Lajmet

Kazinotë e pandaluara në Karaçevë

Vrasjet që shtynë mbylljen e lojërave të fatit.

Published

on

Karaçeva, një fshat i vogël i Kamenicës, ka disa vite që është shndërruar në destinacion të hapjes së kazinove ilegale.

Kjo, sipas kryetarit të Kamenicës, Kadri Rahimaj, ndodh sepse është krijuar përshtypja se fshati në zonën kufitare me Serbinë, nuk është nën kontroll të institucioneve të Kosovës.

“Disa mendojnë se Karaçeva ka një territor, ku shteti i Kosovës nuk ka të drejtë të ndërhyjë, por ajo që ata mendojnë nuk është se qëndron, prandaj e kanë të gabueshëm mendimin dhe qëndrimin e tyre. Kjo pjesë është në territorin e Kosovës”, thotë Rahimaj.

Të mërkurën, më 15 dhjetor, Policia e Kosovës, gjatë një aksioni për mbylljen e lojërave ilegale të fatit në Karaçevë, arrestoi dy persona dhe shpalli në kërkim disa të tjerë.

Në këtë aksion u rrënuan tri objekte dhe u konfiskuan 96 aparate të lojërave të fatit, që ishin duke funksionuar ilegalisht.

Pjesa ku vazhdimisht po ndërtohen kazinotë në Karaçevë, është pranë vijës kufitare me Serbinë, ku ende nuk dihet vija e saktë që e ndan Kosovën nga Serbia. Në këtë vend nuk është kryer procesi i demarkimit të kufirit.

Megjithatë, sipas Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, në vendin ku po ndërtohen kazinotë, patrullohet kur ka informacione për incidente dhe kontrabandë.

“Ne, normalisht kur ka incidente, kur kemi informata për krime për kontrabandë, ne gjithsesi se patrullojmë”, thotë Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit.

Për çështjen e kazinove në Karaçevë, Radio Evropa e Lirë i ka dërguar disa pyetje edhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka marrë përgjigje.

Aksionet e policisë s’i ndalën kazinotë e Karaçevës

Pavarësisht aksioneve të rrënimit dhe patrullimeve që Policia e Kosovës thotë se i bën, kazinotë ilegale kanë vazhduar të ndërtohen.

Në shtator të vitit 2020 u zhvillua një aksion i gjerë i rrënimit të kazinove në Karaçevë.

Prokuroria Themelore e Gjilanit njoftoi për arrestimin e 35 personave në atë aksion – prej tyre 12 ishin zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Në nëntor të po të njëjtit vit, Prokuroria Themelore e Gjilanit ngriti aktakuzë kundër 73 personave të dyshuar për rastin “Karaçeva”.

Shumica u akuzuan për kontrabandim me mallra, nëntë të tjerë u akuzuan për veprën penale “prodhim dhe vënie në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë”, ndërsa 20 të tjerë për veprën penale “organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.​

Karaçeva si rezultat i ndalimit të lojërave të fatit

Organizimi i lojërave të fatit është veprimtari ilegale në Kosovë që nga viti 2019.

Atëbotë, Kuvendi i Kosovës vendosi t’i ndalojë lojërat e fatit në një periudhë dhjetëvjeçare.

Ndalimi me ligj i kësaj veprimtarie, sipas drejtuesit të Shoqatës së Lojërave të Fatit, Istref Veliu, ka ndikuar që individë të caktuar të bëjnë përpjekje që të organizojnë në mënyrë të kundërligjshme lojëra të tilla në Karaçevë.

Karaçeva është pasojë e ndalesës së lojërave të fatit. Bizneset, të cilat operojnë atje, nuk janë biznese që kanë operuar përpara”, shprehet Istrefi.

Megjithatë, ai nuk e përjashton mundësinë që të ketë individë, të cilët edhe më parë janë marrë me lojëra të fatit dhe që provojnë të fitojnë nga veprime të jashtëligjshme, siç është hapja e kazinove ilegale në fshatin Karaçevë të Kamenicës.

“Kur e drejta legjitime u merret prej shtetit, [ata detyrohen ta bëjnë këtë] të provojnë disi të mbijetojnë, edhe pse nuk e konsideroj veprim të mirë këtë. Por, njerëzit kanë pasur investime, kanë pasur kredi dhe këtyre brenda nate u është ndaluar kjo [veprimtari]. Çfarë pret tjetër këtu?”, thotë Istrefi.

Istrefi thotë se në kohën kur institucionet ndaluan me ligj organizimin e lojërave të fatit, të gjitha kazinove në Kosovë u janë konfiskuar aparatet dhe pajisjet e tjera që kanë pasur në dispozicion.​

ATK-ja i konfiskoi të gjitha aparatet

Konfiskimin e aparateve e konfirmon edhe Administrata Tatimore e Kosovës.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, zyrtarët e ATK-së thonë se fillimisht, në vitin 2019, të gjitha aparateve në Kosovë u është kontrolluar gjendja dhe pastaj janë tërhequr nga lokalet për t’u dërguar në depo të ndryshme, ku edhe janë blombuar.

Më pas, këto aparate, sipas ATK-së, janë konfiskuar me urdhër të Prokurorisë.

“Ndërsa, në fund të vitit 2020 dhe në fillim të vitit 2021, me urdhër të Prokurorisë, të gjitha këto automate janë konfiskuar nga Policia dhe janë dërguar në terminale doganore apo në objekte ku janë të mbikëqyrura nga Policia dhe Dogana”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Pas miratimit të Ligjit për ndalimin e lojërave të fatit në Kosovë, u mbyllën mbi 300 njësi të lokaleve të bastit, 133 lokale me aparate dhe 6 lokale me veprimtarinë bingo.

Vrasjet që shtynë mbylljen e lojërave të fatit

Aksioni për mbylljen e lojërave të fatit u motivua nga dy vrasje që ndodhën brenda objekteve të lojërave të tilla.

Jetmir Aliaj, 32 vjeç, u qëllua për vdekje më 17 mars, 2019, në një lokal të lojërave të fatit në qytetin e Suharekës.

Tri ditë më vonë, më 20 mars, Florent Ahmetaj, 32 vjeç, u vra me armë zjarri brenda një kazinoje në qytetin e Lipjanit.

Por, pavarësisht këtyre rasteve dhe rrënimit të objekteve të lojërave të fatit në Karaçevë, në këtë vend vazhdimisht u ndërtuan objekte, në të cilat u organizuan lojëra të fatit.

Këtë synon që ta parandalojë kryetari i ri i Kamenicës, Kadri Rahimaj.

“Na duhet një bashkëpunim dhe një bashkërendim i institucioneve komunale dhe qendrore. Do të kërkojmë edhe bashkëpunim, edhe mbështetje, në mënyrë që të parandalohet qysh në fazën fillestare dhe të mos presim që këta të zhvillohen deri në masën siç janë zhvilluar deri tash”, thotë Rahimaj.

Pa kazino, por me baste online

Pas miratimit të Ligjit për mbylljen e lojërave të fatit, në Kosovë janë bërë të pranishme platforma të ndryshme online, ku qytetarët mund të vendosin baste për ndeshje sportive apo të luajnë kazino.

B.L. [emër i njohur për redaksinë e REL-it] nga Prishtina vendos rregullisht baste në platforma të ndryshme online.

Ai thotë se në disa lokale në Prishtinë që merren me veprimtari të tjera, mund të shkosh dhe të rimbushësh llogarinë, e që pastaj të mundëson vendosjen e basteve online.

“Individë të ndryshëm kanë krijuar llogari në platforma digjitale. Ti shkon dhe u jep paratë e gatshme, ata ta rimbushin llogarinë online. Do të thotë, i lë disa të holla paradhënie në llogari, pastaj me to luan, vendos baste”, thotë ai.

Sipas B.L., individët që merren me këtë veprimtari ilegale, në disa raste kanë të hapura kafiteri të ndryshme, ku edhe mund të merren paratë e fituara nga bastet.

“Të gjitha ato që kanë qenë bastore të hapura, tani i kanë kthyer online”, thotë ai.

Radio Evropa e Lirë e ka pyetur Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, si dhe Policinë e Kosovës, nëse kanë ndërmarrë ndonjë veprim për mbylljen e platformave të tilla.

Këto dy institucione nuk i janë përgjigjur pyetjes së REL-it.

Rajoni i lejon lojërat e fatit

Rregullimi i lojërave të fatit ka qenë problematik edhe për shtetet e rajonit. Shqipëria i ndaloi zyrtarisht ato në janar të vitit 2019.

Por, pas rishikimit të ligjit dhe vendosjes së rregullave specifike, Shqipëria lejoi sërish hapjen e lojërave të fatit.

Në Serbi, lojërat e fatit janë legale dhe të rregulluara me ligj. Për herë të fundit, Ligji për lojëra të fatit në këtë shtet është rishikuar në vitin 2020, me qëllim që të jetë në përputhje me ligjet dhe direktivat e Bashkimit Evropian.

Lojërat e fatit në Maqedoninë e Veriut janë të ligjshme, si në kazinotë tokësore, ashtu edhe në ato online.

Së voni, Mali i Zi është kthyer në një nga destinacionet më të njohura për lojërat e fatit.

Për shkak të numrit të lartë të turistëve, Mali i Zi është vendosur në hartë për lojtarët profesionistë, amatorë dhe turistët e rregullt.

Kazinotë dhe bastet për ndeshje sportive janë të lejuara me ligj edhe në Bosnje e Hercegovinë.

Gjatë kohës sa kanë operuar në Kosovë, lojërat e fatit thuhet se i kanë sjellë buxhetit të Kosovës mesatarisht 20 milionë euro në vit.RFE

Continue Reading

Lajmet

Sekuestrohet në Pejë automjeti “BMW X6” i kërkuar nga Gjermania, i rikthehet pronarit

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim me Ekipin për Hetimin e Autokrimeve pranë Drejtorisë Rajonale të Policisë, ka përfunduar me sukses një operacion për sekuestrimin e një automjeti të llojit “BMW X6”, i cili kërkohej nga autoritetet gjermane.

Njoftimi i procedurës filloi pas marrjes së informacioneve nga Gjermania, përmes zyrës së ILECU-së, pasi ndaj shtetasit kosovar me inicialet Sh.Q. ishte iniciuar një procedurë penale për veprën “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”.

Më 7 gusht 2026, pas lokalizimit të veturës, u krye sekuestrimi dhe Prokurori i Shtetit lëshoi urdhër për ndalimin e saj të përkohshëm. Pas përfundimit të të gjitha procedurave të nevojshme juridike, më 14 gusht 2026, u lëshua urdhri zyrtar për kthimin e automjetit te pronari i tij legjitim, shtetasi gjerman me inicialet R.D.

/E.A/

Continue Reading

Lajmet

Vdes një 85-vjeçar shqiptar nga një arrest kardiak gjatë uljes së avionit në Bolonjë

Published

on

By

Një shtetas shqiptar 85-vjeçar ka ndërruar jetë si pasojë e një arresti kardiak, teksa avioni me të cilin po udhëtonte po kryente fazën e uljes në aeroportin “Guglielmo Marconi” të Bolonjës.

Sipas të dhënave paraprake, i moshuari po udhëtonte së bashku me familjen e tij dhe për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore kishte kërkuar ndihmë mjekësore gjatë fluturimit. Pavarësisht përpjekjeve, ai pësoi një goditje fatale pikërisht gjatë manovrës së uljes së mjetit fluturues.

Me të prekur token avioni, në vendngjarje mbërritën menjëherë ekipet e emergjencës mjekësore dhe njësitë e Policisë që shërbejnë në ambientet e aeroportit për kryerjen e procedurave të nevojshme. /Abcnews/

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 17 gusht 1993-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Foto: Cen Dugolli

17 gusht 1993

Forca të mëdha të policisë dhe ushtrisë serbe në Prishtinë

Që nga orët e hershme të mëngjesit, njësi të shumta të policisë serbe, po kontrollojnë të gjitha hyrje-daljet e Prishtinës. Grupe policësh kanë zënë pozicionet në pikat kryesore brenda në qytet.

Patrulla të policisë kanë zënë pozicione edhe në rrugët margjinale.

Nëpër qytet vërehen lëvizje të shtuara të policisë. Ndërsa, në udhëkryqin para ndërtesës së Komandës së ushtrisë serbe në Prishtinë, kanë dalë automjete përplot ushtarë. Lëvizje të ushtrisë gjatë ditës pati edhe në pjesë të tjera të qytetit.

Qytetarët e Prishtinës dhe njerëzit që ishin nisur për Prishtinë, pasi sot është ditë tregu, i janë nënshtruar një kontrolli të rreptë të policisë. Për këtë arsye shumë fshatarë nuk mundën të hyjnë në qytet.

Nuk dihen shkaqet e pranisë kaq të madhe të policisë në Prishtinë. Rreth orës 10 policë të armatosur ndërhynë në mënyrë brutale në tregun e devizave dhe arrestuan disa qytetarë.

Policët serbë plaçkitën mallëra të ndryshme në tregun e Prishtinës.

Forca të shtuara të policisë, siç njoftojnë degët e LDK-së, vërehen sot edhe në Prizren e në Gjilan.

 

 

17 gusht 1995

Në Gjakovë u instaluan rreth 350 refugjatë serbë

Mbrëmë në Gjakovë, arritën 7 autobusë me rreth 350 refugjatë serbë, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gjakovë.

I ashtuquajturi “shtab i krizës”, 110 refugjatë i vendosi në konviktin e nxënësve dhe të studentëve “Sadik Stavileci”, të tjerët në hotelin “Pashtriku” dhe në lokalet e shkollës fillore “Hysni Zajmi” të qytetit.

Në njoftim bëhet me dije se refugjatët serbë, menjëherë pasi u vendosën në ndërtesën e konviktit thyen bustin e Sadik Stavilecit, i cili ishte i vendosur në kopshtin e konviktit.

 

 

 

17 gusht 1998

Gjakovë: Bastisje në Osek Hylë, mbi 10 mijë veta ende nën qiellin e hapur

Sot paradite, një ekspeditë policore serbe ka bllokuar hyrje-daljet në fshatin Osek-Hylë dhe ka ndërhyrë në disa familje me pretekst të kërkimit të armëve, njofton KI i Degës së LDK-së në Gjakovë.

Edhe sot, në Gjakovë kanë vazhduar të vijnë banorë të ikur nga fshatrat e goditura në ofensivën e fundit të forcave serbe.

Njoftohet se një pjesë e popullatës, rreth 10 mijë veta, kryesisht gra, pleqë dhe fëmijë, vazhdojnë të qëndrojnë të pastrehuar, pa ushqim dhe pa kujdes mjekësor, në malet e anës së Dushkajës, Anësdrinit dhe në malet e Rekës së Keqe. Gjendja e tyre është mjaft e keqësuar dhe përveç urisë janë të kërcënuar nga sëmundjet e ndryshme. Ndërsa brenda në qytet dhe në paralegjet e qytetit janë rreth 50. 000 të ikur nga vatrat e tyre.

Edhe më tutje nuk dihet për fatin e shumë qytetarëve. Sot është bërë me dije se nuk dihet për Pjetër Tal Krasniqin dhe Zef Gjon Krasniqin nga fshati Meqë, që të dytë rreth moshës 62-63 vjeç, si dhe për Jusuf Ahmetin nga fshati Stubëll.

 

 

Prishtinë: Nga torturat në burg vdiq Cen Dugolli nga Ferizaji

Cen Dugolli, veprimtar i LDK-së nga Ferizaj, vdiq sot në klinikën e kirurgjisë në Prishtinë, ku u dërgua dje mha policia serbe.

Ai u arrestua më 21 qershor nga policia serbe, ndërsa dje u dërgua në spital, në një gjendje shumë të rëndë shëndetësore për shkak të torturave të rënda në burg. Mësohet se në spital ai iu nënshtrua intervenimit kirurgjik, por për trupin e tij të dërmuar nga rrahjet gjithçka ishte vonë.

Të përkujtojmë se në fund të qershorit dhe në fillim të korrikut policia serbe ndërmorri një fushatë të gjerë të arrestimit të veprimtarëve politikë e humanitarë të komunës së Ferizajt, të cilët më vonë u torturuan në mënyrën më mizore nga sigurimi serbe. Për shkak të torturave, më 22 korrik, pasi qëndroi disa ditë në gjendje kome në spital, vdiq veprimtari humanitar nga Ferizaj Rexhep Bislimi, i cili u arrestua nga policia më 6 korrik. Ndërsa, më 30 qershor, veprimtari i LDK-së Ylber Topalli, u plagos nga policia para gjykatës serbe në Prishtinë, kur tentoi të ikte derisa në gjendje të rëndë shëndetësore e i dërmuar nga të rrahurat po dërgohej për t’u marrë në pyetje.

Me rastin e Cen Dugolli lidhet edhe fati i avokatit të tij, Destan Rukiqi. Më 23 korrik ai shkoi për të marrë leje për ta vizituar në burg klientin e tij, por të njëjtën ditë u arrstua e u dërgua në burg, ku pas disa ditësh u keqtrajtua rëndë fizikisht dhe tash në gjendje të rëndë shëndetësore ndodhet i shtrirë në spitalin e burgut të Beogradit.

Continue Reading

Lajmet

PDK i dërgon letër Avni Deharit, kërkon vazhdimin e seancës konstituive të martën

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës i është drejtuar sërish me letër zyrtare kryesuesit të seancës, Avni Dehari, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të martën, më 18 gusht, në orën 11:00.

Sipas letrës së siguruar nga mediat, grupi parlamentar i PDK-së ka theksuar se vonesat në këtë proces përbëjnë shkelje të aktit më të lartë juridik të vendit.

Në letrën drejtuar Deharit thuhet se “Moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar tashmë ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Mosrespektimi i afateve dhe procedurave të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit vetëm sa e thellon më tej këtë situatë”. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Të kërkuara