Lajmet

Kamberi citon vargjet e himnit kombëtar shqiptar në Parlamentin e Serbisë

Ai gjithashtu pyeti kryeministren serbe se kur do të lejohen shqiptarët të përdorin simbolet e tyre kombëtare në Serbi.

Published

on

Shefi i Grupit Parlamentar “Lugina e Bashkuar – SDA Sanxhak”, Shaip Kamberi, gjatë seancës së sotme në Kuvendin të Serbisë ka cituar disa vargje të himnit kombëtar shqiptar derisa ka folur për pamundësinë e shqiptarëve për të përdorur simbolet kombëtare në Serbi.

Kamberi i parashtroi një pyetje kryeministres serbe Ana Bërnabiq, duke e pyetur se kur do të lejohen shqiptarët të përdorin simbolet e tyre kombëtare përderisa jetojnë në Serbi.

“Pyetja ime sot i dedikohet Kryeministres së Republikës së Serbisë dhe është: Kur do të krijohen kushtet për përdorim të lirshëm, publik dhe zyrtar të simbolit kombëtar Shqiptar”, ka thënë ai.

Kamberi po ashtu theksoi se Serbia vazhdon të mbetet vendi i vetëm në rajon, i cili me ligj, i pamundëson pakicave nacionale që të përdorin lirshëm simbolet e tyre “nëse janë identike me simbolet e shteteve tjera”.

Ai theksoi se do të vazhdojnë angazhimin për përdorimin e lirshëm publik të simboleve kombëtare, duke thënë se kështu obligon edhe vet himni kombëtar.

“Prandaj, pa marrë parasysh ligjet aktuale, situatën negative politike, e cila mohon simbolet tona, unë mund të them që ne nuk do të heqim dorë nga simbolet tona identitare. Ne, me durim do të angazhohemi dhe do të presim kur e drejta jonë identitare mbi përdorimin e lirë, publik dhe zyrtarë do të realizohet. Besojmë në një zgjidhje të këtillë sepse kjo çështje në vendet e rajonit është kryer që moti në dialog me pakicat. Deri atëherë ne as nuk do të dorëzohemi as nuk do të nënshtrohemi. Në fund të fundit angazhimin tonë të pandalshëm për identitetet dhe simbolet na obligojnë edhe rreshtat e himnit tonë: Se Zoti vetë e tha me gojë

Që kombe shuhen përmi dhe,

Po Shqipëria do të rrojë;

Për të, për të luftojmë ne!

Faleminderit”, tha Kamberi në Parlamentin e Serbisë.

Fjalimi i plotë i Kamberit në Parlamentin e Serbisë:

Angazhimi jonë për simbolet identitare nuk do të pushojë. Në këtë betejë as nuk mund të nënshtrohemi as të dorëzohemi.

Z. Kryetar,

Zonja dhe zotërinjë deputet,

Mirëdita – dobar dan

Pyetja ime sot i dedikohet Kryeministres së Republikës së Serbisë dhe është:

• Kur do të krijohen kushtet për përdorim të lirshëm, publik dhe zyrtar të simbolit kombëtar Shqiptar?

Ka kaluar një vit nga fjalimi im për nevojën e përdorimit të lirë, publik dhe zyrtarë të simbolit tonë kombëtar, ndërkohë që Republika e Serbisë po vazhdon të mbetet vendi i vetëm në rajon i cili, me ligj, i pamundëson pakicave nacionale që të përdorin lirshëm simbolet e tyre “nëse janë identike me simbolet e shteteve tjera”.

Se sa është në Serbi shkalla e mosdurueshmërisë ndaj simbolit nacional shqiptar na ka treguar edhe sjellja e huliganëve, të cilët kanë hequr flamurin shqiptar në vende të shumta në Beograd ku ishte i vendosur si pjesë e protokollit shtetëror për vizitën e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama.

Huliganët janë kryerësit e drejtpërdrejtë të këtij akti vandal, por duhet të theksohet që ata janë produkt i diskursit i cili mbështetë dhe ushqen stereotipat antishqiptarë, armiqësinë dhe hasmërinë ndaj tyre.

Një diskurs të tillë, autori i veprës “Shqiptari imagjinar”, Aleksandar Pavloviq, e quan “shqiptarizëm” duke u mbështetur në konceptin e “ballkanizimit” të Marija Todorovës, i cili e përshkruan diskursin i cili krijon stereotipa për Ballkanin dhe politikën e cila është në mënyrë organike e lidhur me këtë diskurs.

Në këtë atmosferë, mosdurimi, urrejtje të hapur dhe paragjykimeve ndaj shqiptarëve dhe ndaj gjithçkaje që lidhet me shqiptarët, duke shtuar këtu diskriminimin në të drejta fundamentale, jeta e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, por edhe e shqiptarëve që jetojnë në brendësi të Republikës së Serbisë, është e vështirë.

Në atmosferën e krijuar në të cilën mohohen krimet e luftës, glorifikohen kriminelët, muralet e të cilëve i ruan vet policia dhe nëse marrim parasysh Raportet e Organizatave ndërkombëtare që Serbia ka ngecje serioze dhe kthimt mbrapa në demokraci, atëherë, ndoshta nuk duhet të habitemi pse ndaj një akti vandal si ai i heqjes së flamujve shqiptar në Beograd shteti nuk ndërmerr asgjë.

Pushtetarët heshtin me krenari.

“E bukur kjo ndjenja e krenarisë” do të thoshte Mesha Selimoviq, “na mbron nga pendimi”.

Për shumëkënd me të drejtë shtrohet dilema nëse ky akt vandal ndaj flamurit të Shqipërisë është pjesë e projektit “Open Balkans” apo e atij të “Botës serbe” të Aleksandar Vulinit.

Të nderuar kolegë,

Unë këtu mund vetëm të përmend vandalizmin ndaj flamurit shtetëror shqiptar, por detyra ime qenësore në këtë Kuvend është të pyes pse Shqiptarët e Luginës së Preshevës, respektivisht ata që jetojnë në Serbi, nuk munden lirshëm, publikisht dhe zyrtarisht të përdorin simbolin e tyre kombëtar, simbol ky që përfaqëson në thelb një pjesë të identitetit të tyre.

Të gjithë ne, besoj, që synojmë anëtarësimin në Unioni evropian. Pikërisht ajo Evropë të cilën po e synojmë është e njohur për “aftësitë e integrimit e jo të shkatërrimit ose eliminimit të diversitetit”.

Si vend i cili pretendon të jetë pjesë e BE-së, (edhe pse sot me të drejtë mund të shtrohet pyetja nëse Republika e Serbisë me të vërtetë dëshiron anëtarësimin), ky shtet duhet të eliminojë ligjet e veta diskriminuese.

Njerëzit janë shpirtërisht të lidhur me simbolet e tyre identitare. Njerëzit shpeshherë, përgjatë historisë, edhe kanë vdekur për ato simbole.

Prandaj, pa marrë parasysh ligjet aktuale, situatën negative politike, e cila mohon simbolet tona, unë mund të them që ne nuk do të heqim dorë nga simbolet tona identitare.

Ne, me durim do të angazhohemi dhe do të presim kur e drejta jonë identitare mbi përdorimin e lirë, publik dhe zyrtarë do të realizohet.

Besojmë në një zgjidhje të këtillë sepse kjo çështje në vendet e rajonit është kryer që moti në dialog me pakicat. Deri atëherë ne as nuk do të dorëzohemi as nuk do të nënshtrohemi.

Në fund të fundit angazhimin tonë të pandalshëm për identitetet dhe simbolet na obligojnë edhe rreshtat e himnit tonë:

Se Zoti vetë e tha me gojë

Që kombe shuhen përmi dhe,

Po Shqipëria do të rrojë;

Për të, për të luftojmë ne!

Faleminderit.

Lajmet

Hyn në fuqi Ligji për Byronë e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme

Published

on

Presidentja Justina Shiroka-Pula ka dekretuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës dy javë më parë.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila ka njoftuar se gjatë ditës e ka pranuar nga Presidenca dekretin për shpalljen e ligjit.

Haxhiu ka thënë se me dekretimin e tij, ligji po hyn në fazën e zbatimit, duke theksuar se Kuvendi do ta përcjellë nga afër procesin e themelimit të Byrosë.

“Për secilin që ushtron funksion publik, është e qartë se çdo pasuri duhet të ketë burim të ligjshëm dhe të dokumentuar. Kuvendi do ta përcjellë nga afër ngritjen e Byrosë. Qytetarët do ta matin këtë ligj me rezultatet që do të japë”, ka shkruar Haxhiu.

Miratimi i ligjit në Kuvend ishte kundërshtuar nga deputetët e opozitës, të cilët kishin ngritur shqetësime lidhur me zbatueshmërinë e tij.

Nga 24 amendamentet e propozuara për këtë ligj, 12 ishin paraqitur nga opozita, ndërsa deputetët e partisë në pushtet kishin mbështetur vetëm njërin prej tyre.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

UBT prezanton dy punime shkencore në Konferencën Ndërkombëtare “AI Horizon” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Published

on

By

UBT po merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore “AI Horizon – A New Era of Creativity and Innovation”, të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, më 12–13 nëntor 2026, në Tiranë, ku UBT është një nga partnerët e kësaj ngjarjeje të rëndësishme shkencore ndërkombëtare.

Në këtë konferencë, UBT përfaqësohet nga rektori, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Besnik Qehaja, dhe asistenti Elton Boshnjaku, të cilët prezantuan dy punime shkencore që trajtojnë zhvillimet më të fundit në fushat e Internetit të Gjërave (IoT), Qyteteve të Mençura (Smart City), Vizionit Kompjuterik dhe Inteligjencës Artificiale.

Dy punimet shkencore të prezantuara janë: “Mobile Augmented Reality with an LLM Assistant Connected to Live Sensor Data for Remote Learning in a University Campus Digital Twin”

Punimi trajton integrimin e realitetit të shtuar mobil me një asistent të bazuar në modele të mëdha gjuhësore (LLM), të ndërlidhur me të dhëna në kohë reale nga sensorët, duke krijuar mundësi të reja për mësim interaktiv dhe në distancë përmes binjakut digjital të kampusit universitar.

“Secure Protocol Translation and Weather-Referenced Drift Detection for Commercial IoT Devices on Azure IoT Hub: A 4G Node Case Study in a University Smart City”

Ky punim fokusohet në sigurinë dhe ndërveprimin e pajisjeve komerciale IoT, përmes përkthimit të protokolleve të komunikimit dhe zbulimit të devijimeve të të dhënave në raport me kushtet atmosferike, duke u mbështetur në një rast studimor me nyje 4G në kuadër të një Smart City universitar.

Përmes këtyre dy prezantimeve, përfaqësuesit e UBT-së sollën para komunitetit shkencor ndërkombëtar rezultate kërkimore dhe qasje inovative që ndërlidhin inteligjencën artificiale, sensorët inteligjentë, realitetin e shtuar dhe infrastrukturën e qyteteve të mençura.

Pjesëmarrja e UBT-së në këtë konferencë, krahas prezantimit të rezultateve shkencore, përfaqëson edhe një mundësi të rëndësishme për zgjerimin e bashkëpunimit me institucionet akademike dhe kërkimore, shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e projekteve inovative.

UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin e tij ndaj kërkimit shkencor, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke kontribuar aktivisht në zhvillimin dhe zbatimin e teknologjive të së ardhmes.

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 13 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998. 

13 nëntor 1992

“The Wall Street Journal” për rrezikun e luftës në Kosovë

Gazeta autoritative amerikane “The Wall Street Journal” në një kryeartikull të saj të botuar dje thekson se “diplomatë të shumtë ndërkombëtarë dhe organizata humanitare kanë paraparë se nëse lufta arrin në Kosovë do t’ia kalojë të gjitha tmerreve të mëparshme ballkanike”. Gazeta pohon se agresorët serbë janë duke zhvilluar një fushatë të spastrimit etnik ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës gjatë dy vjetëve të fundit. “Kjo është një spastrim etnik i heshtur”, i tha kësja gazete kryetari i Republikës së Kosovës, dr.Ibrahim Rugova duke bërë fjalë për nja 200 mijë shqiptarë që kanë qenë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Republikën e Kosovës për shkak të kërcënimeve serbe.

 

13 nëntor 1993

Policia plaçkit dyqanet e shqiptarëve në Han të Elezit

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Han të Elezit, njofton se policia financiare mbylli të vetmen furrë private në Han të Elezit, pronë e Ramadan Ymerit. Policia konfiskoi nga depoja e furrës 29 ton miell.

Të njëjtën ditë, policia financiare në dyqanin e Bedri Dacit konfiskoi ushqim për kafshë në një vlerë prej afro 12.000 markash gjermane.

 

13 nëntor 1995

Polici serb rrahu tri herë të miturin në Mitrovicë

Më 7 nëntor, rreth orës 10, në stacionin e autobusëve në Mitrovicë, një polic serb rrahu të miturin Daim H. Çubrelin (14) dhe ia plaçkiti atij 7 pako cigare, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Po ky polic, më 11 nëntor, rreth orës 18, po ashtu në stacionin e autobusëve në Mitrovicë, keqtrajtoi sërish Daimin, me pretekst se nuk deshi t’ia japë një pako cigare pa para.

Më 12 nëntor, rreth orës 12, në stacionin e autobusëve në Mitrovicë polici serb, i cili kishte rrahur dy herë Daim Çubrelin e rrahu sërish dhe ia plaçkiti 70 pako cigare.

 

13 nëntor 1996

Në Universitetet e Shqipërisë edhe maturantë shqiptarë nga Mali i Zi

Edhe maturantët shqiptarë të këtij viti nga Mali i Zi do të vazhdojnë studimet e tyre në universitetet e Shqipërisë pasi po tejkalohen disa vështirësi procedurale.

Fjala është për 24 kandidatë që përcaktoi komisioni përkatës i LD në MZ. Mirëpo, në ndërkohë Ministria e Arsimit e Shqipërisë miratoi vendimin për t’iu nënshtruar provimeve klasifikuese edhe studentët shqiptarë nga viset e ish-Jugosllavisë. Sipas komisionit të përmendur, kandidatët shqiptarë nga Mali i Zi nuk u paraqitën në këto provime për shkaqe parimore dhe kohore. Por, me kontaktet midis përfaqësuesve të LD në MZ dhe atyre të Qeverisë Shqiptare kjo çështje po merr zgjidhje pozitive. Kështu, kryetari i LD në MZ, Mehmet Bardhi në takimin e tij të paradokohshëm me kryeministrin e Shqipërisë, Aleksandër Meksin, mori garancinë se studentët shqitparë nga Mali i Zi do të pranohen edhe këtë vit në universitetet e Shqipërisë. Kryetari Bardhi për çështjen e studentëve zhvilloi bisedime edhe me dr.Gjergj File, drejtor i Arsimit të Lartë. Në të mirë të realizimit pozitiv të kësaj çështjeje flet edhe vendimi më i ri i Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, sipas të cilit “nga kuotat e përcaktuara për vitin mësimor 1996/97 mund të përfitojnë kandidatët shqiptarë me banim jashtë kufijve”.

 

13 nëntor 1997

Serbët e pranojnë disfatën me Kroacinë

Gazeta britanike “Indipendent” vendosjen e lidhjeve hekurudhore mes Serbisë e Kroacisë e vlerëson se serbët pranuan disfatën. Sipas kësaj gazete serbët tash sikur pranojnë se kufiri me Kroacinë është i përhershëm dhe i pandryshueshëm.

13 nëntor 1998

Uiliem Uoker: Ka shqetësime serioze për sigurinë në Kosovë

Në një intervistë dhënë sot radio BBC-së shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, Uiliem Uoker duke u përgjigjur në pyetjen se për çfarë është biseduar në takimin e tij në Prishtinë me ndërmjetësin amerikan në Kosovë, Kristofer Hill, u përgjigj:

– Në thelb ambasadori Hill ishte për vizitë për disa arsye, jo më pak për t’u takuar edhe me mua, dhe për të na njoftuar se cili është statusi aktual i procesit të tij të negociatave shqiptaro-serbe. Është e qartë se kjo ka të bëjë me atë që ne po fillojmë të bëjmë këtu si p.sh. kur mund të filllojmë periudhën nëntëmujore sa i përket mbikëqyrjes së zgjedhjeve në Kosovë. Kjo vjen pas zgjidhjes politike, prandaj ne u desht të dëgjonim nga ambasadori Hill se si po ecen procesi, tha z.Uoker.

I pyetur se çfarë përshtypje kishte ai për procesin e negociatave dhe nëse ishte më afër arritja e një marrëveshjeje politike për Kosovën, z.Uoker tha:

– Ambasadori Hill na njoftoi me të rejat më të fundit, por ju duhet ta dini se unë ndodhem në Kosovë vetëm këto 24 orët e fundit dhe kjo ishte hera e parë që bisedova me z.Hill. Pra një pjesë e madhe kishte të bënte me sfondin e ecurisë së procesit. Por, do të thosha se informimi që më dha ambasadori Hill më bëri optimist se është duke shënuar progres.

Duke u përgjigjur në pyetjen se cilat janë përshtypjet e tij për gjendjen në terren, z.Uoker u përgjigj:

– Është e qartë se ka arsye për shqetësim të konsiderueshëm ndonëse kemi shënuar progres javët e fundit, dhe siç thashë dje rruga ende është e gjatë për të bërë diçka për sa i përket respektimit të marrëveshjes dhe premtimeve të palëve të përfshira por ende ka shumë punë për t’u bërë. Ditëve të fundit çdo ditë kemi dëgjuar për incidente, prandaj edhe më tej kemi shqetësime serioze për sigurinë në Kosovë.

I pyetur lidhur me incidentet e fundti se kush është fajtor për vazhdimin e dhunës në Kosovë, ambasadori Uoker tha:

– Dy incidentet më të fundit për të cilat kam dëgjuar kanë të bëjnë me ato që këtu po quhen rrëmbime dhe duket sikur janë hakmarrje midis palëve. Njëra palë i filloi ato, ndërsa tjetra u hakmor, duke bërë pothuajse të njëjtën gjë. Nga informacionet që kam nuk jamë në gjendje tani të them se çfarë i kanë bërë palët njëra tjetrës. Por vetë fakti se këto incidente kanë ndodhur, përmbajnë shqetësim.

Në pyetjen tjetër se a do të jetë në gjendje Misioni Verifikues në Kosovë të ndikojë që incidentet e tilla të mos ndodhin në të ardhmen, shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë tha:

– Mendoj se kryesuesi i radhës i OSBE-së, ministri i jashtëm polak, Bronislav Geremek, tashmë ka thënë publikisht se ai beson se vetëm njoftimi për krijimin e Misionit Verifikues ka zbutur deri diku tensionet e këtushme. Sigurisht jo të gjithë tensionin por deri diku edhe fakti se ne kemi filluar të mbërrijmë dhe të tregojmë praninë tonë, do të ndihmojnë në këtë situatë. Se a do të ndikojë që njerëzit të ndihen rehat të gjithë që të kthehen në shtëpitë e tyre apo t’i kthehen jetës normale, kjo ende duhet të shihet, – tha ambasadori Uiliem Uoker.

 

Continue Reading

Lajmet

AUV gjen ADN të pulës në suxhukun shtëpiak të prodhuesit BUQUKU, bllokohen 178 kilogramë produkte

Published

on

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka identifikuar praninë e ADN-së së pulës në produktin “Suxhuk shtëpiak” të prodhuesit BUQUKU SH.P.K. nga Peja, ndonëse në deklaracionin e produktit figurojnë vetëm mish dhe yndyrë lope.

Sipas AUV-së, mostra është marrë nga inspektorët dhe është analizuar në laboratorin ALIMENTI-OMNILAB në Bullgari. Rezultatet kanë konfirmuar praninë e ADN-së së gjedhit dhe të pulës, ndërsa ADN-ja e derrit nuk është detektuar.

Agjencia ka bërë të ditur se analiza konfirmon praninë e ADN-së së pulës, por nuk përcakton llojin, sasinë apo burimin e materialit të përdorur. Verifikimet e mëtejshme pritet të sqarojnë nëse është përdorur mish pule i ndarë mekanikisht apo përbërës të tjerë me origjinë nga pula.

Pas pranimit të rezultateve laboratorike, inspektorët kanë kryer kontroll zyrtar te operatori ekonomik, ku janë bllokuar gjithsej 178 kilogramë produkte: 120 kilogramë suxhuk “Kalorik” dhe 58 kilogramë suxhuk shtëpiak.

Njëkohësisht, AUV ka urdhëruar ndalimin e prodhimit të suxhukut dhe tërheqjen e produkteve nga pikat e shpërndarjes.

Agjencia ka paralajmëruar zgjerimin e kontrolleve për të verifikuar përbërjen e produkteve të tjera të mishit të këtij operatori, burimin dhe gjurmueshmërinë e lëndëve të para, procesin e prodhimit, kushtet e ruajtjes dhe përputhshmërinë me deklaracionet.

AUV ka sqaruar se gjetja laboratorike i referohet vetëm produktit “Suxhuk shtëpiak” të testuar dhe nuk nënkupton se e njëjta mospërputhje është konstatuar edhe në produktet e tjera të prodhuesit.

Sipas agjencisë, konsumatorët kanë të drejtë të informohen saktë për përbërjen e produkteve ushqimore, ndërsa deklarimi i saktë dhe respektimi i standardeve të sigurisë ushqimore janë detyrim ligjor i çdo operatori ekonomik.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara