Lajmet

Katër vjet nga rënia e Qeverisë 50-ditore të Albin Kurtit

Teksti i mocionit dhe arsyetimi i tij, në cilësi të iniciuesit, u lexuan nga shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Published

on

Kuvendi i Kosovës katër vjet më parë në një seancë plenare me kërkesë të 44 deputetëve, me 82 vota për, 32 kundër dhe një abstenim, kishte mbështetur mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së drejtuar për 50 ditë nga Albin Kurti, të propozuar nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Teksti i mocionit dhe arsyetimi i tij, në cilësi të iniciuesit, u lexuan nga shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili tha se ky mocion ka ardhur si pasojë e një mosveprimi të gjatë në lidhje me heqjen e plotë të tarifës, veprim ky që, siç tha ai, ishte kërkuar nga SHBA dhe BE, duke e bërë vendin subjekt të sanksioneve ekonomike amerikane.

“Në kohën kur vendi ka më së shumti nevojë për unitet të brendshëm dhe angazhim të plotë institucional në luftën kundër pandemisë së koronavirusit, kryeministri Kurti vendosi t’i jep fund marrëveshjes për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës”, tha Gashi.

Ndër të tjera, ai tha se me votimin e këtij mocioni, Kuvendit do t’i krijohej mundësia për krijimin e një qeverie e cila do të sjellë stabilitet dhe do të adresonte sfidat imediate.

Në anën tjetër, Rexhep Selimi nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, iniciuesve të këtij mocioni iu tha se “në vend që të ishim aleatë, në kohën kur qytetarët kanë sytë kah qeveria dhe bota është në luftë kundër koronavirusit, ju zgjodhët aleatë kundërshtarët, meqë thirrët mocionin për rrëzimin e qeverisë”.

Ai e konsideroi të pasaktë pohimin se ka sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa shtoi se kjo qeveri nuk po rrëzohet si rezultat i mos heqjes së tarifës, e as për shkak të shkarkimit të ish-ministrit Agim Veliu, por për shkak të lehtësimit të arritjes së marrëveshjes me Serbinë.

Në emër të GP të PDK-së, Memli Krasniqi tha se seanca për votëbesimit të Qeverisë ka ardhur pas vetë-dorëzimit të kryeministrit Kurti dhe qeverisë përballë sfidave që ka vendi ynë.

“Partia Demokratike e Kosovës do të votojë pro mocionit të mosbesimit, jo vetëm sepse është në krye të opozitës dhe përshkrimi i natyrshëm i punës së çdo opozite të një vendi demokratik është që t’ia shkurtojë sa më shumë jetën qeverisë, por edhe sepse me të vërtetë kjo ka qenë qeveria më e paaftë e historisë së demokracisë së Kosovës dhe meriton të ikë sa më shpejtë”, tha Krasniqi.

Edhe Daut Haradinaj, nga Grupi Parlamentar i AAK-së, rikonfirmoi qëndrimin e subjektit për mbështetjen e mocionit.

“Diskriminimi buxhetor i zonave të caktuara ku pamëshirshëm janë sakatuar projektet më vitale të asaj zone, heqja e taksës pa asnjë profit për Republikën e Kosovës, krijimi i tregut për Serbinë dhe mos negocimi i saj me SHBA-të, por thjeshtë ndoshta edhe mos negocimi me aleatët e partnerët e koalicionit, tërheqja e investitorëve seriozë, shkarkimi i ministrit, janë disa nga arsyet pse Aleanca do ta mbështesë këtë mocion mosbesimi”, tha Haradinaj.

Për më tepër ai theksoi se kjo qeveri do të mbahet mend për tentimin e krijimit të një monopoli, duke injoruar kështu tërësisht rolin e opozitës në demokracinë parlamentare.

Shefi i GP të Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, theksoi se Qeveria Kurti do të mbahet në mend edhe për jetëgjatësinë e saj.

“Kjo qeveri do të mbahet në mend çdo herë në historinë tonë si qeveria më e shkurtër në vendin tonë, andaj krizën të cilën e ka shkaktuar ‘qeveria e shpresës’, ne si NISMA dhe Kuvendi, sot do t’i japim epilogun e vet”, tha Shala, duke konfirmuar votën pro mocionit.

Përfaqësuesi i Grupit Parlamentar 6+, Albert Kinolli, tha se në këtë qeveri të cilën e kanë votuar dhe që janë partnerë të koalicionit, është zbehur dhe minimizuar raporti mes tyre, andaj konfirmoi votën për rrëzimin e saj.

“Vota jonë nuk do të jetë vendimtare, duke pasur parasysh vullnetin e shumicës, prandaj e përkrahim edhe ne”, tha Kinolli.

Duke marrë fjalën para deputetëve, kryeministri Albin Kurti përmendi të arriturat e qeverisë të drejtuar nga ai, gjatë këtyre 50 ditëve, duke potencuar se është krenar me kabinetin e tij qeveritar dhe me të arriturat e tij.

“Qeveria e re e Republikës, sot ndodhet në ditën e 50 të punës së saj. Sot mbushen 50 ditë që kemi bërë punë, jo që nuk i patëm 100 ditë për ta dëshmuar punon tonë, por nuk i patëm as 100 orë. Mund të them që jam krenarë me këtë kabinet dhe me të arriturat e tij”, tha Kurti.

Ai tha se kjo qeveri e ka mbështetjen e qytetarëve të saj.

“Ju të gjithë e dini se kjo qeveri e ka mbështetjen e qytetarëve të cilët janë në një gjendje aq të rëndë, sepse papunësisë në mesin e tyre dhe padrejtësisë ndaj tyre iu shtua edhe rreziku nga koronavirusi”, shtoi Kurti.

Ndërsa, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, tha se rrëzimi i qeverisë kohë pandemie është i pashembullt.

“Prandaj, nuk mund të pajtohem me mocionin e mosbesimit, sepse konsideroj se duke e votuar atë, ne e braktisim vullnetin e qytetarëve tanë për ndryshim”, tha kryetarja Osmani, duke paralajmëruar votën kundër mocionit.

Pas shterjes së debatit, me shumicë votash Kuvendi miratoi mocionin e mosbesimit, të propozuar nga GP i LDK-së dhe mbështetur nga 44 deputetë.

Vendi

Pesë raste të dhunës në familje në raportin e Policisë së Kosovës

Published

on

By

Policia e Kosovës ka regjistruar pesë raste të dhunës në familje në disa rajone të vendit, ku përfshihen sulme fizike, psiqike dhe tentativa për sulm. Rastet janë raportuar në Prishtinë, Fushë Kosovë, Istog, Deçan dhe Mitrovicë të Jugut.

Në Fushë Kosovë një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga një burrë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Në Prishtinë një burrë ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga një grua. Rasti ndodhet nën hetime nga njësitë përkatëse.

Ndërsa në Istog një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë psiqike ndaj dy personave, një gruaje dhe një burri. Rasti vazhdon të hetohet.

Edhe në Deçan një grua ka njoftuar se bashkëshorti i saj ka tentuar ta sulmojë fizikisht. I dyshuari nuk është takuar në shtëpi nga policia dhe rasti mbetet nën hetime.

Një grua në Mitrovicë e Jugut ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Rasti është duke u hetuar nga njësitë relevante policore. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Gjendet pa shenja jete një person në Prishtinë

Published

on

By

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, sot rreth orës 05:15 në Prishtinë është gjetur i shtrirë në rrugë një burrë.

Ekipi i emergjencës ka dalë në vendngjarje, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Në lokacion kanë dalë edhe njësitet përkatëse policore. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.  /E.A/

Continue Reading

Vendi

Sot me mot me diell dhe temperatura deri në 36 gradë

Published

on

By

Sipas njoftimit më të fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), ditën e martë vendi ynë do të përfshihet nga një mot kryesisht me diell dhe me temperatura të larta për këtë periudhë.

Gjatë orëve të mëngjesit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12 dhe 17 gradë Celsius. Ndërkaq, me vazhdimin e ditës, pritet një ngritje e ndjeshme e temperaturave maksimale, të cilat do të arrijnë nga 30 deri në 36 gradë Celsius në shumicën e vendeve.

Nga IHMK bëjnë të ditur se era do të fryjë nga drejtimi i veriut dhe verilindjes, me një shpejtësi të lehtë deri mesatare prej 1 deri në 5 metra për sekondë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

‘Serbia e humbi Kosovën’ – Rama reagon ndaj Gjuriqit për Ibrin

Published

on

By

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur deklaratave të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, pas debatit të ndezur mes Tiranës dhe Beogradit për lumin Ibër, duke kundërshtuar ashpër përfshirjen e konceptit të “Shqipërisë së Madhe” në diskutimet për Kosovën.

Në reagimin e tij në rrjetin X, Rama e cilëson si të vjetëruar këtë argument të politikës serbe dhe thekson se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj Serbisë, ndërsa mbështetja e saj për Kosovën lidhet me njohjen e Kosovës si shtet dhe me të drejtën e qytetarëve të saj për të përcaktuar të ardhmen.

“Shqipëria nuk ka asnjë pretendim ndaj territorit serb dhe nuk ka nevojë të shpikë një të tillë. As nuk na nevojitet një ‘Shqipëri e Madhe’ për të qëndruar në krah të Kosovës”, shprehet ai.

Debati nisi pas diskutimeve për lumin Ibër dhe mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së tij, çështje për të cilën ministri i Jashtëm shqiptar, Ferit Hoxha, kishte shprehur shqetësimin e Tiranës.

Gjuriq reagoi duke akuzuar Shqipërinë se po përpiqej të zhvendoste vëmendjen nga situata dhe të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, duke deklaruar se “nuk ka vend për një Shqipëri të Madhe” apo për projekte të bazuara në zgjerim etnik dhe ndryshim kufijsh.

Rama, megjithatë, e kthen debatin te Kosova dhe kundërshton atë që e quan një “pjesë të veçantë të folklorit politik në Beograd”. “Sa herë që Shqipëria flet për Kosovën, duhet të thirret menjëherë ‘Shqipëria e Madhe’, sikur përsëritja një ditë mund ta shndërrojë një fantazmë të vjetër në një argument relevant”, ka shkruar kryeministri shqiptar në X.

Sipas tij, Tirana nuk ka nevojë për një projekt të tillë për të mbështetur Prishtinën. “Kosova është një shtet më vete. Shqiptarët e Kosovës janë pikërisht kjo: shqiptarë të Kosovës. Ata kanë Republikën e tyre, institucionet e tyre dhe të drejtën për të përcaktuar të ardhmen e tyre. Ne do të qëndrojmë gjithmonë në krah të kësaj të drejte”, deklaron Rama.

Kryeministri shqiptar përdor një gjuhë të drejtpërdrejtë edhe për çështjen e statusit, duke nëlluar se Serbia tashmë e ka humbur Kosovën: “Serbia e humbi Kosovën. Përsëritja se nuk e ka humbur mund ta shndërrojë ndoshta humbjen në fitore në gjeografinë e imagjinatës politike, por, për fat të keq, hartat janë më pak të përshtatshme për këtë.”

Ai shton se territori dhe burimet natyrore të Kosovës nuk janë burime të Serbisë, një realitet që sipas tij “miqtë tanë serbë e dinë shumë mirë”, madje edhe kur ulen së bashku në tryezat evropiane.

Pavarësisht përplasjes politike, Rama e rikthen vëmendjen te thelbi i diskutimit me fjalët “Prandaj, le të kthehemi te lumi.”

Ai pranon se Serbia ka të drejtë të menaxhojë burimet brenda juridiksionit të saj, por kundërshton idenë se pasojat e një ndërhyrjeje mbi një sistem ujor ndërkufitar si Ibri ndalen në kufi. “Serbia është plotësisht e lirë të menaxhojë burimet brenda juridiksionit të saj.

Ajo që nuk mund të argumentojë në mënyrë të arsyeshme është se pasojat e mundshme për një shtet tjetër ndalojnë në mënyrë magjike në kufirin serb”, deklaron Rama, duke i treguar të drejtës ndërkombëtare të ujërave dhe duke ironizuar se “lumenjtë kanë vesin e bezdisshëm të ndjekin gjeografinë dhe jo deklaratat diplomatike.”

Lidhur me komunitetin serb në Kosovë, Rama thekson se mbrojtja e të drejtave të tyre është thelbësore: “Të drejtat e tyre kanë rëndësi. Siguria e tyre ka rëndësi. Prona, gjuha, trashëgimia kulturore dhe fetare e tyre duhet të mbrohen.” Megjithatë, ai e konsideron një “manovër akrobatike” faktin që Shqipëria akuzohet për ekspansionizëm etnik, ndërsa Serbia vazhdon t’i referohet territorit të një shteti sovran si të ishte i saji. Për më tepër, ai nëvizon se për të mbërritur te një rajon ku kufijtë kanë më pak rëndësi, duhen pranuar më parë kufijtë ekzistues: “Gjenialiteti i projektit evropian ishte pikërisht ndarja e përkatësisë kombëtare nga oreksi territorial”.

Në përmbyllje, Rama garanton se nuk ka asgjë të fshehtë, as harta apo kufij të fshehur, dhe se Shqipëria kërkon marrëdhënie të mira me Serbinë e integrim të rajonit në BE.

Por ai e bën të qartë se fqinjësia e mirë nuk nënkupton pranimin e versionit serb të historisë, për të cilin Ballkani ka paguar çmim të lartë në gjak dhe kohë të humbur. “Ndërkohë, Ibri, krejt i pavetëdijshëm për gjithë hartografinë tonë historike, do të vazhdojë të rrjedhë sipas gjeografisë dhe jo sipas folklorit”, përfundon Rama.

 

Continue Reading

Të kërkuara