Kulturë

Kërcimi i pazakontë bëhet viral në TikTok

Published

on

Një përdoruese e njohur si Janny14906 u bë virale në pak kohë me videot e postuara në TikTok – një kërcim që supozohet të ndihmojë shfaqjen e muskujve të barkut.

Ideja është që të tundni gjoksin dhe ijet përpara dhe prapa shumë shpejt, ndërsa formoni dhe rrathë me trup, duke krijuar një lloj kërcimi që synon të bëjë bel të hollë dhe bark të sheshtë. 

Ndërsa inkurajimi për të lëvizur më shumë dhe për të qenë më aktivë është i mirë, mënyra e shpejtë me të cilën Janny u bë kaq virale tregon për problemet që ka platforma kur lejon që një metodë e tillë e rënies nga pesha, ende e pavërtetuar, të bëhet kaq shpejt virale me miliona shikime në gjithë botën.

Pra, a funksionon? Edhe pse disa përdorues të TikTok pohojnë se funksionon (mund të jetë efekti placebo), ekspertët thotë se kjo lëvizje nuk është aspak një mënyrë efektive për të humbur dhjamin në bark. Në mënyrën që të humbni dhjamin në zonën e barkut, nutricionistët, instruktorët e palestrave thonë se zgjidhja më efektive është të jeni në deficit kalorish.

Për më tepër, përdoruesja që bëri viral kërcimin, ka edhe video ku sugjeron: “Ushtrohuni për një orë në ditë dhe hani çfarë të doni”, që është gjithashtu totalisht e pasaktë, pasi kjo lloj këshille mund të fusë shumë njerëz në telashe. 

Për shumë njerëz, barku është një zonë kokëfortë dhe shpesh një nga pjesët e trupit më të vështira për “t’u bindur”, por zgjidhja e vetme është mbajtja e një regjimi të shëndetshëm.

Me pak fjalë, mos besoni gjithçka që shihni në internet dhe bëni kërkimet tuaja të bazuara në kërkime shkencore dhe ekspertë të fushës.

Lajmet

Matura Shtetërore 2026: Matematika me rezultatin më të ulët mesatar

Published

on

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka publikuar rezultatet e afatit të dytë të Provimit të Maturës Shtetërore 2026, pas përfundimit të procesit të administrimit, vlerësimit dhe përpunimit të të dhënave.

Në këtë afat provimit iu nënshtruan gjithsej 4,433 kandidatë, ndërsa 2,444 prej tyre e kaluan me sukses, që përbën 55.1 për qind të numrit të përgjithshëm të kandidatëve. Të dhënat janë konfirmuar edhe në njoftimin zyrtar të ministrisë.

Arritshmëria mesatare e përgjithshme në test ishte 43.2 pikë.

Sipas lëndëve, rezultatet mesatare ishin:

Gjuhë amtare: 49.3 pikë

Gjuhë angleze: 44.1 pikë

Matematikë: 36.4 pikë

Lënda zgjedhore: 42.9 pikë

Rezultati më i lartë mesatar është shënuar në Gjuhën amtare, me 49.3 pikë, ndërsa rezultati më i ulët në Matematikë, me 36.4 pikë.

Gjatë administrimit të provimit, 18 kandidatë janë larguar nga testi për shkak të mosrespektimit të rregullave dhe procedurave të përcaktuara për administrimin e Provimit të Maturës Shtetërore.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka falënderuar të gjithë personat e angazhuar në organizimin dhe administrimin e provimit për kontributin në mbarëvajtjen e procesit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Jetimët” nga Prishtina drejt Londrës dhe skenave evropiane

Published

on

Shfaqja teatrore, një bashkëprodhim artistik Shqipëri–Kosovë, vjen më 7 shtator në Teatrin Dodona, ndërsa më 12 shtator prezantohet në Londër.

Shfaqja teatrore “Jetimët”, një produksion i realizuar përmes bashkëpunimit artistik mes Kosovës dhe Shqipërisë, do të ngjitet në skenën e Teatrit Dodona në Prishtinë, më 7 shtator 2026, ndërsa pesë ditë më vonë, më 12 shtator, do të prezantohet para publikut në Londër, në King Alfred Phoenix Theatre.


“Jetimët” është një tragjikomedi e fuqishme dhe emocionuese që sjell në skenë historinë e tre njerëzve të formësuar nga vetmia, mungesa dhe nevoja e thellë njerëzore për t’u dashur. Një takim i papritur i vendos ata përballë sekreteve, plagëve dhe të vërtetave që për një kohë të gjatë i kanë mbajtur të fshehura.

 

Duke ndërthurur humorin e zi, tensionin dhe momente thellësisht prekëse, shfaqja lëviz vazhdimisht mes së qeshurës dhe dhimbjes, duke ngritur pyetje mbi familjen, braktisjen, dashurinë dhe nevojën njerëzore për të pasur dikë që mund ta quajmë “tonin”.

 

Një tragjikomedi që të bën të qeshësh, të shqetëson dhe të fton të reflektosh, “Jetimët” vjen si një bashkëpunim artistik Shqipëri–Kosovë dhe bashkon në skenë artistë nga të dyja vendet.

 

Regjia e shfaqjes është e Ilir Bokshit, ndërsa në role interpretojnë Adrian Morina, Ylber Bardhi dhe Ledion Zoi. Asistent regjisor është Butrint Pasha, skenografinë dhe kostumet i ka realizuar Petrit Bakalli, muzika është e Butrint Pashës, ndërsa përkthimi është realizuar nga Artur Lena.

Producentë të projektit janë A&M Arts and Films dhe Teatri Dodona.

Një rol të rëndësishëm në realizimin e këtij projekti ka pasur mbështetja e Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë, në kuadër të projektit CultAlb. Ekipi realizues shpreh mirënjohjen për këtë mbështetje, e cila kontribuon në forcimin e bashkëpunimit kulturor dhe artistik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Bashkëpunime të tilla ndërmjet institucioneve dhe artistëve të të dyja vendeve krijojnë mundësi të reja për shkëmbim kulturor dhe për prezantimin e krijimtarisë shqiptare në skenat ndërkombëtare.

Pas prezantimeve në Prishtinë dhe Londër, shfaqja “Jetimët” pritet të vazhdojë rrugëtimin e saj ndërkombëtar, me prezantime të planifikuara në Greqi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, si dhe me pjesëmarrje në festivale dhe aktivitete të ndryshme teatrore në rajon dhe Evropë.

Përmes këtij projekti, “Jetimët” synon të sjellë para publikut një vepër të rëndësishme të dramaturgjisë bashkëkohore, por edhe të dëshmojë potencialin e bashkëpunimit artistik Shqipëri–Kosovë dhe kontributin e artistëve shqiptarë në skenat ndërkombëtare./RTK/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ndahet nga jeta historiani dhe publicisti Daut Dauti

Published

on

Historiani, gazetari, hulumtuesi dhe publicisti i njohur nga Kosova, Dr. Daut Dauti, ka ndërruar jetë në Londër në orët e para të mëngjesit, pas një sëmundjeje të rëndë me të cilën ishte përballur për rreth dy vjet.

Dauti lindi në vitin 1960 në Kokaj të Gjilanit dhe gjatë karrierës së tij la gjurmë në gazetari, historiografi dhe në studimet për Kosovën dhe çështjen shqiptare.

Ai kreu studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet pasuniversitare i vazhdoi në Thames Valley University në Londër, në fushën e Bashkimit Evropian.

Karrierën në gazetari e nisi në gazetën studentore “Bota e Re”, ndërsa më pas vazhdoi në revistën “Zëri”. Nga viti 1994 deri më 1999 ishte korrespondent i saj në Londër, ndërsa gjatë viteve 1999–2001 punoi si redaktor në Institute for War and Peace Reporting (IWPR).

Në vitet 2000–2002, Dauti shërbeu si sekretar i përgjithshëm i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe ishte anëtar i pavarur i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ai ka ushtruar edhe detyrën e këshilltarit për media dhe zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Bajram Kosumi, ndërsa në Londër ishte i angazhuar edhe me organizata ndërkombëtare.

Me veprimtarinë e tij shumëvjeçare në gazetari, histori dhe publicistikë, Daut Dauti mbetet një nga emrat e njohur të jetës intelektuale dhe mediatike shqiptare në Kosovë./A.K/

Continue Reading

Kulturë

Nga Labëria në Hollywood, fyelli shqiptar rikthehet te brezi i ri

Published

on

By

Tingujt tradicionalë të Labërisë po marrin një jehonë të re, jo vetëm në skenën ndërkombëtare të kinemasë, por edhe te brezi i ri shqiptar. Mjeshtri i instrumenteve popullore, Vendim Kapaj, për të tretin vit radhazi do të zhvillojë në Vlorë një kurs falas për mësimin e fyellit dhe instrumenteve të tjera tradicionale.

Nisma synon t’u krijojë të rinjve dhe të gjithë të apasionuarve pas muzikës popullore mundësinë të njihen nga afër me një prej pasurive më të veçanta të trashëgimisë muzikore shqiptare.

Në një prononcim për ATSH-në, Kapaj bëri të ditur se interesi për kursin është rritur ndjeshëm këtë vit. Përveç të rinjve nga Vlora, Tepelena, Kurveleshi dhe zonat përreth, në kurs ka të interesuar edhe nga Tirana.

“Ky është viti i tretë radhazi që ofroj kursin falas të fyellit. Interesi këtë vit ka qenë edhe më i madh. Kam pasur të interesuar edhe nga Tirana, përfshirë disa vajza, ndërsa pjesa më e madhe janë të rinj nga Tepelena, Vlora, Kurveleshi dhe zonat përreth”, u shpreh Kapaj.

Kursi do të zhvillohet nga shtatori i vitit 2026 deri në korrik të vitit 2027. Krahas fyellit, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të mësojnë edhe për instrumente të tjera tradicionale, si cylja dyjare, bilbili, xhamba, pipizana, si dhe instrumente të tjera të muzikës popullore shqiptare.

Interesi i shtuar për këtë nismë lidhet edhe me një eksperiencë të veçantë të Kapajt në kinematografinë ndërkombëtare. Mjeshtri shqiptar është përfshirë si solist në fyell në kolonën zanore të filmit The Odyssey”, me regji të Christopher Nolan dhe muzikë të kompozitorit Ludwig Göransson.

Pjesëmarrja në këtë produksion ka bërë që tingulli karakteristik i fyellit shqiptar të dëgjohet edhe përtej kufijve, duke i dhënë një tjetër dimension traditës muzikore të jugut të Shqipërisë.

“Jehona që ka pasur emri im nga pjesëmarrja në filmin ‘The Odyssey’ ka ndikuar edhe në rritjen e interesit për kursin. Është kënaqësi që pas kësaj vëmendjeje ndërkombëtare, të shohim të rinj që duan të mësojnë dhe të vazhdojnë këtë traditë”, tha Kapaj për ATSH-në.

Për Kapajn, kursi falas është më shumë se një aktivitet muzikor. Ai synon të jetë një mënyrë konkrete për ruajtjen dhe përcjelljen e instrumenteve, repertorit dhe traditës së muzikës labe te brezat e rinj.

Nga Labëria në skenën ndërkombëtare të kinemasë dhe tashmë sërish te të rinjtë shqiptarë, fyelli vijon rrugëtimin e tij si një prej instrumenteve më karakteristike të muzikës popullore shqiptare, duke dëshmuar se tradita mund të ruhet dhe të marrë jetë të re edhe përmes brezave të rinj.

Foto: Kosovapress

D.L

Continue Reading

Të kërkuara