Kulturë

Kid Cudi nuk shqetësohet nga kritikat që mori për veshjen e fustanit me lule

Published

on

Kid Cudi shtangu të gjithë kur doli në skenë dhe performoi me një fustan pranveror me lule të shtunën në mbrëmje dhe falë Kurt Cobain, reperi e hartoi këtë ide vite më parë.

Këngëtari i ndjerë i grupit Nirvana kishte veshur një fustan të stilit të ngjashëm në 1993 në kopertinën e revistës The Face.

“Imazhi i Kurt Cobain me një fustan ishte shumë rock ‘n’ roll për mua,” tha Cudi. “Kjo ishte e mrekullueshme. Kështu që unë tashmë e mbaja mendjen time vite më parë që doja ta bëja këtë. Dhe është interesante sepse unë gjithashtu u jap besim fëmijëve dhe duke u thënë atyre të jenë vetja dhe të bëjnë atë që duan të bëjnë”.

Cudi u kritikua nga disa për zgjedhjen e veshjeve të tij pas paraqitjes së tij në SNL. Por ai ka gjetur një mënyrë për t’u përballur me atë.

“Hmm, pyes veten pse ata ndihen kështu?”, tha Cudi në emision. “Unë kurrë nuk kam qenë dikush që, mendoj, për reagimet e ashpëra” shtoi ai. “Nuk më intereson se çfarë mendon dikush. E dija që do të tërbonte disa njerëz, por unë e dua këtë”.

Megjithatë ai tregoi haptas se nuk u shqetësua nga kritikat dhe ofendimet. Në vend të kësaj, ai i përqeshi ato.

“Unë tashmë kam parë njerëz që bëjnë video në YouTube, ku ata thjesht flasin rreptësisht për mua dhe këtë veshje, prej tyre burra të rritur, të zemëruar, burra të rritur me ngjyrë, të zemëruar…”

“Ai po bën diçka kundër burrave dhe maskilizmit, është një gjë e madhe që po ndodh’…dhe unë thjesht them, ‘Kjo është shumë qesharake, kjo është e çmendur që e kam nxitur kështu!”, përfundoi reperi.

(Përktheu dhe përshtati UBT News)

Kulturë

50 histori që frymëzojnë – festivali “Art Without Limit” ndriçon shpresën

Published

on

Festival, i dedikuar personave me nevoja të veçanta, ka hapur edicionin e gjashtë në kinemanë “Armata” me 50 filma nga e gjithë bota.

Rrëfimi kryesor sivjet është dokumentari i shkurtër “Sara”, që sjell historinë frymëzuese të futbollistes së re Sara Bulliqi, e cila ka lindur pa njërën dorë dhe sfidat i ka shndërruar në forcë.

Organizatorët theksojnë se festivali mbetet i përkushtuar te temat e aftësive të kufizuara dhe fuqizimit përmes artit.

Drejtoresha Ganimete Sava dhe drejtori artistik Burim Haliti theksuan rëndësinë e krijimit të filmave që tregojnë histori të tilla.

Programi treditor përfshin filma dokumentarë, dramë e animacion, ekspozitën “XR: Interaction without Limits” dhe ngjarjen përmbyllëse “Gratë që thyejnë kufizimet përmes artit”.

Festivali mbyllet më 3 dhjetor – Ditën Ndërkombëtare të Personave me Nevoja të Veçanta – me ceremoninë e çmimeve.

Në juri marrin pjesë edhe producentët danezë Kim Magnusson dhe Rebecca Pruzan, si dhe aktorja Igballe Qena. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Kulturë

Botohen veprat e Xhemail Mustafës, një jetë e përkushtuar për dijen dhe atdheun

Published

on

Në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë u promovua kompleti i veprave të Xhemail Mustafës (1953-2000) në pesë vëllime, botuar nga PEN-Qendra e Kosovës.

Ky komplet përfshin veprat: “Një lutje për Prishtinën”, “Mrekullia e shkrimit”, “Metafora e absurdit”, “Trumfi i mendjes” dhe “Iluzionet e politikës”, dhe është përgatitur nën kujdesin e bashkëpunëtorit të tij, Ibrahim Berisha.

Gjatë promovimit u diskutua për jetën dhe veprën e intelektualit Xhemail Mustafa, njohur si njeri i letrave, ndër iniciatorët dhe themeluesit e LDK-së, bashkëpunëtor i Presidentit Ibrahim Rugova, i cili u vra para shtëpisë së tij në Prishtinë para 25 vitesh.

Në panelin diskutues morën pjesë ish-Presidenti Fatmir Sejdiu, gazetari Avni Spahiu, profesori Sali Bashota, Ibrahim Berisha dhe Muhamet Hamiti, të cilët vlerësuan lart kontributin intelektual dhe veprimtarinë atdhetare të Mustafës.

Ibrahim Berisha theksoi se vepra e Xhemail Mustafës spikat për autenticitet, thellësi përmbajtësore dhe stil të qartë. Prof. Sali Bashota vuri në dukje rëndësinë e veprës “Një lutje për Prishtinën”, si një nga veprat më të rëndësishme për sfidat që ka përjetuar vendi.

Po ashtu, gazetari Avni Spahiu dhe profesori Muhamet Hamiti theksuan se vepra e Mustafës duhet të lexohet dhe rilexohet, duke reflektuar dimensionin e gjerë të krijimtarisë së tij intelektuale.

Përndryshe, Xhemail Mustafa ishte gazetar, publicist dhe këshilltar politik, një nga figurat më të shquara intelektuale shqiptare në Kosovë, dhe një ndër penat më të fuqishme të LDK-së. Ai u vra më 23 nëntor 2000 pranë banesës së tij në Prishtinë. /A.Z/Foto: Besnik Hamiti/UBT News/

 

Continue Reading

Kulturë

Orkestra “Amadeus” promovon Kosovën në skenat më të njohura botërore

Published

on

Orkestra “Amadeus” nga Prishtina ka konfirmuar pjesëmarrjen në dy festivale ndërkombëtare orkestrash që do të zhvillohen në Spanjë dhe Çeki gjatë vitit 2026.

Ky sukses vjen pas fitimit të Çmimit të Argjendtë dhe vendit të dytë në botë në një konkurs të mbajtur në Vjenë.

Nxënësit dhe të rinjtë do të përfaqësojnë Kosovën në skena evropiane, duke ndarë talentin e tyre me orkestrat më të mira nga e gjithë bota.

Orkestra thekson se pas çdo performancë qëndrojnë orë të gjata prove, përkushtim i prindërve, mësuesve dhe vetë nxënësve.

  Për të mundësuar pjesëmarrjen, Orkestra “Amadeus” bën thirrje për mbështetje nga institucionet shtetërore e komunale.

“Ftojmë të gjithë të bashkohen në këtë nismë, për t’u dhënë nxënësve tanë mundësinë të përfaqësojnë Kosovën në skenat evropiane,” thuhet në njoftimin e orkestrës. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Kulturë

Kultura dhe tradita në Pogradeci rikthen varietetet autoktone të rrushit

Published

on

Pogradeci po ringjall varietetet autoktone të rrushit si Muskat Kanell, Gëms dhe veçanërisht Serina e Bardhë, falë projektit Typic-al, i financuar nga Qeveria Italiane përmes Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS), dhe i zbatuar nga CIHEAM Bari në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli, deklaroi se projekti nuk është i kufizuar vetëm në identifikimin dhe ruajtjen e varieteteve tradicionale të rrushit, por përfshin edhe financimin për blerjen e makinerive bujqësore moderne dhe pajisjeve teknologjike.

Kjo i mundëson fermerëve të punojnë me mjete më efikase dhe sipas standardeve europiane.

Projekti mbështeti krijimin e një strukture bashkëpunimi midis fermerëve përmes shoqërive bujqësore, duke ndihmuar në uljen e kostove të prodhimit, ndarjen e teknologjisë së avancuar, përfitimin nga trajnimet profesionale të ofruara nga ekspertët e CIHEAM Bari dhe MBZHR.

Përfitimet për komunitetin rural janë të dukshme: rritje e prodhimit të rrushit autokton, rikthim i kultivimit të varieteteve të rralla, akses më i mirë në treg, rritje e të ardhurave dhe krijim i mundësive të reja për punësim në sektorin bujqësor dhe atë të agro-përpunimit.

Ky projekt përfaqëson një shembull të bashkëpunimit të suksesshëm midis institucioneve shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë. Bashkëpunimi me Italinë, CIHEAM Bari dhe Ministrinë e Bujqësisë riafirmon përkushtimin për të mbështetur fermerët e Pogradecit, për të ruajtur biodiversitetin dhe për të zhvilluar një bujqësi më të qëndrueshme dhe konkurruese.

Krijimi i SHBB Grabovicë dhe bashkimi i fermerëve konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve të prodhuesve lokalë.

Përfaqësuesit e projektit theksuan se vetëm përmes bashkëpunimit, fermerët mund të përfitojnë më shumë nga programet e BE-së dhe projektet e mbështetura nga qeveria shqiptare. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Të kërkuara