Lajmet

KDI: Vazhdimi i dialogut nuk duhet ta gjejë Kosovën të papërgatitur

Published

on

Vazhdimi i dialogut me Serbinë mos ta gjejë Kosovën pa strategji dhe platformë

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka bërë me dije se është duke i përcjellë me vëmendje zhvillimet rreth procesit të dialogut Kosovë-Serbi. 

Ky institut ka theksuar se nga deklaratat publike të lehtësuesve të këtij procesi, ka sinjale të qarta se një takim në mes të  palëve edhe mund të ftohet së shpejti.

Me këtë rast, KDI-ja i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani si bashkudhëheqës të politikës së jashtme, njëherit edhe procesit të dialogut me Serbinë, që t’i kushtojnë vëmendje të veçantë kësaj çështje.

“Vazhdimi i dialogut nuk duhet ta gjejë Kosovën të papërgatitur, pa plan dhe pa qartësi rreth këtij procesi.  KDI-ja  kërkon nga Qeveria në koordinim me Presidencën, që sa më parë ta përgatisin Strategjinë dhe Platformën Shtetërore për Dialogun me Serbinë, ku artikulohen qartë e argumentohen mirë kërkesat e Kosovës lidhur me këtë proces. Konsolidimi i këtyre dokumenteve nuk duhet ta anashkaloj rolin mbikëqyrës të Kuvendit në këtë proces të rëndësishëm shtetëror, duke garantuar bashkërendim të institucioneve, gjithë përfshirje, llogaridhënie dhe transparencë”.

“Në fund, ftojmë bartësit e këtij procesi, që krahas hartimit të Strategjisë dhe Platformës për Dialogun, të ndërmarrin hapa konkret drejt arritjes së konsensusit të gjerë politik për dialogun, me qëllim për të forcuar pozicionin e Republikës së Kosovës në këtë proces. Në këtë drejtim, Kryeministri dhe Presidentja, konform përgjegjësive të tyre kushtetuese duhet të iniciojnë dhe t’i kontribuojë ndërtimit të konsensusit politik lidhur dialogun. Ndërsa, subjektet opozitare duhet të jenë të përgjegjshme për arritjen e konsensusit për këtë çështje të interesit shtetëror, duke treguar përkushtim dhe konstruktivitet në tejkalimin e pengesave në arritjen e pajtueshmërisë”, ka njoftuar KDI-ja.

Continue Reading

Lajmet

Gani Gecit i caktohet një muaj paraburgim

Published

on

By

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj Gani Gecit, i cili dyshohet për kanosje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj.
Vendimi është marrë pas seancës dëgjimore të mbajtur në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, e cila zgjati rreth dy orë.
Gjatë seancës, Prokuroria ka paraqitur kërkesën për caktimin e paraburgimit, ndërsa mbrojtja ka pasur mundësinë të shprehë qëndrimin dhe kundërshtimet e saj lidhur me këtë masë.
Ndërkohë, familjarët e Gani Gecit kanë pritur në ambientet e Gjykatës deri në marrjen e vendimit.

Continue Reading

Lajmet

BE-ja shpreh shqetësim për dhunën në protestën e Tiranës: Kërkon hetim për forcën e policisë

Published

on

By

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim të thellë për përshkallëzimin e dhunës gjatë protestës në Tiranë, duke kërkuar që pretendimet për përdorim të tepruar të forcës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve të hetohen me përparësi.

Përmes një deklarate zyrtare, BE-ja theksoi domosdoshmërinë që forcat e rendit të veprojnë brenda kornizave ligjore dhe të respektojnë të drejtat e njeriut.

“Presim që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore, siç edhe presim që këto raste të hetohen me përparësi”, thuhet në deklaratë.

Më tej, BE-ja theksoi se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore që duhet të respektohen dhe të ushtrohen gjithmonë në mënyrë paqësore. Blloku evropian u bëri thirrje të gjitha palëve të përfshira të ulin tensionet dhe t’i drejtohen dialogut konstruktiv për zgjidhjen e situatës.

Continue Reading

Lajmet

Bëhet ndërrimi i komandës së KFOR-it në Kosovë

Published

on

By

Në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it në Prishtinë sot është mbajtur ceremonia zyrtare e ndërrimit të komandës së misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë. Gjatë kësaj ngjarjeje, komandanti i deritanishëm, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ia dorëzoi zyrtarisht detyrën gjeneralmajorit Roberto Vergori, i cili do të marrë drejtimin e mëtejshëm të misionit.

Në këtë ceremoni të rëndësishme morën pjesë krerët më të lartë të institucioneve shtetërore të Kosovës, përfshirë presidenten e sapozgjedhur, Justina Shiroka Pula, kryeministrin Albin Kurti, kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, si dhe ministrave e ish-presidentëve të vendit.

Kryeministri Albin Kurti falënderoi gjeneralmajorin Ulutaş për shërbimin dhe kontributin e tij në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Republikën e Kosovës, duke i uruar njëkohësisht sukses komandantit të ri, gjeneralmajorit Vergori, në përgjegjësinë e tij të re.

Gjatë ceremonisë, kryeministri Kurti zhvilloi edhe një bashkëbisedim me ministrin e Mbrojtjes të Italisë, Guido Crosetto, nga i cili u informua se Italia po përgatit një dokument për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral ushtarak me Kosovën. Qeveria dhe Forca e Sigurisë e Kosovës rikonfirmuan përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit me KFOR-in në shërbim të paqes dhe stabilitetit. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Tensione në Tiranë: Studentët përplasen me policinë, sulmohet një bankë komerciale dhe dëbohen politikanët

Published

on

By

Tensionet në Rrugën e Durrësit pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë po vazhdojnë edhe sot, ku protesta e studentëve ka pësuar përshkallëzim të mëtejshëm. Disa nga protestuesit kanë sulmuar një bankë komerciale, duke i goditur e thyer xhamat e jashtëm si dhe duke tentuar t’i shkulin pllakat e godinës.

Në protestë janë grumbulluar studentë nga universitete të ndryshme, përfshirë Universitetin e Mjekësisë, Universitetin Bujqësor të Tiranës, Politeknikun, Fakultetin e Drejtësisë e të tjerë. Ndaj ndërtesës së ministrisë janë hedhur mjete piroteknike, ndërsa Policia e Shtetit është pozicionuar përballë tyre dhe po vazhdon shpërndarjen e turmës me ujë me presion, si dhe ka arrestuar e shoqëruar disa pjesëmarrës.

Situatë me tensione u shënua edhe te Fakulteti i Shkencave të Natyrës, ku një grup protestuesish e theu derën kryesore dhe u fut brenda ambienteve të fakultetit.

Në vendngjarje u parën edhe disa deputetë të Partisë Demokratike (PD), mirëpo prania e tyre u refuzua nga të rinjtë. Figurat politike si Belind Këlliçi dhe Eno Bozdo u dëbuan nga vetë studentët, të cilët iu kërkuan të largohen për të shmangur politizimin e kauzës, përpara se të vazhdonin përplasjen me forcat policore.

Ndërkohë, vala e protestave dhe pakënaqësive po përhapet edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Në Universitetin e Elbasanit dhe atë të Shkodrës ka nisur bojkotimi i procesit mësimor në shenjë solidariteti me studentët në Tiranë. Ndërkaq, në Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër situata raportohet të jetë e qetë dhe mësimi po zhvillohet normalisht. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara