Salif Keita, i njohur ndryshe edhe si Zëri i Artë i Afrikës u ka bërë thirrje artistëve të bashkohen në përpjekjet për rritjen e ndërgjegjësimit për albinizmin.
Me krijimin e Fondacionit Global Salif Keita në vitin 2015, këngëtari dhe tekstshkruesi nga Mali dha kontribut të madh në lëvizjen e albinizmit.
Në një intervistë për Anadolu Agency, Keita u bëri thirrje artistëve rreth globit të mbështesin dhe të shqetësohen më shumë rreth çështjes së albinizmit.
I përkushtuar për të punuar për kushte më të mira për albinët, Keita tha: “Ata janë të izoluar, të shënjestruar, të persekutuar, të sakrifikuar. Janë shumë ata që po sakrifikohen. Për këtë arsye, ne artistët duhet të jemi partnerë në këtë kauzë”.
“Këtë vit, pesë albinë u sakrifikuan për zgjedhjet në Mali. Kjo sepse nuk ka zgjedhje. Kur ka zgjedhje, ne duhet të bëjmë gjithçka që duhet për t’i mbajtur ata të sigurt”, deklaroi ai më tej.
“Duhet të gjendet një zgjidhje për këtë çështje sepse kur një figurë udhëheqëse kërkon të sakrifikohet një albin, nuk dënohet. Shoqëria duhet ta përqafojë këtë kauzë në mënyrë që ata që janë të përfshirë në sakrificat albino të marrin dënimet e nevojshme”, tha ai duke iu përkushtuar plotësisht në nivel global kësaj kauze.
Këngëtari 72-vjeçar u lind me albinizëm – një gjendje e trashëguar që manifestohet me lëkurë, flokë dhe sy në ngjyrë të zbehtë.
Muhammad Ali
Kolona zanore e Keita-s, “Tomorrow-Ali”, u shfaq në filmin e vitit 2001, “Ali”, që bazohej në jetën e legjendës së boksit, Muhammad Ali, dhe në të shkëlqente Will Smith.
Në lidhje me kolonën zanore, ai tha: “Ali është një burim i madh krenarie për zezakët dhe për këtë arsye, ne të gjithë mbështesim luftën e tij kundër racizmit dhe diskriminimit”.
“Kur m’u ofrua të kompozoja muzikën e filmit Muhammed Ali, u gëzova shumë që u zgjodh pjesa që e përgatita me shumë dashuri dhe guxim”, deklaroi ai më tej.
Duke folur për një pikë të përbashkët që ka me boksierin, Keita tha: “Unë nuk jam i bardhë, ndihem i zi. Gjaku ynë është i njëjtë. Sigurisht që kemi ngjashmëri për sa i përket luftës. Ai luftonte për një komunitet që u përjashtuan dhe u ekspozuan ndaj racizmit. Unë po luftoj për kauzën e albinos”.
Ai vazhdoi duke thënë: “Më pëlqeu më së shumti arroganca e tij dhe rebelimi i tij[…] dhe sigurisht është një boksier shumë i mirë”./UBTNews/
Mbrëmë u mbajt Akademia Përkujtimore me rastin e 45-vjetorit të demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, ku u theksua rëndësia historike dhe politike e këtyre ngjarjeve në rrugëtimin e vendit drejt lirisë dhe shtetësisë.
Në këtë aktivitet përkujtimor u vlerësua se demonstratat e vitit 1981 përbëjnë një ndër momentet kyçe në historinë moderne të Kosovës, duke shënuar fillimin e një lëvizjeje të organizuar për të drejta politike dhe kombëtare.
Akademia mblodhi përfaqësues institucionalë, pjesëmarrës të asaj kohe dhe studiues, të cilët rikujtuan zhvillimet që çuan në organizimin e protestave. U theksua se demonstratat, të cilat nisën si protesta studentore në Universitetin e Prishtinës, u shndërruan shpejt në një lëvizje të gjerë qytetare me kërkesa të qarta politike.
Në këtë ngjarje morën pjesë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, si dhe ish-kryeministri Bajram Kosumi.
Të pranishëm ishin gjithashtu përfaqësues të shoqatave të të burgosurve politikë dhe personalitete të tjera publike, të cilët theksuan rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe të trashëgimisë së rezistencës për brezat e ardhshëm.
Një moment i veçantë dhe plot krenari për komunitetin shqiptar është shënuar në një nga arenat më të mëdha të basketbollit në botë, gjatë një ndeshjeje të NBA.
Para përballjes mes Chicago Bulls dhe Phoenix Suns në United Center, ansambli i komunitetit shqiptar në Illinois dhuroi një performancë mbresëlënëse me këngë dhe valle tradicionale.
Tingujt e muzikës shqiptare pushtuan sallën, ndërsa valltarët të veshur me kostume kombëtare sollën energji dhe emocion në parket. Publiku amerikan mbeti i mahnitur nga ritmi dhe gjallëria e valleve, duke e kthyer këtë moment në një spektakël të rrallë në skenën e NBA-së.
Kjo natë e dedikuar komunitetit shqiptar dëshmoi edhe një herë se kultura shqiptare nuk njeh kufij nga Shqipëria dhe Kosova deri në zemër të Chicago.
Momenti i veçantë tashmë po bën xhiron e rrjeteve sociale, duke treguar para botës bukurinë dhe pasurinë e traditave shqiptare.
Regjisori amerikan Terrence Malick pritet të rikthehet në skenën ndërkombëtare me filmin e tij të ri “The Way of the Wind”, i cili do të ketë premierë globale në Netflix më 26 maj.
Projekti, i cili ka qenë në montazh për rreth shtatë vite, konsiderohet ndër më ambiciozët dhe më personalët në karrierën e tij. Filmi sjell një portret shpirtëror të jetës së Jezusit, ndërsa ka qëndruar për një kohë të gjatë larg vëmendjes së publikut, duke rritur pritshmëritë për rikthimin e regjisorit.
Në reflektimet e tij, Malick thekson se arti nuk njeh kufij dhe se një imazh arrin te publiku pavarësisht vendndodhjes. Ai pranon rëndësinë e kinemave si hapësira të veçanta, por nënvizon edhe përvojën intime që ofron ekrani personal.
Vendimi për publikimin e filmit drejtpërdrejt në Netflix ka befasuar industrinë, duke shënuar një hap ndryshe për një autor të lidhur tradicionalisht me kinemanë.
“The Way of the Wind” pritet të jetë një tjetër kapitull i rëndësishëm në krijimtarinë e Malick, duke vijuar eksplorimin e temave shpirtërore dhe estetike që e karakterizojnë stilin e tij.
Italia ka ndërmarrë një tjetër hap të rëndësishëm në mbrojtjen e trashëgimisë së saj kulturore, duke blerë një vepër të çmuar të periudhës së Rilindjes për 12.6 milionë euro.
Bëhet fjalë për pikturën fetare “Ecce Uomo” të artistit Antonello da Messina, e cila ishte nxjerrë në ankand në New York. Vepra paraqet Jezusin me kurorë gjembash dhe një litar në qafë, në momentin kur Pontius Pilate ia dorëzon turmës për kryqëzim.
Piktura vlerësohet jo vetëm për rëndësinë e saj artistike, por edhe për historinë e veçantë që mbart. Ajo është përdorur për lutje private për vite me radhë dhe është ruajtur në një çantë lëkure, çka ka shkaktuar dëmtime në anën tjetër të panelit, ku paraqitet figura e Shën Jeronimit.
Kjo blerje vjen pak kohë pasi Italia investoi rreth 30 milionë euro për një portret të rrallë nga Caravaggio, një nga shpenzimet më të mëdha shtetërore për një vepër arti.
Ministri i Kulturës, Alessandro Giuli, ka theksuar se ky është vetëm fillimi i një strategjie më të gjerë për të rikthyer në Itali vepra me rëndësi të veçantë dhe për t’i bërë ato të aksesueshme për publikun.
“Ecce Uomo” pritet të ekspozohet fillimisht në Muzeun Kombëtar të Abruzzos, përpara se të prezantohet edhe në institucione të tjera kulturore në të gjithë vendin.