Lajmet

Këto janë mënyrat më të këqija për të kërkuar rritje të pagës

Para se të flisni me shefin tuaj, sigurohuni që të shmangni disa situata.

Published

on

Të kërkosh një rritje page nuk është asnjëherë një veprim i lehtë. Ju nuk dëshironi të dukeni si të pangopur për punëdhënësin tuaj. Por në të njëjtën kohë ju keni bërë hulumtimet që u janë nevojitur dhe e dini se çfarë meritoni dhe besoni se jeni një aset që duhet kompensuar në përputhje me rrethanat.

Para se të flisni me shefin tuaj, sigurohuni që të shmangni këto situata të mëposhtme. Ata mund të fundosin çdo shans që ju mundëson juve të keni një rritje të pagës.

1.Të thuash se e ke të vështirë të sigurosh bukën e gojës

Ka disa të vërteta që duhet t’i pranoni, dhe një prej tyre është kjo – problemet tuaja personale me paratë janë problemet tuaja. Kur nënshkruat kontratën ju e pranuat rrogën. Ngecja në faturat tuaja është një arsye për të kërkuar një rritje, por kjo nuk është arsyeja që duhet t’ia thoni punëdhënësit.

Ju duhet të justifikoni rritjen tuaj duke u mbështetur në punën dhe kontributin që jepni në pozitën që mbani. Kur një menaxher raporton nuk mund të kërkojë rritje me një arsyetim “Epo, qiraja e Jane sapo u rrit dhe ajo gjithashtu i detyrohet taksave të saj” nuk do të jetë një arsyetim i duhur për rritjen e pagës. Në vend të kësaj, paraqisni rastin tuaj në një mënyrë të mirëhulumtuar dhe të menduar, duke shpjeguar pse meritoni një rritje page të bazuar në merita dhe punë të palodhur.

2.Kritikat për ndonjë prej kolegëve tuaj

Vënia në pah të probleme ekipore nuk do të ju bëjë të fitoni më shumë para. Nëse shefi juaj është i mirë, ai ose ajo tashmë do t’i dijë problemet e mëdha me stafin që nuk performon mirë. Çështje të tjera mund të ngrihen gjatë sesioneve tuaja të zakonshme në takime përballë ose në takime me ekipin. Nëse përdorni performancën e dobët të kolegëve tuaj si një arsye për të marrë më shumë para, do të dukeni si mercenar.

Sigurisht ju mund të keni kryer edhe punët e një kolegu dembel duke korrigjuar gabimet, por ka një mënyrë për ta përmendur këtë pa hedhur askënd në shënjestër. Ju duhet të fokusoheni në atë se keni marrë më shumë përgjegjësi, keni punuar me orë më të gjata dhe keni kursyer paratë e kompanisë duke shmangut gabimet. Por bëjeni pa thënë: “Egzoni vonohet vazhdimisht dhe unë duhet ta mbuloj gjithmonë”.

3.Të pyesësh kur shefi dhe të gjithë të tjerët janë jashtëzakonisht të zënë

Koha është gjithçka, dhe ndoshta koha më e keqe për ta ngritur këtë është kur të gjithë po përpiqen të përmbushin një afat të caktuar. Pavarësisht nëse është prapa banakut të një restoranti të ushqimit të shpejtë, ose gjatë një hapi të madh për biznes të ri, të kërkosh më shumë para në këtë kohë do t’ju dëmtojë në disa mënyra.

Së pari, ju bën të dukeni egoist; të gjithë po nxitojnë përreth, dhe ju dëshironi që shefi të ndalet dhe të fokusohet tek ju. Së dyti, të bën të dukesh i pavëmendshëm; tani nuk është koha, a nuk e shihni se sa të zënë janë të gjithë? Së treti, ju bën të dukeni sikur po përpiqeni të përfitoni nga situata. Shefi nuk do t’ju vlerësojë duke u përpjekur të negocioni me nguti një rritje page gjatë një krize. Pra, tërhiquni dhe prisni kohën tuaj. Gjërat do të qetësohen dhe më pas mund të godisni.

4.Ta filloni bisedën në një situatë të papritur

Kur jeni duke iniciuar temën e një ngritjeje dhe/ose promovimi, ju po bëni një kërkesë që ka pasoja. Shefi juaj duhet të ekzaminojë numrat, të shikojë performancën dhe mesataret e pagave dhe të marrë parasysh buxhetin për departamentin. Dhe shefi zakonisht duhet të marrë miratimin nga njerëzit e tjerë në kompani. E gjithë kjo është shumë zyrtare.

Pra ta hapësh këtë temë gjatë një takimi të rastësishëm në ashensor është një gabim i madh. Shefi juaj do të befasohet dhe madje mund të ndihet i kërcënuar ose i bllokuar. Ata nuk do të jenë në gjendje t’ju japin një përgjigje gjithsesi. Programoni një kohë për një takim, të paktën 30 minuta, dhe paralajmëroni shefin paraprakisht se dëshironi të flisni për të ardhmen tuaj në kompani. Ju nuk duhet të thoni drejtpërdrejt “Unë dua të flas për një rritje të pagës” – nëse shefi është intuitiv, ai ose ajo do të dijë se për çfarë bëhet fjalë në këtë takim.

5.Shumë biseda rreth temave të ndryshme

Një shaka e vogël miqësore përpara se të hapni temën e rritjes suaj është në rregull. Në fakt, është e sjellshme dhe e pritshme, dhe vendos një ton miqësor. Megjithatë, nëse përshkoni për 15 minuta tema që janë krejtësisht të palidhura, ju vetëm do ta frustroni shefin tuaj. Ai ose e ka parasysh se pse jeni në zyre dhe dëshiron të fillojë bisedën.

Me shumë mundësi, pas pesë minutash bisedë për motin, lojën e topit, familjen dhe planet për fundjavën, do t’ju kërkohet të dilni në temë. Por deri në atë kohë, ju tashmë e keni treguar veten të jeni më pak se efikas dhe kjo ju vë në një pozicion dobësie.

6.Sulmi me ultimatume

“Nëse nuk marr një rritje page, do ta lë punën ose nuk do ta përfundoj këtë projekt. Është shumë e thjeshtë”. Sa herë ju kanë thënë njerëzit se do t’ia thonë këtë shefit? Sa herë e keni menduar vetë? Sigurisht, është natyra njerëzore të dëshirojë kompensim të drejtë dhe ne të gjithë shpresojmë të vlerësohemi aq shumë sa njerëzit të bëjnë gjithçka për të mos na humbur. Fatkeqësisht, jeta nuk është kështu.

Ultimatumet nuk janë zgjidhja, sepse një nga tre gjërat do të ndodhë. Së pari, do të merrni rritjen tuaj, por do të njolloseni si i vështirë dhe egoist. Së dyti, do t’ju thuhet jo dhe do të kuptoni se në fund të fundit nuk mund të hiqni dorë. Tani ata e dinë që ju nuk do të hiqni dorë nëse nuk merrni atë që dëshironi. Së treti, ju thuhet jo dhe duhet të hiqni dorë për të shpëtuar fytyrën. A jeni gati për këtë?

Një mënyrë për të kapërcyer ultimatumin është të vini te shefi me një ofertë pune me pagesë më të lartë nga një firmë tjetër. Pastaj, është një negociatë biznesi. Mund të thuash se do të preferonit të qëndronit, por kjo ofertë ju jep më shumë para dhe mund t’ju duhet ta zgjedhni atë. Në këtë rast, shumica e punëdhënësve, nëse ju vlerësojnë, do të përputhen me ofertën. Ata ju shohin si të kërkuar dhe kjo ju vë në një dritë pozitive.

7.Duke u bërë shumë emocional

Zemërimi. Lotët. Xhelozia. Mosbesimi. Emocionet mund të rriten kur besoni se po prekni fundin. Megjithatë, është joprofesionale të shkarkosh gjendjen tënde emocionale te punëdhënësi. Ju mund të ndjeni se nuk jeni duke u vlerësuar për gjithçka që keni bërë për kompaninë ose mund të ju duket se keni ngecur prapa me faturat tuaja, me shpenzime të reja që do të vijnë në të ardhmen.

Mund të jetë e vështirë t’i maskoni këto emocione kur jeni të stresuar. Por është e rëndësishme t’i merrni këto nën kontroll përpara se të kërkoni një rritje. Nxirrni së pari emocionet përpara se të vini në punë. Nëse keni nevojë të qani, bëjeni. Nëse jeni të zemëruar, gjeni një mënyrë për të çliruar tensionin. Ju duhet të keni një kokë të qetë dhe të qartë përpara se të flisni për para.

8.Të drejtën e aktrimit

Krahët e kryqëzuara. Vetullat e ngrysura. Duke marrë frymë vështirë përmes hundës. Të veprosh në këtë mënyrë nuk të bën asnjë favor. Ju do të dukeni si një person i llastuar dhe nëse nuk mund të mbështesni të gjitha pretendimet tuaja, do të dukeni edhe budalla. Mos hyni në zyrën e shefit tuaj duke u ndjerë i zemëruar dhe i mashtruar. Në vend të kësaj, qetësohuni dhe përgatituni. Shkruani të gjitha arsyet e matshme që ju meritoni një rritje dhe jepini shefit arsyet që i nevojiten për tua siguruar rritjen e pagës. Tregohuni i sjellshëm. Tregohu vetvetja. Dhe mos prisni asgjë.

9.Bërja e kërkesave kur kompania është në telashe

Nëse biznesi ka rënë në kohë vërtet të vështira financiare dhe udhëheqësve u është dashur të bëjnë shkurtime të konsiderueshme ose në rast se kompania është pranë falimentimit dhe nëse ju vendosni se kjo është koha më e mirë për të kërkuar një rritje page, thjesht po i tregoni menaxhmentit të lartë se jeni plotësisht i shurdhër. Nëse i keni mbijetuar shkurtimeve, ndoshta duhet të jeni mirënjohës që jeni ende në listën e pagave.

Një kompani mund të përballet gjithashtu me probleme jofinanciare – dhe ju gjithashtu duhet të tërhiqeni nga çdo lloj negocimi pagash derisa këto ujëra të stuhishme të qetësohen. Një skandal i marrëdhënieve me publikun, për shembull, do ta bëjë kompaninë të ndihet në panik. Askush nuk do t’i japë vëmendje shqetësimeve tuaja të pagave kur kompania po përballet me halle më të mwdha. Përsëri, e vetmja gjë për të cilën menaxhmenti do të shqetësohet është mbajtja e balancit të kompanisë.

Ju e dini kur kompania nuk po ecën mirë. Bëni atë që mundeni për të ndihmuar dhe bëjeni me energji pozitive Pastaj, kur gjithçka të zgjidhet, do të keni më shumë mundësi për diskutimin e pagës suaj./ AkademiPune

Lajmet

REL: A mund ta zhbllokojë debati për Specialen rrugën e Kosovës drejt Këshillit të Evropës?

Published

on

Konsultimet e Kosovës me Bashkimin Evropian për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara mund të shërbejnë si mundësi për ta rikthyer besimin e partnerëve evropianë dhe për t’i dhënë shtysë anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës – proces ky i bllokuar prej më shumë se dy vjetësh.

Disa njohës të çështjeve evropiane vlerësojnë se mënyra se si Kosova i trajton këto ndryshime, mund të dëshmojë përkushtimin e saj ndaj sundimit të ligjit dhe respektimit të detyrimeve ndërkombëtare – çështje me rëndësi për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Kosova ishte pranë anëtarësimit në këtë organizatë në vitin 2024, por procesi ngeci për shkak të kërkesave politike të disa shteteve anëtare, kryesisht lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ndonëse konsultimet për Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës janë dy procese të ndara, njohësit vlerësojnë se ato janë të lidhura politikisht.

Ramadan Ilazi, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë se shumë prej shteteve që vendosin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, janë edhe ato që përcjellin nga afër përmbushjen e detyrimeve të saj ndërkombëtare.

Megjithatë, zgjidhja e mosmarrëveshjes me BE-në për ndryshimet ligjore nuk do të nënkuptonte automatikisht zhbllokimin e anëtarësimit.

Vendimi përfundimtar mbetet në duart e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, ndërsa kërkesat e tyre politike, veçanërisht ato lidhur me Asociacionin, mbeten të pazgjidhura.

Një provë për marrëdhëniet me Evropën

Më 5 nëntor, komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, konfirmoi se Bashkimi Evropian po zhvillon bisedime me Qeverinë e Kosovës për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të njohura edhe si Gjykata Speciale.

Qeveria, megjithatë, nuk ka dhënë publikisht hollësi për këto bisedime dhe as nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për zhvillimin dhe përmbajtjen e tyre.

Kryeministri Albin Kurti, duke folur më 10 nëntor në Forumin e Paqes në Paris, nuk iu referua ndryshimeve ligjore, por tha se pakënaqësitë me aktgjykimin e Gjykatës Speciale duhet të adresohen përmes apelimit.

Ndryshimet në ligj, të iniciuara nga Partia Demokratike e Kosovës, u miratuan në Kuvend më 6 tetor, pas protestave kundër aktgjykimit dënues të shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë dënoi për krime lufte ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi me nga 25 vjet burgim, ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli me 18 vjet dhe ish-deputetin Rexhep Selimi me 13 vjet.

Ndryshimet ligjore synojnë, ndër të tjera, kufizimin e juridiksionit të Gjykatës Speciale dhe ndryshimin e disa dispozitave që lidhen me procedurat dhe dënimet.

BE-ja i kundërshtoi ato, duke paralajmëruar se bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe mund të cenojnë pavarësinë e gjykatës.

Më 22 tetor, presidentja e Kosovës Justina Shiroka Pula e ktheu ligjin në Kuvend për rishqyrtim.

Sipas Rregullores së Kuvendit, komisioni përgjegjës ka katër javë afat nga pranimi i ligjit për ta përgatitur raportin për seancë plenare.

BE-ja e mirëpriti vendimin e presidentes dhe kërkoi të konsultohej për çdo ndryshim të mëtejshëm, në përputhje me shkëmbimin e letrave të vitit 2014 ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Në raportin e 4 nëntorit, edhe Komisioni Evropian paralajmëroi se ndryshimet e propozuara ngrenë shqetësime serioze për detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, si dhe llogaridhënien për krimet e luftës.

Engjëllushe Morina, hulumtuese e lartë për politika në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, me bazë në Berlin, paralajmëron se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara mund të kthehen në pengesën e radhës për Kosovën në rrugën drejt Këshillit të Evropës.

Ajo vlerëson se tani, kur Kosova ka institucione të qëndrueshme, duhet ta intensifikojë bashkëpunimin me BE-në dhe angazhimin diplomatik për integrimin evropian.

“Kosova nuk ka më kohë për të humbur. Duke pasur parasysh kontekstin politik në Evropë, gjërat po lëvizin shumë shpejt dhe viti 2027, me zgjedhje nacionale në shumë vende anëtare, mund ta ndryshojë konstelacionin politik në BE. Kjo mund të na çojë në një situatë ku Kosova do të ketë edhe më pak përkrahje”, vlerëson Morina për Radion Evropa e Lirë.

Për Ilazin, ndërkaq, konsultimet me BE-në mund të jenë një mundësi për të dëshmuar se Kosova është e gatshme t’i trajtojë shqetësimet e partnerëve evropianë përmes dialogut dhe institucioneve.

“Nëse ndryshimet bëhen në mënyrë të njëanshme, rezervat ekzistuese vetëm sa do të forcohen. Nëse kalojnë përmes konsultimeve serioze, Kosova e forcon argumentin e saj” për anëtarësim në Këshillin e Evropës, thotë ai.

Ilazi vlerëson se shqetësimet për mënyrën se si Dhomat e Specializuara e kanë administruar procesin gjyqësor janë legjitime, por se duhet të adresohen përmes dialogut dhe mekanizmave institucionalë, e jo përmes ndryshimeve të njëanshme ligjore.

Ky qëndrim u pasqyrua edhe në një deklaratë të përbashkët, të publikuar më 1 nëntor, të cilën Ilazi e nënshkroi bashkë me 20 akademikë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Kosova dhe jashtë saj.

Në të, nënshkruesit kërkuan që shqetësimet lidhur me proceset gjyqësore në Hagë të trajtohen duke respektuar njëkohësisht të drejtat e të akuzuarve, drejtësinë për viktimat dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

Ilazi thotë se drejtësia për viktimat nuk duhet të krijojë përshtypjen se po gjykohet vetë lufta çlirimtare, ndërsa thekson se viktimat dhe familjet e tyre, nga të gjitha komunitetet, meritojnë të vërtetën dhe llogaridhënien.

“Këto parime duhet të respektohen së bashku dhe pa diskriminim. Ky është edhe mesazhi që Kosova duhet t’i dërgojë Këshillit të Evropës”, thotë ai.

Sipas tij, trajtimi i çështjeve të ndjeshme përmes institucioneve, ekspertizës dhe dialogut do të ishte një mesazh i rëndësishëm për Strasburgun dhe kryeqytetet evropiane.

Asociacioni, pengesa që mbetet

Përtej debatit për Gjykatën Speciale, një tjetër pengesë politike vazhdon ta mbajë pezull anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës: Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Më 16 prill 2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës rekomandoi pranimin e Kosovës, me 131 vota për, 29 kundër dhe 11 abstenime.

Por, një muaj më vonë, aplikimi i saj nuk u përfshi në rendin e ditës të takimit të Komitetit të Ministrave – organit që merr vendimin përfundimtar për anëtarësimin.

Disa shtete anëtare, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, kërkuan që Kosova ta dërgonte për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit, të përgatitur nga BE-ja, si dëshmi të përkushtimit ndaj marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë.

Qeveria e Kosovës fillimisht e kundërshtoi kërkesën. Më pas, ministrja e atëhershme e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, njoftoi se kishte dërguar një letër në Këshillin e Evropës, duke paralajmëruar dërgimin e draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit 2024.

Por, kjo nuk mjaftoi për ta zhbllokuar procesin.

Sipas Ilazit, kërkesa për Asociacionin nuk ishte kriter formal për anëtarësim, por kusht politik i disa shteteve anëtare.

Ai vlerëson se rekomandimi pozitiv i Asamblesë Parlamentare kishte dëshmuar se Kosova i plotësonte standardet kryesore për pranim.

“Pra, sot problemi nuk është se Kosova është e papërgatitur. Problemi është mungesa e besimit politik. Ky besim mund të ndërtohet, por kërkon punë të vazhdueshme dhe të koordinuar”, thotë Ilazi.

Nuk ka konfirmim publik se shtetet që e vendosën Asociacionin si kusht politik, kanë hequr dorë nga kjo kërkesë.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës për të pyetur nëse Asociacioni mbetet kusht për anëtarësim dhe çfarë hapash kërkohen për sigurimin e mbështetjes së shteteve anëtare. Nga Këshilli i Evropës ka kërkuar sqarime për kushtet e mbetura dhe mundësinë e shqyrtimit të aplikimit në takimin e ardhshëm ministror.

Asnjëri institucion nuk është përgjigjur deri në publikimin e artikullit.

Sipas Morinës, kushti i Asociacionit “është ende aty”, ndërsa mbetet të shihet se si do ta trajtojë Kosova këtë çështje në dialogun me Serbinë.

Edhe Ilazi thotë se për disa shtete evropiane, Asociacioni mbetet tregues i gatishmërisë së Kosovës për t’i përmbushur detyrimet e marra në dialog.

Ai vlerëson se dërgimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese nuk duhet të shihet si lëshim politik, por si një mekanizëm për të garantuar përputhshmërinë e çdo zgjidhjeje me rendin kushtetues të Kosovës.

“Është procedurë kushtetuese që e mbron vetë Kosovën, sepse Gjykata garanton se çdo zgjidhje do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe me karakterin unitar të shtetit. Kosova duhet ta bëjë këtë hap, por jo në heshtje dhe jo si veprim të izoluar”, thekson Ilazi.

Sipas tij, Kosova duhet të sigurojë paraprakisht garanci politike nga partnerët kryesorë evropianë dhe Shtetet e Bashkuara se një hap i tillë do t’i hapte rrugën shqyrtimit të aplikimit të saj.

A mund të jetë viti 2027 një mundësi e re?

Më 10 nëntor, Mali i Zi mori kryesimin gjashtëmujor të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, duke pasuar Monakon.

Kryesimi i tij do të përmbyllet më 12 maj 2027, kur është planifikuar të mbahet takimi i ardhshëm vjetor ministror në Mal të Zi.

Por, ende nuk ka konfirmim se aplikimi i Kosovës do të përfshihet në rendin e ditës së këtij takimi.

Për pranimin e një anëtari të ri, Komiteti i Ministrave duhet të sigurojë mbështetjen e dy të tretave të të gjithë përfaqësuesve që kanë të drejtë të marrin pjesë në këtë organ, sipas Statutit të Këshillit të Evropës.

Kjo do të thotë se, përveç përmbushjes së standardeve të kërkuara, Kosovës i nevojitet edhe mbështetje e gjerë politike nga shtetet anëtare.

Për Ilazin, përfshirja e aplikimit në agjendën e vitit 2027 kërkon angazhim të koordinuar diplomatik dhe hapa konkretë në raport me partnerët evropianë.

“Kjo kërkon tri gjëra: përmirësim të marrëdhënieve me BE-në, përfshirë një zgjidhje të konsultuar për ligjin e Dhomave të Specializuara, hapa të besueshëm në dialog dhe një fushatë diplomatike të koordinuar me shtetet që hezitojnë”, thotë ai.

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do t’i hapte Kosovës rrugën drejt sistemit evropian të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, përfshirë mundësinë që individët nën juridiksionin e saj t’i drejtoheshin Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

 

Continue Reading

Lajmet

Presidentja Shiroka Pula takon ambasadoren zvicerane, diskutojnë thellimin e bashkëpunimit

Published

on

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ambasadoren e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, me të cilën ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit.

Gjatë takimit, Shiroka Pula ka vlerësuar raportet e mira ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke e cilësuar këtë shtet si një nga partnerët e rëndësishëm të Kosovës në aspektin politik, ekonomik dhe zhvillimor.

Ajo ka shprehur mirënjohje për mbështetjen shumëvjeçare të Zvicrës në procesin e shtetndërtimit dhe në rrugëtimin evropian të Kosovës.

Presidentja ka theksuar gjithashtu rëndësinë e mërgatës shqiptare në Zvicër dhe kontributin e saj në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Në takim është diskutuar edhe për kontributin e Forcave të Armatosura të Zvicrës përmes kontingjentit Swisscoy, pjesë e misionit paqeruajtës të KFOR-it që nga viti 1999.

Shiroka Pula ka theksuar se bashkëpunimi me Zvicrën do të vazhdojë të thellohet dhe se ky shtet do të mbetet një nga partnerët e rëndësishëm të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi i Kosovës mblidhet nesër në seancë të jashtëzakonshme për Raportin e Progresit

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër një seancë të jashtëzakonshme, e cila është caktuar të nisë në orën 13:00.

Në qendër të këtij takimi të jashtëzakonshëm të deputetëve do të jetë debati parlamentar lidhur me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, dokument ky që i është dorëzuar zyrtarisht institucioneve të Kosovës para pak ditësh.

Përfaqësuesit e popullit pritet të diskutojnë gjetjet kryesore, të arriturat dhe sfidat e evidentuara nga Bashkimi Evropian sa i përket përmbushjes së reformave dhe standardeve evropiane në vend. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Aktakuzë ndaj një personi për sulmet ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan më 29 maj 2023

Published

on

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet A.S., nën dyshimin për sulm ndaj personave zyrtarë dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, gjatë trazirave të 29 majit 2023 në Zveçan.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka marrë pjesë në sulmet pranë objektit të Komunës së Zveçanit, nga ora 06:00 deri në orët e mbrëmjes.

Në aktakuzë thuhet se A.S., në bashkëkryerje me persona të tjerë nga Kosova dhe Serbia, ka sulmuar pjesëtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri.

Si pasojë e sulmeve, janë lënduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda.

Gjatë trazirave, sipas Prokurorisë, janë sulmuar edhe automjetet e gazetarëve që po raportonin nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se po vazhdon të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve më 29 maj 2023./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara