Jugu i Evropës po përjeton aktualisht një nga valët më të nxehta të kohës në dekadat e fundit. Italia, Greqia, Spanja, Shqipëria, Maqedonia e Veriut apo Turqia po luftojnë me zjarret.
E gjithë Italia është përfshirë nga zjarret prej disa javësh. Disa nga rajonet qendrore dhe jugore kanë humbur dhjetëra-mijëra hektarë pyje. Në Sardenjë botanistët janë të alarmuar për shkatërrimin e biodiversitetit lokal si dhe për numrin e ullishtave që janë shkatërruar. Në Sicili zjarret arritën qytetin e Katanjës dhe rreth 150 vetë u desh të evakuohen nga deti. Edhe aeroporti i qytetit u mbyll për disa orë.
Arsyeja pse Italia po përballet me zjarre të shumta e ka burimin tek një kombinim i përgjegjësive politike, burokracisë për mbrojtjen e pyjeve dhe veprimeve kriminale dhe mafioze. Sipas Coldiretti, shoqatës më të madhe të fermerëve në Itali, të paktën 60% e zjarreve në Itali janë vënë me qëllim.
Mungesa në rezervat e ujit
Temperaturat e larta kanë shkaktuar edhe mungesa në rezervat e ujit. Sipas autoriteteve lokale rezervuarët në Sicili kanë rreth 78 milionë metra kub më pak ujë se vitin e kaluar, niveli më i ulët këtë dekadë. Për këtë arsye në janar 2021, qeveria siciliane ndau 20 milionë euro për fermerët për të përmirësuar kapacitetet e rezervuarëve të ujit.
Sipas një raporti të vitit 2019 të Qendrës Kombëtare Italiane për Kërkime (CNR) 70% e Sicilisë rrezikohet të shndërrohet në shkretëtirë. Në Italinë qendrore dhe jugore kjo shifër varion nga 30% në Sardenjë deri në mbi 50% në Pulia.
Evakuime në rrethinat e Athinës
Edhe Greqia po përjeton valën më të keqe të nxehtësisë prej më shumë se tri dekadash. Zjarrfikësit grekë evakuuan nga rrethinat e Athinës mijëra banorë për shkak të zjarreve. Nga zjarret janë dëmtuar më shumë se 90 shtëpi, 27 biznese dhe janë djegur më shumë se 80 makina.
Autoritetet shëndetësore greke njoftuan se në Athinë janë regjistruar nivele deri në 465 mikrogram pjesëzash pluhuri të imët karboni për metër kub. Për krahasim kufiri që ka vendosur BE -ja është 50 mikrogramë për metër kub ajër.
Zjarret pushtojnë një termocentral në Turqi
Në bregdetin e Egjeut në Turqi u përfshi nga zjarret termocentrali Kermekoy në qytetin Milas. Para evakuimit punëtorët arritën të zbraznin rezervuarët ftohës të mbushur me hidrogjen. Për prodhimin e energjisë elektrike termocentrali përdor qymyr dhe naftë.
Javën e kaluar Ankaraja u detyrua të pranonte se numri i avionëve dhe i helikopterëve për të luftuar në mënyrë efektive flakët është i pamjaftueshëm. Megjithatë Presidenti Erdogan refuzoi ofertën e Greqisë dhe të Izraelit për të dërguar avionë dhe helikopterë. Ndërkohë BE-ja dërgoi tre avionë për të ndihmuar për shuarjen e zjarreve në Turqi.
Zjarret që po vazhdojnë prej më shumë se një jave kanë shkaktuar në Turqi tetë viktima dhe kanë shkatërruar zona të mëdha pyjore përgjatë brigjeve të Detit Egje dhe Detit Mesdhe. Mijëra qytetarë janë detyruar të zhvendosen nga shtëpitë e tyre.
Gërmimet arkeologjike që po zhvillohen në Bostan të Novobërdës po sjellin të dhëna të reja për këtë lokalitet të lashtë, i cili lidhet me periudhën e Mbretërisë Dardane.
Hulumtimet e zhvilluara gjatë viteve të fundit kanë konfirmuar praninë e një vendbanimi të fortifikuar, ku janë evidentuar gjurmë të një muri rrethues, një kulle dhe një porte.
Materialet arkeologjike të zbuluara dëshmojnë për rëndësinë e këtij lokaliteti gjatë periudhës klasike dhe helenistike.
Të dhënat e deritanishme e rendisin Bostanin ndër lokalitetet me rëndësi për studimin e jetës, ekonomisë dhe organizimit të vendbanimeve në Dardani gjatë periudhës së Mbretërisë Dardane./A.K/
Biblioteka Kombëtare e Kosovës po merr pjesë në Takimin e Përgjithshëm Vjetor të Agjencisë Ndërkombëtare të ISBN-së, i cili po mbahet në Madrid të Spanjës.
Takimi mbledh përfaqësues të agjencive kombëtare të ISBN-së nga vende të ndryshme të botës, me qëllim të diskutimit të zhvillimeve të reja në sistemin ndërkombëtar të identifikimit të botimeve.
Në fokus të takimit është edhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse për sistemin ISBN dhe shkëmbimi i përvojave në këtë fushë.
Pjesëmarrja e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në këtë takim kontribuon në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe në ndjekjen e zhvillimeve të reja në standardizimin dhe identifikimin e botimeve./A.K/
Ministria e Punëve të Jashtme e Francës u ka rekomanduar shtetasve francezë në Kosovë që të tregojnë vigjilencë më 16 shtator, pasi në të gjitha qytetet e vendit janë planifikuar tubime të mëdha me karakter politik.
Në një njoftim për sigurinë, autoritetet franceze u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre që t’i shmangin protestat dhe lëvizjet jo të domosdoshme gjatë ditës.
“Më 16 shtator, duke filluar nga ora 10:00, në të gjitha qytetet e vendit janë planifikuar tubime të mëdha me karakter politik”, thuhet në njoftim.
Shtetasve francezë u rekomandohet të qëndrojnë larg këtyre tubimeve dhe të shmangin çdo lëvizje jo të domosdoshme në qytete dhe në të gjithë vendin deri në fund të ditës.
Një ditë më parë, edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë lëshoi një njoftim për sigurinë, duke paralajmëruar për protesta të mëdha që pritet të zhvillohen më 16 shtator në qendër të Prishtinës dhe në qytete të tjera të Kosovës.
Sipas Ambasadës amerikane, disa organizata kanë planifikuar demonstrata të mëdha, të cilat mund të shkaktojnë grumbullime të shumta të qytetarëve, mbyllje të rrugëve dhe pengesa serioze në qarkullimin rrugor./A.K/
Prof. Miranda Sejdiu Abazi ka përfaqësuar komunitetin akademik me prezantimin e punimit të saj shkencor në kongresin trevjeçar të Organizatës Ndërkombëtare për Odonto-Stomatologjinë Forenzike (IOFOS 2026), i cili u mbajt në Lisbonë të Portugalisë.
Hulumtimi i saj i paraqitur përmes posterit shkencor me titull “Sex-related morphological trends of palatal rugae in adolescents and their forensic identification value” (PP23), trajton rëndësinë e karakteristikave morfologjike të qiellzës në identifikimin forenzik, si dhe dallimet gjinore te moshat adoleshente.
Punimi i Prof. Sejdiu Abazi është përfshirë gjithashtu në përmbledhjen zyrtare të punimeve (Proceedings) të Kongresit IOFOS 2026, duke shënuar një tjetër arritje të rëndësishme në veprimtarinë e saj kërkimore-shkencore në fushën e odontologjisë forenzike.
Pjesëmarrja në këtë ngjarje supreme ndërkombëtare i shërbeu shkëmbimit të përvojave akademike, prezantimit të gjetjeve shkencore dhe krijimit të urave të bashkëpunimit me ekspertë e profesionistë të fushës nga e gjithë bota.