Lajmet

Joe Biden një vit në detyrë: Ters dhe avari

Joe Biden fitoi zgjedhjet presidenciale në SHBA me një rezultat rekord dhe shumë premtime. Shumicën e tyre ai nuk mundi t’i mbante, aktualisht mbështetja për të në SHBA ka rënë.

Published

on


Shpresat e shumë amerikanëve ishin të mëdha, kur Joe Biden më 20 Janar 2021 u betua si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara.
 Vetëm pak javë më parë përkrahës të radikalizuar të presidentit të rrëzuar në zgjedhje, Donald Trump mësynë Kapitolin, simboli i demokracisë në SHBA: një simptomë e polarizimit të vendit, që Biden e trashëgoi nga Trumpi. Një nga premtimet më të rëndësishme të tij ishte bashkimi i kombit. Ai donte të guxonte një fillim të ri, kështu u shpreh Biden në fjalimin e tij të parë dhe “të ecë përpara me ritëm dhe vendosmëri”, sepse “ka shumë për të riparuar, shumë për t’u rivënë në vend, shumë për t’u shëruar.”

81 milionë votues e dhanë votën për Biden, asnjë president nuk ka marrë ndonjëherë kaq vota. Përveç kësaj Biden mundi të sigurojë një shumicë të ngushtë në të dyja Dhomat e Kongresit. Por tani një vit pas marrjes së detyrës duket se ka mbetur pak nga shkëlqimi i fillimit. Inflacioni është rritur, pandemia është jashtë kontrollit, vlerat në sondazhe të Bidenit kanë rënë nga 50% në verë, në 41% pak para krishtlindjeve.

“Mendoj që fjala më miqësore që mund them për një vit në detyrë të presidentit është ‘zhgënjim'”, shprehet Bret Stephens, opinionist, konservator, por kritik i Trumpit në “New York Times”. Biden mori vendime të gabuara politike, si tërheqja nga Afganistani. Kjo ndikoi në imazhin e tij, në mungesën e suksesit në kongres dhe në fund në besueshmërinë e tij si drejtues i një fuqie botërore.

Mësymja e Kapitolit nga përkrahësit e Donald Trump tronditi botën

Trashëgimia e Donald Trumpit – rrënoja

Virginia Sapiro, profesore në pension e shkencave politike e Universitetit të Bostonit thotë se rënia e mbështetjes për Biden në shoqëri nuk lidhet vetëm me vendimet e gabuara. Biden e mori detyrën në kohë shumë të vështira. “Ai e ka pasur shumë më të vështirë, se çdo president para tij që nga Roosevelti, që e mori postin në kohën e një depresioni të thellë.”

Gjendja e vështirë ekonomike e vendit, pandemia, një parti republikane, ku disa anëtarë me influencë ende pretendojnë, se Biden ia vodhi zgjedhjet Trumpit, të gjitha këto shumohen, sipas Sapiron “në një grumbull rrënojash, që duhet hequr mënjanë njëherë, për të arritur diçka.” Një arsye tjetër është, se republikanët e moderuar e mbështetën Bidenin, se nuk donin Trumpin, por në thelb ata donin një politikë konservatore.

US-Präsident Joe Biden

Politika e jashtme e pasuksesshme, shoqëri e përçarë

Por jo çdo gjë ka qenë kaq keq në vitin e parë të Joe Bidenit. Që në mars ai ia doli të miratojë një paketë ndihme prej 1,9 miliardë dollarësh për të mbështetur ekonominë, dhe familjet e prekura rëndë nga pandemia. Një sukses tjetër është mbështetja që Biden mori nga republikanët në fundin e vitit për paketën infrastrukturore prej 1,2 bilionë dollarësh. Mes këtyre të dyjave ndodhet gabimi më i madh i Bidenit, sipas shumë amerikanëve. Tërheqja amerikane nga Afganistani në gusht 2021. Si pasojë talibanët morën pushtetin me një shpejtësi të papritur dhe vendosën shkurtimin masiv të të drejtave të grave.

Seth G. Jones zëvendëspresidenti i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare kritikon tek tërheqja amerikane mungesën e përgatitjes. “Si mënyra ashtu edhe rezultati i nxorrën Shtetet e Bashkuara si të paafta, jokompetente dhe në fund të dobta”, thotë Jones. Edhe dëmtimi i imazhit ishte shumë i madh. Për shumë vende shtrohet sot pyetja, nëse SHBA është një partner i besueshëm.

Edhe premtimin e madh për bashkimin e kombit, Biden nuk arriti ta mbajë. Sipas sondazheve rreth 40% e amerikanëve ende besojnë, se ai nuk është president legjitim. Kjo tregon sa e thellë është përçarja në shoqëri. As me axhendën legjislative, Biden nuk pati sukses, sepse shumë shpesh senatorë dhe deputetë republikanë i kanë refuzuar projektet e tij. Tek dështimet më të mëdha llogaritet ligji “Build Back Better” – një program i zgjaruar investimesh për kujdesin ndaj fëmijëve, arsimin dhe mbrojtjen e klimës, që do kishte përmbushur disa nga premtimet e tij. Edhe përpjekjet  e tij për reformën në polici në shtatorin e shkuar dështuan, sepse partitë nuk ranë dakord se si të veprohet me imunitetin juridik të oficerëve të policisë.

USA, Atlanta | US-Präsident Joe Biden

Kush vjen pas Bidenit?

Viti 2021 nuk ishte vit i lehtë për Joe Biden, por as tre vitet e ardhshme nuk do të bëhen më të lehta. Ndër sfidat më të mëdha të politikës së jashtme të SHBA mbetet Kina, mungesa e stabilitetit në Lindjen e Afërt, kërcënimi për marshimin e Rusisë në Ukrainën lindore. Për të rifituar besueshmërinë, qeveria duhet “të tregojë kurajë dhe të veprojë seriozisht kundër Rusisë, Kinës apo Iranit”, thotë Seth G. Jones. Sipas ekspertit “më shumë flitet se veprohet”.

Në politikën e brendshme ky vit është vendimtar për Biden, sepse zhvillohen zgjedhjet mid-term në mesin e mandatit në nëntor, ku Biden edhe mund të humbasë shumicën e ngushtë në senat. Kjo do t’ia bënte atij më të vështirë të realizojë paketat e masave që janë në rend të ditës: me gjasë arritjen e një ujdie për një version të holluar të ligjit “Build Back Better” dhe një reformë zgjedhore.

Ende është e hapur pyetja: Do të kandidojë Biden sërish si president? Me shumë gjasa jo, kjo është në Uashington D.C. si një sekret që e dinë të gjithë, thotë opinionisti Bret Stephens. Këtu luan rol edhe mosha Bidenit. Në vitin 2020 ai ishte me 78 vjeç, presidenti më i moshuar i zgjedhur ndonjëherë në SHBA, në zgjedhjet e vitit 2024 ai do të ishte ndërkohë 82 vjeç. Bret Stephens mendon, se pikërisht për këtë, Biden do duhet të përqëndrohet tek detyrat e sfidat e mëdha të SHBA. Partia Demokratike duhet ndërkohë të gjejë kandidatë të mirë për vitin 2024. Sepse republikanët, për këtë është i bindur Stephens, do të jenë sfidues të fuqishëm në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.DW

Continue Reading

Lajmet

Dogana zbulon 150 mijë euro të padeklaruara në Vërmicë

Published

on

By

Zyrtarët e Sektorit të Antikontrabandës të Doganës së Kosovës kanë parandaluar një rast të mosdeklarimit të mjeteve monetare në Pikëkalimin Kufitar të Vërmicës, duke zbuluar 150,000 euro të fshehura në një veturë.

Rasti ka ndodhur mbrëmjen e 12 nëntorit, rreth orës 19:00, në hyrje të Republikës së Kosovës. Ndonëse drejtuesi i automjetit kishte deklaruar se nuk posedonte asgjë për të paraqitur te doganierët, gjatë kontrollit të detajuar të veturës u gjetën paratë e padeklaruara. Fillimisht, shoferi kishte thënë verbalisht se shuma ishte 120,000 euro, por pas numërimit zyrtar rezultoi se ishin 150,000 euro, të gjitha në kartëmonedha prej 50 eurosh.

Në përputhje me procedurat ligjore për mosdeklarimin e mjeteve monetare, Dogana e Kosovës ka ndërmarrë këto masa:

37,500 euro (25% e shumës) janë konfiskuar menjëherë për mosdeklarim.

112,500 euro (75% e shumës) janë ndalur për deponim dhe ruajtje deri në përfundimin e procedurave hetimore.

Në vendngjarje kanë dalë zyrtarët e Sektorit të Hetimeve të Doganës në koordinim me Prokurorinë kompetente në Prizren. Me udhëzim të prokurorit kujdestar, drejtuesi dhe automjeti janë liruar, ndërsa ai është obliguar të paraqesë dokumentacionin përkatës për të dëshmuar prejardhjen e parave.

Dogana e Kosovës u rikujton udhëtarëve se deklarimi i mjeteve monetare në vlerë prej 10,000 euro ose më shumë është detyrim ligjor gjatë hyrjes apo daljes nga vendi.

Continue Reading

Lajmet

Samiti i NATO-s në Tiranë nuk do të mbahet në vitin 2027

Published

on

By

Samiti i NATO-s nuk do të mbahet në Shqipëri vitin e ardhshëm, pavarësisht planeve të mëparshme. Lajmin e ka konfirmuar kryeministri shqiptar, Edi Rama, duke saktësuar se organizimi në Tiranë mund të zhvendoset për në vitin 2028.

Duke folur në Dublin përpara një takimi të liderëve evropianë, Rama deklaroi se ende nuk ka një dakordësi të përbashkët brenda aleancës se kur do të zhvillohet samiti i radhës, por përjashtoi kategorikisht vitin 2027.

“Çështja është se ende nuk ka një qëndrim të përbashkët se kur do të mbahet samiti, por me siguri jo në vitin 2027. Dhe në vitin 2028, nëse do të ketë një samit, ai do të jetë në Tiranë”, tha Rama.

Nga ana tjetër, një zyrtar i NATO-s deklaroi të enjten se “samiti i ardhshëm i NATO-s do të mbahet në Shqipëri”, por shtoi se vendimi për datën ende nuk është marrë.

Sipas raportimeve të agjencisë Reuters, planet për mbajtjen e samitit në Tiranë ishin vënë në dyshim që në muajin qershor, për shkak të rezistencës nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump dhe pakënaqësive mes vendeve anëtare lidhur me nivelin e ulët të shpenzimeve të Shqipërisë për mbrojtjen.

Gjithashtu, NATO po shqyrton mundësinë e ndërprerjes së praktikës së samiteve vjetore, një lëvizje që shihet si mënyrë për të shmangur tensione të mundshme me presidentin Trump.

Ndërsa në deklaratën e samitit të Hagës në qershor 2025 parashikohej që takimi në Turqi në vitin 2026 të pasohej nga ai në Shqipëri, në deklaratën e samitit të Ankarasë të mbajtur në korrik të këtij viti, liderët e aleancës nuk përmendën as kohën dhe as vendin e takimit të ardhshëm. /Reuters/

Continue Reading

Lajmet

IQMT gjobit me 9 mijë euro tri kompani postare dhe ndëshkon tregtarët e paregjistruar online

Published

on

By

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka realizuar 70 inspektime ndaj kompanive të shërbimeve postare që shpërndajnë porositë e realizuara përmes platformave online, duke shqiptuar masa ndëshkuese për shkelësit e ligjit.

Sipas njoftimit të IQMT-së, tri kompani postare janë gjobitur me gjithsej 9,000 euro, pasi kanë refuzuar të ofrojnë të dhënat për bizneset apo personat fizikë nga të cilët kishin pranuar mallrat për transport. Gjithashtu, nga monitorimi i rrjeteve sociale dhe platformave të shitjes, janë identifikuar dhe gjobitur dy persona fizikë që ushtronin veprimtari tregtare të paregjistruar, të cilët janë obliguar të regjistrojnë bizneset e tyre brenda afatit ligjor.

Nga ky aksion inspektues, mbi 100 biznese janë formalizuar duke u regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK).

Njëkohësisht, IQMT bën të ditur se ka nisur kontrollet e rrepta për ofertat dhe zbritjet e promovuara me rastin e “Black Friday”. Inspektorati do të verifikojë nëse çmimet e reklamuara me zbritje përputhen me çmimet reale të shitjes, duke paralajmëruar gjoba konform Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit për çdo praktikë mashtruese. Kontrollet ndaj tregtisë online tashmë janë përfshirë në planin e rregullt të punës së këtij institucioni./E.A/

Continue Reading

Lajmet

Vitia pranon mungesën e barnave onkologjike gjatë verës, njofton masa disiplinore ndaj zyrtarëve të vonuar

Published

on

By

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka pranuar gjatë interpelancës në Kuvendin e Kosovës se në Klinikën e Onkologjisë ka pasur mungesë të medikamentit “Palbociclib” gjatë muajve korrik dhe gusht të këtij viti, si dhe vonesa në furnizimin me disa barna të tjera esenciale.

Duke sqaruar situatën, Vitia bëri të ditur se “Palbociclib” ishte futur në Listën Esenciale në vitin 2025 me planifikim fillestar për 40 pacientë, por dyfishimi i kërkesave bëri që kontrata të shpenzohej në masën 130% brenda nëntë muajsh. Sipas tij, pamundësia për të hapur procedura të reja pa miratimin e buxhetit dhe dështimi i tenderit të parë për mungesë ofertuesish shtynë furnizimin deri më 18 gusht, pas lidhjes së kontratës së përshpejtuar më 30 korrik 2026.

Bilanci i mungesave dhe masat disiplinore

Ministri pranoi se furnizimi i sivjetshëm në Onkologji nuk ka qenë në nivelin e viteve 2024 dhe 2025, duke paraqitur të dhënat mbi shtrirjen e mungesave:

Palbociclib: Mungoi për gati 9 javë, duke prekur 70 pacientë (dy cikle trajtimi).

Bevacizumab (Avastin): Mungoi për rreth 13 javë, duke prekur 70 pacientë.

Bicalutamide: Mungoi për 12 javë, duke prekur rreth 70 pacientë.

Dabrafenib: Mungoi për 20 javë, duke prekur 12 pacientë.

Sorafenib: Mungesa preku 14 pacientë.

Si shkaqe kryesore ai përmendi mungesën e autorizimeve të marketingut dhe vonesat procedurale. Vitia njoftoi se pas një auditimi të brendshëm janë iniciuar procedura disiplinore ndaj zyrtarëve që nuk kanë reaguar me kohë, ndërsa shtoi se tashmë janë nënshkruar kontrata afatgjata për stabilizimin e furnizimit.

/E.A/

Continue Reading

Të kërkuara