Bill Gates ka konfirmuar pjesëmarrjen në dokumentarin më të ri amerikan të regjisorit shqiptar Valmir Tertini, “Pinocchio’s Harvard”, një projekt që tashmë po tërheq vëmendje të madhe në industrinë e filmit në SHBA.
Filmi, i prodhuar nga vivFilms, shënon iniciativën e parë zyrtare të studios në territorin amerikan.
Dokumentari sjell historinë e Pinocchio’s, picerisë ikonike pranë Harvardit, e cila për më shumë se 60 vite ka qenë pikë e rëndësishme kulturore, ku ushqimi, kujtimet dhe tradita takohen.
Hapësira modeste, por e ngrohtë, e Pinocchio’s është frekuentuar ndër vite nga emra që më vonë do të bëheshin figura botërore, si Bill Gates dhe Mark Zuckerberg, klientë të rregullt gjatë kohës së studimeve.
Lokali ka pritur personalitete nga Hollywood-i e politika, përfshirë Ben Affleck, Matt Damon, Natalie Portman, Malia Obama e Michelle Wu.
Në qendër të dokumentarit është Adams, njeriu që për dekada ka qenë zemra dhe fryma e Pinocchio’s.
Përmes bisedave spontane dhe momenteve të përditshme, filmi zbulon se si kjo piceri është shndërruar në një institucion të vetë Harvardit.
Vizita në këtë universitet konsiderohet e paplotë pa hyrë te Pinocchio’s, një vend ku personi i rastësishëm pranë teje mund të jetë një figurë e ardhshme me ndikim global.
Bill Gates gjatë xhirimeve
Regjisori Valmir Tertini, anëtar i Akademisë Evropiane të Filmit, njihet për qasjen e tij të guximshme dhe hulumtuese.
Ai ka trajtuar tema të ndjeshme, si martesa për dokumente në “Tradhti me Letra”, abuzimet në institucione në “Vulë”, si dhe ka sjellë portretin dokumentar të aktorit legjendar Bekim Fehmiu.
Me mbi 30 çmime ndërkombëtare, renditet ndër regjisorët shqiptarë më të suksesshëm të brezit. Ka qenë pjesë e ekipit të xhirimeve të “Boston Blue” e drejton klasën e filmit në Boston Public Library, punon paralelisht në kërkimet për doktoraturën mbi Efektin e Filmit.
“Pinocchio’s Harvard” synon pjesëmarrjen në festivalet më të rëndësishme të filmit në SHBA dhe pritet të ketë premierën në vitin 2026. /A.Z/UBT News/