Kulturë

Katër mënyra sesi të lini përshtypje të mirë edhe përmes telefonit

Published

on

Telefonatat janë pjesë e pandashme e punës, që nga punëkërkimi e deri te detyrat që duhet të kryeni edhe pasi të jeni punësuar. Përdorimi i telefonit është rritur dukshëm sidomos pas shfaqjes së pandemisë, edhe për bisedat telefonike. Se sa shumë kujdes duhet t’u kushtojmë këtyre të fundit, varet nga ajo se për çfarë po bëhet një telefonatë. E kur ajo ka të bëjë me punën, çështja ndryshon.

Fuqia e lidhjeve të forta përmes telefonit nganjëherë duket e pamundur. Ne mendojmë që krijojmë ndikim të mirë vetëm kur jemi përballë dikujt, duke i parë lëvizjet e fytyrës dhe qëndrimin. Por si do të arrihet kjo nëse nuk mund të komunikohet me dikë as drejtpërdrejt e as me video kamerë? Prandaj komunikimi cilësohet si art, sepse janë disa gjëra që mund të na duken “të parëndësishme” duke mos ua vënë veshin, por janë dora e fundit dhe më e fuqishme e një bisede.

Volumi ka rëndësi

Edhe nëse personi me të cilin flisni është i vështirë për t’u dëgjuar për shkak të të folurës me zë të ulët, ju duhet ta adaptoni volumin e zërit për ta kuptuar ose, bëni përpjekje që ta takoni përballë. Arsyeja më e shpeshtë e keqkuptimit përmes telefonit është mosdëgjimi. Nëse në linjë keni një zë që është më i qetë, në ndërkohë që ju keni për të shpjeguar gjëra, ndryshoni intonacionin e zërit në bazë të nevojës! Nëse personi me të cilin flisni ju kërkon disa herë që ta përsëritni atë që thatë, kujdesuni që ta ngrini zërin në mënyrë që të dëgjoheni! Dhe pjesa më e rëndësishme është të dëgjoni!

Ritmi luan rol të rëndësishëm

Disa njerëz janë folës të shpejtë, disa të tjera flasin shumë përnjëherësh dhe mandej pushojnë. Kur e telefononi dikë ose ju telefonon dikush, mundohuni që ta njihni bashkëbiseduesin dhe të përshtateni ose të gjeni një mes! Nëse biseda ka ritëm është më e lehtë të ndiheni më me besim dhe të lidhur më shumë me bashkëbiseduesin. Nëse tentoni që të krijoni një lidhje të mirë përmes telefonit, do të jetë e lehtë që të arrini çfarëdo marrëveshje, ose të krijoni përshtypje të mirë nëse jeni duke kërkuar punë.

Energjia përcillet

Të gjithë kemi nivele të ndryshme të energjisë dhe të gjithë kalojnë nëpër faza të ndryshme të jetës. Duke qenë se në bisedat telefonike nuk mund të shihen emocionet e bashkëbiseduesit që i transmeton përmes syve, është shumë e vështirë të kuptohet se nëpër çfarë po kalon personi me të cilin po komunikoni. Përsëri dëgjimi është çelësi, nëse zëri i tij tingëllon që nuk është mirë, këtu nuk duhet t’i përshtateni. Përpiquni që ta transmetoni sado pak energjinë tuaj në anën tjetër të telefonit!

Mos shkoni shumë larg

Çelësi është të krijoni lidhje me personin në telefon, duke qenë që secili ka personalitet dhe në bazë të tij i krijon të gjitha lidhjet e mundshme, këtë e bën edhe në bashkëbisedimet e këtij lloji. Por duhet të jeni të kujdesshëm sesi i drejtoheni bashkëbiseduesit, në mënyrë që kjo të mos shkojë deri në ekstrem dhe t’i irritojë bashkëbiseduesit! Pra, çfarëdo stili të bashkëbisedimit të keni, përshtatuni më stilin e personit në linjën tjetër! /Akademi Pune

Lajmet

Shkrimtarë dhe gazetarë shqiptaro-amerikanë vizitojnë Shtëpinë e Bardhë në Washington

Published

on

Një grup shkrimtarësh, gazetarësh dhe përfaqësuesish të komunitetit shqiptaro-amerikan kanë vizituar Shtëpinë e Bardhë në Washington, në kuadër të një turi kulturor dhe historik për t’u njohur nga afër me një prej institucioneve më të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Vizita u organizua nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, e drejtuar nga presidenti Adi Memeti.

Për këtë përvojë ka shkruar shkrimtarja dhe gazetarja Keze Kozeta Zylo, në një artikull të publikuar më 1 nëntor në gazetën Illyria, ku ka ndarë përshtypjet nga vizita dhe rëndësinë historike të ambienteve të rezidencës presidenciale.

Gjatë turit, pjesëmarrësit vizituan disa prej ambienteve më të njohura të Shtëpisë së Bardhë, përfshirë Dhomën e Gjelbër, Dhomën e Kuqe dhe Dhomën e Kaltër. Ata panë gjithashtu Sallën e Ngrënies Shtetërore, e cila përdoret për darka zyrtare dhe pritjen e personaliteteve të huaja.

Në mesin e pjesëmarrësve ishin Mhill Vela, ish-president i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, profesori Bexhet Asani, sekretar i shoqatës, si dhe gazetarët Ibadete dhe Shkumbin Tetaj.

Pjesë e grupit ishin edhe gazetarët e Zërit të Amerikës, Laura Kondi dhe Shaqir Salihu, gazetarja Eva Dori, shkrimtaret Merita Bajraktari dhe Luz Thaqi, si dhe Vilma Tafaj.

Në aktivitet mori pjesë edhe Qemal Zylo, themelues dhe drejtor i televizionit Alba Life dhe i shkollave shqipe në New York, së bashku me përfaqësues të tjerë të komunitetit shqiptaro-amerikan.

Organizatorët e kanë konceptuar këtë aktivitet si vizitë kulturore dhe historike. Nuk është raportuar për ndonjë takim me presidentin amerikan Donald Trump apo me përfaqësues të administratës së tij.

Vizita përbën një mundësi për pjesëmarrësit që të njihen më nga afër me historinë presidenciale amerikane, ndërsa aktivitetet e tilla dëshmojnë angazhimin e organizatave shqiptaro-amerikane në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar në diasporë.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kosova dhe Italia nisin punën për marrëveshje për bashkëprodhimin e filmave

Published

on

Kosova dhe Italia kanë ndërmarrë një hap të ri drejt thellimit të bashkëpunimit në fushën e kinematografisë, me synimin për të krijuar mundësi të reja për realizimin e projekteve të përbashkëta filmike.

Gjatë qëndrimit në Romë, me rastin e pjesëmarrjes në Festivalin EuroBalkan Film, drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, së bashku me ambasadoren e Kosovës në Itali, Nita Shala, janë takuar me drejtorin e përgjithshëm për Kinemanë dhe Audiovizualin në Ministrinë e Kulturës së Italisë, Giorgio Carlo Brugnoni.

Sipas njoftimit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive, ku u diskutua për thellimin e marrëdhënieve kulturore dhe kinematografike ndërmjet dy vendeve.

Gjatë takimit u dakordua që të nisin përgatitjet për hartimin e një marrëveshjeje bilaterale për bashkëprodhimin e filmave mes Kosovës dhe Italisë.

Kjo marrëveshje synon të krijojë mundësi të reja për bashkëpunim ndërmjet industrive filmike, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe shkëmbimin profesional e artistik.

Qendra Kinematografike e Kosovës e ka vlerësuar takimin si një hap të rëndësishëm drejt krijimit të partneriteteve të reja ndërkombëtare dhe zgjerimit të prezencës së filmit kosovar në arenën evropiane.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dalina Haxhiu fiton çmimin e parë në “Akordet për Fëmijë”

Published

on

Dalina Haxhiu është fituesja e çmimit të parë në edicionin e parë të “Akordeve për Fëmijë”. Ajo u shpërblye me Okarinën e Artë për Fëmijë, për këngën “Ëndrra ime s’fle”, duke u renditur në krye të garës muzikore.

Çmimin e parë, Dalinës ia ndau kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

Okarinën e Argjendtë për Fëmijë, çmimin e dytë, e fitoi Rita Krasniqi me këngën “Soprano”, ndërsa Okarina e Bronztë për Fëmijë iu nda Marin Kerit për këngën “Ëndrrat s’kanë kufij”.

Çmimi për tekstin më të mirë shkoi për Aksa Sulejmanin, për këngën “Lëshoni pëllumbat”, me tekst të autorit Valon Gashi.

Në këtë edicion garuan 15 artistë të rinj, të cilët interpretuan drejtpërdrejt, të shoqëruar nga orkestra, duke sjellë në skenë këngë me mesazhe për ëndrrat, dashurinë, paqen dhe vetëbesimin.

“Akordet për Fëmijë” u organizuan për herë të parë në kuadër të Festivalit të Këngës në RTK “Akordet e Kosovës”, duke krijuar një hapësirë të veçantë për talentet e reja dhe për prezantimin e krijimtarisë së tyre muzikore./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ndahet nga jeta në moshën 86-vjeçare aktori i njohur britanik Sir Patrick Stewart

Published

on

By

Aktori i njohur britanik Sir Patrick Stewart, i shquar për rolet e tij ikonike si Kapiten Jean-Luc Picard në “Star Trek” dhe Profesor Charles Xavier në sagën “X-Men”, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare në shtëpinë e tij në Los Angeles. Njoftimi u bë i ditur përmes llogarisë së tij zyrtare në Instagram, ku u konfirmua se ai u ndaj nga jeta të mërkurën, më 28 tetor, pas një beteje të shkurtër me sëmundjen e Alzheimerit dhe demencën me trupat Lewy.

Në deklaratën zyrtare thuhet se Stewart u ndaj nga jeta i rrethuar nga bashkëshortja e tij, Sunny, si dhe familjarët e miqtë e ngushtë. Përveç karrierës së tij të bujshme në kinematografi dhe televizion, ai u vlerësua lart si një nga aktorët më të mëdhenj të skenës teatrale, fitues i dy çmimeve “Laurence Olivier” dhe një çmimi “Grammy”, ndërsa në vitin 2010 u dekorua me titullin “Kalorës” nga Mbretëresha Elizabeth II.

Karriera e tij e pasur përfshin dekada pune në teatër dhe film, ndërsa roli i tij i fundit i xhiruar do të shfaqet në filmin “Avengers: Doomsday”. Ndarja e tij nga jeta ka nxitur reagime të shumta dhe ngushëllime nga koleget, industria e artit dhe adhuruesit e tij në mbarë botën. /The Guardian/

 

Continue Reading

Të kërkuara