Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka prezantuar analizën e re mbi pasojat e bllokadës në Kuvendin e Kosovës, ku raporti nënvizon se mungesa e konstituimit të Kuvendit nuk është më thjesht një krizë politike pas-zgjedhore, por një çrregullim institucional serioz, me pasoja të drejtpërdrejta për demokracinë funksionale.
Eugen Cakolli nga KDI theksoi se moskonstituimi i Kuvendit ka krijuar një vakuum institucional, ku qytetarët janë lënë pa përfaqësim politik, Qeveria në dorëheqje vepron pa mbikëqyrje parlamentare, dhe institucionet e pavarura kanë mbetur jashtë kontrollit demokratik.
“Kuvendi nuk është thjesht një institucion ligjvënës. Ai është themeli i rendit kushtetues të Kosovës. Pa Kuvend funksional, qytetarët janë përjashtuar nga vendimmarrja dhe shteti ka hyrë në një fazë pauze”, tha Cakolli.
Sipas analizës së KDI-së, mungesa e Kuvendit ka ndikuar në disa rrafshe të funksionimit të shtetit. Para së gjithash, nuk është respektuar afati kushtetues 30-ditor për konstituimin e tij, siç e përcaktoi Gjykata Kushtetuese në vendimin KO124/25.
Në këtë periudhë vakumi, Qeveria në dorëheqje ka ndërmarrë vendime me ndikim të madh politik dhe financiar përfshirë mbi 70 milionë euro angazhime buxhetore në mungesë të kontrollit parlamentar dhe jashtë mandatit të kufizuar që përcakton Ligji për Qeverinë. Vendime për ndarjen e subvencioneve, themelimin e komisioneve të përhershme, ose ndryshime kadrovike në borde publike janë marrë, pa asnjë filtër mbikëqyrës apo diskutim institucional.
Ndërkohë, reforma kyçe të paralajmëruara dhe të dakorduara, si Vettingu dhe Kodi Civil, kanë mbetur pezull. Pesë projektligje të reformës në drejtësi janë të bllokuara. Po ashtu, procesi i ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare është ndërprerë plotësisht – përfshirë ato që ndërlidhen me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore dhe Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian, i cili pritet të sjellë mbi 800 milionë euro për Kosovën.
Situata nuk është e kufizuar vetëm në aspektin ligjvënës. Mbi 20 institucione të pavarura, me një buxhet vjetor prej 59 milionë euro, kanë mbetur pa mbikëqyrje. Raportet e tyre për vitin 2024 nuk janë shqyrtuar, ndërsa një pjesë e bordeve vazhdojnë të mbeten jofunksionale. Kjo hap rrugë për ndërhyrje politike, mungesë transparence dhe keqpërdorim të fondeve publike.
Sferë tjetër e ndikimit të bllokadës institucionale është përjashtimi i qytetarëve nga përfaqësimi demokratik. Prej gati një viti, e sidomos prej tre muajsh, Kosova ka funksionuar efektivisht pa Kuvend pa përfaqësim, pa kontroll dhe pa zë të qytetarëve brenda institucioneve. Kjo gjendje minon legjitimitetin institucional dhe e dëmton në mënyrë të pakthyeshme besimin publik në sistemin demokratik.
Në përmbyllje të konferencës, KDI i bëri thirrje të gjitha institucioneve dhe akterëve politikë të veprojnë pa vonesa dhe në përputhje me parimet e kompromisit dhe konsensusit politik, siç është përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Po ashtu, u kërkua një auditim i plotë i vendimmarrjes së Qeverisë në dorëheqje gjatë periudhës së bllokadës.