Lajmet

Katër vjet nga marrëveshja që armiqësoi fqinjët

Nikollov thotë se s’dëshiron që “vëllezërve tanë”, siç shprehet ai, t’u mohohet e ardhmja evropiane.

Published

on

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë kaluar në heshtje 4-vjetorin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, të nënshkruar më 1 gusht të vitit 2017, nga kryeministrat Zoran Zaev dhe Boyko Borisov.

Me këtë marrëveshje dy vendet synonin t’i jepnin fund mosmarrëveshjeve që ekzistojnë që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut lidhur me gjuhën dhe identitetin maqedonas, kulturën dhe historinë e ndërsjellë.

Dy kryeministrat, marrëveshjen e kishin quajtur historike për shkak se linte pas të kaluarën me qëllim që dy vendet të ecnin drejt një të ardhshme më të mirë për dy popujt. Marrëveshja ishte nënshkruar në dy gjuhët për të dëshmuar njohjen e maqedonishtes nga Sofja zyrtare.

Por, me kalimin e kohës apo nisjen e zbatimit në praktikë të marrëveshjes, tensionet u nisën të rriten, pasi pala bullgare insistoi në prejardhjen bullgare të maqedonasve dhe të gjuhës maqedonase apo për një identitet të ri pas vitit 1945.

Pra, marrëveshja jo vetëm që nuk arriti synimin e saj, por përkeqësoi edhe më shumë raportet mes dy vendeve duke çuar në vendosjen e vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).

Vetoja e nëntorit të vitit të kaluar u përsërit edhe në samitet e radhës të BE-së, ndërsa një përafrim të qëndrimeve e pamundësoi edhe kriza politike në Bullgari, ku në dy ciklet zgjedhore nuk u arrit te formohet një qeveri e qëndrueshme.

Drejtuesit e institucioneve në Maqedoninë e Veriut, thonë se janë të përkushtuar për zbatimin e marrëveshjes, por mbeten në qëndrimin se për identitetin dhe gjuhën maqedonase nuk mund të bisedohet.

“Veçantia e popullit maqedonas dhe e gjuhës maqedonase paraqesin realitet në çdo kuptim; e maqedonasit, si dhe të gjithë popujt e tjerë, kanë të drejtën e ndjenjave të tyre, të bindjeve dhe pikëpamjeve për ngjarje dhe konteste historike, sado që këto të jenë të përbashkëta”, ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në një video-mesazh me rastin e 2 gushtit, festës kombëtare maqedonase, të cilën e festojnë edhe bullgarët.

I nominuri për kryeministër të Bullgarisë nga partia “Ka një popull të tillë”, Pllamen Nikollov, në një paraqitje televizive ka thënë se vendi i tij nuk dëshiron që “vëllezërve tanë”, duke aluduar në maqedonasit, t’i mohojë të ardhmen evropiane ndërsa ka përmendur mundësinë e ndryshimit të marrëveshjes së arritur para katër vjetësh, por pa saktësuar sesi mund të duket ajo.

“Në asnjë mënyrë nuk do të shqetësojmë vëllezërit tanë dhe nuk do t’i privojmë ata nga mundësia e të ardhmes evropiane, në asnjë mënyrë të dhunshme ose në një mënyrë të aplikuar nga vendet e tjera të Ballkanit, por kjo nuk do të thotë që ne do të lëmë anash interesin tona kombëtare. Si mund të bëhet kjo. Ndoshta duke shqyrtuar apo reviduar marrëveshjen”, ka deklaruar Nikollov.

Bllokadës bullgare, pala maqedonase së fundmi i është përgjigjur me një rezolutë për “vijat e kuqe”, që përjashton bisedimet për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin dhe gjuhën. Rezoluta është miratuar me propozim të VMRO-DPMNE-së në opozitë, pasi kjo parti dyshonte se qeveria që drejtohet nga socialdemokrati, Zoran Zaev “po zhvillon negociata të fshehta në dëm të interesave kombëtare”.

Ish-ambasadori maqedonas në Sofje, Marjan Gjorçev, thotë nuk mund të ketë asnjë marrëveshje për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin dhe shton se Bullgaria me bllokimin e procesit të integrimit, po humb mbështetjen e BE-së.

“Në aspektin teknik, Bullgaria mund të përdorë veton edhe gjatë kryesimit slloven me BE-në. Por, këtë ajo nuk mund ta bëjë në pafundësi, pasi janë qëndrimet që nuk mund të mbrohen në dimensionin evropian për shkak se askujt nuk mund të kontestohet identiteti, gjuha e veçoritë tjera kombëtare. Sofja duhet ta kuptojë se sa herë që përdor veton aq më shumë do të humbë besimin e partnerëve evropianë. Rezoluta që miratuam mendoj se është një gjë e mirë, pasi Bullgaria do ta ketë të qartë se cilat janë vijat e kuqe për të cilët nuk mund të negociohet”, thotë ish-ambasadori maqedonas, Marjan Gjorçev.

Kryetar i Këshillit të Ambasadorëve, Muhamed Halili thotë se rezoluta që ka miratuar Kuvendi i Maqedonisë së Veriut edhe më shumë do ta vështirësojë procesin e integrimit evropian, ndërsa e sheh si shumë të vështirë arritjen e një marrëveshjeje të re.

“Një marrëveshje e re është e mundur, por vështirë e realizueshme, posaçërisht pas miratimit të fundi në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut të rezolutës për vijat e kuqe, të cilat institucionet duhet t’i ndjekin. Kjo do ta vështirësojë edhe më shumë punën, pasi aty ka vija nga të cilat Shkupi nuk lëshon pe dhe vija të cilat Sofja nuk i pranon. Kështu që çdo përpjekje për një marrëveshje të re do të ishte shumë i vështirë”, thotë Halili.

Ai komentoi edhe qëndrimin e partive shqiptare duke thënë se ato nuk kanë asnjë relevancë pavarësisht se shumë herë kanë thënë se shqiptarët nuk mund që të pafundësi të mbeten jashtë integrimit evropian për shkak të kontesteve që ka vendi me fqinjët.

“Partitë politike shqiptare kanë qëndrimet e tyre që bazohen në interesat e tyre. Ato pajtohen me çdo gjë për të cilat marren vesh dy palët, që do të thotë se nuk kanë relevancë politike. Çdo zvarritje e integrimit evropian shkon në dëm të interesave të të rinjve, pa marrë parasysh se cilit komuniteti i takojnë, por në veçanti shqiptarëve sepse ne as që kemi kontestuar e as që kontestojnë identitetet kulturore e gjuhësore të tjerëve. Për ne është e papranueshme që për shkak të kontestimit të identitetit të tjerëve të dëmtojë interesat e të rinjve dhe të rejave shqiptarë”, thotë Halili.

Lajmet

Vdes ish-kongresisti Eliot Engel, zë i fuqishëm në mbështetje të Kosovës

Published

on

By

Ish-kongresisti amerikan Eliot Engel ka vdekur në moshën 79-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi si një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës. Ai u largua nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara në janar 2021, pas mbi 30 vjetësh shërbim.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cilësoi vdekjen e tij si humbje të një miku të dëshmuar dhe përkrahësi të palëkundur të lirisë dhe shtetësisë së Kosovës. Ajo theksoi se Engel, gjatë dekadave në Kongres, ishte në anën e drejtë të historisë – nga mbështetja për ndërhyrjen e NATO më 1999 kundër regjimit të Slobodan Milošević, deri te përkrahja për pavarësinë e Kosovës më 2008.

Edhe kongresisti Ritchie Torres e vlerësoi Engelin si një zë të fortë për Kosovën dhe komunitetin shqiptar në kohë kur pak të tjerë i kushtonin vëmendje.

Engel, pjesë e Partisë Demokratike, përfaqësoi që nga viti 1989 një zonë të Bronksit në New York City me komunitet të madh shqiptar. Ai ishte ndër figurat kyçe në sigurimin e mbështetjes së Kongresit për njohjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Për kontributin e tij, Kosova ka emërtuar rrugë dhe autostradë me emrin e tij, si dhe ka lëshuar pullë postare me portretin e Engelit. Ndërkohë, qëndrimet e tij pro Kosovës e bënë figurë të diskutueshme në Serbi, e cila vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e saj.

Gjatë një seance dëgjimore në vitin 2020, Engel kishte shprehur lidhjen e veçantë me rajonin, duke theksuar se asnjë vend në Ballkan nuk e kishte prekur më shumë se Kosova.

Ai hyri në Kongres në periudhën e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë dhe u angazhua në çështjet e rajonit përmes Komitetit për Punë të Jashtme, duke u bërë një nga njohësit më të mirë të Ballkanit në politikën amerikane.

Continue Reading

Lajmet

Kalon në parim ligji për sigurime shëndetësore dhe çmimet tavan

Published

on

By

Në vazhdimin e seancës së dytë të jashtëzakonshme të pasdites, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor dhe atë për çmimet tavan.

Projektligji për sigurimet shëndetësore u miratua me 65 vota për, duke marrë mbështetje edhe nga një pjesë e opozitës, e cila e cilësoi atë si të domosdoshëm. Ky projektligj parasheh krijimin e një pakete bazike shëndetësore që do të përditësohet çdo vit, ndërsa kontributet do të jenë 3.5 për qind nga paga e të punësuarit dhe 3.5 për qind nga punëdhënësi, për financimin e fondit të sigurimit.

Megjithatë, u theksua se funksionalizimi i Sistemit Informativ Shëndetësor mbetet parakusht për zbatimin e tij, ndërkohë që digjitalizimi i këtij sistemi ende nuk është përmbyllur. Një ligj i ngjashëm ishte miratuar edhe në vitin 2014, por nuk kishte gjetur zbatim praktik. Ndërkaq, ky projektligj ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese në janar për shkak të miratimit jokushtetues. Shqyrtimi i dytë i tij pritet të bëhet më 23 prill.

Në të njëjtën seancë, Kuvendi miratoi në parim edhe projektligjin për çmimet tavan me 63 vota për, pa mbështetjen e opozitës. Sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, ligji synon mbrojtjen e qytetarëve dhe do të përdoret si masë e jashtëzakonshme në raste të destabilizimit të tregut, duke theksuar se nuk është kundër tregut të lirë, por kundër abuzimeve me çmimet.

Nga ana tjetër, deputetët opozitarë e kundërshtuan projektligjin, duke vlerësuar se ai rrezikon ndërhyrjen në tregun e lirë dhe i jep Qeverisë kompetenca të drejtpërdrejta për kontrollin e çmimeve. Ata ngritën shqetësime edhe për mënyrën e funksionimit të bordit të paraparë në projektligj, duke e cilësuar atë si jopavarur dhe me mungesë të metodologjisë së qartë për vendimmarrje.

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi i Kosovës ratifikon katër marrëveshje ndërkombëtare të kredisë

Published

on

By

Në seancën e mbajtur të premten, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar disa projektligje që mundësojnë ratifikimin e marrëveshjeve të kredisë me institucione të rëndësishme ndërkombëtare.

Projektligjet e miratuara, të cilat u përfaqësuan nga Ministria e Financave, përfshijnë:

Zhvillimi i Sektorit Financiar: Marrëveshja me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA) për mbështetjen e projektit të sektorit financiar në vend.

Energjia dhe Klima: Marrëveshja me bankën gjermane KfW për programin e kredisë që synon reformat në sektorin e energjisë dhe mbrojtjen e klimës.

Politika Publike: Marrëveshja me Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD) për programin e kredisë të bazuar në politikat e përgjithshme shtetërore.

Tregtia dhe Transporti: Marrëveshja me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0”.

Këto marrëveshje synojnë të forcojnë infrastrukturën ekonomike dhe të lehtësojnë integrimin rajonal përmes investimeve në sektorë strategjikë për Kosovën.

 

Continue Reading

Lajmet

Miratohet rezoluta për mbrojtjen e të vërtetës së luftës

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 90 vota pro dhe asnjë kundër- Rezolutën për mbrojtjen e historisë dhe të vërtetës së luftës në Kosovë.

Ky propozim i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) bëri bashkë pozitën dhe opozitën, të cilat votuan unanimisht për të mbrojtur vlerat e luftës çlirimtare dhe për të parandaluar tentativat për rishikimin e historisë.

Përmes këtij votimi, deputetët treguan unanimitet, duke vlerësuar se mbrojtja e sakrificës së popullit dhe e të vërtetës historike është një obligim kombëtar që qëndron mbi dallimet politike.

Continue Reading

Të kërkuara