Magazinë

Jennifer-Brad-Angelina, drama që nuk u mbyll kurrë

Published

on

Thuhet se nëse ulesh pranë lumit dhe pret gjatë, do të shohësh trupat e armiqve të tu të kalojnë. Nuk ka thënë Jennifer Aniston këtë, por mund ta kishte thënë. Sepse ajo bëri pikërisht këtë: priti.

Nuk bërtiti. Nuk shkroi letra të hapura. Nuk shiti histori për më shumë klikime. Ajo thjesht nisi të jetojë më mirë, më mirë se kushdo tjetër në këtë trekëndësh të rrëmujshëm hollivudian që nisi si film romantik dhe përfundoi si dramë gjyqësore pa fund.

Kopertina që flet pa thënë asgjë

Jennifer, 56 vjeç sot, shfaqet e veshur me një fustan transparent Saint Laurent në kopertinën e Vanity Fair, më seksi se kurrë, me një buzëqeshje që thotë: Po, jam ende këtu. Dhe jo, nuk më thyen dot.

Pitt e Jolie ndahen publikisht për fëmijët, për paratë, për verën… Jennifer shijon jetën në vilë, e qetë dhe pa ndonjë nevojë për të “dhënë hak”.

Historia që nuk kishte fund, por që Aniston e mbylli vetë

Ajo pranon se ishte një kohë e vështirë. Të shohësh burrin tënd me një grua tjetër nëpër kopertina, duke mbajtur fëmijë që s’i kishte me ty… Nuk ishte e lehtë. Por nuk kërkoi mëshirë. “I thashë vetes: Qëndro drejt dhe ec përpara, vajzë.”

Eci. Larg nga tabloidët. Larg nga drama. Drejt karrierës së re, drejt rolit në The Morning Show, drejt projekteve që vetë i prodhon. Drejt një jete pa zhurmë.

Angelina dhe Brad – kur “Mr. & Mrs. Smith” u bë fjalë për fjalë

Ishte Aniston ajo që e telefonoi Jolie-n, e lumtur që do të punonte me burrin e saj në film aksioni. Ironike, apo jo? Filmi i bëri bashkë, në ekran dhe në jetë.

Ndërsa Aniston mbyllte “Friends” dhe përballej me një boshllëk emocional që e rrëzonte, Pitt shkonte në Kenia me Jolie-n, shfaqej me Zahara-n në krah, dhe më pas… binjakë, adoptime, fotot ekskluzive për miliona.

Sot: një jetë e re, pa mëri dhe pa nevojë për hakmarrje

Jennifer nuk lëshoi kurrë helm. Nuk hodhi gurë. Nuk bëri deklarata të mëdha. Kur Pitt tha që kishte qenë i pakënaqur me të, ajo buzëqeshi dhe tha:

Nuk mbaj mëri. Dhe kjo është fuqia e saj. Kur Angelina lufton për kujdestari. Kur Pitt mbështillet në betejat e pafundme. Jennifer ecën përpara.

Me projekte. Me miq të vërtetë. Me një partner të ri. Me buzuki në zemër dhe tekilë me Sandra Bullock në darkë.

Magazinë

Muse-X e kthen Tiranën në qendër ndërkombëtare të industrive kreative

Published

on

Tirana u shndërrua në një qendër të rëndësishme të artit dhe kreativitetit me zhvillimin e festivalit ndërkombëtar Muse-X, i cili mblodhi qindra artistë vendas dhe të huaj. Për tri ditë me radhë, eventi solli një program të pasur me aktivitete artistike, konferenca dhe bashkëpunime profesionale.

Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga ky organizim, duke e cilësuar si një platformë që bashkon artistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Muse-X konfirmoi rolin e tij si një hapësirë e rëndësishme për promovimin e kulturës dhe industrive kreative. Në këtë edicion morën pjesë përfaqësues nga 22 shtete, me mbi 80 kompani dhe 120 stenda, duke ofruar çdo ditë deri në 15 orë aktivitete. Festivali përfshiu profesionistë nga muzika, filmi dhe artet vizuale, me panele dhe punëtori të shumta.

Ky organizim, i mbështetur nga institucionet shtetërore, synon të forcojë pozicionin e Shqipërisë si një destinacion i rëndësishëm kulturor në nivel ndërkombëtar.

Continue Reading

Magazinë

Gjykata hap rrugën për proces civil ndaj Alec Baldwin për rastin tragjik në xhirimet e filmit “Rust”

Published

on

Aktori amerikan Alec Baldwin mund të përballet me një gjykim civil lidhur me incidentin e vitit 2021 në sheshxhirimin e filmit “Rust”, pasi një gjykatës ka vendosur që një padi ndaj tij mund të vazhdojë në gjykim.

Çështja “Rust” është një rast tragjik dhe shumë i diskutuar që ka ndodhur në industrinë e filmit në SHBA gjatë xhirimeve të filmit “Rust” në vitin 2021. Gjatë provave në sheshxhirim, aktori Alec Baldwin po mbante një armë rekuizite (prop gun) për një skenë. Arma u shkrep dhe doli një plumb i vërtetë, duke vrarë Halyna Hutchins dhe duke plagosur regjisorin Joel Souza.

Ngjarja shkaktoi hetime të gjera penale dhe civile, pasi u ngritën pyetje serioze për sigurinë në set dhe mënyrën si u menaxhuan armët e zjarrit gjatë xhirimeve. Baldwin ka deklaruar se nuk ka tërhequr këmbëzën e armës.

Padia është ngritur nga Serge Svetnoy, teknik i ndriçimit në film, i cili pretendon se Baldwin ka qenë neglizhent në rrethanat që çuan në incidentin tragjik.
Gjykatësi i Gjykatës së Lartë në Los Angeles, Maurice Leiter, ka lejuar që pretendimet për neglizhencë dhe shkaktim të qëllimshëm të vuajtjes emocionale të vazhdojnë, ndërsa ka hedhur poshtë akuzën për sulm. Nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje mes palëve, gjykimi civil është planifikuar të nisë më 12 tetor.

Baldwin ka mohuar gjithmonë se ka tërhequr këmbëzën e armës. Në vitin 2024, çështja penale ndaj tij u hodh poshtë nga gjykata, pasi u konstatua se prokuroria kishte mbajtur të pa zbuluara prova që mbrojtja duhej t’i kishte pasur në dispozicion. Vendimi e bëri të pamundur rihapjen e akuzave penale ndaj tij.

Çështja “Rust” mbetet një nga incidentet më të diskutueshme në industrinë e filmit në vitet e fundit, duke ngritur debate të gjera për sigurinë në sheshxhirime.

 

Continue Reading

Magazinë

Vizita e Princit Harry dhe Meghan Markle në Australi ngjall debate mbi natyrën publike dhe komerciale të angazhimeve të tyre

Published

on

Duka dhe Dukesha kanë përfunduar një vizitë katërditore në bregun lindor të Australisë, e cila përfshiu aktivitete të ndryshme në fushën e kulturës indigjene, sportit australian, kauzave bamirëse dhe një vizitë në memorialin kombëtar të luftës.

Edhe pse programi i vizitës kishte elemente të ngjashme me një turne tradicional mbretëror, Princi Harry dhe Meghan Markle nuk po e kryejnë më këtë rol si pjesë aktive e Familjes Mbretërore, por në një kapacitet privat. Në krahasim me vizitën e tyre të vitit 2018, kur u pritën nga mijëra qytetarë gjatë një turneu në Australi, këtë herë interesi publik ishte dukshëm më i ulët. Sipas raportimeve, shumica e australianëve të kontaktuar nuk ishin në dijeni ose nuk shfaqën interes për vizitën e çiftit.

Vizita është shoqëruar edhe me kritika, pasi është ngritur çështja e mundshme e mbulimit të shpenzimeve të sigurisë nga taksapaguesit australianë për disa ngjarje publike. Sipas akademikes Giselle Bastin nga Flinders University, organizimi i vizitës është menaxhuar me kujdes për të shmangur reagime negative apo incidente publike, duke kufizuar daljet e hapura në turmë dhe takimet spontane.

Gjatë qëndrimit në Australi, Harry dhe Meghan morën pjesë në disa aktivitete me karakter emocional dhe simbolik, përfshirë takime me komunitete lokale dhe viktima të ngjarjeve të ndryshme. Meghan, ndër të tjera, ka folur edhe për përvojën e saj me ngacmimet në rrjete sociale, duke e cilësuar veten si një nga personat më të sulmuar online. Vizita ka përfshirë edhe elemente me karakter komercial, çka ka ngjallur debat publik. Princi Harry ka folur në një samit për shëndetin mendor, ndërsa pjesëmarrja në disa evente ka pasur çmime të larta për bileta. Po ashtu, Meghan Markle ka marrë pjesë në një aktivitet privat dhe është prezantuar edhe si investitore në një platformë teknologjike.

Ndërkohë që një pjesë e publikut dhe ekspertëve e vlerësojnë angazhimin e tyre në kauza bamirëse, kritikët kanë ngritur shqetësime për përzierjen e aktiviteteve humanitare me ato komerciale, veçanërisht në një kohë sfidash ekonomike.

Pavarësisht polemikave, mbështetësit e çiftit theksojnë ndikimin pozitiv që vizita e tyre ka pasur në organizata të ndryshme dhe në promovimin e kauzave sociale në Australi.

Continue Reading

Magazinë

Filmi i ri për Michael Jackson pritet të jetë një sukses i madh, mes dilemave për rrëfimin e plotë të jetës së tij

Published

on

Një film i ri për jetën e jashtëzakonshme, por edhe të trazuar të Michael Jackson pritet të dalë së shpejti në kinematë botërore. Projekti po parashikohet të ketë një sukses të madh, megjithëse mbetet për t’u parë nëse do të pasqyrojë tërësisht historinë e artistit.

Filmi “Bohemian Rhapsody” pati një prodhim të vështirë, me largimin e aktorit kryesor Sacha Baron Cohen dhe shkarkimin e regjisorit Bryan Singer. Megjithatë, biografia e Freddie Mercury dhe grupit Queen arriti mbi 900 milionë dollarë të ardhura dhe fitoi katër çmime Oscar.

Pas këtij suksesi, producenti Graham King njoftoi në vitin 2019 se do të realizonte një tjetër film biografik për një superyll të muzikës – Michael Jackson. Megjithatë, projekti përballet me një sfidë të madhe, pasi Jackson ishte akuzuar për abuzim me fëmijë. Në vitin 1994 ai arriti një marrëveshje jashtë gjykate me një nga akuzuesit e tij, ndërsa në vitin 2005 u shpall i pafajshëm në një gjykim penal. Avokatët e pasurisë së Jacksonit dhe përfaqësuesit e saj, që janë edhe pjesë e prodhimit të filmit, kanë deklaruar për BBC se “besojnë fuqishëm dhe pa asnjë mëdyshje në pafajësinë e Michael Jacksonit”. Megjithatë, këto akuza mbeten pjesë e historisë së tij, duke e bërë më kompleks realizimin e një filmi të madh hollivudian. Pavarësisht kësaj, analistët e industrisë parashikojnë se filmi “Michael” mund të ketë sukses edhe më të madh se “Bohemian Rhapsody”.

Popullariteti i Jacksonit është rritur ndjeshëm pas vdekjes së tij në vitin 2009, si pasojë e një mbidoze me ilaçe. Aktualisht, ai numëron dhjetëra miliona dëgjues në platformën Spotify, duke u renditur ndër artistët më të ndjekur në botë.

Trashëgimia e tij artistike vazhdon të jetë e pranishme edhe në skenë, përmes spektaklit “Michael Jackson ONE” në Las Vegas dhe muzikalit “MJ The Musical” në Broadway.

Filmi “Michael” u njoftua në janar 2023, me skenar nga John Logan dhe regji nga Antoine Fuqua. Në kast do të përfshihen emra të njohur si Colman Domingo, Miles Teller dhe Nia Long, ndërsa rolin kryesor do ta luajë nipi i tij, Jaafar Jackson.

Sipas një deklarate të vitit 2024, përfaqësuesit e projektit theksuan se që nga fillimi pasuria e Michael Jacksonit i ka besuar plotësisht producentit Graham King, duke qëndruar jashtë procesit krijues.

Marrë dhe përshtatur nga BBC

Continue Reading

Të kërkuara