Lajmet

Kallëzimi penal, reagon Nagavci: I pritshëm, por do të hidhet poshtë

Published

on

Deputetë nga partitë opozitare dje kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci. Padia është bërë nga anëtarët e Komisionit hetimor për tekstet shkollore, të cilët konsiderojnë se ministria ka bërë shkelje ligjore në procesin e subvencionimit të teksteve.

Për këtë rast dje ka reaguar vetë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila pretendeon se janë pikërisht interesat e partive që e dërguan kallëzimin penal në Prokurori, ato që janë prekur.

“PDK-LDK-AAK, të bashkuar si gjithnjë, sot paskan dorëzuar kallëzim penal ndaj meje për subvencionimin e nxënësve për tekste dhe materiale shkollore. Shumë e pritshme nga këto subjekte, kur e dimë mirëfilli se cilat grupe interesi kemi prekur. Reagimet nisën që atë ditë kur shkëputëm praktikën 20-vjeçare të blerjeve milionëshe të teksteve shkollore me kontrata njëburimore, të mbushura me hallka dhe mundësi abuzimi. Krijuam një proces transparent të subvencionimit të drejtpërdrejtë, ku çdo formë dhe mundësi abuzimi u eliminua… Megjithatë, pa përfunduar punën aty dhe pa miratuar Raportin e Komisionit Hetimor, i janë drejtuar Prokurorisë Speciale me kallëzim penal. Ky kallëzim penal do të hidhet poshtë, ashtu si edhe i kaluari që u hodh poshtë javën e kaluar”, thuhet në reagimin e minintres Nagavci.

Kryetari i komisionit hetimor, Shemsedin Dreshaj ka thënë se raporti i komisionit ka bazë për hetim të mëtejshëm nga Prokuroria Speciale “lidhur me përgjegjësinë e individëve që janë marrë me këtë proces”.

Lajmet

Kurti fton LDK-në për koalicion me LVV-në

Published

on

By

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), njëherësh kryeministër në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka shkruar një letër kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), më 5 maj, përmes së cilës e ka ftuar për marrëveshje politike mes dy partive.

Kurti e ka ftuar Lumir Abdixhikun që LVV-ja dhe LDK-ja të bëjnë koalicion qeverisës, i cili do t’i hapte rrugë zhbllokimit të Kuvendit të Kosovës dhe formimit të Qeverisë së re të Kosovës.

Letra, të cilën Radio Evropa e Lirë e ka siguruar, u bë publike pas dështimit të përpjekjes së njëmbëdhjetë për konstituimin e Kuvendit.

Disa orë pas dërgimit të letrës nga Kurti, Abdixhiku ka thënë se partia e tij do t’i përgjigjet asaj zyrtarisht.

Duke folur para gazetarëve, ai ka thënë se letrën nuk e ka parë ende, por se do të kthejë përgjigje “me kohë”.

Ai i ka kërkuar anëtarëve të partisë së tij që “gjendjen e tanishme ta trajtojnë pa arrogancë shumë”.

Në letrën e tij, Kurti ka shkruar se është “i interesuar dhe i vullnetshëm për marrëveshje politike me LDK-në”.

Kurti i ka thënë Abdixhikut se “koalicionet bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime”, teksa ka shkruar se ka bindjen që “votuesit e LDK-së sot e preferojnë më së shumti koalicionin me LVV”.

Edhe votuesit e LVV e preferojnë po ashtu më së shumti koalicionin me LDK. Pse të mos e bëjmë“, është shprehur Kurti në letrën drejtuar Abdixhikut.

Kreu i LVV-së, në letër, nuk e ka përjashtuar as gatishmërinë e partisë së tij për shkuarje në zgjedhje të reja, por ka thënë se edhe ato do të çonin drejt një koalicioni mes LVV-së dhe LDK-së.

Pse ta bëjmë atëherë më vonë, kur mund ta bëjmë tash?“, e ka pyetur Kurti, Abdxhikun.

Sociologu dhe analisti politik nga Prishtina, Artan Muhaxhiri, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se mënyra e formulimit të letrës së kreut të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, drejtuar Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), “është jashtëzakonisht dinake”.

Sipas tij, kjo letër është më shumë një veprim formal, me synimin për të përmirësuar imazhin bashkëpunues në opinionin publik, sesa që ka një peshë reale dhe konkrete./REL/

Continue Reading

Lajmet

Arsyeja e vërtetë pse “Spice Girls” u ribashkuan pa Victoria Beckham

Published

on

Victoria Beckham u shfaq për herë të fundit si pjesë e “Spice Girls”, në skenën e ceremonisë së mbylljes së Lojërave Olimpike të Londrës, në vitin 2012. Që nga ajo kohë dëshira më e madhe e të gjithëve ka qenë të shohin sërish grupin të performojë së bashku.

Nga ana tjetër, duket se edhe vetë vajzat e grupit muzikor duan të ribashkohen e madje kanë bërë përpjekje për t’u shfaqur në skenë, ndërsa grupi punon shumë për të organizuar një tjetër turne ribashkimi, ende mungon një emër në program: Victoria Beckham, ajo që konsiderohet më e famshmja.

Cila është arsyeja që ajo u la jashtë projektit aktual të grupit, i cili shpreson të korr sukses me një seri koncertesh anembanë botës vitin e ardhshëm?

“Arsyeja mund të përmblidhet në dy fjalë të thjeshta: Simon Fuller”, raporton Daily Mail.

Pas dekadash tensioni dhe armiqësie, katër anëtaret e tjera të “Spice Girls”.  Mel B, Mel C, Geri Horner dhe Emma Bunton, po punojnë me ish-menaxherin Simon Fuller, 64 vjeç. I gjithë organizimi po bëhet me shpresën se katërshja do të jetë në gjendje të nisë turne fitimprurës që shënon 30-vjetorin e këngës së tyre debutuese të vitit 1996, “Wannabe”, vitin e ardhshëm.

Ndërsa pjesa tjetër ia ka dalë t’i lërë pas mosmarrëveshjet, Victoria dhe bashkëshorti, David Beckham, mbajnë ende mëri me menaxherin e grupit muzikor. Në fakt, marrëdhëniet midis tyre u përkeqësuan aq shumë sa dyshja ndërprenë kontratat me “Simon’s XIX Entertainment” në vitin 2018.

“Bashkëpunimi i Spice Girls me Fuller do të thotë se nuk ka absolutisht asnjë shans që Victoria të jetë e përfshirë”, tha një burim pranë grupit.

Prishja e partneritetit Beckham-Fuller

Më 2018 ishte e qartë (dhe ndodhi) se David Beckham dhe menaxheri Fuller ndaheshin, pas 15 vitesh bashkëpunimi, vazhdon raporti. David dhe Victoria shpenzuan 38 milionë paund për të blerë 33% të aksioneve të Fuller në bizneset e futbollistit për të fituar kontrollin e plotë të “Beckham Brand Holdings”.

Burimet pohuan në atë kohë se kishte probleme midis tyre, gjë e cila solli dhe fundin e partneritetit.

Victoria ndoqi shembullin e bashkëshortit dhe i dha fund bashkëpunimit me Fuller në gusht 2019. Ai ende zotëron aksione në kompaninë e saj të modës, por marrëdhënia e ngushtë që kishte me familjen Beckham nuk ekziston më. Në fakt, thuhet se dyshja zgjodhën menaxherin e Justin Bieber dhe Ariana Grande-s, Scooter Braun, kur djali i tyre Cruz donte të bëhej yll i muzikës pop, duke e refuzuar Fuller-in pavarësisht karrierës së tij të shkëlqyer.

Pra, pavarësisht përpjekjeve, Victoria nuk do të jetë pjesë e turneut, si pasojë e konflikteve me menaxherin e grupit muzikor “Spice Girls”.

Continue Reading

Lajmet

Deputetët mblidhen për të njëmbëdhjetën herë për konstituimin e Kuvendit

Published

on

By

Deputetët e Kuvendit të Kosovës mblidhen sot në përpjekjen e njëmbëdhjetë për ta konstituar përbërjen e re të dalë nga zgjedhjet parlamentare të shkurtit.

Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve.

Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit.

Propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), por në gjashtë votime, kandidatja e saj, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur t’i marrë votat e nevojshme, përkatësisht 61.

Më 3 maj, deputetët, për të dytën herë me radhë, refuzuan që të formohet një komision për votim të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës, i cili u propozua nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, gjatë përpjekjes së nëntë për konstituim të Kuvendit.

Në vazhdimin e dhjetë të seancës konstituive, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan sërish që të propozojnë një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.

Deputetë të partive që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë thanë se është jokushtetuese mënyra se si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë.

Para përpjekjes së nëntë për konstituimin e Kuvendit, më 1 maj, kreu i LVV-së, Albin Kurti, ftoi në takim udhëheqësit e PDK-së dhe të LDK-së.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, pranoi ftesën, por pas takimit ai nuk njoftoi për një ujdi se si të shkohet përpara.

Partitë që po kundërshtojnë emrin e Haxhiut për kryeparlamentare i kanë kërkuar LVV-së të ndryshojë propozimin për postin, në mënyrë që procesi të zhbllokohet./REL/

Continue Reading

Lajmet

Krimet kundër njerëzimit nuk falen, përkujtohet masakra në Studime të Vushtrrisë

Published

on

By

Në 26-vjetorin e masakrës serbe në Studime të Vushtrrisë u kërkua drejtësi për 116 shqiptarët e vrarë më 2 maj 1999.

Në akademinë përkujtimore, të organizuar nga Komuna e Vushtrrisë, u kërkua edhe unitet politik.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se strategjia gjenocidale serbe përfshiu edhe fshatrat e Vushtrrisë ku mbeten të vrarë 116 civilë.  Ai theksoi se vetëm me dënim për ata që kryen këtë masakër familjarët do të gjejnë prehje, dhe paqja do të jetë e qëndrueshme.

Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi tha se masakra e 2 majit ka lënë gjurmë të mëdha e te pashlyeshme, ndërsa kriminelët serbë që kryen këtë masakër ende nuk janë dënuar.

Në këtë akademi përkujtimore i pranishëm ishte edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i cili tha se i paharruar është kujtimi për të gjithë të rënët për liri.

Sokol Gjata, në emër të familjarëve, kërkoi që amaneti i martirëve dhe të rënëve për liri mos të harrohet në zyrat e shtetit.

26 vjet më parë, më 2 maj të vitit 1999, forcat serbe vranë dhe masakruan 116 civilë të pafajshëm shqiptarë. Këta të fundit u nxorën nga kolona e qindra njerëzve që kishin marrë rrugë për Shqipëri. Dëshmitarët kishin deklaruar se 116 civilët u pushkatuan brenda dy orëve.

Continue Reading

Të kërkuara