Kulturë

‘Ka vdekë njerëzorja, ka mbetë vetëm njeriu’: Lamtumira e Rexhep Ferrit

Published

on

Bota e artit shqiptar humbi një prej figurave të saj më të mëdha, Rexhep Ferrin, i cili ndërroi jetë në moshën 87-vjeçare. I lindur në Kukës në vitin 1937, Ferri ndërtoi një karrierë të shkëlqyer si poet dhe piktor. Ai përfundoi studimet në Akademinë e Arteve në Beograd dhe kontribuoi me pasion në Akademinë e Arteve Figurative në Prishtinë.

Me ekspozita të shumta në Kosovë dhe jashtë saj, si dhe vepra të botuara në poezi, ese dhe romane, Ferri la një trashëgimi të pasur artistike. Fjalët e tij, “Ka vdekë njerëzorja, ka mbetë vetëm njeriu,” reflektojnë thellësinë e mendimit dhe ndjenjave të tij.

Si anëtar i rregullt dhe sekretar i Seksionit të Arteve në ASHAK, Ferri do të kujtohet për kontributin e tij të pashoq në artet pamore dhe letërsinë shqipe.

Në vitin 1966, Ferri u diplomua në Degën e Pikturës Monumentale në Akademinë e Arteve në Beograd, ndërsa në vitin 1970 përfundoi studimet pasuniversitare po në të njëjtën Akademi. Në vitin 1971, ai mori “Çmimin e Dhjetorit” të Kuvendit të Kosovës për kontributin e tij në fushën e arteve figurative.

Në vitin 1974, Rexhep Ferri u zgjodh pedagog në Akademinë e Arteve Figurative në Prishtinë, duke ndihmuar në formimin e brezave të rinj të artistëve.

Në vitin 1996, Ferri u zgjodh anëtar korrespondent i ASHAK-ut, ndërsa në vitin 2000 u bë anëtar i rregullt. Në vitin 1999, ai u emërua sekretar i Seksionit të Arteve në ASHAK.

Ferri ka organizuar shumë ekspozita të pavarura brenda dhe jashtë vendit, dhe ka marrë pjesë në manifestime të rëndësishme, ekspozita, bienale dhe takime në Kosovë, ish-Jugosllavi, Francë, Itali, Gjermani, Turqi, Egjipt dhe shumë vende të tjera. Ai ka botuar disa përmbledhje me poezi, si dhe ese dhe romane.

Në vitin 2010, ASHAK botoi një monografi që përmbledh tërë opusin artistik të Ferrit, duke pasqyruar punën dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushën e arteve.

Humbja e Rexhep Ferrit përbën një goditje të madhe për artin dhe kulturën shqiptare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike dhe letrare që do të vazhdojë të inspirojë gjeneratat e ardhshme./UBTNews/

Continue Reading

Lajmet

Arianit Lakna hap ekspozitën personale “anGjelus Novus” në Open Art Gallery

Published

on

Artisti Arianit Lakna hap sonte ekspozitën personale “anGjelus Novus”, të kuruar nga Artrit Bytyçi, në Open Art Gallery. Hapja e ekspozitës do të mbahet duke filluar nga ora 19:30.

Ekspozita sjell një cikël veprash ku lajtmotivi i gjelit zë vend qendror, duke krijuar një dialog artistik me veprën “Angelus Novus” të Paul Klee dhe interpretimin filozofik të Walter Benjamin.

Sipas konceptit kuratorial, “anGjeli i Ri” i Laknës shkon përtej referencës klasike, duke ndërtuar një figurë simbolike që mishëron përditshmërinë, punën dhe përballjen me sfidat e jetës.

Një nga veprat qendrore të ekspozitës, “Zgjohu me Gjela”, paraqet figurën e gjelit përballë detyrimeve të përditshme, duke simbolizuar gatishmërinë për t’u përballur me sfidat pa pritur zgjidhje nga të tjerët.

Përmes këtij cikli punimesh, Arianit Lakna ndërton figurën e “anGjelit” si një simbol të ri që përfaqëson vlera dhe ideale të një utopie bashkëkohore. Ekspozita fton vizitorët të reflektojnë mbi jetën e përditshme, përgjegjësinë dhe mënyrën se si individi ndërton raportin e tij me realitetin përmes artit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Keep Going” përzgjidhet në DokuFest

Published

on

Filmi i shkurtër kosovar “Keep Going” është përzgjedhur për edicionin e sivjetmë të DokuFest, duke shënuar një tjetër prezantim të rëndësishëm për kinematografinë vendore.

Lajmi u bë i ditur nga ekipi realizues i filmit, i cili shprehu kënaqësinë për këtë përzgjedhje dhe falënderoi aktorët, ekipin artistik e teknik, si dhe të gjithë mbështetësit që kontribuuan në realizimin e projektit.

Në kastin e filmit bëjnë pjesë Eli Gashi, Luan Jaha, Adriana Matoshi dhe Era Balaj.

Skenari dhe produksioni janë realizuar nga Valmira Hyseni dhe Zgjim Terziqi, ndërsa drejtor i fotografisë është Almir Gjikolli. Ekipi krijues përfshin gjithashtu Leart Rama në montazh, Pellumb Ballata në dizajnin e zërit, Gazmend Nela në kolorim dhe Blerim Shala në skenografi.

Filmi është realizuar me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës, si dhe partnerëve Ujë Rugove dhe Onix Spa & Thermal Resort.

Me këtë përzgjedhje, “Keep Going” do të shfaqet para publikut të DokuFest në Prizren, duke iu bashkuar një prej festivaleve më të rëndësishme të filmit në rajon./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Galeria Kombëtare e Kosovës rihap dyert pas rinovimit dhe zgjerimit më të madh pas luftës

Published

on

Galeria Kombëtare e Kosovës do të rihapë dyert për publikun më 9 korrik, në orën 19:00, pas përfundimit të procesit të rinovimit dhe zgjerimit, i cilësuar si më i rëndësishmi në historinë e saj të pasluftës.

Si institucioni qendror i vendit për artin modern dhe bashkëkohor, Galeria Kombëtare e Kosovës do ta shënojë këtë moment me një ceremoni të hapur për të gjithë qytetarët.

Rihapja pritet të shënojë një kapitull të ri për institucionin, duke ofruar hapësira të përmirësuara për ekspozita, aktivitete artistike dhe programe kulturore, në funksion të zhvillimit dhe promovimit të artit bashkëkohor në Kosovë.

Ngjarja do të mbahet më 9 korrik, duke filluar nga ora 19:00, ndërsa hyrja do të jetë e lirë për të gjithë të interesuarit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Orkestra “Amadeus” përfaqëson Kosovën në Festivalin Ndërkombëtar “Musica Orbis” në Pragë

Published

on

Orkestra e Fëmijëve dhe të Rinjve “Amadeus” do të përfaqësojë Kosovën në Festivalin Ndërkombëtar “Musica Orbis Festivals 2026”, i cili mbahet në Pragë të Çekisë.

Lajmin e kanë bërë të ditur drejtuesit e orkestrës, duke njoftuar se kjo paraqitje vjen pas një sërë sukseseve dhe vlerësimeve të marra në gara të ndryshme ndërkombëtare.

Gjatë festivalit, Orkestra “Amadeus” do të marrë pjesë në koncertin e hapjes, koncertin gala, si dhe në garën ndërkombëtare të orkestrave, e cila konsiderohet një nga momentet më të rëndësishme të këtij aktiviteti.

Përveç performancave, anëtarët e orkestrës do të kenë mundësi të marrin pjesë edhe në masterklasa me dirigjentë dhe anëtarë të jurisë së festivalit.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet të shtunën, më 11 korrik 2026, në orën 19:30, në “National House of Vinohrady” në Pragë.

Sipas drejtuesve të orkestrës, pjesëmarrja në këtë festival është rezultat i muajve të tërë punë, disipline dhe përkushtimi të të rinjve që përmes muzikës do të prezantojnë Kosovën në skenën ndërkombëtare.

Orkestra “Amadeus” ka ftuar bashkatdhetarët që jetojnë në Pragë dhe zonat përreth që t’i bashkohen koncerteve të tyre dhe të mbështesin këtë paraqitje të rëndësishme./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara