Lajmet

​Këta janë 120 deputetët e legjislaturës së 10-të

Published

on

Me përfundimin e numërimit të fletëvotimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shprehur gatishmërinë që të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të mbajtura më 28 dhjetor të vitit të kaluar në Kosovë.

Megjithatë, para shpalljes së rezultateve përfundimtare, duhet të përfundojë periudha e paraparë për ankesa, të cilat partitë politike mund t’i paraqesin në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Sipas rezultateve preliminare:

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka marrë 51.11% të votave dhe do të ketë 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës;

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 20.19% dhe do të ketë 22 ulëse;

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 13.23% (15 ulëse);

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 5.5% (6 ulëse).

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV): Albin Kurti; Glauk Konjufca; Albulena Haxhiu; Hekuran Murati; Donika Gërvalla-Schëarz; Xhelal Sveçla; Hajrulla Çeku; Avni Dehari; Mimoza Kusari-Lila; Ejup Maqedonci; Shqipe Mehmeti Selimi; Andin Hoti; Arben Vitia; Saranda Bogujevci; Edona Llalloshi; Alban Bajrami; Mefail Bajqinovci; Nezir Kraki; Armend Muja; Rufki Suma; Adriana Matoshi; Jeta Statovci; Ardian Gola; Haxhi Avdyli; Adelina Grainca; Blerim Gashi; Albena Reshitaj; Fatos Geci; Agim Bahtiri; Taulant Kelmendi; Artane Rizvanolli Berisha; Fitore Pacolli Dalipi; Dimal Basha; Arbër Rexhaj; Labinotë Demi Murtezi; Arbëreshë Kryeziu Hyseni; Artan Abrashi; Arjeta Fejza; Hysen Durmishi; Arbërie Nagavci; Enver Haliti; Liza Gashi; Valon Ramadani; Adnan Rrustemi; Jeton Raka; Fatmire Kollçaku; Arsim Ademi; Drita Pajaziti; Rozeta Hajdari; Salih Zyba; Fitim Haziri; Fjolla Ujkani; Ilir Kërçeli; Sylejman Meholli; Vigan Qorrolli; Valon Hoti; Naim Bardiqi.

Deputetët e PDK-së: Bedri Hamza; Arian Tahiri; Përparim Gruda; Uran Ismaili; Sala Jashari; Vlora Çitaku; Enver Hoxhaj; Arben Mustafa; Nait Hasani; Rrahman Rama; Ganimete Musliu; Eman Rrahmani; Kujtim Gashi; Elmi Reçica; Artan Behrami; Xhavit Haliti; Besa Kabashi-Ramaj; Mergim Lushtaku; Ferat Shala; Blerta Deliu-Kodra; Ariana Musliu-Shoshi; Arbnore Salihu.

Deputetët e LDK-së: Lumir Abdixhiku; Hykmete Bajrami; Ukë Rugova; Avdullah Hoti; Doarsa Kica-Xhelili; Kujtim Shala; Anton Quni; Armend Zemaj; Lutfi Haziri; Jehona Lushaku-Sadriu; Janina Ymeri; Besian Mustafa; Adelina Thaçi-Meta; Fadil Hadergjonaj; Ermal Sadiku.

Deputetët e AAK-së: Ramush Haradinaj; Daut Haradinaj; Besnik Tahiri; Bekë Berisha; Time Kadrijaj; Albana Bytyqi.

Deputetët e Listës Serbe: Slavko Simiq; Igor Simiq; Liljana Stefanoviq; Milan Kostiq; Nemanja Bishevac; Zlatan Elek; Miljana Nikoliq; Srdjan Popoviq; Verica Çeraniq.

Deputeti i partisë “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”: Nenad Rashiq.

Deputetët e komuniteteve tjera joserbe: Fikrim Damka; Fatma Taqi; Rasim Demiri; Emilija Rexhepi; Elbert Krasniqi; Duda Balje; Veton Berisha; Artan Asllani; Adem Hoxha; Erxhan Galushi.

Rajoni

Arrestohet në Zvicrë, ekstradohet në Kosovë i dyshuari për mashtrim

Published

on

By

Një person i kërkuar nga autoritetet e rendit në Kosovë është ekstraduar gjatë ditës së sotme nga Zvicra drejt Kosovës, pas një operacioni të suksesshëm të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me autoritetet zvicerane.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate zyrtare nga Policia e Kosovës, ku specifikohet se i ekstraduari është shtetasi me inicialet B.Z., i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar përmes letërrreshtimit të lëshuar nga Interpoli.

I dyshuari ishte arrestuar kohë më parë nga autoritetet zvicerane, pasi institucionet e drejtësisë në Kosovë kishin lëshuar urdhërarrest ndaj tij nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”.

Sipas Policisë, B.Z. i ishte shmangur drejtësisë për një kohë të gjatë, por koordinimi i Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor me njësitet relevante dhe institucionet zvicerane bëri të mundur lokalizimin dhe sjelljen e tij para organeve të rendit në vendlindje.

Ekstradimi i realizuar këtë të mërkurë, më 1 prill 2026, u mbështet plotësisht në ligjet në fuqi dhe në marrëdhëniet e ngushta diplomatike e policore mes Republikës së Kosovës dhe Zvicrës.

Policia e Kosovës ka deklaruar se ky aksion është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar krimin dhe për të parandaluar aktivitetet ilegale, duke theksuar se shkëmbimi i informacioneve me organizatat ndërkombëtare do të intensifikohet për të gjurmuar dhe kapur çdo person apo grup kriminal që tenton t’i shpëtojë përgjegjësisë penale, pavarësisht nëse veprojnë brenda apo jashtë kufijve të vendit.

Continue Reading

Lajmet

ZRRE: Do të korrigjohet çdo gabim në faturat e rrymës

Published

on

By

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), përmes një njoftimi për media, bën të ditur se është angazhuar maksimalisht në monitorimin e situatës lidhur me shqetësimet e konsumatorëve për devijimin e mundshëm të orëve tarifore.

ZRRE po grumbullon në vazhdimësi informata për të garantuar një matje të drejtë dhe të saktë, duke siguruar që faturimi të reflektojë vetëm konsumin real të energjisë elektrike.

Në këtë kuadër, ZRRE ka bërë të qartë se çdo rast i raportuar do të trajtohet me prioritet.

“ZRRE siguron konsumatorët se të gjitha rastet e raportuara për mos-përputhje të kohës tarifore do të analizohen dhe shqyrtohen me kujdes. Në rast se konstatohet se ekzistojnë gabime në funksionimin e njehsorit elektrik, do të ndërmerren masat e nevojshme, në përputhje me legjislacionin dhe rregullat në fuqi”, thuhet në njoftim.

Ky angazhim vjen si një garanci shtesë se asnjë gabim teknik nuk do të rëndojë mbi xhepat e qytetarëve, veçanërisht pasi kompanitë si KEDS dhe KESCO janë ndërmarrje të rregulluara dhe nuk mund të përfitojnë nga këto parregullsi.

Për të mbyllur çdo hapësirë dyshimi, rregullatori rikonfirmon se mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe garantimin e një sistemi të drejtë dhe transparent dhe të besueshëm në sektorin e energjisë.

 

Continue Reading

Vendi

27 vjet nga masakra në Lybeniq, Kurti: Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën

Published

on

By

Në 27-vjetorin e njërës prej krimeve më makabre të forcave serbe në Kosovë, Kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe te varrezat e të vrarëve në fshatin Lybeniq të Pejës.

Ky përvjetor kujton mëngjesin e përgjakshëm të 1 prillit të vitit 1999, kur njësitë famëkeqe serbe “Çakejt” dhe “Mbrojtja Territoriale” rrethuan fshatin dhe shkatërruan jetët e dhjetëra familjeve.

Sipas dëshmive, forcat serbe kishin nxjerrë banorët me dhunë nga shtëpitë e tyre, duke i mbledhur në qendër të fshatit, pranë xhamisë. Pasi ndanë gratë, fëmijët dhe të moshuarit për t’i dëbuar me forcë drejt Shqipërisë, ata ekzekutuan me breshëri armësh automatike 59 burra të pafajshëm nga familjet e shumta të këtij fshati.

Kryeministri Kurti theksoi se, edhe pse kjo masakër u dokumentua që në vitin 1999 nga organizatat ndërkombëtare si Human Rights Watch, drejtësia po mungon.

Ai akuzoi drejtpërdrejt shtetin serb për zvarritje dhe mjegullim të proceseve gjyqësore, duke e quajtur Serbinë një “shtet gjenocidal” që refuzon të ballafaqohet me të kaluarën.

Në fund të mesazhit të tij, Kurti nënvizoi se Serbia vazhdon të mbetet një tokë e varrezave masive dhe një strehë e sigurt për kriminelët e luftës, duke kërkuar llogaridhënie për krimet që lanë plagë të hapura në Lybeniq dhe mbarë Kosovën.

 

Continue Reading

Lajmet

MINT nis verifikimin e njehsorëve të rrymës pas dyshimeve për matje të gabuara

Published

on

By

Komisioni i posaçëm i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka nisur punën në terren për verifikimin e njehsorëve elektrikë, pas ankesave të shumta të konsumatorëve për çrregullime të kohës dhe matje të pasaktë të energjisë.

Drejtoresha e Agjencisë së Metrologjisë, Sebahate Bushrani, ka bërë të ditur se njehsorët e dyshimtë do të tërhiqen për verifikim dhe do të zëvendësohen me të tjerë deri në lëshimin e raportit zyrtar. Sipas saj, aktualisht janë rreth 70 ankesa, ndërsa raporti përfundimtar do t’u dërgohet Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe palëve të përfshira, raporton Koha.net.

Ky aksion vjen pas denoncimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila përmes një hulumtimi në Prishtinë dhe Ferizaj ka pretenduar se rreth 800 njehsorë llogarisin energjinë me tarifë të shtrenjtë për shkak të mosperputhjes së orës.

Ndonëse KEDS-i i ka mohuar këto pretendime, raportimet e mëhershme kanë treguar se qytetarët në Fushë-Kosovë janë përballur me probleme të ngjashme, ku orët në njehsorë figuronin jashtë kohës reale. Verifikimi mbetet një proces i ndjeshëm, veçanërisht pas kritikave të vitit 2023 se ky proces kryhej në laboratorët e KEDS-it, veprim ky që konsiderohej shkelje e Ligjit për Metrologji.

Saktësia e njehsorëve është jetike për xhepin e qytetarëve, pasi dallimi mes tarifave është i lartë. Gjatë dimrit, tarifa e lartë (9.05 centë deri në 15.43 centë për kW) aplikohet nga ora 07:00 deri në 22:00, ndërsa tarifa e ulët (3.88 centë deri në 7.28 centë për kW) vlen gjatë natës. Çdo mospërputhje e orës bën që konsumatorët të faturohen me çmime maksimale edhe kur ata tentojnë të kursejnë duke përdorur pajisjet shtëpiake gjatë orëve të vona. /Koha.net/

 

Continue Reading

Të kërkuara