Lajmet

Katër mënyra për të reduktuar rrezikun e demencës

Demenca shkaktohet nga sëmundjet e trurit.

Published

on

“Jam një grua në mesin e të 40-ave, dhe kam dy fëmijë të vegjël. Nëna ime pati probleme me kujtesën që në fillim të 60-ave, dhe ajo është përkeqësuar gradualisht. Edhe motrat e saj kanë probleme të ngjashme. Si mund ta zvogëloj rrezikun tim, por edhe rrezikun e fëmijëve të mi nga demenca? A ka disa ushqime, suplemente apo aktivitete që duhet t’i përfshijmë në jetën tonë për të reduktuar shanset e humbjes së kujtesës?”

Përgjigja e dr. Gregory Day, neurolog në “Mayo Clinic”, Florida të SHBA-së:

Demenca karakterizohet nga simptoma që ndikojnë tek kujtesa, të menduarit dhe aftësitë sociale të një personi, deri në pikën që mund të jetë e vështirë të kryesh aktivitete normale të jetës së përditshme. Demenca shkaktohet nga sëmundjet e trurit. Sëmundja e Alzheimerit, është më e zakonshme dhe më e njohura për publikun.

Sëmundjet që prekin enët e gjakut – të njëjtat që shkaktojnë sulme në zemër dhe goditje në tru– janë shkaku i dytë më i zakonshëm i demencës. Pasja e një historie familjare me demencë, errit rrezikun e zhvillimit të kësaj gjendjeje. Por shumë njerëz me histori familjare nuk shfaqin asnjëherë simptoma. Edhe ata që nuk kanë një histori familjare, mund të përjetojnë probleme me kujtesën kur plaken. Ja cilat janë 4 këshillat,që unë ju rekomandoj të ndiqni për të zvogëluar rrezikun e përgjithshëm.

1. Merrni pjesë në aktivitete që stimulojnë trurin

Angazhohuni në zgjidhjen e fjalëkryqeve, enigmave, apo edhe në lojëra kompjuterike. Por bëjeni këtë një zakon gjatë gjithë jetës suaj, pasi studimet tregojnë se vlera e aktiviteteve stimuluese konjitive rritet gjatë gjithë jetës. Kjo do të thotë se pasja e një arsimimi të mirë; e një pune që të stimulon mendërisht; dhe pjesëmarrja në zbavitje, hobi dhe aktivitete sociale që kërkojnë përqendrim mendor, janë të rëndësishme për të reduktuar rrezikun e zhvillimit të demencës.

2. Përqendrohuni tek arsimimi i vazhdueshëm dhe mësoni aftësi të reja

Studimet kanë treguar se sa më shumë vite arsimim të ketë një person, aq më i ulët është rreziku i demencës. Kjo duket të jetë për shkak se njerëzit që kalojnë më shumë kohë të përfshirë në përvetësim dijesh të reja, kanë tendencën të zhvillojnë rrjete më të forta të qelizave nervore dhe lidhje midis atyre qelizave nervore brenda trurit të tyre. Këto rrjete,

janë më të pajisura për të kuruar dëmtimin e qelizave që mund të ndodhë për shkak të çrregullimeve të trurit, të cilat mund të çojnë tek demenca.

3. Kini një mënyrë jetese të shëndetshme

Ashtu si me probleme të tjera shëndetësore, një mënyrë jetese e shëndetshme, është po aq e rëndësishme për ruajtjen e shëndetit të trurit. Ushqimi i mirë, ruajtja e një peshe trupore të shëndetshme, stërvitja e rregullt fizike, dhe shmangia e kushteve që rrisin rrezikun për sulme në zemër dhe goditje në tru, mund të zvogëlojnë rrezikun e demencës.

Menaxhimi në mënyrë efektive i kolesterolit dhe i presionit të gjakut, mos–pirja e duhanit dhe kufizimi i konsumit të alkoolit, kanë treguar gjithashtu se e përmirësojnë shëndetin e aftësive njohëse në periudhën e mëvonshme të jetës. Dhe kjo sepse këto masa ndikojnë në shëndetin e enëve të gjakut në trurin, qafën dhe zemrën tuaj. Ndërkaq, është e rëndësishme të bëni një gjumë të mirë gjatë natës, dhe të trajtoni çrregullimet e gjumit si p.sh Apnea e gjumit. Nëse keni një dietë të ekuilibruar, nuk keni nevojë të merrni suplemente për një gjumë më të mirë.

4. Ruani ndërveprimin social

Hulumtimet tregojnë se ndërveprimi social në çdo moshë, ka përfitime pozitive sa i përket aftësive njohëse. Ndërveprimi i rregullt me ​​të tjerët, përfshirë familjen, miqtë, fqinjët, bashkëpunëtorët dhe anëtarët e komunitetit, mund të përmirësojë gjendjen tuaj psikologjike, pikëpamjen tuaj mbi jetën, dhe ta vërë trurin vazhdimisht në punë.

Këto ndërveprime të rregullta ndikojnë pozitivisht në aftësitë tuaja njohëse, dhe është provuar se kjo i lehtëson simptomat e demencës. Sa i përket fëmijëve tuaj në mënyrë specifike, zakonet e mira fillojnë që herët. Sa më herët të filloni t’i praktikoni ato, aq më shumë ka gjasa të shmangni demencën./bota.al

Lajmet

Qeveria italiane dërgon 500 ushtarë në Milano pas trazirave të dhunshme

Published

on

By

Qeveria e Italisë ka vendosur të dërgojë 500 trupa ushtarake për të përforcuar sigurinë në Milano, pas dy ditësh përleshjesh të dhunshme mes demonstruesve dhe policisë. Vendimi u konfirmua nga zëvendëskryeministri Matteo Salvini dhe pritet të zyrtarizohet në paketën e re të masave të sigurisë nga kabineti qeveritar.

Trazirat shpërthyen gjatë fundjavës pas një proteste që fillimisht nisi paqësisht kundër rritjes së kostos së jetesës dhe shërbimeve të dobëta publike. Situata eskaloi kur qindra të rinj me kapuçë dëmtuan prona, i dhanë flakë koshave të mbeturinave dhe plaçkitën dyqane në qendër të kryeqendrës financiare.

Si pasojë e pasigurisë, bizneset në zonat më luksoze, përfshirë Via Montenapoleone dhe galerinë Vittorio Emanuele, mbyllën dyert para kohe, zbrazën vitrinat nga produktet me vlerë dhe mbuluan xhamat me dërrasa mbrojtëse.

Kryeministrja Giorgia Meloni dënoi ashpër dhunën dhe zhvilloi takime urgjente me drejtuesit e sigurisë. Qeveria po shqyrton masa të rrepta ligjore, përfshirë zgjatjen e paraburgimit parandalues për të miturit dhe veprime më të ashpra kundër bandave të të rinjve.

Sipas të dhënave zyrtare, policia italiane ka shoqëruar 271 persona gjatë trazirave, prej të cilëve 32 janë arrestuar — ku 23 prej tyre janë të mitur.

 

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një person në Vushtrri për armëmbajtje pa leje

Published

on

Një burrë është arrestuar në fshatin Prelluzhë të Vushtrrisë, pasi dyshohet se posedonte armë pa leje.

Sipas Policisë, më 18 tetor, ai kishte raportuar se nga shtëpia e tij i ishte vjedhur një pushkë gjuetie, me ç’rast ishte iniciuar rast për vjedhje të rëndë.

Gjatë verifikimeve të kryera më 19 tetor, njësia e hetimeve ka konstatuar se personi posedonte vetëm një dokument që dëshmonte se kishte aplikuar për armë, por jo leje përkatëse.

Me vendim të prokurorit, ai është arrestuar dhe intervistuar në cilësinë e të dyshuarit. Më pas, është liruar në procedurë të rregullt./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Katër raste të dhunës në familje brenda një dite në Kosovë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar katër raste të dhunës në familje në qytete të ndryshme të vendit.

Në Kaçanik një person ka shkaktuar dhunë psiqike në familjen e tij, pasi nuk u pëlqente rekomandimeve mjekësore për përdorimin e barnave. I dyshuari është dërguar për kontroll në repartin e psikiatrisë.

Ndërsa në Prishtinë një grua ka raportuar se është kanosur përmes mesazheve telefonike nga ish-bashkëjetuesi i saj. I dyshuari është intervistuar nga policia dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Në Gjakovë është arrestuar një person i dyshuar për ushtrim të vazhdueshëm të dhunës fizike dhe psikike ndaj një gruaje. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

Edhe në Mitrovicë e Jugut është arrestuar një person ku pas një mosmarrëveshjeje, një person ka ofenduar dhe sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. I dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Shtetasi turk sulmon fizikisht dy policë në Prishtinë, dërgohet në mbajtje

Published

on

Një shtetas i Turqisë është arrestuar në Prishtinë, pasi dyshohet se nën ndikimin e alkoolit ka sulmuar fizikisht dy zyrtarë policorë.

Rasti ka ndodhur më 19 tetor, në rrugën “Bajram Kelmendi”.

Sipas Policisë, si dy zyrtarët policorë, ashtu edhe i dyshuari kanë pranuar tretman mjekësor.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara