Në një video të publikuar në Telegram nga gazetarja pro-ruse me origjinë nga Ukraina, Diana Panchenko, aktori dhe ish-bodybuilderi Jean-Claude Van Damme i është drejtuar presidentit rus Vladimir Putin me një mesazh të pazakontë, duke shprehur dëshirën për të vizituar Rusinë si një “ambasador i paqes”.
Panchenko, e cila më 2023 u akuzua për tradhti nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës, ndau videon ku Van Damme shprehet se është i gatshëm të shkojë në Rusi për të përçuar mesazhe paqeje.
“Ne duam të vijmë në Rusi. Do të përpiqemi ta bëjmë këtë ashtu siç dëshironi ju, si një ambasador i paqes. Do ta doja shumë këtë… Do të ishte nder për mua të mbaja një titull të tillë”, – tha aktori belg.
Më tej, ylli i filmave aksion rrëfen një histori disi të çuditshme për një takim të mëparshëm me Putinin në një ngjarje të arteve marciale në Sochi, ku, sipas tij, “këpucët e tyre u prekën”. Van Damme ka vizituar më parë Rusinë në vitet 2007 dhe 2010, duke marrë pjesë në aktivitete të ndryshme kulturore dhe sportive.
Në fund të videos, i njohur si “Muskujt nga Brukseli”, ai përmbyll mesazhin me fjalët: “Le ta bëjmë këtë. Ambasador i paqes. Nuk do të flasim për politikë – vetëm për paqe, sport dhe lumturi. Ju duam shumë”.
Van Damme mbyll mesazhin duke dërguar një puthje drejt Rusisë dhe një tjetër “të madhe për Putinin dhe familjen e tij”.
Përtej deklaratave të shprehura me adhurim, Jean-Claude Van Damme është përfshirë në një skandal që ka tërhequr vëmendjen e mediave. Fillim këtij muaji, aktori u përfol se kishte pasur një takim me disa persona të dyshuar për trafikim seksual që i ofruan “dhuratë” pesë modele rumune për marrëdhënie seksuale. Ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi, Jean Claude Van Damme dhe Vladimir Putin në Shën Petersburg, Rusi – 14 prill 2007 (Foto: AP)
Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në Rumani thuhet se ka dorëzuar një kallëzim penal ndaj Van Damme, duke pretenduar se ngjarja ka ndodhur në Kanë, ndonëse pa specifikuar një datë të saktë. Sipas avokatit Adrian Cuculis, i cili përfaqëson një prej viktimave të supozuara:
“Në një ngjarje të organizuar nga Jean-Claude Van Damme në Kanë, disa shtetas rumunë – aktualisht nën hetim për krijimin e një grupi kriminal dhe shfrytëzim prostitucioni – dyshohet se i kanë ofruar Van Damme pesë gra rumune, modele të njohura në vendin e tyre, për marrëdhënie seksuale”.
Ai shtoi se “personi që i ka marrë këto ‘shërbime’ ka qenë në dijeni të gjendjes së tyre”.
Van Damme ka mohuar çdo përfshirje të qëllimshme në këtë çështje, duke deklaruar përmes agjentit të tij, Patrick Goavec, se akuzat janë “të pabazuara”.
“Jemi informuar për disa artikuj që flasin për një lidhje të supozuar në Kanë që përfshin zotin Jean-Claude Van Damme”, thuhet në deklaratë. “Faktet e raportuara janë qesharake dhe të pavërteta. Z. Van Damme nuk dëshiron të komentojë apo të ushqejë këtë thashethem, i cili është po aq absurd sa edhe i pabazë”.