtë afat Provimin e Jurisprudencës e kanë kaluar shumëfish më shumë kandidatë sesa në afatet e mëparshme, gjë që, sipas saj, dëshmon potencialin e brezit të ri të juristëve në Kosovë.

Me këtë rast, ajo falënderoi kryesuesin e Komisionit, Arian Gashi, anëtarët e tjerë të Komisionit dhe stafin e Ministrisë së Drejtësisë për angazhimin në mbarëvajtjen e procesit.

Në ceremoni morën pjesë edhe zëvendësministri i Drejtësisë në detyrë, Genc Nimoni, kryetari dhe anëtarët e Komisionit të Provimit të Jurisprudencës, stafi i Ministrisë së Drejtësisë dhe familjarët e kandidatëve të certifikuar./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Gjini: Dështimi i konstituimit po bëhet për të shkuar në zgjedhje më 27 dhjetor

Published

on

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka deklaruar se dështimi i së mërkurës për konstituimin e Kuvendit ka ndodhur, sipas tij, me qëllim që procesi të zvarritet përtej 13 shtatorit dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme më 27 dhjetor.

Në një konferencë për media pas seancës konstituive, e cila pritet të vazhdojë të premten, Gjini e ka cilësuar zhvillimin e sotëm si “maskaradë për të blerë kohë”.

Ai ka thënë se Albin Kurti, me apo pa koordinim me Listën Serbe, po e zhvillon agjendën e tij politike në mënyrën që i konvenon.

“Kushedi për të satën herë, me apo pa koordinim Lista Srpska ndihmon që Albin Kurti të zhvillojë agjendën e vet ashtu siç i konvenon. Kjo që ka ndodhur sot është maskaradë për të blerë kohë, të zvarritet krijimi i institucioneve të Kosovës”, ka thënë Gjini.

Sipas tij, synimi është që të arrihet data 13 shtator, pas së cilës, sipas llogaritjeve të tij, mund të krijohen kushtet për zgjedhje më 27 dhjetor.

Gjini ka pretenduar se kjo datë mund të jetë e favorshme për Lëvizjen Vetëvendosje për shkak të pjesëmarrjes më të madhe të diasporës në votime.

Ai ka kritikuar gjendjen në vend, duke thënë se qytetarët në Kosovë kanë humbur besimin te pushteti dhe se zgjedhja e 27 dhjetorit lidhet me synimin për të kompensuar votat e humbura brenda vendit përmes votës së mërgimtarëve.

Ndërkaq, Gjini ka bërë të ditur se Aleanca nuk do të marrë pjesë as në vazhdimin e seancës së premtes.

“Në seancën e të premtes nuk do të marrim pjesë. Nuk mund të marrim pjesë sepse është e jashtëligjshme, jashtëkushtetuese. Është farsë. Nuk ka për qëllim themelimin e institucioneve”, ka deklaruar ai.

Gjini ka përsëritur se, sipas tij, qëllimi i zvarritjes së procesit është arritja e datës 13 shtator dhe krijimi i mundësisë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja më 27 dhjetor./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kurti kërkon takim me Abdixhikun dhe Hamzën për nënkryetarët e Kuvendit

Published

on

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, bëri të ditur se ka kontaktuar kryetarët e LDK-së dhe PDK-së për t’u takuar dhe arritur dakordim për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës.

Kurti tha se për përmbylljen e procesit të konstituimit të Kuvendit duhet të zgjidhen edhe nënkryetarët.

“Që të përmbyllet me sukses të plotë, duhet të zgjidhen edhe nënkryetarët, e për këtë nevojitet dakordim. Unë tashmë jam në kontakt, përveçse me kryetarin e LDK-së, gjithashtu i kam shkruar edhe atij të PDK-së që të takohemi dhe në këtë mënyrë të kemi dakordim. Le të jemi pozitivë e konstruktivë”, tha Kurti.

Ai komentoi edhe deklaratën e deputetit të Listës Serbe, Igor Simiq, i cili gjatë propozimit të Sllavko Simiqit për nënkryetar të Kuvendit tha se këtë e bënte “në emër të popullit serb”.

Sipas Kurtit, një formulim i tillë nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me betimin e deputetit.

“Siç e tha edhe kryetarja e Kuvendit, deklarata e përfaqësuesit të Listës Serbe ishte në shpërputhje me kushtetutshmërinë e Kosovës, me betimin që ai vetë e ka bërë dhe për mua ishte e çuditshme pse ai nuk e lexoi saktësisht siç e ka deponuar me shkrim propozimin për Sllavko Simiqin. Dikush nga grupi parlamentar tha që kjo mund të jetë edhe në kuadër të euforisë së tij nga varrimi i Ratko Mladiqit, i komandantit që masakroi boshnjakët. Nuk mund të votohet në Kuvend ai lloj propozimi që u deklarua, vetëm ai me shkrim”, tha Kurti./Kosovapress/

Continue Reading

Të kërkuara