Ushqimet janë burime natyrore të lëndëve ushqyese, dhe një ndër më të rëndësishmet për organizmin është hekuri. Ky mineral luan rol kyç në prodhimin e hemoglobinës dhe transportimin e oksigjenit në gjak.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 1.62 miliardë njerëz vuajnë nga anemia, gjysma e rasteve shkaktohen nga mungesa e hekurit.
Ndërkohë, Universiteti i Harvardit kujton se përveç hekurit, trupi ka nevojë edhe për minerale tjera thelbësore si kalciumi – 1,000 mg në ditë për gratë nën 50 vjeç dhe 1,200 mg për ato mbi 50 vjeç. Në vijim po ju paraqesim 7 fruta të pasura me hekur.
1. Hurmat e arabisë
100 gramë hurma përmbajnë rreth 4.79 mg hekur, duke i bërë burim të shkëlqyer të këtij minerali. Përveç hekurit, hurmat janë të pasura me antioksidantë, fibra, kalcium, fosfor, kalium, magnez, zink dhe një gamë të gjerë vitaminash si A, K, tiaminë, riboflavinë dhe acid folik.
2. Kajsitë e thata
100 gramë kajsi të thata përmbajnë 2.7 mg hekur, janë të pasura me fibra dietike të tretshme, ndihmojnë në uljen e kolesterolit. Hekuri që gjendet te kajsitë është hekuri jo-hem, i cili absorbohet ngadalë, përthithja përmirësohet nëse kombinohet me ushqime që përmbajnë vitaminë C.
3. Manaferrat
Edhe pse 100 gramë manaferra përmbajnë 0.3 mg hekur, janë përforcues natyralë të përthithjes së hekurit, falë përmbajtjes së lartë të vitaminës C. Luleshtrydhet, boronicat dhe mjedrat ndihmojnë trupin të përthithë më mirë hekurin jo-hem.
4. Kumbullat e thata
Me rreth 3.52 mg hekur në 100 gramë, kumbullat janë një nga frutat më të pasura me këtë mineral. Ato përmbajnë vitamina B dhe K, kalium, kalcium dhe fibra dietike, duke kontribuar në shëndetin e përgjithshëm të trupit.
5. Shalqi
Ky frut i freskët përmban 0.24 mg hekur për 100 gramë, i pasur me vitaminë C, e cila ndihmon në përthithjen e hekurit. Shalqiri përmban gjithashtu likopen dhe beta-karoten, antioksidantë që mbështesin përthithjen dhe shfrytëzimin e hekurit nga trupi.
6. Shega
Përmban rreth 0.3 mg hekur për 100 gramë, është ndër frutat më të rekomanduara për luftimin e anemisë. E pasur me vitamina A, C, E dhe acid folik, të cilat ndihmojnë në rigjenerimin e qelizave të kuqe të gjakut.
7. Rrushi i thatë
Ofrojnë rreth 1 mg hekur, pothuajse dy herë më shumë se rrushi i freskët. Procesi i tharjes përqendron lëndët ushqyese, duke e bërë rrushin e thatë burim të mirë të vitaminave B, kaliumit e karbohidrateve. Ai ndihmon në formimin e gjakut të ri, falë kompleksit të vitaminave B. /A.Z/UBT News/