Lajmet

Katy Perry feston 42-vjetorin e lindjes, nga hitet botërore te koncerti në Kosovë

Published

on

Këngëtarja amerikane Katy Perry festoi dje, më 25 tetor, 42-vjetorin e lindjes, duke shënuar një tjetër vit në jetën e një prej emrave më të njohur të muzikës pop bashkëkohore. Me këngë që kanë shoqëruar breza të tërë, videoklipe plot ngjyra dhe një identitet artistik të veçantë, Perry ka ndërtuar një karrierë që e ka vendosur ndër figurat më të spikatura të skenës ndërkombëtare.

E lindur si Katheryn Elizabeth Hudson në Santa Barbara të Kalifornisë, ajo e nisi rrugëtimin muzikor me muzikën gospel, përpara se të gjente identitetin e saj artistik në muzikën pop. Albumi One of the Boys, i publikuar në vitin 2008, shënoi kthesën e madhe në karrierën e saj, ndërsa kënga I Kissed a Girl e solli në vëmendjen e publikut ndërkombëtar.

Suksesi i saj vazhdoi edhe në vitet pasuese, veçanërisht me albumin Teenage Dream, të publikuar në vitin 2010. Ky album solli disa nga hitet më të njohura të këngëtares, përfshirë California Gurls, Firework, E.T. dhe Last Friday Night (T.G.I.F.).

Albumi shënoi një moment historik në karrierën e saj, pasi Katy Perry u bë artistja e parë femër që arriti të kishte pesë këngë nga i njëjti album në vendin e parë të listës amerikane Billboard Hot 100. Ky sukses e forcoi edhe më shumë pozitën e saj në industrinë muzikore dhe e shndërroi në një prej emrave dominues të muzikës pop të asaj periudhe.

Në vitin 2013, me albumin Prism, Perry vazhdoi suksesin ndërkombëtar, duke sjellë këngë si Roar dhe Dark Horse, të cilat u kthyen në hite të njohura në shumë vende të botës. Në veçanti, Roar u bë një nga këngët më përfaqësuese të repertorit të saj, duke u lidhur me mesazhe të fuqizimit personal dhe vetëbesimit.

Përtej muzikës, Katy Perry është dalluar edhe për paraqitjet e saj skenike, kostumet shumëngjyrëshe, videoklipet kreative dhe spektaklet që ndërthurin muzikën me elemente vizuale. Stili i saj i veçantë ka ndihmuar në krijimin e një identiteti artistik lehtësisht të dallueshëm në skenën ndërkombëtare.

Gjatë karrierës së saj, këngëtarja ka publikuar edhe albumet Witness në vitin 2017, Smile në vitin 2020 dhe 143 në vitin 2024, duke vazhduar të eksperimentojë me tinguj dhe koncepte të ndryshme muzikore. Ajo gjithashtu u bë e njohur për publikun televiziv përmes angazhimit si anëtare e jurisë në spektaklin amerikan American Idol, ku qëndroi për disa sezone.

Një kapitull i veçantë në karrierën e saj u shkrua edhe në Kosovë. Më 31 korrik 2026, Katy Perry performoi për herë të parë në Prishtinë, si një nga emrat kryesorë të Sunny Hill Festival, duke tërhequr mijëra adhurues të muzikës së saj.

Gjatë koncertit, artistja interpretoi disa nga hitet që kanë shënuar karrierën e saj, ndërsa skenografia me tematikë hapësinore i dha performancës një dimension të veçantë vizual. Një nga momentet që tërhoqi vëmendjen ishte edhe ngritja e flamurit të Kosovës gjatë paraqitjes së saj.

Një tjetër moment emocionues i mbrëmjes ishte takimi me një vajzë të vogël që po festonte ditëlindjen. Perry u afrua pranë saj dhe këndoi së bashku këngën Roar, duke krijuar një kujtim të veçantë për vogëlushen dhe për të pranishmit në festival.

Pas performancës, këngëtarja e përshkroi paraqitjen e saj të parë në Kosovë si një përvojë magjike, duke falënderuar Dua Lipën dhe organizatorët e festivalit për ftesën.

Në 42-vjetorin e lindjes, karriera e Katy Perry-t mbetet dëshmi e ndikimit që muzika pop mund të ketë në kulturën bashkëkohore. Me hite që vazhdojnë të dëgjohen edhe vite pas publikimit, performanca të paharrueshme dhe një identitet artistik të veçantë, ajo ka lënë gjurmë në muzikën ndërkombëtare gjatë dy dekadave të fundit.

Nga Firework te Roar, këngët e saj vazhdojnë të jenë pjesë e repertorit të dashur për miliona dëgjues në mbarë botën, ndërsa koncerti në Prishtinë shënoi një moment të rëndësishëm për fansat e saj në Kosovë./A.K/

Continue Reading

Vendi

Policia shpall në kërkim Albert Sylajn, kërkohet ndihma e qytetarëve

Published

on

By

Policia e Kosovës – Drejtoria Rajonale në Pejë, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë, ka lëshuar një kërkesë zyrtare për bashkëpunim me qytetarët me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e një personi të dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

I kërkuari është Albert (Sylejman) Sylaj, i lindur më 12 dhjetor 1984 në Deçan.

Policia u bën thirrje të gjithë qytetarëve që kanë çfarëdo informacioni lidhur me vendndodhjen e të dyshuarit, të njoftojnë menjëhirë organet e rendit ose të paraqiten në stacionin më të afërt policor.

Kontaktet për të lajmëruar Policinë e Kosovës:

  • 192 dhe 0800 19999 (të dy numrat pa pagesë)
  • 039 432 327 (Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë)

Continue Reading

Lajmet

LVV kërkon seancë të jashtëzakonshme dhe komision hetimor parlamentar

Published

on

By

Lëvizja Vetëvendosje ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për të thirrur seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, njoftoi se seanca synohet të mbahet më 26 tetor 2026, ku do të kërkohet themelimi i një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar zinxhirin e përgjegjësisë.

Nagavci theksoi se viktima i kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun ndaj jetës së saj tri ditë para se të vritej.

“Ajo kërkoi ndihmë dhe mbrojtje, por përfundoi e vrarë. Asnjë grua nuk duhet ta humbasë jetën pasi u është drejtuar institucioneve për mbrojtje. Çdo veprim dhe mosveprim duhet të hetohet dhe askush nuk duhet t’i shmanget përgjegjësisë”, ka shkruar Nagavci. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Kryeprokurori i Shtetit kërkon raport të detajuar dhe hetime për përgjegjësi institucionale

Published

on

By

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka kërkuar raport të detajuar me shkrim lidhur me të gjitha veprimet dhe mosveprimet e institucioneve në rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra mbrëmjen e 25 tetorit në Vitomiricë të Pejës, ku i dyshuar kryesor është kunati i saj.

Përmes një komunikate për media, Kryeprokurori i Shtetit njoftoi se rastit do t’i jepet trajtim me urgjencë dhe seriozitet maksimal, duke autorizuar koordinatorin nacional për rastet e dhunës në familje që të analizojë çdo procedurë të ndërmarrë më parë.

Në kuadër të këtij autorizimi, nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, është kërkuar një raport i hollësishëm që përfshin:

  • Kronologjinë e plotë të trajtimit të rasteve të së ndjerës, identitetin e personave të raportuar dhe cilësimin juridik të veprave.
  • Të dhënat për prokurorët kujdestarë e ngarkues, veprimet procedurale dhe kohën e ndërmarrjes së tyre, si dhe vendimet e nxjerra bashkë me arsyetimet përkatëse.
  • Vlerësimin e rrezikut, masat e marra për mbrojtjen e viktimës dhe komunikimin ndërinstitucional me Policinë e Kosovës.
  • Trajtimin e veçantë të shkresës paralajmëruese të dërguar nga e ndjera më 22 tetor 2026.

Përveç kësaj, Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) të nisë veprimet hetimore dhe verifikuese mbi mënyrën se si Policia e Kosovës i ka trajtuar raportimet e mëparshme të viktimës.

Në njoftim theksohet se nëse do të konstatohen shkelje ligjore, neglizhencë apo dështim në përmbushjen e detyrave zyrtare, do të ndërmerren masa të rrepta ligjore pa asnjë tolerim, si në nivel individual ashtu edhe institucional. Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ritheksoi se çdo pretendim për mosveprim do të shqyrtohet në mënyrë të plotë, objektive dhe profesionale për sqarimin e të gjitha rrethanave.

 

Continue Reading

Lajmet

Gjashtë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë

Published

on

By

Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar brenda 24 orëve të fundit në vend, ku në disa prej tyre viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Në Fushë Kosovë janë regjistruar dy ngjarje të ndara. Në rastin e parë, një person u arrestua pasi sulmoi fizikisht dy gra, të cilat morën tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari u lirua më pas në procedurë të rregullt. Në ngjarjen tjetër në këtë komunë, pas një përleshjeje fizike mes dy personave ku po ashtu u kërkua ndihmë mjekësore, prokurori vendosi t’u caktojë masën e ndalimit të dyshuarve.

Ndërkohë, dy raste të tjera të dhunës fizike ndaj grave u raportuan në Kamenicë, ku të dy të dyshuarit u arrestuan nga policia dhe me vendim të prokurorit u dërguan në mbajtje.

Përplasje fizike në familje u shënuan edhe në Prishtinë dhe Vushtrri. Në kryeqytet, rasti ndaj të dyshuarit po vazhdon në procedurë të rregullt, ndërsa në Vushtrri, viktima mori trajtim mjekësor dhe i dyshuari u lirua pas intervistimit /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara