Në kuadër të Global UBT Fest 2026, Fakulteti i Inxhinierisë së Energjisë në UBT organizoi me sukses Akademinë Verore me temën “Sfidat e Tranzicionit të Energjisë së Qëndrueshme”, duke mbledhur studentë, ekspertë dhe profesionistë të sektorit të energjisë për të diskutuar zhvillimet më të fundit në këtë fushë.

E zhvilluar nga 6 deri më 10 korrik në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan dhe në ITP Prizren, Akademia Verore u fokusua në sfidat dhe mundësitë që sjell tranzicioni energjetik, duke kombinuar njohuritë teorike me përvojat praktike dhe rastet konkrete nga industria.
Programi pesëditor trajtoi tema aktuale që lidhen me operimin e sistemeve të shpërndarjes së energjisë elektrike, efiçiencën e energjisë, ndërtesat inteligjente (Smart Buildings), sistemet e menaxhimit të ndërtesave (Building Management Systems – BMS), si dhe zhvillimin e hidrocentraleve dhe ndikimin e tyre në prodhimin e energjisë së ripërtëritshme.
Në ditën e parë, MSc. Alush Mexhuani, Drejtor i Sistemit të Operimit të Shpërndarjes, ligjëroi mbi temën “Operimi i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike”, duke prezantuar funksionimin dhe sfidat e rrjetit modern të shpërndarjes së energjisë.
Në ditën e dytë, ekspertja për efiçiencë të energjisë, MSc. Nafije Gashi, trajtoi temën “Memoria kolektive dhe trashëgimia kulturore si sfidë në zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë në mjedise urbane”, duke theksuar rëndësinë e balancimit ndërmjet ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe zbatimit të standardeve moderne të efiçiencës.
Aktivitetet vazhduan në ditën e tretë me ligjëratën e MSc. Luljeta Hoxha Osmani, e cila prezantoi temën “Sfidat mjedisore gjatë zbatimit të masave të efiçiencës së energjisë – trajtimi i mbetjeve”, duke diskutuar ndikimin mjedisor të proceseve të tranzicionit energjetik dhe rëndësinë e menaxhimit të qëndrueshëm të mbetjeve.
Në ditën e katërt, eksperti i kompanisë Schneider Electric, MSc. Vasil Kosta, mbajti ligjëratën “Ndërtesat e mençura të së ardhmes”, ku prezantoi teknologjitë më të avancuara për automatizimin dhe menaxhimin inteligjent të ndërtesave, me fokus në rritjen e efiçiencës dhe kursimin e energjisë.
Akademia Verore u përmbyll në Innovation and Training Park (ITP) Prizren, ku eksperti i hidrocentraleve MSc. Arianit Halimi ligjëroi mbi temën “Hidrocentralet në Komunën e Dragashit”, duke prezantuar potencialin e energjisë hidrike dhe rolin e saj në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit energjetik në Kosovë.
Përmes ligjëratave, diskutimeve dhe shkëmbimit të përvojave me ekspertë të industrisë, Akademia Verore e Fakultetit të Inxhinierisë së Energjisë dëshmoi edhe një herë angazhimin e UBT-së për të ofruar një arsimim të orientuar drejt praktikës dhe inovacionit, duke përgatitur profesionistët e ardhshëm për sfidat e tranzicionit energjetik dhe zhvillimit të qëndrueshëm.





